Në ishullin Wight për të „takuar“ Turgenev..
Nga Fatmir Terziu
Ndërsa ishulli Wight shkulet si një copë kristal në kahjen e diellit, ngarendja e gjërave shtriqen ngadalë në sy. E syri, i shkul e i ngul në memorje, pikërisht ato gjëra që u ngjajnë kodrave të ishullit. Në këtë ulje-ngritje gjeografike mësyn dhe forca aestetike e ndikimit dhe mirëmbajtjes. Mërëmbajtja në ishull është një model. Një model që duket dhe në fotografinë e parë që mbaj në dorë, ndërsa trageti me njerëz e makina kalon Ngushticën e Kanalit Anglez, nga Portsmuth. Duhet tridhjetë minuta për të parë atë që fotografia ka nënshkruar me faktin e një jete në ishull…
- Nga fotografia duket qartë se keni lindur diku ku dielli shkëlqen fort. Pigmentimi është i pasur dhe i dendur. Kjo më tregon se nuk jeni nga këtu.
Gruaja e bukur në krahun tim buzëqesh dhe përfundon testin tim disi optik. Pastaj, duke ndjerë kërshërinë time të ngulur tek aestetika, ajo nis pëshpëritjen e zakonshme, që bën të ndihet vetëm tek një i huaj:
- Mos u shqetëso. Çdo gjë është në rregull. Ju lodhen sytë nga mungesa e ngjyrës në këtë vend. Kjo është arsyeja pse ju duket se shikimi juaj po pakësohet. Por le ta mbajmë këtë mes nesh, apo jo?
Sigurisht që do të qëndrojë mes nesh! Kush përveç një të huaji si ajo dhe unë, mund ta kuptonte mungesën primare të ngjyrave në këtë ishull. Dhe mirësjellja e tendosur e thinjave në kafazin e pasqyruar të ngjashmërisë. Dhe pritja monotone e diellit. Dhe duke e kthyer ëndrrën në një zakon. Dhe duke ecur përpara. Dhe duke gërmuar në jetë. Dhe… Në skajin tjetër të tunelit tim personal.
E vendosa me kujdes foton me sytë e mi, në diagonalin mes cipalëve jugorë, dhe ndieja topa drite në erresirën që bashkonte tokë, ujë, me fishekzjarret që lajmëruan Pashkët në ishull, dhe në çantën time ndjeva peshë emocionale, dhe shkova në Hotelin me emrin Mbretëror. Sot është dita e blerjeve me ngjyra. Më pëlqen ky vështrim karnavalesh në mërzi, por i shijoj. Besoj se edhe ime shoqe, Luçi, po e pret me padurim këtë larushi ngjyrash. Ajo dhe unë ngjisim kodrën e vogël së bashku, dhe me këtë rast përshëndesim e flasim edhe me të panjohur në korridor. Më duket si dikur në Shqipëri ku përshëndesnim gjithkënd në rrugë. Eh, si qenkan kohërat, si qenkan. Të thonë mirëmëngjes njerëz të panjohur dhe …, ata që i njeh, që i ke në sy e në mendje zor se … Punë gjërash. Punë kohërash.
Dashuria jonë e përbashkët duket se është për respektin, ngjyrat dhe për bojërat. Ajo që na bëri miq. Imagjinoni çorape me bojë që përqafojnë figura të zhytura në këpucë ngjyrë rozë të nxehtë dhe një skaj si agimi i diellit mbi llavë vullkanike, të ftohta në dantella jeshile si lakër. Një këmishë si nektar karrote e zhveshur me limonë të rrafshuar, të mbështjellë me protuberanca nafte, plotëson tablonë, mbi të cilën shkëlqejnë sytë më kaleidoskopikë që mund të imagjinohet!
Kristal blu, manushaqe dhe akull. Ajo që të shijon është një lule e larmishme. Pak anglisht, keqkuptim i lumtur i dikujt që na përshëndet më pas. Një aluzion i kaosit nga i cili mund të ketë ardhur bota. Jo ky ishull, sigurisht, këtu gjithçka është e qartë dhe e skicuar që nga zbritja në të, e deri në udhën më të ngushtë. Ah, sa bukuri! Pastërti. Regull. Transport model. Ka dhe tren… Ka, dhe ekziston, edhe ajo botë nga e cila të gjithë ne, të ardhur nga përtej Kanalit, kemi lëvizur. Duhani pihet në vende të caktuara…
Pra, është ishulli që më ka joshur për disa kohë, që kur ai u caktua si Kryeqyteti i Dinozaurëve të Mbretërisë së Bashkuar në 2013. Dhe jo vetëm kjo më ysht të shkoj në Ventnor. Gjëja tjetër është leximi i romanit të parë të ndaluar të moshës sime, „Etërit dhe Bijtë“ (atëhere „Etër dhe bij“) të shkruar nga shkrimtari rus Ivan Turgenev, i cili e nisi frymëzimin dhe shkrimin e tij në këtë ishull dhe e përfundoi në Rusi. Nga mesi i viteve 1850, ai po kalonte po aq kohë në Evropë sa në Rusi, dhe në 1857, një e dashur e tij në ishull, Pauline Viardot, lindi një fëmijë që supozohej se ishte i Turgenev. Në gusht të vitit 1860 në Isle of Wight, ai krijoi idenë për „Etërit dhe Bijtë“, romanin e tij të cilin sikurse e citova e përfundoi në korrik të vitit 1861 në Rusi.
Ai qëndroi në qytetin piktoresk bregdetar të Ventnor në vitin 1860, pikërisht në atë vilë të bukur buzë ujit të Kanalit Anglez, aty ku fiksova dhe këtë fotografi me pllakën që shënon vendqëndrimin dhe vitin. Ai gjatë pushimeve të tij trejavore gjeti mjedisin për të hyrë tek historia Prizraki (Phantoms, 1863) e cila bazohet në peizazhet e afërta bregdetare. Prandaj, unë kam pritur të vizitoj Ventnor për të parë nga afër pse dhe çfarë e frymëzoi Turgenevin dhe për të mësuar se si shkrimtarin e ndoqën dhe e masakruan disa aristokratë burokratë duke paguar mjaft sigurimsa që më pas e nxinë jetën e tij dhe madje kjo gjë u zhvendos në debate serioze politike dhe sociale me bashkatdhetarët e tij.
Unë në Rock Cottage, i ulur duke pirë çaj tipik britanik në çajtoren e famshme „Toni's Tea Room“ ku pinte shkrimtari, i ndjej këto debate, dhe shtyj hamendjen, se ato mund dhe nuk mund të kenë ndihmuar në përcaktimin e antinomive sociale të personifikuara më vonë te „Etërit dhe Bijtë“. Annenkov, në kujtimet e tij letrare, shënon se të dy burrave, që ishin atëhere së bashku në Rock Cottage, iu kërkua nga pronarja e tyre të largoheshin nga vila e parë që kishin zënë në Rock Cottage, një vilë e pastër dhe e bukur, e vendosur në tokë të lartë midis plazhit dhe qytetit. Kjo kishte ndodhur pikërisht në këtë çajtore, për shkak të këmbënguljes së Annenkov, për të pirë duhan të fortë, i cili nuk ljehej asokohe në ishull. Freeborn gjurmoi me zgjuarsi vërtetimin e kësaj lëvizjeje në botimet përkatëse të së përjavshmes Ventnor Times për muajt gusht dhe shtator 1860. Lëvizja që Annenkov raporton me të vërtetë ka
ndodhur. Mësojmë gjithashtu se Ventnor Times e ka shkruar gabim dy herë mbiemrin e Turgenev. Ai ishte z. Tourguenett kur qëndronte në Rock Cottage, por z. Tourguenoff pastaja, pas lëvizjes në Belinda House në Esplanade. Sidoqoftë ai ishte Ivan Turgenev, që ndejti, u dashurua dhe u frymëzua në atë ishull…
Ivan Turgenev ka lindur në Oryol, Perandoria Ruse më 09 nëntor 1818 dhe ka ndërruar jetë më 03 shtator 1883. Emri i tij rusisht, Ivan Sergeyevich Turgenev (Иван Сергеевич Тургенев) ishte një romancier, poet dhe dramaturg, dhe tani renditet si një nga figurat më të larta të letërsisë ruse. Veprat e tij kryesore përfshijnë përmbledhjen e tregimeve të shkurtra Skicat e një sportisti (1852) dhe romanet Rudin (1856), Foleja e skifterëve (1859), Në prag (1860) dhe Etërit dhe Bijtë (1862). Këto vepra ofrojnë portretizime realiste, të dashura të fshatarësisë ruse dhe studime depërtuese të inteligjencës ruse që po përpiqeshin ta zhvendosnin vendin në një epokë të re. Kryevepra e tij, Etërit dhe Bijtë, konsiderohet si një nga romanet më të mëdhenj të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Turgenev ishte bashkëkohës i Fjodor Dostojevskit dhe Leo Tolstoit. Ndërsa këta shkruanin për kishën dhe fenë, Turgenev ishte më i shqetësuar për lëvizjen drejt reformës sociale në Rusi…
Vazhdon…
Comments