top of page

Fatmir Terziu: Mustafa Z. Shahinaj, pas një poezie të të birit Hasan M. Shahinaj

Updated: Feb 14


Memorja për Njeriun e Madh, Mustafa Z. Shahinaj, pas një poezie të Hasan M. Shahinaj


 Prof. Dr. Fatmir Terziu

 

Një kopësht ngre dhe ul sipar kujtimesh, tashmë disi muzeale, në Trebisht Muçinë të Dibrës së Madhe. Pak shkallë dhe pak vegim. Sytë depërtojnë përtej avllisë, përtej mureve. Diku në rrjedhë të të thënave ndjej se pikon gjak të thatë nga një penë që shtrëngonte bishtin e një pene me majë, një laps, një stilograf. E kthen atë në memorje tetori, e hollë dhe e zhurmshme si një kujtim letrash. E papërfunduar, në mungesë të bojës me shi. E padërguar për shkak të adresave të munguara. Dhe e harruar, pas shpejtësisë gjithëpërfshirëse të jetës. Edhe në të drejtën e pafundme në vdekje. E ngecur në memorje. E ballë për ballë një shkolle. Një shkolle emërmadhe! Një shkollë që mbajti peshën, trokamat, trupin dhe shtrydhi trurin e një Mësuesi me vlerë të padiskutueshme të gjuhës amtare për një periudhë mbi tridhjetë vjeçare. E këtë mësues, këtë figurë të denjë për të gjitha muzeumet e mban kjo shtëpi e rinovuar, e kjo poezi e përkushtuar: Rinovimi i banesës nga i biri Inxhinier e biznesmen, Lulzimi, dhe poezia nga mësuesi dhe poeti, Hasani.

Dhe kështu udhëton mes leximit dhe rileximit të kësaj poezie të mrekullueshme, dhe njëkohësisht dhe mes memorjeve të kësaj shtëpie që e vizituam në tetorin që kaloi. E aty ndjej se pemët kanë prekur kohërat, sikurse vitet dhe muret ndjejnë zhurmën e padiktuar nga heshtja. Heshtja zgjohet dhe kërkon të prekë Zotin. Për t'i kujtuar atij kujtimet e atyre që i mban pranë dhe të gjallët më poshtë. I zhytur në një barbarozë përjetimi i memorjes, i lëshuar sipas dëshirës në oborrin e pjerrët, përpiqet të sintonëzoj shpirtin e strukur diku, i pamësuar me harmoninë njerëzore të kohës që braktis gjërat dhe me një frymë ndryshe, përjetimi shkon pas disa muajsh të rilexojë këtë poezi të birit dhe poetit të kësaj vlere muzeale:

„Mbi trojet e djepet e mia të gjalla,

Kujtimi i pa fjetur nga Drini i Zi rrjedh.

Për ty që më dhe frymëzime  të rralla,

Lejomë baba, ca vargje të hedh[1].“ (Hasan, M. Shahinaj, poezia „Përkushtim për babanë tim mësues“ (Fjala e lirë, Londër, 14 shkurt 2025)

Dhe duke e lexuar këtë strofë ndjejmë se shpirti i strukur diku thellë itinerarit të ravijëzuar të na flasë qartë: „Sepse në ndjekjen intensive të shqiptarizmit, unë rrëshqas gjithnjë e më shumë në ngjashmëri. Njerëzit e mi dhe pasionet e tyre janë të njëjta. Është gjithashtu moti - një libër i hapur me gjëra të mira të mësuara. Një kohë për të mësuar dhe një kohë për të diktuar. Kishte një herë tjetër? Natyrisht që jo, ndryshe si do të vijonte rrënja në delegata të tilla të sinqerta, plotë rrjedha të vërteta e plotë vlera? Shpjegimi është i qartë dhe i saktë  sa vijon:

„Mësues i shqipes ishe im atë,

Dyzetë vjet edhe jo pakë.

U kërrus mbi libra dhe defterë

Një jetë të vërtetë, të tërë.

Faqebardhë e me nder,

Derisa u lodh, u plak,

Por na thoje kur hyje në prag:

Pritni, pritni, do mësoj pak!“


Dhe natyrshëm që do të mësonte. Do të mësonte atë që kishte nisur tek Normalja. Vetë Arkivi Dixhital i Shqipërisë e shtjellon pak e saktë Dëftesën e tij të Shkollës Normale: „Dëftesë e Shkollës Normale të Mustafa Shahinaj nga Dibra, Nr regjistrit 20, për klasën II të vitin shkollor 1930-1931, në Normalen e Elbasanit. Funksionimi i shkollës Normale në Elbasan gjatë viteve të Mbretërisë Shqiptare thithi shumë kontigjente nxënësish, jo vetëm nga Elbasani por nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Një i tillë është edhe Mustafa Shahinaj, për të cilin flet dëftesa e shkollimit të tij. Edhe pse ai jetonte në Elbasan, pas mbarimit të shkollës Normale, ai shërbeu si mësues në zonën e Peshkopisë, madje deri në Mitrovicë të Kosovës. Kjo dëftesë flet për rregullsinë e shkollës Normale, për modelin e një arsimi serioz dhe me opinione të qarta për secilin nxënës. Amza e kësaj shkolle është një dokument historik me vlera për arsimin kombëtar dhe mbarkombëtar[2].“

Pra, Mustafa Zeqir Shahinaj i përket asaj plejade Normalistësh, pikërisht maturës së vitit 1929-1934, që më pas u bënë pishtarët e Gjuhës Shqipe në mjaft fshatra, zona, qytete dhe hapësira shqiptare. Bir i një patrioti të dëgjuar të Dibrës dhe një mësimtar e mësimdhënës i denjë ai ka mbetur i pavdekshëm në memorjet e brezave. Përveç kësaj ai i dha Shqipërisë një rrjedhë brezash me bijë e bija, nipër e mbesa e stërnipër e stërmbesa në një udhë të begatë e të artë. Ndaj me të drejtë, i biri, poeti Hasan Shahinaj shkruan sa vijon:

„Dhe s'pyete për hipertension e shëndet,

Dhe nuk mungove një ditë në shkollë.

Dhe ece në baltë, në shi e në borë,

E uruara zile të ftonte në oborr.

 

Gjithmonë ke udhëtuar, e mësuar larg,

Lurë, Burgajet, Tetovë, Ostren, Dibër.

Të prisnim ndër zemra shtëpi e prag,

Stë ndali as shkolla verore,

As shqota e ngrica në dimër.

Ngulmoje me sedër: do punoj prap!

 

Im  atë filloi krymësues në Lurë,

I madhi Migjen, më lart në Pukë.

Su lodhën aso kohe kurrë,

Hëngrën, legjendën e misërnikes bukë.“ (Po aty)

 

E aunë e shikoj këtë tashmë si në një skenar filmi me metrazh të pambarimtë. E ndjej udhën e dikurshme, por tashmë udha tjetër më udhëzon ndryshe. Është mbrëmje. Në këtë mbrëmje, një vapë bërthamore u vendos në rrugën e qetë të kalimit ndërkufitar. Fëshpëritjet e errësirës më pushtuan me një pëshpëritje vargjesh:

 

"... o pyll, lum, jeshil,

mësuesi doli nga libri,

heq një germë nga një gabim shkrimi,

një bir ngjesh penën e tij,

tjetri rrënjëve memorjet u peshon ,

Duke u endur jo më vetëm nëpër dije,

Ish-nxënësi juaj është me fat që mund të gjurmojë...“ (F. Terziu, shkurt 2025)

 

Unë tashmë e di saktësisht se cila është rruga ime. Dhe çfarë do të bëj në këtë kohë shterpe jam mjaft i denjë ta kuptoj. Por kur të kthehem në shtëpi, do t'ju them së pari miqve, zgjova memorjet nga dy gjëra: nga vizita tek shtëpia e Mustafa Zeqir Shahinaj dhe nga poezia e të birit poet, Profesorit Hasan Shahinaj. Por do të kërkoj ndjesë se nuk i kam vënë unë në siklet as Migjenin, dhe as Mësuesin e një plejade të ngjashme, as vetë autorin e poezisë, Profesorin Hasan Shahinaj. As nëna vendlindje. Unë premtoj se ata ishin në vargjet edhe në shkrimet e vargjet e tilla, edhe në librat mia, dhe mbetën vetë zgjuar nga memorjet dhe poezia:

„Migjeni thuri skica e novelëza,

Tim eti i mungonte dhe shëllira,

Dhe qepa dhe kafshorja, pale veza,

Zemrave i'u gufmonin vargjet e lira.

 

Të dy i rrethonin Lulat e vocërr,

Zenelët, lypsat, murgeshat, kasollet.

Për shpirtrat rebel e plot vizion,

Si rilindas të pashuar, 7 marsi i kujton!“ (Hasan Shahinaj, po aty)

Dhe bëhet akoma më e qartë kur memorjet vetë zgjohen e zbërthehen, kur i madhi Mustafa Z. Shahinaj u thoshte atyre që merrnin një rrugë: „Dhe nëse do të më turpërosh, më mirë të mos kthehesh!“ Dhe fjala e tij kishte peshë!


[1] (Hasan, M. Shahinaj, poezia „Përkushtim për babanë tim mësues“ (Fjala e lirë, Londër, 14 shkurt 2025)

[2] (Arkiva Dixhitale Shqiptare, e gjetshme këtu: https://adsh.al/s/adsh/item/23933#lg=1&slide=0)

 

66 views0 comments

Yorumlar


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page