top of page

Fatmir Terziu: Gëzuar Ditën e Madhe shkolla Emërmadhe e Trebishtit



Prof. Dr. Fatmir Terziu

 

Në këtë ditë të bukur, që përkon me ditëardhjen në jetë të Shkollës së Trebishtit, mendoj se sot është dita më e përshtatshme për t'iu bashkuar memorjes "Mësuesit e mrekullueshëm të asaj shkolle". Me idenë e mrekullueshme për të kujtuar ata që mësuan dhe ndihmuan breza të tërë të bëhen njerëz të aftë në jetë, jam rritur duke kujtuar mësues të paharrueshëm, mësimet njerëzore të të cilëve edhe vetë i mbaj mend edhe sot e kësaj dite. E kuptoj gjithnjë e më qartë se u kam dhënë dukshëm më pak se ngrohtësia dhe dashuria që kam marr në rolin e tyre. Fatkeqësisht, disa prej tyre nuk jetojnë më dhe fjalët e mia janë vetëm një kujtim i dashur i pranisë së tyre në fëmijërinë time. Më kujtohen mësuesit e klasës së parë e të dytë (Osman Sinani, Menduh Haxhijahja), dhe mësuesi i klasës së tretë e të katërt, Mustafa Sinani, të cilët përveç shkrim-leximit, na mësuan drejtësinë dhe ambicjen. Më kujtohet më pas matematicieni i mrekullueshëm Nazif Hoxha, i cili na tregoi se shkenca ka zbatime praktike, të përditshme. Më kujtohet Ibrahim Alla, nga sjellja dhe mësimet e përmbledhura të të cilit kam nxjerrë shumë moral dhe devotshmëri ndaj përkushtimit jetik dhe pedagogjik. Më kujtohet Dail Halilaj, i cili me zgjuarsinë dhe sensin e tij të mirëfilltë të humorit ishte i vetmi që arriti të më tërheqë në muzikë dhe vizatim.

Shkolla Trebisht
Shkolla Trebisht

Gjithnjë e më rrallë i takoj të tjerët në rrugët e jetës, që tashmë na ka ndarë larg e larg, si fizikisht dhe gjeografikisht, si edhe ekzistencialisht dhe e kuptoj se kam humbur shumë raste për t'u thënë fjalë të thjeshta mirënjohjeje. Flutura Bajrami Shahinaj, energjia karizmatike e së cilës më ndezi për të ndjekur rrugën e saj gjeografike. Për Ajet Sadikun, i cila me zell amnor u përpoq të na pajtonte me dashurinë e punës prodhuese. Hiqmet Pirajt, i cili ma ruajti vetëbesimin, edhe pse herët e kuptoi se brenda meje nuk fshihej asnjë fizkulturist, dhe pasardhësi i tij Fadil, i cili, me mirëkuptimin e një mësuesi të përkushtuar, bëri sikur nuk i shihte marifetet me të cilat përmirësonim suksesin tonë në të njëjtën lëndë. Për Xhevahir Çadrin, i cili më mësoi se Edukata nuk është thjesht një zë, por një perceptim, një ndjenjë, një kënaqësi. Për Kadri Ajazin që na bëri të ulemi durueshëm për të rimësuar gjëra të tjera në aritmetikë e mjaft të tjerë, ku pika kulmore shkonte tek Hasan Shahinaj, që na frymëzoi të shkojmë lart e më lart, të shkruajmë e të botohemi që atëherë në organe që brezat e tjerë i kishin vetëm një ëndërr të gjatë.

Unë dhe disa nga mësuesit e mi u bëmë kolegë më pas, ndërsa jepja mësim në Ostren të Madh. Edhe pse pata kënaqësinë të punoja pranë tyre për gati tre vjet, nuk gjeta guximin t'i tregoja asnjërit emrin e mësuesit tim të preferuar. Ishte Nazif Hoxha, e ndava më vonë në një anketë studentore dhe nuk më duhej të mendoja fare për argumente - sharmi, një qëndrim personal i guximshëm për kohën, një lexim magjepsës dhe jo klishe i historisë së tregimit për të treguar. Ne ende takohemi me disa pothuajse në kohë e hapësira të ndryshme. Drejtori im, që la kujtimet më të forta, njeriu që firmosi dhe dha diplomën time të parë, Halil Hoxha, natyrisht ka një kënd të shumdiensionuar në kujtimet. emia. Një mësues me prekje të mirëfilltë njerëzore dhe qëndrim të ngrohtë.

Kam pasur rastin të takoj mësues të mrekullueshëm edhe në hapësira të tjera, sidomos takimi me Rabie Dukën, apo Hakitin, në Londër për të rikujtuar ato vite që bashkërisht i mësonim brezat e tjerë. Në vitet e turbullta, kur më së miri shihen karaktere të forta dhe njerëz të denjë, natyrisht dhe memorja depërton më thellë. Ata na mësuan shkencën, por na mësuan edhe lirinë dhe integritetin, guximin dhe tolerancën, na nxitën të ëndërronim dhe na ngarkuan me besim të pashtershëm. Ismail Sinani, Dobe Nina, Ilo Marku, Angjelina Drushku, Fidan Marku, Zylfi Sinani, Tahir Zeneli, dhe mjaft të tjerë deri tek Vangjushi i Biologjisë që vinte nga Gjirokastra, natyrisht janë ata që të bëjnë sot e më shumë se kurë me flatra.

Kujtoj më të spikaturit, por kam prekur edhe mësues të tjerë të rëndësishëm. Nga secili prej tyre kam marrë diçka – njohuri, parime, qëndrim njerëzor dhe i kam përfshirë në botëkuptimin dhe karakterin tim. Jam i sigurt se pa ndikimin e tyre pozitiv do të isha krejtësisht ndryshe. Dhe nëse përpiqem të jem mësues sot, e bëj pikërisht në mënyrën e tyre. Më kujtohet një mendim i Niçes, të cilin do ta citoj nga kujtesa. “Mësuesit tuaj janë edhe çlirimtarët tuaj”. Këta mësuesit e mi të mrekullueshëm e kanë çliruar horizontin tim - në mënyrë që të mund ta shikoj atë dhe të mos ndaloj kurrë së ëndërruari për ta arritur atë.

Për gjithçka kanë bërë dhe për atë që jam sot, përulem dhe ju falënderoj sinqerisht! Nëse i takoj sot diku në bllokun e paradës, do t'i them. Nuk ka asnjë rast më të vërtetë për t'u shprehur mirënjohje mësuesve të Shkollës Emërmadhe të Trebishtit, sesa 15 Prilli.

 

Nga memorja në vite dhe Librat e mi 


Gjithkush në mesin e viteve shtatëdhjetë, nga një brez që mbante në duar pankartat e miqësive të mëdha shqiptare në kohëra të ndryshme e mban mend dhe pankartën që fliste për miqësinë e madhe shqiptare me Kinën, pas shpinës së këngëtares nxënëse Xhemile Alushi, nga Trebisht Bala, ndërsa durtrokitej habitshëm nga njerëzit që nuk i kuptonin as dhe një fjalë këngës glorifike në gjuhën kineze. Atë ditë festohej përvjetori i shkollës së parë shqipe, e cila ishte hapur me fjalët kufitare në Trebishtin e madh të shqiptarisë, thuajse në të njëjtin interval kohor me disa orë diferencë midis 14 Prillit dhe 15 Prillit të vitit 1914-të. Atëherë shkolla shqipe po hapte dyert e saj në valën e terrorit serb dhe në ditët e asaj miqësie shqiptaro-kineze, para shkollës së Trebishtit, midis plepave të gjatë, kënga në gjuhë të huaj kishte një arsye tjetër të vjetër, që ende oshëtin si një shenjë për dygjuhësinë e kësaj zone.

Por kjo mund të vetëkuptohet qartë, me Vendimin e Qeverisë së Vlorës për hapjen e këtyre dy shkollave, dhe që në realitein e madh historik, nuk ishte i rastësishëm. Duke qenë dy nga kryeqendrat më të populluara në qarkun e Dibrës, prej kohësh kishin filluar të shquheshin në gjallërimin e lëvizjes patriotike, në kuadër të shpërbërjes së perandorisë Osmane. Ndërkaq, ndikim të posaçëm pati organizimi i Kongresit të njohur të Dibrës, mbajtur më 23 korrik 1909, dhe sidomos shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 1912, ngjarje madhore këto, të cilët vunë në rend të ditës zgjimin e vetëdijes kombëtare, ndër të tjera edhe me përhapjen e ideve iluministe të Rilindjes, sipas devizës Naimiane “Dhe drita e diturisë përpara do të na shpjerë”, ku Flamuri Kombëtar dhe libri, po aq dhe etja për dije dhe penë e letër u bë një arsye tjetër.

Është shkruar e botuar, ashtu sikurse dhe vetë kam shkruar shpesh artikuj, shkrime, publikime, poezi, poema, skica, tregime, romane, por tre libra, me poezi, tregime dhe studime, të dedikuar totalisht për Trebishtin dhe Gollobordën, sikurse janë midis tjerave dhe librat e mi „PERLA“ (Frymëzimi prapa çdo poezie të shkruar me zemër); „TREBISHTI“; „TOPONIMIA E GOLLOBORDËS: DISKURSI I DYGJUHËSISË DHE DERIVATI I ORIGJINËS“, sa të veçantë dhe të dedikuar, aq dhe dhe specifikë dhe të vlerësuar më obligojnë të ndalem dhe në këtë Ditë të Madhe që i përket festës dhe përvjetorit të Shkollës Emërmadhe të Trebishtit.

Vitin që kaloi, më saktë në muajin Tetor të vitit 2024, i dhurova Shkollës „9 Vjeçare – 10 Dëshmorët“ në Trebisht të Gollobordës shkova e vizitova nga afër këtë shkollë dhe i dhurova shkollës në prani të Drejtorit të Shkollës Ardian Seferi, dhe mësuesit Endri Ajazi një sasi të konsiderueshme nga librat e mi. U ndjeva mirë për shumë aryse, por dhe për një fakt se është shkolla e ish-Ministrit të Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë, Prof. Dr. Eqerem Tafaj, i cili ka bërë shumë për atë fshat, duke e lehtësuar dhe mundësuar dhe Doganën e Rrugën mes dy shteteve fqinje. Dhe u ndjeva Edhe pse udhëtova nëpër atë rrugë, pasi ende nuk ka një rrugë të mirëfilltë territoriale për në atë fshat sërrish u ndjeva mirë. Po pse?

Prej shumë kohësh, populli i Trebishtit e ka bërë traditë që të përkujtojë këtë datë të shënuar në çdo përvjetor, duke e bërë atë pjesë të pandarë të ndërgjegjes historike, kulturore dhe arsimore.  E kështu ndër breza të mburret me arritjet e bijve që u shkolluan nga mednja dhe talenti i mësuesve që bënë emër. Edhe nxënësit e tyre bënë emër dhe u ndjenë krenar kur matematika e mësuesit Nazif Hoxha i bëri të konkurrojnë nëpër konkurse dhe të fitojnë, në për Olimpiada dhe të marrin vende nderi, nëpër shkolla dhe të quhet nxënës dhe studentë shembullorë. Apo dhe më tej kur festivja i bënte dyfish shqiponja. Këtë vit, në këtë braktisje masive të Trebishtit, me pasaporta bullgare, si një plagë tjetër e e shekullit që jetojmë, natyrisht shumë veteranë, shumë ish-nxënës të kësaj shkolle dhe më së shumti nga ata që penën e kthejnë në shat për veten dhe familjen e tyre, ndoshta do të kenë dhe një shans tjetër të shikojnë pa lente rrugën kur nisi rrugëtimin shkolla e parë shqipe në Trebishtin e Gollobordës, e cila, përmes sakrificash e pengesash të shumta, u rrit dhe u zhvillua me mbështetjen e pakursyer të patriotëve, ustallarëve e sipërmarrësve, brezave të mësuesve të përkushtuar, nxënësve shembullorë të etur për dije dhe kulturë dhe të prindërve të devotshëm.

Është shkruar dhe do të shkruhet dhe sikurse dihet tashmë të shumtë janë protagonistët që meritojnë nderim të veçantë për atë që ditën dhe arritën të bëjnë.

Mes tyre nuk janë të paktë edhe mësuesit e spikatur, që me kontributin e tyre u bënë përfaqësues të brezit të mësuesve, të kohës së tyre. Të tillë janë: Ramiz Qatja, mësuesi i parë i shkollës së Trebishtit, mësuesit e tjerë dibranë: Ramadan Sefedini, Aqif e Nazmije Pasholli, Xhevat Sadiku, Selim Alliu “Mësues i Popullit”, Islam Hoxha etj. Histori të veçantë përbën kontributi i normalistëve nga qytete të ndryshme të vendit, përfshirë këtu dy normalistët nga fshati Trebisht, Mehmet Çadri dhe Mustafa Shahinaj, të cilët pjesën më të madhe të veprimtarisë së tyre arsimore ia kushtuan zhvillimit dhe konsolidimit të shkollës së Trebishtit. Me njohuritë e gjera që fituan si në fushën e mësimdhënies dhe drejtimit në shkollat e qarkut të Dibrës, ata e shndërruan shkollën e Trebishtit në një qendër të shkëmbimit të përvojës pedagogjike për mësuesit e rinj që patën rastin të shërbejnë në këtë shkollë. Prandaj mësuesit, komuniteti dhe ish-nxënësit e shkollës së Trebishtit nuk kanë kursyer mirënjohjen e tyre për përkushtimin e këtyre mësuesve  shembullorë, por dhe mjaft prindërve që sakrifikuan dhe mbështetën talentin e zellin e fëmijëve të tyre për arsim e më tej.

Qëndrimi që ka mbajtur populli i Trebishtit në vite dhe dekada ndaj shkollës dhe gjuhës shqipe, me betejat e fituara për zhdukjen e analfabetizmit, zgjerimin e rrjetit të shkollave, zbatimin e arsimit të detyruar, masivizimin e arsimit 8 e 9-vjeçar, si dhe rritjen e cilësisë në shkolla, e ka konfirmuar gjithnjë e më shumë Trebishtin dhe Gollobordën si një nga zonat më arsimdashëse.

Pas Hasan Mustafa Shahinaj, Nazif Hajrulla Hoxha ..., Pas Ismail Nuredin Sinanaj, Mehmet Zylfi Hasanaj, pas Ibrahim Mehmet Alla, pas Dail Halilaj, pas Ajet Sadikut, etj., zëra insinues, qëllime të mira dhe të këputura nga dygjuhësia e të mjaltëruara në gjuhën e bukur shqipe, entuziazëm dhe zili reciproke e shëndoshë.

Nëntokë? Të gjitha kristalet që vetëtijnë ende, të gjitha të korrat e bukura, kërkonin dhe ende kërkojnë atë që në ndërgjegje, e kam besuar të frytshme dhe jo thjesht të rastësishme. Një manifest. Jetë plotë frytdhënëse, me shpresë oportune. Por heshtje dhe dritëhije. a) Për shkak të mungesës absolute të ngritjes intelektuale të shumicës mendimtare të territorit më punëtor dhe më mjeshtëror të burrit dhe gruas estete, në të cilin mbizotëron cilësia dhe volumi i madh i punës, mjeshtërisë së gurit e të drurit, dhe jo vetëm për vete.

Karakteri universal. Klasifikuar nga emra dhe figura të ndritura historike me emrin adekuat, real, jetik e që mbetet mes nesh, thjesht si një djepe e përkundur në memorje të zhytura thellë në harresë të përditshme. I tillë është realiteti. Ai që është në fakt mbetet dhe është. Është mes nesh, profesor, akademik, avokat, poet, intelektual, Njeri. b) Sepse puna kolektive e bashkëvendasve të rinj është ende e mëdyshur, më shumë nga talentet më të mira janë me torba krahu, në lëvizjen e ashpër demografike dhe demokratike, të tjerët janë në harresë të injorancës së plotë.

Dhe janë nga e njëjta rrënjë që i bekoi. I edukoi. Janë të të njëjtit Art të cilit i përkushtohen. Janë nga bankat e shkollës së Mustafa Shahinajt, që me zgjuarsinë e tij, me koleografinë e tij i bëri të mençurohen e të estetohen në rrjeshtat e shkrimit të gjuhës së bukur shqipe. Apo dhe të tjerë, Mehmet Çadri, Agim Shahinaj, Hilmi Sadiku, Fidan Marku, Branko Popa, Angjelina Nina, Halil Hoxha, Nazif Hoxha, Xhevahir Çadri, Hamdi Muça, Ferit Ademi, Ilo Marku, Hyqmet Piraj, Osman Sinani, Ajet Sadiku, Kadri Ajazi, Ibrahim Alla, Osman Sinani, Tahir Zeneli, Hamit Oruçi, Eqerem Sinani, Menduh Haxhijahja, Lefter Cfarku, Razi Rama e të tjerë e të tjerë (janë shumë emra të respektuar) pa harruar mësuesin e talentuar Mustafa Sinani, që filloi të jepte mësim fare i ri; c) Sepse shpallja e vetvetes, talentit dhe ecjes, siç proklamohej nga mësuesit e thjeshtë Agim Zeqir Shahinaj, Ismail Nuredin Sinani,  Sefedin e Zylfi Hasani në udhën e të parëve, një estetikë akratike, imponimi i një modeli, ose një kodi ndryshe nga të parët e tyre nuk do të nënkuptonte një kontradiktë, por do të zgjonte një udhë të mençur. Sot nuk duhet ngatërruar! Sot ecja më gjerë e më gjatë në krijimtari, shkrime, poezi, prozë, kërkime shkencore dhe më gjerë në letërsi, nga fryma e kësaj shkolle na jep shumë risi.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page