top of page

Fatmir Terziu: Legjenda e Trebishtit


Legjenda e Trebishtit

Nga Fatmir Terziu

 

 

Askush më mirë se sa duart e nënave që zgjasin fijet e tezgjahut nuk mund ta përcaktoj fillin e një Legjende. Ky fill që u ngul bashkë me ngjyrat, marifetet e zanatit dhe estetikës, bukuritë dhe qëndisjet e papara, ishte dhe filli që mishëroi vetë Legjendën. Legjenda sikurse miti, eci paralel mbi tezgjah dhe u mishërua në të në Fjalë. Dhe netët mes dashurisë së paparë, e bënë më shumë se një përrallë, ndërsa ktheheshin nga gdhendja e gurit të gjithë ata që vinin nga rendi i Burrit. E kështu mori udhën e tij të rrëndë, ky trend, derisa u bë Legjendë…

Legjenda tregon, se kur Zoti vendosi t'u ndante të mirat e fatet e Zanateve dhe atyre të Natyrës njerëzve,  ato të mira që i përkisnin në aftësi, e mençuri, territor e në vend pjellor, banori i asaj zone, ishte në dy frontet e tij më të ndjeshme të asaj kohe. Njëra palë qëndiste me duar të arta tokën ende të pamatur, dhe tjetra, ajo burrërorja i qepte fytyrën estetike gurit që të bëhej kështu forma më e bukur e së ardhmes që i jepte më shumë jetë, asaj që Zoti e dëshironte vetë. Kjo e zënë tipike e duarve, muskujve dhe mendjes, nuk u shpëtoi dot syve. Syve të krijuesit, që ndiqte barazinë dhe meritoren.

Dhe kështu, duke qenë i zënë banori i këtij vendi përrallor, natyrisht nuk mbeti i fundit nga planet e Zotit në atë kohë. Ndërsa banori punëtor dhe duarartë i asaj zone nuk arriti dot as të flasë, Zoti ia dha e ia përzgjodhi vetë atë Parajsë. Ia përzgjodhi vetë me dorë, duke i thënë me një zë të butë e të urtë, që të vazhdonte të qëndiste e të koloriste sikurse e bënte atë tokë. Dhe kështu të bënte, e të qëndiste dhe pjesën Tjetër, që më pas iu bë rendi për ta quajtur Mjeshtër.

Dhe në fakt Trebishti, ky vendbanim perlë, me tre lagjet e tij të mëdha, erdhi në ditët e tij më të bukura me bukuritë e tij, ujin e bollshëm, pjellorinë dhe një mori pamjesh panoramike dhe mitike të pabesueshme. Dhe këtu mes formës më të bukur estetike, të gdhendjes së gurit, duke e bërë art më vete, dhe tjerrjes e qëndisjes estetike të fillit, duke e bërë pjesë të bukurisë së veshjeve të kësaj jete, erdhi dhe legjenda mes nesh, sikurse vijnë rrëfenjat vesh më vesh…

Dikur kishin rënë nga sytë e Zotit, tre gjerba lotësh, që përpëliteshin mbi degë të mëdha lisi. Njëra ishte në të mystën e degëve, tjetra në majën e së djathtës, e tjetra në majën e së majtës. Rrekeshin të lëngëta e të sinqerta në përpëlitje e sipër. Kaluan mjaft stinë, ikën vjeshta, vera, pranvera dhe u gjendën në dimër. Në një nga dimrat më të egër moti u bë i verbër. Vetëm ato tre bulëza të kristalta u bënë tre pika të arta. Ndriçuan tërë hapësirën dhe mbi ta u pleks drita e mori udhë jeta. Ndërsa ndodhi kjo, të treja në paq u ndanë dhe krijuan një hapësirë të bardhë, ama asnjëherë tresh të ndarë. Dhe kështu secila nisi jetën e saj. Kur ndiheshin zhurmëra ata fap rrëshqisnin si kristal dhe bëheshin bashkë. E prapë, e prapë në një fillim të mbarë.

Sa herë që ndodhte kjo, dhe ndonjë shenjë e dhimbshme, ato pika të bardha e të kristalta bëheshin bashkë e më të fuqishme. Ikte prej tyre ajo që kishte prodhuar shije të frikshme. Dhe mot pas motit, atyre u iku shija e lotit. Dhe kështu vendosën të krijojnë secila nga një çati, njëra në Muçinë, tjetra në Bala, dhe tjetra në Çelebi. Një herë, duke u gdhirë ata dëgjuan një zhurmë më të madhe se zhurmërat e tjera. Kishte dalë Drini i Bardhë nga vendi dhe u dukej se i shembi. Dhe kështu dhanë sinjalet e tyre prapë dhe vendosën të bëhen bashkë. Ata vendosën të kalonin natën në Gradishtë dhe në mëngjes, nëse njëri prej tyre zgjohej i pari, t'i thërriste dy të tjerët të kalonin zallin, dhe të gjendeshin në Prisoj, ku më së shumti do të kërkonin ndonjë mundësi për ta zgjidhur hallin.

-Takohemi në Prisoj, dhe aty do të flsim e vendosim njësoj, - thanë të tre.

Të tre bashkëbiseduan, folën dhe shkuan të flenë. Por njëri nga të tre, nuk e mbajti fjalën dhe nuk i mbylli sytë tërë natën. Ende nuk kishin kënduar gjelat e parë, ende nuk kishte gdhirë agimi i bardhë, kur ai u ngrit i qetë dhe, pa thirrur dy të tjerët, vazhdoi me shpejtësi rrugën e errët mes Radikës të gjente një vend të qetë. Pas një kohe të gjatë kënduan gjelat, zbardhi qielli dhe njëri u zgjua, fërkoi sytë i përgjumur dhe, duke parë që njëri mungonte dhe nuk ishte aty, se kishte thyer marrëveshjen dhe i kishte gënjyer, i bërtiti me inat tjetrit të fjetur. Ai fshiu sytë dhe u ngrit i prekur.

- Oh më trembe, çfarë ka ndodhur?

Ja, shiko! Ai shikoi përreth, por më pak i shqetësuar. Në çast ktheu sytë nga qielli dhe diçka pëshpëriti.

- Dhëntë Zoti, nuk harron atë emër që e kemi në mendje, të shposh pyjet e malet e të na krijosh një …, të na krijosh një ditë një Trebisht!

-Çfarë? -  pyeti tjetri.

Dhe ashtu përsëriti me kujdes duke bërë me gisht, ja që atje ku ka shkuar të ringrej një tjetër Trebisht. Ai kishte vërtet një arsye. Sytë e tij ishin ngjizur shpejt dhe Natyra i kishte dhënë të drejtë. Aty lindi birin e tij të shenjtë. Dhe një ditë kur ata kërkon emra, ai shkundi veten dhe hapi e mbylli menjëherë sytë dhe u tha se do ta quanin Trebisht.

Pas shumë kohësh, ata dy të tjerët u hodhën në kërkim dhe vrapuan përgjatë gjurmës së rrugës që ai kishte bërë, dhe e kapën. E dëgjuan dhe i lanë në dorë vendimin e kahershëm.

- Kjo puna tjetër është një vendim i brendshëm. Djali juaj le të qëndroj. Le të trashëgoj… Fundja le të kemi dhe një tjetër Trebisht! Kështu e gjetën gjuhën aq sa hap e mbyll sytë. E kështu, më në fund, të tre ranë në një vendim të urtë, u mblodhën tek Livadhet e buta nën Raduç. Kur panë atë begati dheu të kuq, atë tokë të begatë e të butë, atë ujë të freskët e me rrjedhë të butë, gati shkrepën mendimet si rrufeja, dhe bënë plane të reja. E kush e di pse, këta tre zbritën përsëri në tre pikat e tyre, duke marë ujin e pastër, malin e paqtë dhe fushën e begatë. E kështu kur dielli zbriti më i fortë e më i qartë një ditë, mbi kreshta me gurë të bardhë përqark shkruhej me të madhe Trebisht.

E kështu guri ishte një bekim tjetër, thanë atëherë ata me vete. Guri vërtet ishte një tjetër jetë. Guri ishte në zemër të malit. E ai mal asokohe ishte grua. Emrin e kishte Orlla. Ajo grua një ditë u martua me Koçon, malin tjetër ngjitur, pa dëshirën e prindërve. Dhe kështu lindi zemërimi. Një ditë ata u ngritën të merrnin hak. Dhe tërë malit në fjalë i vunë zjarr. E dogjën dhe gurin. E guri i djegur, iu duk atyre se tashmë kishte vdekur. Por kur iu afruan pranë, e panë, ai gur ishte po i bardhë. E ashtu të zemëruar e hodhën në ujë. Ai gur ulërriu dhe zhurma e tij bëri bujë. Dhe që të mos u ndodhte ndonjë gjë e keqe e morën me kujdes gurin që e dogjën dhe e futën në ujë, dhe e vendosën në një gropë të madhe. Gropa u mbush. Por guri, tashmë nuk ishte më i fortë dhe i ngurtë, ishte kthyer në një magji të butë.

-Të lyejmë me të murret, - thanë njëzëri. Të lyejmë muret që të shpëtojmë nga të këqijat, - shtuan në korr. Dhe kështu u bë. Kur ia behën nga anët e tjera, panë se atje bardhësia kishte mbushur tërë atë vend. Dhe të gjithë ngelën pa mend. Të gjithë mbetën pa fjalë. Një marifet të tillë askush nuk e kishte dëgjuar më parë.

Kur panë një gjë të tillë ata e mbuluan gropën me gurin e djegur e të zhytur në ujë mirë e mirë. Nuk duhej të gabonin kësaj here. Dhe kur kthyen kokën të shikonin andej nga ishte habia, dikush bërtiti me të madhe“ „Gëlqere, gëlqere!“ Zhurma që bënte guri i djegur dhe i përvëluar pasi ishte nxjerrë nga uji, në atë gropë vazhdonte të zhurmonte… „gël…qerre…“; „gël…qerre…“ Dhe kështu ata e bekuan atë gurr kësaj here:

- Dhëntë Zoti që të mos të të mallkojmë më pas dere. Por kur ata që vinin e iknin dhe e shihnin, në trup u dilnin mornica. Ndaj nuk dihet ende pse atë grop të madhe ku ata e hodhën atë gur të djegur e të shuar në ujë, e quajtën Vërnica!

Që nga ajo kohë guri i asaj zone vazhdon të zhurmoj e të largoj tërë mallkimet e kohërave. Dhe syri kur e shikon për një kohë të gjatë mbetet në zjarr. Prandaj ajo anë, e cila shikon drejt tërë hapësirës, është gjithmonë e bardhë dhe e gurtë, dielli i shkëlqen në ballë. Më shpesh, guri ta kthen në sy një vështrim hyjnor dhe më pas të buzëqesh, zbardhet, zbukurohet dhe i tërheq njerëzit drejt tij, që edhe ata ta shikojnë nga afër sakrificën e tij të bukur dhe ta shijojnë bardhësinë që u fali së bashku për të larguar të gjithë të këqijat e asaj zone.

 

Fragment nga libri: Trebishti: midis Mitit, Legjendës dhe Realitetit

49 views1 comment

1 comentario


Invitado
10 ago

Një legjendë fantastike, që përveçse etimologjisë së fshatit Trebisht, të mbetet në mendje për historinë e gurit të bardhë, që pas djegies u shndrrua në gëlqere...Urime miku im...Trebishtasit duhet të të jenë mirënjohës.., dhe pse jo, t'ju ngrenë përmendore për ndriçimin e historisë të të parëve të tyre


Halil Rama

Me gusta

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page