Tre gjëra më sollën në mendje rileximin e dy librave të autorit Dr. Andon Dede. E para, ishte një shtytje nga një mesazh miku nga SHBA, ku gazetari, Fuat Memeli më kujtonte se z. Dede kishte qenë disa kohë i sëmurë, dhe tjetra një lidhje e vjetër miqsh të vjetër e dy figurave të nderuara, Prof. Dr Eshref Ymerit dhe vetë Dr. Andon Dedes, si një lidhje adekuate me shkrimin dhe publicistikën dhe Fjalën e Lirë në Londër. E treta, natyrshëm i takon botuesit dhe pronarit të Shtëpisë Botuese “Globus R”, poetit të veçantë, Petraq Risto që më dhuroi këta dy libra në vizitën e parë timen në shtëpinë e tij në Tiranë. Dy librat “Dialogje me të tjerët dhe me veten” (shkrime pa censurë) dhe “Pa iluzione dhe paragjykime” (shkrime nga SHBA) mbetën në mendjen time që në leximin e parë.
E ndërsa rilexoja kujtoja thelbin e kësaj shtyse. Shoh të ndjej se autori i këtyre dy librave nuk është vetëm një autor që i ka dhënë popullit, ai është një njeri i popullit. Së pari se me këto dy libra, Dr Andon Dede, mbetet i thjeshtë dhe i sinqertë, pranë qindra njerëzve të thjeshtë. Këtë e kuptoj nga trajtimi në shkrimin e tij, se si i trajton njëlloj ministrin dhe pastruesen, shkrimtarin dhe bariun. Me këtë nëntekst nënkuptoj se ai i ka dashur njerëzit e thjeshtë, dhe i do njerëzit. Ai ka luajtur shkëlqyeshëm me këtë publicistikë. Por ato që ai shkruan jo vetëm që nuk do të harrohen, ato do të ngrenë shiritin, vendosin standardin e publicistit, nga rikrijimi i imazheve, nga moduli i sugjerimit dhe urtësisë publicistike, i përgjegjësisë për fatin e njeriut dhe për fatin e botës që e kërkon njeriu.
Talenti i tij me këtë të shkruar na bën që lexuesi, sikurse audienca të ndjehen mjaft njerëzorë, ashtu sikurse vetë Prof. Dr. Eshref Ymeri e thekson „Në publicistikën a Andonit bie në sy çiltërsia e shpirtit të tij qelibar, vendosmëria e publicistit mendjehollë, pjekuria shembullore e intelektualit të paanshëm, i cili ka për yll karvani vetëm të vërtetën, kthjelltësia e gjykimit gjakftohtë dhe mjeshtëria analitike e trajtimit sa më objektiv të temave të ndryshme nga realitetet shqiptare pas vendosjes së pluralizmit.“
Prania e fortë, dinjiteti dhe thellësia e mendimit të Dr. Andon Dede natyrisht nuk spikat në vetëm këto dy libra, por në tërë publikimin e tij, shkrimet dhe mendiet që ai ka përcjellur për lexuesit e „Fjala e Lirë“ në Londër. Në këto shkrime, mendime dhe publicistika bie në sy ekscentriku, i urti, talenti i lindur, artisti me intelektualitet të lartë. Secili prej këtyre përkufizimeve, që mund ti jepen dhe më gjerë Dr. Andon Dedes, pas leximit tim dhe të atyre që u intereson, është i vërtetë dhe ndoshta i pamjaftueshëm, pasi vetë lexuesi i tij më i ndjeshëm, shton „Çiltërsia e tij të bëfason në një analizë me titull “Ne, ish-komunistët”. (Ibid) Paragrafi i mëposhtëm e dëshmon më së miri pastërtinë e shpirtit të tij, sqaron Prof. Dr. Eshref Ymeri: “Edhe në kushtet e tmerrshme të diktaturës, në atë pak hapësirë që na kishte lënë ajo, ne e kishim mundësinë të tregonim sadopak vlerat apo antivlerat tona. Tjetër punë që kemi duruar shumë, kemi heshtur apo jemi konformuar për kafshatën e bukës, duke ia lehtësuar e shtuar jetën diktaturës. Përjashtim bëjnë ish-të burgosurit politikë” (Nga libri “Dialogje me të tjerët dhe me veten”, f. 36).
Dr Andon Dede në leximin tim është ndeshur edhe në disa libra me bashkëautorësi. Libri „Reforma arsimore në vendet e Evropës Qëndrore e Lindore“ (1995) me bashkëautorët Pëllumb Gaçe; Fatmira Myteberi dhe Zamira Gurabardhi edhe pse jo voluminoz plotëson mjaft atë që ka munguar në një kohë të gjatë në arsiimin shqiptar. Po ashtu dhe në shkrime që kanë një jetëgjatësi dhe një vlerë të pakontestueshme në publicistikën shqiptare sikurse janë kritikat dhe mendimet për librin „Veçanësitë e një libri: "Im atë, Sterjo!"; por dhe shkrime inkurajuese si „Të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të gjithë së bashku, Shqipërinë!: E kanë gabim ata shqiptarë që ngurojnë akoma të investojnë këtu“ (Gazeta „RD“; Nr. 315, 12 janar, 1997, f.4), apo dhe shkrime të tilla si „Integrimi i lëndëve dhe veprimi ndërkurrikular“ (Dede, gazeta „Mësuesi“, Nr. 3, 12 shkurt, 1997, f.2) e dhjetra e dhjetra të tjerë me tematikë dhe stil të ndjeshëm.
Dhe ky intelektual produktiv dhe cilësor, pra Dr. Andon Dede, nuk mbeti si i çuditshmi në të rrallë, që gjente njerëz me të njëjtin mendim në turmë, por njeriu me finesën e tij të njerëzillëkut, që kërkoi dhe vazhdoi të kërkoj jo vetëm në turmë, por dhe në vetvete. Këtë e tregon doktoratura e tij fill pas vitit të parë të 1990-ës, dhe sidomos tematika e saj “Koha e lirë dhe raporti i saj me mjetet komunikimit masiv”, një temë që kur mendohet se kur është realizuar të bën shumë përshtypje.
E në këtë kohë gazetari i TVSH-së dhe autori i një doktorature të tillë, publicisti me shumë talent dhe ide, nuk preferoi vetminë por i dha vetmisë nocionin e duhur që i duhej lëvizjes për të shembur vetmitë.
Dr Andon Dede në thelb mes këtyre shkrimeve dhe hulumtimeve, mes artikujve dhe publikimve ndjehet se kërkon të thotë me një zë rë lartë s'dua të jem vetëm me veten në një botë më të civilizuar, kjo është ajo që më duhet. Kjo botë në të cilën kemi jetuar dhe jetojmë më ndihmon të zgjoj turmën, kështu e lexoj dhe e rilexoj në një nga shkrimet e tij të fundit.
Nuk është i vetmi që shkruan nga larg, sidomos nga SHBA, për jetën në vendin tonë, e di ka shumë, por edhe pse ka shumë e shumë, e them hapur megjithatë, këto shkrime, këto fjalë, këto ide dhe këto mendime, disi digjen jo thjesht nga dashuria për njerëzit e tij, nga malli për vendlindjen, por dhe nga zjarri që i djeg në shpirt e në zemër. Padashur, vështrimi i Dr Andon Dedes lundron në mendjet tona, imazhi i tij, i cili mund të thotë gjithçka edhe pa fjalë, duket se plotëson si jo rallë atë që sqaron Prof. Dr. Eshref Ymeri që në kryeradhë: „…Andon Dede … në mesin e viteve ’60, ishte student i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe …kur unë isha student në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Që gjatë viteve studentore, Andoni ishte i dhënë pas gazetarisë. Në mbyllje të vitit akademik 1964-1965, dy grupe studentësh të degës së gjuhës shqipe dhe të degës së gjuhës ruse, u dërguan në aksionet e rinisë për hapjen e rrugëve pyjore në Kërrabë të Pukës. Andonit, bashkë me Ramadan Pasmaçiun, u qe ngarkuar detyra për të shkuar me shërbim në sektorët e aksioneve të rinisë universitare në zona të ndryshme të vendit, për të përgatitur reportazhe për shtypin e kohës. Ata erdhën edhe në sektorin e Kërrabës.“ (Prof. dr. Eshref Ymeri, „Mbresa të pashlyeshme nga publicistika e Dr. Andon Dedes“ „Fjala e Lirë“ më: 29 nëntor 2019).
Dhe në këtë vështrim nuk ka pështjellim, por forcë, forcë intelektuale me të cilën ai ka shkruar, shkruan dhe ka fuqi për të deleguar atë që ka akumuluar!... Ndaj i urojmë sa më shumë shëndet dhe jetëgjatësi, një intelektuali që jetën e kthen për të vërtetën dhe që mjaft herët ka qenë i përkushtuar për vetë të Tjerët.
Comments