top of page

Fatmir Terziu: Gëzuar Vitin e Ri 2025!

Updated: 2 days ago


Gëzuar Vitin e Ri 2025! Urimet më të mira për ju të afërmit e mi në Atdhe, gjakun tim, miqtë e kolegët e mi, dhe mbarësi në familjet tuaja të nderuara. Ju uroj me këto perla të shkurtra poetike:

 

1.     VITET

 

Një vit tjetër, një maskë tjetër,

një shpirt i lodhur, një detyrë e shenjtë.

Ka kaluar shumë kohë, e kam humbur ndjenjën,

për atë që është i rremë dhe atë që është i vërtetë.

 

2.     TRYEZA PA PRINDËRIT

 

E drunjtë prej lisi,

tavolinë me njolla vere

pushoi vallen e rëndë

nën bërrylat e mia të rrudhosura

me flatra ere.

 

Dy pjata të Vitit të Ri:

të dyja bosh,

siç ishte zemra ime.

 

3.     VENDI I HUAJ

 

Mbretëresha e akullit

krejt e huaj,

e putha butësisht në faqe,

asnjë histori e Borëbardhës për mua…

 

4.     PEISAZH PËR ZYRA

 

Humbi koha dhe ndjenja e frikës u shtua,

në fillim ishte kaotike, Arka e Noes rilëshoi spirancat,

ngadalë dhe ngadalë, gjendja u përmirësua,

por kjo ndodhi vetëm, kur u këputën prangat..

 

5.     MASKË

 

Nga dita e parë në të fundit pritën,

askush nuk mund ta hiqte maskën,

oh, sa perfekt e kanë bërë politikën.

 

6.     DHIMBJA E SHKRIMTARIT

 

Shkruaj shumë,

shumë buzëqesh, shumë qaj,

ju them me të vërtetë

shumë qesh, shumë psherëtij,

gati plotë një jetë.

 

Thjesht,

jetët nuk mund të shkruhen vetë,

edhe po të treten,

askush, s'mund të thotë çdo gjë për veten.

 

7.     KUR HUMBET NË AGIM

 

Duke ecur përpara

gabimet janë bërë nga të gjithë,

disa përmirësohen dhe udhëtojnë drejt,

ndërsa të tjerët,

të larguar pa kthim,

humbasin në agim.

 

8.     KOSTOJA

 

E arrita, por me çfarë çmimi më ka?

Të gjithë pas,

askush në sy,

askush në krah.

 

9.     DASHURIA

 

Nëse dashuria do të ishte e thjeshtë,

jo e hutuar,

a do të pretendonte ende titullin,

më kompleksja më e kërkuar?

 

10.  JETA

 

Koha kalon, veprime të përsëritura,

përpjekjet u dyfishuan, rezultatet u pakësuan.

 

Nevojitet një përparim,

që nuk rishkruhet

për të thyer ciklin, për të bërë kthesën

të jetosh është ajo që të duhet,

jo për mbijetesën.


11. NUK MUND TË SHIKOJ LARG

 

Pylli që digjet natën,

një imagjinatë tërheqëse e ndarë.

Të mbijetuarit prej druri numërojnë gishtat e këmbëve,

në mes shkëlqen qelibar.

 

12. DRITË DHE ERRËSIRË

 

Stresi dhe inati janë si një llambë që shihni,

nuk ka kuptim të qetësoheni midis këtyre episodeve,

më e mira e mbetur,

duke kaluar vazhdimisht midis të dyve,

ose duke e fikur, ose duke e ndezur.

 

Përndryshe, si llamba proverbiale,

një ditë do tu mbetet syve.

 

13. MAKTHI

 

Toka ishte e errët si qielli

gryka po bymehej.

Çdo njeri që doja nuk shihej askund

„Zgjohu zgjohu… pse sillesh vërdallë?!

Ishte një makth. Veten gati e kisha ngrënë.

Por, erdhi një zë i madh:

„Zgjohu është e hënë.“

 

14. KTHIMI NË SHTËPI

 

Ku të shkarkojmë kockat tona të lodhura,

kur i zhveshim nga rrobat e vdekshme aty.

Pa ngarkesat e kaluara, ne jemi të lirë të bredhim,

kur meditojmë për kthimin tonë në shtëpi.

 

15. CARPE DIEM

 

Mos u shqetësoni nga ajo që thonë disa poetë,

se si rruga të çon në ndonjë rrugëtim të kotë.

Çfarë ndodh nëse nuk ka të nesërme të vërtetë,

a mjafton që kemi diell vetëm sot?

 

16. EMIGRANT I HARRUAR

 

Nuk ka trëndafila në varrin e emigrantëve,

nuk ka zambakë në një trung të shkulur mali.

Nderimet e vetme janë fshirjet e laraskave,

dhe loti që qan i dashuri.


17. SAZAN

 

Oh, ishulli i mbetur në gjerdanin me fishekë,

duke fjetur në një shtrat prej guri,

i mbështjellë në një mantel mjegulle me thekë,

me diellin në ballë ku të ndrit nuri.

 

Unë dëgjoj shkëmbinjtë e tu të lashtë,

për ndonjë përrallë a ndonjë legjendë.

por heshtja me më the e të thashë,

struket në ndonjë katalog të fshehtë.

 

Ishulli krenar, që pastrohesh, nga deti,

na sjell kohëra dhe vite kaq pranë.

Një vend i ndërthurur me ethe sikleti,

i heshtur, nxitës, magjepsës, Sazan.


18. ERA PËSHPËRITËSE

 

I huaj, kaloj, dëgjoj, një përrallë

përgjatë korsive dredha-dredha,

një herë i preka gjërat reale dhe ndjeva,

se stinët ndryshojnë nga brenda.

 

Ndjeva parfumet e ëmbla të verës,

dhe deshifrova një pauzë të dimrit.

 

Mblodha mendimet e mia në vjeshtë,

e të këndova si pranverë prej zgjimit.

 

Ndërsa ti shëtit përgjatë Ullishtes kam mall.

oh, mike më mungon këtu në Londër,

dikur të largoja pëshpëritjet me shall,

por ti më ledhatoje si një lodër.


19. KAMBANAT

 

Sa mister mbetet forca e mallit

nga kjo erë që bart

kambanat lart malit.

 

20. MIZA MBI KËSULË

 

Kalon mesdita

dhe ende e uritur

nga ajo ëndërr.

 

21. LULET

 

Pyes veten,

a nuhatën lulet

hundën tënde?

 

22. STUHIA

 

Era e dimrit në prag!

Ju lutem ndryshoni fryrjen në Fjalor

mendimet i emigron larg.

 

23. DARDHA

 

Pema e dardhës

u zhvesh lakuriq,

kokrrat skuqen,

nga bishti i përrallës.

20 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page