![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_dcfdd85dd6834b34b3900e2ce59c67bb~mv2.png/v1/fill/w_980,h_1225,al_c,q_90,usm_0.66_1.00_0.01,enc_auto/a48dbc_dcfdd85dd6834b34b3900e2ce59c67bb~mv2.png)
Kur „Shkolla e jetës“ ul në fron diskursiv hulumtimin „Gjuha e Nënës“
Prof. Dr. Fatmir Terziu
Një emër i ri i shtohet emrave të krijuesve dhe hulumtuesve shqiptarë që jetojnë, punojnë dhe angazhohen përditësisht në Mbretëri të Bashkuar. Është Sokrat Hodo, i lindur në Tërbaç të Vlorës historike në Shqipëri, që si një njeri i lirë nuk identifikohet me shkollimin a profesionin e tij, por me eksperiencën jetësore, zellin dhe pasionet e tij vjen si një autor i ri në fushat e etimologjisë, misticizmit dhe semiotikës me librin „Gjuha e Nënës“. Si një nxënës i përjetshëm i pëlqen të eksplorojë dhe mësojë misteret që fsheh kozmosi, natyra, toka, njeriu, fjala. Ai sikurse e cituam më lart, që në hyrje banon në Londër dhe punon si një punonjës i vetëpunësuar. Madje në kënde të sinqerta e të thella sinqeriteti, ndërsa ka prurë në duart e lexuesve librin „Gjuha e Nënës“ autori pranon thellë në këtë pikë respektin e punës së tij të madhe, të respektuar e të ndjeshme në shumë vlera e nga shumë kënde. Të ngacmosh një temë të tillë është njëra ënë, se lind kureshtjen dhe debatin, por të sjellësh një libër të një vlere të tillë, është padyshim guri në duart e profesionistëve, në duart e atyre që duhet ta latojnë mjeshtërisht dhe shkencërisht, që ta bëjë diku dhe ndoshta për dikë një gur të shenjtë themeli të ndërlidhjeve diskursive gjuhësore.
Sikurse dihet nga studime dhe studiues të shumtë, por dhe nga ndërrmarës të syreshme inisiative, dhe hulumtimesh të ndryshme në gjuhësi, është një deklaratë e pranuar përgjithësisht se gjuhët e botës nuk ekzistojnë të izoluara nga njëra-tjetra. Dihet gjithashtu se popujt kontaktojnë njëri-tjetrin dhe krijojnë lidhje kulturore, historike, fetare, politike dhe ekonomike. Si rezultat i këtyre kontakteve, elementë nga një gjuhë depërtojnë në një tjetër. Rastet e huazimit mund të jenë nga nivele të ndryshme të sistemit gjuhësor – fonetik, morfologjik, leksikor dhe sintaksor, por më të zakonshmet dhe tipiket janë huazimet leksikore. Kontaktet shekullore të popullit shqiptar me popujt dhe kulturat e tjera kanë çuar në praninë e një sasie të konsiderueshme fjalori me origjinë të huaj. Kontaktet shqiptare datojnë për shekuj të tërë me radhë dhe lindën nga kontaktet e shumta midis gjuhëve të folura të kohërave. Ekzistojnë teori të ndryshme në lidhje me natyrën e lidhjeve etnike dhe gjuhësore midis palëve, por ato janë kryesisht të diskutueshme.
![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_f248dd9e73944b4181363d4f715c42d5~mv2.png/v1/fill/w_980,h_1225,al_c,q_90,usm_0.66_1.00_0.01,enc_auto/a48dbc_f248dd9e73944b4181363d4f715c42d5~mv2.png)
Për qëllime të këtij libri, më saktë për arsyen e thjeshtë e të sinqertë të ndërrmarjes personale të autorit Sokrat B. Hodo, dhe nga ana tjetër të titullit shumë domethënës „Gjuha e nënës“ me interes më të madh paraqet qasja dhe trajtesa e mjaft fjalëve të retrospektuara e të përpunuara nga rrënjë dhe tema të drejtpërdrejta dhe që hera-herës janë mjaft të bindshme, mjaft të qëndrueshme. Vetë autori modest i një studimi të tillë të ndjeshëm shprehet në hyrje të librit: „Të flasësh për të vërtetën është si të flasësh për agun apo muzgun, për ditën dhe natën njëkohësisht.“ (Hodo, 2024: 4). kështu me leximin e parë dhe me atë që ne konstatojmë më tej gjatë gjithë librit ndjejmë se autori e sheh këtë si një „kontrast natyror“ (ibid). Pra për autorin e këtij libri „Ky kontrast natyror reflektohet edhe në tematikën e librit që i kushtohet të Vërtetës, Perëndisë, Gjuhës dhe Simboleve të saj, Nënës, kujtimit të Petro Zhejit, vepra e të cilit ndikoi direkt në këtë libër, dhe shumë njerëzve që nuk kanë lënë emër mbas, por kanë lënë gjurmë mbi të cilat ka vazhduar të ecë qytetërimi deri më sot (Hodo, po aty).
Në këtë ndërrmarje të sinqertë e të përkushtuar në vite, vëmendja e autorit nuk tërhiqet nga emrat e përveçëm, që tregojnë njerëz dhe kanë formante rrjedhore nga gjuhë të tjera që janë pjesë e një formati të njohur, apo të panjohur më parë, që shqyrton prejardhjen nominale në gjuhën bashkëkohore, por shkon në themel tek Gjuha Shqipe që sipas tij „bëhet çelësi për të zhbllokuar enigma të pahapura te ajo vetë, te gjuhët e tjera (që ruajnë dije po aq të rëndësishme) dhe dimensioneve të vetë jetës, pasi ajo është shprehje esenciale e koshiencës universale (Po aty, 2024: 4). Dhe kështu qëllimi i Hodos, nuk është thjesht të evidentoj dhe të evidentohen, por të përcaktohen llojet dhe modelet e fjalëformimit, produktiviteti i tyre, semantika e formantëve, karakteristikat leksikore dhe gramatikore të formave bazë motivuese, marrëdhëniet sinonimike, në të cilat përfshihen nga njëra anë derivatet dhe, nga ana tjetër, formantët.
Parë në këtë rrjedhë këtë libër, të cilin autori e quan të ardhur nga „Shkolla e jetës“, ose më saktë, kur Gjuha Shqipe shërben në këtë pikë „si një esencë e fortë“ mes këtyre „kontrasteve“ që ruhen në shishe të vogël pret të përdoret në rast nevoje, pra ku ajo [Gjuha Shqipe] i afrohet më tepër se çdo gjuhë tjetër asaj eksperience njerëzore që populli e quan “Shkolla e Jetës” dhe ku të dhënat hulumtuese për numrin e fjalëve të analizuara e të ristrukturuara nga rrënjët e supozuara janë të ndryshme, semantika e formantëve të derivativëve të gjuhës prodhuese në fjalëformim të përmbajtjes së gjuhës shqipe (në emrat e emërtuar) e bën jo thjesht një projekt të guximshëm, por një projekt të rëndësishëm dhe që duhet të shihet si një produkt me vlerë të konsiderueshme. Duhet theksuar që në këtë pikë se hulumtimi dhe produkti i këtij hulumtimi të autorit në konsideratë nuk duhet ngatëruar me kulturën shpirtërore të parë si një sistem semiotik, edhe pse hyn thellë në marrëdhënie komplekse me sistemin e gjuhës, sepse kultura shprehet edhe përmes formave simbolike që përcillen brez pas brezi. Këto janë mbi të gjitha simbole gjuhësore që bazohen në simbole kulturore, situata tipike dhe dukuri që lidhen me arketipet e realizuara në kulturë. Sipas thelbit të kontekstit kuptojmë se gjuha është një pasqyrë në të cilën simbolet kulturore pasqyrohen në formë verbale. Për shembull, po të kuptojmë se shprehja „deri në pikën e fundit të gjakut“ simbolizon përkushtimin, qëndrueshmërinë dhe heroizmin, që janë arketipe të rëndësishme në kulturë, duke u kthyer tek tema që trajton „simboli më i vogël“ i autorit, pra duke u rikthyer përsëri te tema, „fakti që në çdo gjuhë, fjala dhe vetë simboli gjendet cilësisht i tkurrur deri në një ideogramë a gërmë të vetme do të thotë se ato kanë peshë specifike të lartë dhe se janë nënvleresuar deri më tani. Në gjuhën shqipe duket lehtë superioriteti në këtë drejtim kundrejt gjuhëve të tjera të emërtuara si silabike apo edhe morfo-silabike për disa fakte“ (Hodo, 2024: 92).
![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_42c7141685f34055992cfbc72796b4e5~mv2.jpg/v1/fill/w_980,h_1406,al_c,q_85,usm_0.66_1.00_0.01,enc_auto/a48dbc_42c7141685f34055992cfbc72796b4e5~mv2.jpg)
Pra le ta bëjmë dhe një herë më të thjeshtë, pra sikurse e kuptojmë simbolikën e kuptimeve mbartëse, ta bëjmë dhe këtë kuptimin e simbolit të vogël. Shprehja “më ka ngecur në fyt si halë peshku” është simbol i diçkaje a dikujt që më shqetëson, më mundon. Ky simbol është një pasqyrim i një situate tipike në jetën e një personi, e cila është shfaqur në frazeologji, duke marrë një kuptim metaforik dhe tipare tipizimi. Në njësitë frazeologjike të shënuara kulturalisht (në tekstin e mëtejmë), d. m. th. në ato ku ka një komponent kulturor vërehet e njëjta gjë. Një pjesë e rëndësishme e kujtesës kulturore të çdo bashkësie gjuhësore është e koduar në frazeologji. Koncepti i simbolit zë një vend të rëndësishëm në studimet kulturore, ku shihet si një shenjë e një lloji të veçantë. Thelbi semantik i kulturës është i ngulitur në simbole. Shumë autorë përdorin termin „kod“ në vend të 'simbolit“, të cilin mund ta citojmë dhe si sinonim në mjaft raste, por në rastin e trajtesës së simbolit të vogël të Hodos duhet më shumë mirëkuptim. Hodo na e thjeshton punën sqaruese në këtë pikë. Ai sqaron kështu: „Së pari: në shqip 9 gërma prej 36 janë fjalë tërsisht fjalë të pavarura ku 7 prej tyre janë zanoret - a, e, ë, i, o, u, y dhe 2 bashkëtingëlloret ç, s.
Ku:
a - është lidhëz, pjesëz, emër, pasthirrmë
e- është nyjë, përemër, trajtë e shkurtër e përemrit vetor, lidhëz, pjesëz, pasthirrmë
ë- pjesëz, pasthirrmë, përdorime të ndryshme
i- nyjë, trajtë e shkurtër e përemrit vetor dhe pronor
o- lidhëz, pjesëz, pasthirrmë,
u- përemër, pjesëz, pasthirrmë, trajtë e shkurtër e përemrit vetorë,
y- pasthirrmë
s- pjesëz mohuese
ç – përemër pyetës, ndajfolje, pjesëz, përemër lidhor (Ibid).
Autori më tej duke na dhënë një analizë të detajuar sipas këndvështrimit të tij, ku me sugjerimin e gjetur „një shkronjë përdoret si një fjalë“ shkon më thellë në thelbin e produktit simbolik të fjalëformimit.
Ndërsa në produktin e gjuhëformimeve një temë me interes është natyra e simboleve si njësi e gjuhës dhe e kulturës, tek ky hulumtim zë një vend të rëndëishëm „Simboli më i vogël“ (Hodo, 2024: 92). Ja si shprehet vetë ai: „Teoritë që kanë gëluar prej dekadash rreth gjuhës shqipe duket sikur nuk kanë të rreshtur. Shpënia te simboli e fjalës sipas teorisë së P. Zhejit duket se e ka sosur filozofinë e gjuhës dhe faktikisht ai e ka konsumuar pothuaj atë. Serioze është edhe teoria e embriomorfemave të A. Dalipaj e cila në mënyrën e vetë tregon dhe gjen vend në etimologjimin e fjalëve të çdo gjuhe duke e konsumuar atë në një tjetër mënyrë. Kjo, falë dimensioneve të shumta që ka gjuha“ (Ibid). Me këtë nëkuptojmë se për frazat e grupeve me kuptim simbolik është emërtimi tipik i një objekti sipas kuptimit të caktuar në një sferë të caktuar kulturore, ku lindin më pas frazat e strukturës së brendshme. Kështu mbi bazë të kësaj vetë simbolika e një numri frazash të vendosura bazohet në simbolikën e strukturës së brendshme. Në raste të tjera, simbolika e frazave të vendosura është shenjë kombëtare që njerëzit kanë zgjedhur pikërisht këto imazhe për të përcjellë kuptimin universal. Në raport, simbolika e frazave të vendosura është konsideruar kryesisht në frazat e grupeve antroponimike dhe ngjashmëritë fikse. Kjo risi zgjon dhe lind nevojën e mëtutjeshme që të studiohen simbolet somatike dhe simbolet-zoonimet, që mes kësaj të tregohet paqartësia e disa simboleve. Prandaj autori mes një morie shembujsh në një zbërthim adekuat, qoftë dhe në të folurën toskërishte zbulon se „shqipja jo vetëm që është një gjuhë morfo-silabike dhe simbolike por mund të jetë e vetmja gjuhë e gjallë që e përfaqëson më së miri këtë emërtim“ (Hodo, 2024: 99).
Meqenëse semantika e derivateve me formantët e trajtuar nga autori në gjuhën shqipe tashmë janë paraqitur në prezantimin e gjerë e të shpjegueshëm imtësisht nga Hodo, këtu shihet dhe ana tjetër e tiparit shkencor ku duhet të gjithë të përqendrojmë vëmendjen tonë në përmbajtjen semantike të morfemave të përmendura në gjuhën shqipe. Gjithashtu janë dhe prapashtesat e trajtuara e të mara në konsideratë shfaqin mundësi të gjera kombinuese, me më produktivitetin formantin derivativ. Si pasojë nënkuptojmë se derivatet kanë emra, mbiemra, numërorë, folje dhe ndajfolje si baza prodhuese (motivuese) dhe në këtë proces vërehet një çekuilibër, numri i formimeve desubstantive është më i madhi. Autori merr „rrugëtime“ shumë të gjata historike dhe ekzistenciale, duke u futur thellë mes hieroglifeve egjyptiane dhe shumë alfabeteve të gjuhëve që e përmbajnë këtë shenjë, të cilën ai e shikon si pothuaj „të përbotëshme për nga përdorimi i tingullit të saj“, për të na dhënë udhë të lehta se si të mirëkuptohet simboli (Fq. 120). Sipas autorit pra fjala ka nevojë për fjalë të tjera të cilat gjenden të maskuara shpesh brenda vetë fjalës qoftë ajo edhe fjalë embrionale. (Po aty).
Autori i sheh këto si derivate ku një „simbol i ngjitet një nucleo-je bazë, duke përftuar një fjalë të re, një koncept të ri, dhe një qelizë të re, e cila bëhet bazë, rrënjë e re për krijim fjalësh dhe konceptesh të tjera më të komplikuara e më specifike“ (Ibid). Më tej, duhet theksuar se nga lexuesi i thjeshtë, leximi dhe kuptimi i menjëhershëm bëhet i ndërlikuar, pasi disa derivate kanë si bazë motivuese një leksik, ose një kombinim të një mbiemri dhe një emri (atributiv sintagmë), me të shprehur vetëm pjesën e parë të saj (Qe/ka, qetë: Këto fjalë janë bisemike dhe kanë nevojë qoftë dhe për një libër për t’i shpjeguar. Shprehja “qe si qe u bë si ka” ruan një histori disa mijëra vjeçare përbrenda. Më saktë gjithë historinë e krijimit të kësaj bote që njihet deri më sot e madje shkon te arkeotipi.
q’e = (jetë + d) e = jetë dy = dy jetë (dy qetë)
q’etë = (tej + t) etë = tej e tej tetë (tej e tej të lidhur, në zgjedhë= zë gjedhët)
q’e = (tej + nd) e = tej nda (s’është më = ka qënë)
q’e = (jetë + dh) e = jetë e dhe = jetë e dhënë
q’e = (tej/jetë + l) = tej/jetë lë = tej e lënë, jetë e lënë (nuk është më - ishte, qe)
q’e = (tej + j) e = tej ja = ja tej (qe ka asht - geg.), tej je (është). Pjesëza ja duhet të jetë një formë arkaike, e vetës së tretë të foljes jam apo dhe një tentative paralele me foljen arkaike dhe bashkëkohore ë (është), që mund të ketë qenë si: unë ja (jam), ti ja (je), ai ja (është).
q’e = (tej + h) e = tejet ha.) apo dhe (Miq/k: Njeri i njohur prej kohësh, që ke hyrje dalje me të, ndan shumë gjëra me të, që të mungon, të ndihmon, mysafir.
mi’q =mi (h + tej) = tejet hym, hamë
mi’q = mi (j + tej) = tejetej jemi (të gjithë duhet të jemi miq)
mi’q = mi (ll + tej) = tejet mall’ohemi
mi’q = mi (nd + tej/jetë) = jetë/tej e tej ndajmë = çdo gjë ndajmë bashkë
mi’q = mi (dh + jetë) = jetë m(b)i dhe (mysafir jemi në këtë tokë)
mi’q = mi (nd + tej) = tej ndim = tejet ndihmë (për njëri-tjetrin) (Hodo, 2024: 151-152).
Sikurse shihet formantet me trajtesë të tillë kanë një kuptim të caktuar derivativ dhe shfaqin një funksion të pavarur fjalëformues në modele të ndryshme; ato lidhen me fondacione të huaja dhe vendase. Në këtë pikë autori thotë se „fjala merr të gjitha shpjegimet që fjalori jep për këto fjalë, duke dalë e shpërbërë në shumë fonema që i japin kuptim shumë më të gjerë fjalës (Hodo, 2024: 146). Dhe natyrisht kur bëhet fjalë për atë që autori e quan „Simboli i jetës“, „ky mund të quhet simboli më i fortë dhe më i vështirë për t’u deshifruar në gjuhën shqipe.“
Autorit të këtij hulumtimi të gjerë e të arsyetueshëm do ti duheshin një sërë faktesh dhe provash të forta dhe me baza përndryshe do të dukej si një budallallëk, shpifje a marrëzi. Pra sipas vetë autorit „Nëse nuk do të ishte hasur një fakt sa domethënës dhe shprehës po aq dhe kuptimplotë në gjuhën holandeze dhe që më mandej krijoi efekt domino në gjuhët e tjera si hungareze, letoneze, çeke dhe sllovene apo edhe greke, e gjermane do të ishte e vështirë dhe e pamundur që kjo të vërtetohej nga vetë shqipja apo ndonjë shqiptar qoftë dhe i graduar në gjuhësi, semiologji a fusha të ngjashme. Përveç këtyre duhej dhe momenti i duhur.“ (Ibid).
Në thelbin e këtij libri ky super-hulumtues ka më shumë se një dhunti të jashtëzakonshme, autori Hodo dëgjon brenda vetes zërin hyjnor të ndërgjegjes, ndjen brenda vetes lirinë e moralit, vullnetit të mirë dhe zotëron aftësinë për të menduar, për të krijuar konceptet më abstrakte dhe për të shfaqur shpirtin e tij krijues në një mënyrë të veçantë, jo të natyrshme në asnjë krijesë tjetër në natyrë, në një mënyrë hyjnore, ndaj na jep arsyen e saktë të mirëkuptohemi se njeriu nuk është i krijuar si një krijesë e zakonshme. Dhe ndërsa shkojmë në brendësi të librit mendja na shkon tek krijuesi i natyralizmit në gjuhësi, August Schleicher (1821-1868), që sikurse dihet ai fillimisht ishte i përfshirë në botanikë. Më vonë, i armatosur me metodat analitike të shkencave natyrore, Schleicher i ridrejtoi interesat e tij në shkencën e gjuhës, duke zbatuar natyrshëm teorinë e Çarls Darvin (1809-1882) për problemin e origjinës së gjuhës. Për këtë natyrshëm gjithnjë është bazë arti i të folurit. „[...] arti i të folurit ndryshon nga të gjitha artet e tjera, sepse njeriu zotëron një prirje instinktive për të folur, siç duket nga gukatimet specifike të një fëmije; në të njëjtën kohë, është e qartë se asnjë fëmijë nuk shfaq një prirje instinktive për të krijuar birrë, për të gatuar bukë ,ose për të shkruar... (cituar në Lorenzo, Longa 2003: 78). Natyrisht, Darvini nuk supozoi se ishte e mundur që foshnjat dhjetë deri në njëmbëdhjetë muaj të lidhnin tinguj të caktuar me idetë përkatëse, përveç nëse supozohej se këto ide ishin të vendosura paraprakisht në mendje. Për vetë autorin e këtij libri „Tingulli i parë i mirëfilltë që çdo foshnje në botë artikulon është: da, da-da që mesa duket edhe ky është si një ti-ngull i dhënë. Edhe kjo minifjalë mbart një kuptim shumë llogjik në shqip. Fëmija sapo ka filluar të dijë, të ndajë, të dallojë, gjërat nga njëra-tjetra, fenomen ky që ngjan me ndarjen arkeotipale. (Hodo, 2024: 82).
Vazhdon tek revista në print „Albanian Post“ Shkurt 2025.
Kommentare