Vitet kalojnë nëpër udhë të panjohura (a ka udhë të „njohura?“). Ashtu hendeqeve të quajtura, udhë, kalime, ngushtica dhe gjithëfarësoj emërzimesh të këputura nga Fjalorët vitet bëjnë detyrën e tyre. Shtohen në ikje, dhe shumojnë shekujt në pritje. E kështu e ka kjo puna e ikjeve, puna e mbetjeve, e atyre që u mbesin gjallërisht njerëzve. E ndërsa që nga viti 2009 ka gjashtëmbëdhjetë kalime të tilla, në arkivën e Fjalës së Lirë në Londër, mbesin vetëm ato mirësi që i shfaq zemra e Njeriut, atij që ka lindur i tillë, dhe që ikën vetëm si i tillë. Në këto gjashtëmbëdhjetë monopate, të shkulura e të ngulura në aritmetika e kalendare, ku hiqen e ripërsëriten fletët, mosha, siç duket bën të vetën, edhe me poetët...
Kështu shkruante me njerëzillëkun e tij, me shpirtin e tij dashamirës, Faruk Myrtaj, në majin e 2009-tës, kur na lajmëronte se „Xhevahir Spahiu duket se është bërë më mirë“, në një kohë që familja, djemtë e tij dhe miqtë e letrave luteshin për të dhe shpresa, sikurse shkruante Faruku „për kë më shumë se poetët, është mënyrë jetese: poetët me shpresë e kanë mbajtur gjallë atdheun e tyre…“ (Faruk Myrtaj, 21 Maj 2009). E një poet tjetër i mirënjohur, pra Arian Leka bënte detyrën e tij në përcjellje të mesazhit nga Atdheu në Kanada, ku fija që i bashkonte ishte „humane“, pra thjesht Njerëzore.
Në anën tjetër, një emër tjetër i asaj kohe, poeti Faslli Haliti, tashmë i ngritur lart tek Yjet, shfaqej në njerëzillëkun dyfish të Myrtaj, „Faslli Haliti më shkruante dje, falenderues për ndonjë gjë fare të vogël, por e besoj deri në fund mesazhin e tij: se kanë ardhur kohë të tilla që mezi ia nxjerr bëmën e mirë kësaj jete: janë rrëmbyer njerëzit pas parasë dhe mezi gjejnë kohë të kthjellohen që vetëm e mira dhe mbarësia e fqinjit është edhe shpresa jote; e mira e emrit dhe e mbiemrit dhe e librave të tjetrit hap rrugë edhe për të tuat...“ (Po aty).
Dhe kështu është me kohërat, me emrat dhe me dashurinë e tyre njerëzore të veshur vetëm me kostumin e lehtë të Njerëzillëkut. Në këtë pështjellë modeste njeriu nuk është më vetëm për vete. Myrtaj e zgjeron kuptimin me një emër tjetër: „Sot në mëngjes një mesazh tjetër, gjysme i trishtë e gjysem i bukur, prej Aleko Likajt. Trishte se, çfarë thamë, moshat bajna ta vetën, dhe Dionis Qirixidhi, një oaz lirike i mevetshëm në mes të Vlorës epike, nuk qenka mirë me shëndet. Ndodhej në Sarandë, në shoqëri të lirikut tjetër të Jonit, Agim Matos, në këtë rast edhe botues i Nisit, kur nuk është ndjerë mirë. Ma kishte përcjell këtë lajm (botimin e një libri tjetër të Dionisit në shtëpinë botuese "Milosao" te Matos) pak ditë më parë edhe zemërmadhi Robert Martiko, i bërë fqinj me vëllezerit, për shkak të asaj thënies së urtë se i yti dhe Atdheu, sikur u dashkan ca më shumë, duke qenë pak larg prej tyre...!“ (Faruk Myrtaj, po aty).
Sikurse ndodh, pas leximit të këtyre pak fjalive, ajo që të mbetet në mendje përveç njerëzillëkut të kolegut për kolegun, më ysht ta them se mes e pas këtyre fjalive gjej dhe thelbin e poetit për poetin. Dhe kur ndodh kështu nuk mund të lësh mënjanë ajo që kuotohet, por që shpesh dhe metohet. Kur metohet nga një tetëvjeçar si lexues poezie mësohet se „Një poet është një person që shkruan poezi. Është një person që i do gjallesat. Dhe kujdeset për veten e tij.“ Edhe pse në këtë rast lexuesi 8 vjeç nuk është shqiptar, ai ka një lidhje ndoshta të thjesht me thelbin e një poezie. Ndryshe Miranda Cambanis, si do ta kuotonte „Poezia është e hollë, me sy të errët dhe një fytyrë të zbrazët që jehon gjatë gjithë kohës pa dallim. Dallimi qëndron tek gjoksi i saj plot rrahje nën veshjen e saj të paqartë që ndryshon ngjyra sipas deklaratave. Ajo kurrë nuk dështon, plaket, apo vdes, por thjesht zhvendoset në vendin tjetër kur është koha për të lëvizur, për të goditur me shuplakë, për të dashuruar, për të përfshirë të pathënën përpara se ajo të zhduket e panjohur.“ (Revista „The Sun“).
Po pas të gjithave, pas poetit të emetuar nga një tetëvjeçar dhe pas asaj që kuotohet nga Cambanis, ajo që lidh fillimin me këtë vazhdim të thelbit të shkrimit është njerëzillëku. Më pëlqen në këtë kontekst njerëzillëku, ashtu sikurse më pëlqejnë këto përkufizime, si dhe çdo tjetër. Megjithatë, kam shumë bindje për të qenit poet, që mund të jetë, ose jo e ngjashme me ato të poetëve të tjerë, ose të njerëzve që në disa raste shihen si një klasë, një grup me një profesion mjaft ezoterik, frytet e të cilit i gllabërojnë pa ndonjë kuptim të caktuar dhe i mbivendosin diku, ose për diku..., antologjikisht.
Por, kryesorja e këtyre bindjeve personale është se përvoja poetike duket se na zgjedh neve, sesa ne e zgjedhim atë. A nuk është përvoja e Faruk Myrtajt një poezi më vete, një lirikë më vete, jo se ai nuk ka shkëlqyer në poezinë e tij, por se ai me poezinë e tij mbledh të gjitha në një, në një lirikë, që ka brenda vetëm poezinë e shpirtit dhe këtë e them pa frikë. Kjo poezi është e tillë sa që lidh përjetësisht si me „pranga“, atë që lidh pavdekësisht, humanisht, shpirtërisht dhimbjen me dhimbjen njerëzore. Jo më kot William Blake shprehet se: „Poezia e lidhur me „pranga“, lidh racën njerëzore“.
Sa bukur eshte kur shkruan me respekt e vertetesi per kolegun tend te Letrave , Prof Terziu ! Ju ne fakt e beni shpesh , i yshtur nga nje inteligjence akademike dhe kendveshtrim Perendimor . Vertete me kete publikim keni vene bashke ne nje gjerdan te bukur emrat e krenarive ne LETRAT SHQIP duke filluar nga Faruk Myrtaj , Robert Martiko e duke vazhduar me te gjithe ata qe lane pas nje VEPER te paharruar me penen e tyre , mendimin dhe fjalen e gdhendur . Sa nevoje ka vete JETA per te tilla shkrime dhe vleresime ! Falenderoj me respekt !
Ruzhdi Begaj
Faruk Myrtaj -Fjalëart !
Gjergji Meta
Bukur
Robert Martiko
Nëse qëllimi i shkrimtarit është të shkruajë jo për të lavdëruar rutinën, por të përdorë pasionin për të ndryshuar shoqërinë e vendit të tij, ta quajë këtë gjënë më të rëndësishme, nuk mund të ekzistojnë letërsi dhe arte, me karakter ndryshues, pa njohuri filozofike.
Aurora Strati
.... dhe njerez si ju, jane vlere e shtuar....
Gezuar 2025!