top of page

Fatmir Terziu: Kur vihesh në siklet


Kur vihesh në siklet

Nga Fatmir Terziu

 

Një kopsht i mbushur me trone rrushi, kumbulla, mollë dhe dardha pikon gjak të thatë arrëmyshk. E kthen në verore. E hollë dhe e zhurmshme si një kujtim letrash. E papërfunduar, në mungesë të bojës së shiut. E padërguar për shkak të adresave të munguara. Dhe e harruar, pas shpejtësisë gjithëpërfshirëse të jetës. Edhe në të drejtën e pafundme…, në vdekje.

- Unë i mbolla këto jargavanë nga rrënjë të prura nga larg, duket se më ysht një zë që struket thellë në fëmijërinë time. Dhe ky zë më gërryen thellë. Për mua, për gruan, për vajzën dhe për ... Lërini të rriten, derisa të shpojnë qiejt! - thotë një zë i strukur në brendësi të kësaj letre, i bashkuar me thatësirën, barërat e këqija të të cilit na pengojnë hapat në pesë rreshtat e nxehtë të simfonisë së tetorit.

- Gruaja ime ka ikur dhe jargavani i saj është më i larti. Ai dëshiron të takoj Zotin. Për t'i kujtuar atij të gjallët më poshtë. Punë zërash …

I zhytur deri në kavilje në një rrëmujë gjëmbaçësh, që të ngjiten pas pantallonave dhe çorapeve, të lëshuara sipas dëshirës së tyre të egër e të pakontrolluar në dekada, në oborrin e pjerrët, përpiqem të rregulloj shpirtin tim, të zvjerdhur në harmoninë njerëzore, që struket thellë në memorje. Sepse në ndjekjen intensive të Allovcit rrëshqas gjithnjë e më shpesh në uniformitet. Më pëlqejnë njerëzit dhe pasionet e tyre që më janë ngulitur në rrëfenjat e netëve të gjata kur unë vija herë pas here në këtë shtëpi të madhe. Është gjithashtu moti, disi si një frigorifer i hapur me mbushje të freskëta, që nuk i munguan kurë syrit tim fëminor. Një kohë për të ngrënë dhe një kohë për të harruar. Kishte ndonjë herë tjetër?

- Dikur ai vend ishte vendi ku rrjedha bënte detyrën e saj të zullumtë, duke kafshuar e duke tjetërrsuar fushën dhe rrëpirën. Dhe zëri nga brendësia e netëve të gjata më vjen e më afrohet akoma më afër…Më flet…

- Doja të ndërtoja një shtëpi. Vetëm! Do të jetë këtu, i thashë nuses dhe përvesha mëngët. E pastroj dhe e hedh pas meje. Tërhoqa shtatëdhjetë mushka mbeturina me papastërti e gurë të mëdhenj për të pastruar tokën për ndërtim. Mund të mbillet pas mbeturinave! Mbjellja e dinjitetit nuk është një detyrë e lehtë!

Mendimi i fshehtë i një interviste të suksesshme me Asllan Sinanin, një nga figurat më të shquara të punës artistike me dru në rajon, të tavanëve të pikturuar me zdrug e daltë, të musandrave dhe kovçegëve të pajave të nuseve, të dyshemeve të shtëpive dykatëshe, i nderuar që në vitin e shtatëmbëdhjetë të jetës së tij në Selanik me medaljen e saj kohe, më gllabëron me padurim me një instinkt të stërvitur gjuetie për figurat që nderuan Trebishtin, Gollobordën, Dibrën, Vlorën, Tiranën e më gjerë dhe që fletët e Historisë i lanë jashtë saj. Do të ishte një faqe e bukur përvjetori nëse do ta ndihmonte këtë dhe kjo vizitë e imja që shverdh të zverdhëruarën e Historisë, kjo vizitë e shkurtër tetori. Një finale e merituar e rishikimit të fakteve pas rrënimit, erozionit të viteve dhe harresës së gjatë e memorjes së varfër ... por të riplotësuar prej vizitës sime në vitin 2024!

E ndërsa ngjitem më lart, prek tryezën ku luhej domino. E aty syri si një penel i thatë mundohet të riprodhoj fytyrat e Shahin Ademit, Oruç Ajazit, Juzuf Hoxhës, Faslli Durakut dhe vetë të zotit të kësaj shtëpie, Asllan Sinanit. Diku më tutje dy duar të mbështjell më këna nxitojnë të sjellin kafenë. Pak më tutje zihen kunguj misiri dhe era e tyre shpërndahet gjithandej…Avulli ngjitet dhe prek retë që kondensohen lehtë… eh, fundi ka rrjedhë. Rrjedhë të qetë.

- Fundi nuk ka shumë rëndësi! - lexon mendimet e mia - E rëndësishme është të mos e turpërosh fillimin tënd. Sepse çdo fillim është një drejtim për ju dhe fëmijët tuaj. Vazhdimi drejt, apo shtrembër është çështje zgjedhjeje personale!

Pritësi im më hedh një vështrim të zgjuar dhe të ditur:

- Tani më lër të të tregoj shtëpinë e gjyshit tënd. Vendi që zgjodha për të qëndruar. Mbyllem mes këtyre mureve të trasha dhe jam... në Shqipërinë time!



Në shpirtin tim të korruptuar nga mediat, shkëlqejnë gëzime të holla. Do të jetë një intervistë e mrekullueshme pa protagonist përballë, por me një lëvizje të penës që të gjithë i ribën, i kthen në të gjallë! Me të do të thyej monotoninë dhe do të kthehem në orbitën time.

- Atëherë do të pimë raki. Me një sallatë që mund ta bëj vetëm unë. Dhe nëse ju pëlqen edhe supa me shallgunë, keni ardhur në vendin e duhur. Do të më përmendësh gjatë...

Kaloj mentalisht nëpër dhomat e shtëpisë së shurdhër si një fjalë pyetëse e transkriptuar nga kronika në kronikë. Përfshirja personale në jetë, siç e imagjinonte gjyshi im Shaban Sinani, po realizohet para syve të mi të habitur. Ikona dhe piktura, armë të lashta, dru, metal dhe ngjyra, dashë të mëdhenjë briri dhe një cigarishte fatfuni që thuhet se ia kishte dhënë dhuratë Zeqir Shahinaj. Ia vlen të shkruhet për një person me fat që nuk ka pasur frikë të kërkojë më shumë aty ku nuk kërkohej, nuk guxohej dhe të marrë të drejtën e tij në emër të shpirtit që tretej bashkë me gurin e qoshes së godinës së Bankës së Elbasanit të cilën e ndërtoi babai i tij sipërrmarës Sherif Sinani dhe kushëriri i parë, tezaku, Jonuz Jonuzi, të cilin të gjithë e quanin Jonuz Trebishti.

- Këtu është Libri i Shenjtë. Shenjtori im i shenjtë. Në të mbaj... kujtimet e lutjet. E tëra. Me gjak e lavdi dhe. Por kujt do t'ia lë trashëgim një ditë?

Pas perdeve të tërhequra fort, ajri është si i ndaluar. Një muzg dinak fluturon në mënyrë të frikshme mbi raftet e mbushura me mollë të verdha, dardha e …. Është aq e qetë sa mendimet e tua dridhen para sakrilegjit për të lëshuar pyetje. Vdekja e një ideje romantike mund të jetë edhe në heshtjen e pafund të atyre që e kanë harruar zajrenë e dimrave dhe shtëpinë e mikpritjes.

- Ejani të pimë pak raki - pritësi i vrullshëm e thyen heshtjen çdo ditë - dhe pastaj do t'ju tregoj për dikë tjetër.

- Për kë?! - Unë shpërtheva - Kush është ky person? Mendova se do të flisnim për ... Sepse përndryshe nuk do të ketë kujtim për të. Duhet ta shkruanin në tekste, në tekste... Kush do ta përmendë këtë realitet, nëse nuk do të kishte shqiptarë që luftonin për të vërtetën?

Në një gotë para meje derdh arin e lëngshëm të një rakie verdhoshe qetësuese. Si një rrjedhë stërgjyshore, e dalë në gjakun e nxehtë të frutave dehëse. Mbetjet e intervistës sime të paplotësuar trokasin me keqardhje në fjalë të pafuqishme, me të cilat dua vetëm ta inkurajoj zërin tim të strukur në memorje që të vazhdojë të tregojë.

- Ai ishte terzi, mjeshtër - vulos fatalisht fillimin zëri i strukur - ashtu si ju. Dhe jo plotësisht i tillë. Ai ishte dhe i …. Ai kishte shpirtin të mbulonte Shqipërinë nga lindja e diellit deri në perëndim të diellit. Dhe kur erdhi koha për të menduar për të tijën, as vdekja nuk e ndaloi. Sepse ai tashmë e njihte dhe po e priste. Kështu ai shkoi me një grup prej shtatëdhjetë vetash te varri i babait të tij Kapllanit që kishte ardhur me thasë florrinjsh nga Stambolli dhe i tha: „filani, o baba, merre tokën të na këndosh sa jam“. “Po si mund ta bëj një gjë të tillë, breh terzi i ri, a këndojnë të gjallët për të vdekurit? “Po këndojnë, baba, po këndojnë! E di që nesër në mbrëmje do të jemi me Zotin. A duhet të na lini të padërguar, o njerëz të bekuar, sa është radha e tij?“

Rrëfimtari i zërit të brendshëm i përlotur derdh furishëm një pikë të përgjakshme raki që Zoti ta falë. Në mënyrë të pavetëdijshme, ndjek edhe unë, i shqyer nga njëjtësia, i ndezur në sakrificën e furishme të shqiptarizmit.

- Tani, pi gllënjkën tënde të fundit - më udhëzoi zëri im - më së shumti e ngroh shpirtin. Unë vulos kujtimin! Dhe kur zëri u këndoi, ai shkoi në Koçaren dhe aty mbolli rrënjët e disa pemëve frutore. Dora e Zotit i strehoftë. Se do ta kishin më të lehtë të linin rrënjët e tyre.... Të rriten në tokën e bukur, aty ku e duan jetën të vazhdoj ...

- Më tej, çfarë ndodhi më pas? Pothuajse e qaj pyetjen time në kokë.

- Gjashtëqind ushtarë serbë i rrethuan. Ata luftuan sepse luftuan dhe shpëtuan të tjerët. Por skuadra vdiq deri te njeriu i fundit. Nuk këndoi kot zëri nga thellësia e dheut.

Përfytyrimi që rikrijoj më shikon me dashuri të zemëruar. E si mund të jetë ndryshe zëri i patriotit Ali Kapllani Terziu:

- Kështu u bëj thirrje të rinjve - shkoni në rrugën tuaj, bëni atë që doni të bëni, por nëse do të turpëroni nënë Shqipërinë dhe mua në të, më mirë mos u ktheni!

Në zbritje, një vapë bërthamore u përhap në rrugën e qetë që zbret nga Urvishta, ndërsa jam nën shoqërinë e nipit të Nesim Ballës, Ardian Balla. Zbritja më fërshëllon me një pëshpëritje kënge:

... o pyll, pyll, jeshil,

Ali Kapllani doli nga varri,

shkëputi një pushkë nga një udhë nën gur,

një serb rrethon shpellën e tij,

do të vras ty komit,

dhe koka e serbit bredh shoshkë nëpër pyll,

tjetër herë, është mirë të gërmosh...

vetë varrin tënd më mirë…

Unë shikoj përreth në çrregullimin e dorës së natyrës dhe më duket sikur nuk e di saktësisht se cila është rruga më tutje. Dhe çfarë do të bëj në këtë kohë shterpe. Por kur të kthehem në shtëpi, do t'ju them së pari, syve të mi të rrëmojnë në arkiva e pastaj do të mundohem të rishkruaj... Se nuk të turpërova. As nënë e dashur Shqipëri. Unë premtoj se do të vazhdoj të shkruaj. Është zëri im, apo ai zë që më bën herë pas herë të vuaj..., të vuaj e të gjej atë që është dhe atë që nuk është shkruar. Kur vihesh në siklet. A intervistohet ikja?!

 

Trebisht: Tetor, 2024

25 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page