
Kudo ku shkon, kudo ku shkel së pari në sy, në veshë, në mendje, në hundë shija, era dhe vlera e një tave elbasani të vjen. Të vjen si një pjesë e shkëputur nga një vend. Të vjen si një mburrje që në gen. Dhe ti e mburr, e përkëdhel, e frymëzon, e shpërndan, e shijon, e ndjen. Dhe i thua vetes dhe ekzistencës, ku ka më bukur se atje ku vetë jeta e botës vetërrëfen…Dhe kur e tregojnë të Tjerët më pas e kupton më së miri pse përfundimisht, nëpërmjet kësaj mund të themi se dashuria fillimisht vjen nga stomaku më pas nga zemra edhe në këtë rast. E këtë preambulë të shenjtë gjithnjë e mban pranë vetes, mes kujtimeve, memorjes, duarve të nënës dhe gjyshes! E mban si një dashuri të shtrenjtë, e mban dhe i mëshon faktit se pse „Dashuria bekohet në Elbasan!“
Por ju do të ma kërkoni më thellë, pse të dy vëllimet e mia poetike i emërova me këtë titull, pse do të doni më tej të them e të shpjegoj pse shkoj në këtë dimension, pra ju dëshironi që unë t'ju jap diçka në unison, pra më shumë për Elbasanin që dashuroj. Kjo përkon me dëshirën time, sepse Elbasani është dashuria dhe dhimbja ime, ku janë varrosur prindërit e mi, gjyshërit e mi. Por ju do të dëshironit që përshkrimi im të ishte i ngjashëm në frymë me të dy vëllimet e mia, me poezitë që keni lexuar herë pas here dhe ku çdo njëra prej tyre përmban një çudi, kënaqësi, apo nostalgji.

Kam frikë se nuk do t'i përmbush pritshmëritë e juaja. Ju jeni një lexues, një mik, një komshi, një shok i fëmijërisë, një shtëgëtar i rinisë, një moshatar, një simpatizant, një… apo dhe një person i artit dhe e dini shumë mirë se çdo realitet, çdo situatë pasqyrohet tek ne jo sipas pamjes së tij, por sipas zemrës sonë, jehonës së brendshme, që u jep atyre konture dhe ngjyra personale. Në fund të fundit, një art është më shumë se një fakt, një peizazh është një gjendje shpirtërore, një poezi është një botë më e ndjeshme më madhore. Dhe, edhe sikur të doja, nuk do të mund ta transferoja shpirtin tim të bluar në mall në Elbasan.
Sepse „Dashuria bekohet në Elbasan!“ i ngjan kryedashurisë aq sa një ëndërr mund t'i ngjajë jetës së zgjuar në shkopin e një Sulltani që zgjohet pa e kuptuar se ka udhëtuar e fjetur në një Dhé të bekuar. Ai e quan në gjuhën e tij një Qytet, me shkopin e tij pranë, të ngulur që bëhet shumë shpejt një rrap gjigand në Elbasan. E ai qytet i quajtur si „nusja e Shqipërisë dhe e Rumelisë“ mbetej diku i harruar. Në të vërtetë, ky qytet i harruar m'u shfaq si një ëndërr, tani i qetë, tani i trishtuar, tani i keq, tani kaotik dhe i dëshpëruar, por krejtësisht i papritur.
Dhe në Elbasan nuk pres ndonjë surprizë, sepse këtu bëhet uniformiteti i detyrës së poezisë sime. Në „Dashuria bekohet në Elbasan!“, çdo hap për mua ishte një zbulim, një festë ndjenjash. Ndërsa Elbasani i hapave të mia, i ritmeve të jetës, ishte melosi im, dhe melosi i shijeve dhe ndjesive të mia.

Nuk dua të them se nuk e respektoj largësinë time. Por (nëse do të lejoni një metaforë tjetër), ndërsa unë mund ta krahasoj largësinë me një magjepsje me gjithë bukurinë e rastësishme, spontane të natyrës, ndërtesave të të tjerëve, vetë fjalës, do të më duhej ta krahasoja Elbasanin me një ditë dasme të madhe.
Elbasanin e kam, tek „Dashuria bekohet në Elbasan!“ e kam vargëzuar. Në Elbasanin e rritjes së mardanozit dy herë në sene, zakoni ia kalon dashurisë. Ose, më mirë, kur isha në gjirin e tij e ndjeja si lutje e përditshme krahas të tjerave, që të them se e dashuroj qytetin, por nuk e vija re, sepse isha vazhdimisht në afërsi të tij. Dhe nëse dikush do të më pyeste papritur, vështirë se do të mund t'i përgjigjesha nëse Elbasani është i bukur, apo i shëmtuar. Nuk e shikoj më, nuk e kritikoj, e toleroj. Dhe ndoshta ngaqë do të më duhej të largohesha për ta gjetur përsëri, për ta humbur e për ta gjetur përsëri.
Sa herë e kam parë të qeshur, sa herë e kam lënë në lotë. Eh, le t'ia them vargut që ta thotë. Le ta thotë, ashtu siç e ndjejmë frymëmarrjen, pikë së pari, vetëm kur fillojmë të na mbarojë ajri. Dhe në vend që të vlerësojmë ajrin, ne vlerësojmë arin, për shembull, jo sepse është i vlefshëm, por sepse nuk e kemi. Kjo më bën të kuptoj se si gjërat më afër nesh nuk janë afër nesh, sa një pjesë thelbësore e jetës mbetet në errësirë.
Prandaj do të doja t'i hidhja një sy Elbasanit me „Dashuria bekohet në Elbasan!“ si i huaj. Për të shkuar për herë të parë përgjatë „Remës“, kanalit të vjetër e të qetë ku kam larë sytë ndonjëherë dhe përgjatë „Rrugës së Blirëve“ e „Rrugës së Trunxhave“. Të shikoj ngjyrën e Ullishtes, uniformën e Kalasë, mbishkrimet sipër artefakteve. Të dëgjoja ligjërimin e kumurive, bisedën e kalimtarëve, atë të folur rrjedhëse me pak bashkëtingëllore e zanore të forta, në kaosin e të cilit do të përpiqesha më kot të dalloja një fjalë të njohur. Të shikoja dhe të ndjeja trokamat dhe rrahjet e tyre xhirros së Bulevardit dhe të marrë me mend nga struktura e tyre origjinën e tyre ilire. Për të zbuluar ngjashmëritë dhe ndryshimet midis gjetkë dhe këtu. Për të krahasuar, në një fjalim, përvojën time aktuale me përvojën time të mëparshme. Sepse, me të vërtetë, është e lehtë të imitosh botën tënde në një komb tjetër, është më e vështirë ta shohësh botën tënde me sytë e një kombi tjetër.
E kjo është edhe me dashurinë, me atë që të shenjtë e mban, me atë që pastaj mburresh e thua: „Dashuria bekohet në Elbasan!“ E ajo bekohet akoma më shumë e më shumë përditë me këtë vëllim të dytë. Dhe pse? Sepse pyes veten, ku janë sedimentet e kohërave të atyre dhe kësaj përzierje sundimtarësh, të atyre lakmive që pushtuan, plaçkitën, rrënuan dhe më pas rindërtuan qytetin, të atyre dramave që ngurtësuan vullnetin, lartësuan guximin, humbën durimin, fshikulluan bindjen e popullit të Elbasanit? Çfarë ka mbetur në zemrat e rrënjëve të sotme të përziera nga gjithë kjo osmozë ndjenjash dhe impulsesh? Çfarë ka mbetur në zemrën time nga gjaku i paraardhësve fisnikë dhe emërmëdhenj, krenarë dhe të papërulur, të thjeshtë e të qetë, por dhe të egër? Më kot, pyes pa shpresë, siç është e pashpresë të hamendësohet, duke marrë shkas nga kalueshmëria historike e kohërave të strukura nën bedenat e Kalasë, sa kohë do të jetë rrahja e Sahatit, aq kohë do të jetë rrahja e zemrave dhe askush nuk do të ringadalësoj mendimin e dashurisë për brezat e ardhshëm. Një pyetje të tillë, lexuesi im i dashur, nuk duhet ta bëjë asnjë mëdyshje tek „Dashuria bekohet në Elbasan!“
Pena e Profesor Fatmir Terziut pasqyron frymën e kohës. Në këtë prozë poetike përcillet unikaliteti i tij jo vetëm në aftësinë për të rimuar ndjenjat, por edhe për t’i bërë rreshtat të kapshëm dhe të kuptueshëm për çdo lexues, pavarësisht nga mosha. Vërtetësia është tipari themelor i krijimtarisë së tij në vargje apo në prozë. Në penën e këtij intelektuali të shquar të Diasporës sonë, emocionet përftojnë një formë të kristaltë fjalësore, çajnë drejt zemrës së lexuesit dhe e bëjnë këtë të ripërfytyrojë këndvështrimin e vet për botën ku jetojmë.
Eshref Ymeri
Kaliforni, 28 shtator 2024