top of page

Fatmir Terziu: Esat Ruka sjell një vlerë kulturologjike për lexuesin dhe brezat



 

Dukuri – fenomene kulturore – profile krijuese“ është libër i autorit Esat Ruka. Është  një libër i redaktuar e korrektuar nga Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj dhe studiuesi i mirënjohur Isuf Neli. Ky libër është i ndihmuar dhe nga konsultimi me poetin Qazim D. Shehu. Ndërsa analiza e Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj në hyrje të librit, është një proces që na lejon të thellojmë kuptimin më të ndjeshëm të tekstit, si dhe strukturën, stilin dhe temat e tij, vetë libri është një sintezë sa kulturologjike, njohëse dhe didakte, po aq vlerësuese dhe përcjellëse mesazhesh. Ardhja e këtij libri ndihmon lexuesin të fitoj një kuptim më të thellë të asaj që autori përpiqet të përcjellë me fjalët e tij për shumë tema, autorë, vlera arttistike, kulturologjike, patriotike, muzikore dhe pse jo edhe shkencore të domosdoshme. Në këtë libër, shikojmë disa hapa që ndihmojnë të analizohen saktë mjaft realitete dhe konfigurime realitetesh të cilat shpesh kanë mbetur brenda termit diskursiv harresë, mërgim, ikje nga vetvetja, lënie në pluhur e në harresë.

Kjo nënkuptohet më së miri në kohën kur njerëzit po bëhen gjithnjë e më shumë mërgimtarë të vetëvetes dhe të arsyeve të tyre. Kjo ndodh kur „Unë“ është kundër „ti“, dhe kur dominon „e imja“ në klauzoklën gjithnjë kontradiktore - me „të tjetrit“. Dhe pastaj kjo thellohet në përditësinë e kohëve të fundit kur Tjetri dhe „i huaji“ janë armiqësorë dhe të padëshiruar. Ato përjetohen si kërcënim, si rrezik për ekzistencën dhe interesat e veta. Të jesh dhe të jetosh sot pothuajse normalisht dhe detyrimisht nënkupton fitoren dhe disfatën e tjetrit dhe shpesh edhe shkatërrimin e tyre.

Në rastin më të mirë, tjetri tolerohet në mënyrë indiferente për hir të mbrojtjes së vetes dhe të tij. Dilema e autorit të këtij libri domethënës, dilema e qasjes së heshtjes tek ai dhe ata, liria, apo tjetri (autoriteti), po bëhet gjithnjë e më shumë dilema e botës së harresës dhe e nëpërkëmbjes së vlerës artistike dhe kulturologjike. Kjo gjendje nuk i ndryshon dukshëm shembujt e panumërt të mirësisë dhe vetëkushtimit, talentit dhe ndjesisë, sikurse Ruka ndalon dhe sqaron për emra e figura si Prof. Ramadan Isuf Sokoli, Mathieu Aref, Alush Hamidi, Lefter Çipa, Munir Shehu, Ali Mula, Gjokë Beci, Zejadin Ismaili, Dilaver Kurti, Hazis Ndreu, Pjetër Matusha, D. Shaqja, D. Neziri, Ndue Shyti, Ymer Neli, Mark Gjoka, Naim Plaku, Qamil Gjika, Viktor Paloka, Frrok Haxhia, Agim Dervishi, Gjon Frroku, Lirie Rasha, Sedat Kuçi, Safete Toska, Rexhep Çeliku, Xhevat Fana, Riza Hoxha, Maksim Kulla, Dashnor Xërxa, Ilmi Kolgjegja, Xhelal Çerpja, Dr. Sali Kurti, Hysen Çera, Ymer Neli e të tjerë.


E pas kësaj natyrisht vjen hapi i parë dhe më i rëndësishëm në analizimin e këtij libri që natyrisht vjen dhe është leximi i kujdesshëm. Ndërsa lexojmë, i kushtojmë vëmendje mënyrës se si autori përdor gjuhën për të përshkruar personazhet, ngjarjet dhe gjendjen shpirtërore dhe sesi përdorimi i fjalëve, stileve dhe temave të caktuara e ndihmon autorin të përcjellë mendimet e tij edhe në këtë pikë, pra kur kulturologjia është një parim më vete në trajtesën diskursive të faktorëve që trajtohen në libër. Në thelb autori me stilin. Eduhur të tij hyn thellë dhe na dikton se ai është kundër asaj që sot ndërgjegjja dhe përvoja që njeriu nuk bën dot pa tjetrin, se pa të është gjithmonë i dëmtuar dhe i pamjaftueshëm, është thellësisht i ndrydhur, prandaj njeriu modern vret vetminë dhe nostalgjinë për tjetrin. Në pamje të parë, gjithçka duket ndryshe. Duke gjykuar nga format e jashtme të jetës moderne, mund të arrihet në përfundimin se kurrë në të kaluarën njerëzit dhe kultura nuk kanë qenë kaq të ndërthurura dhe të ndërvarura sa sot. Fatkeqësisht, kjo lidhje e jashtme dhe formale është vetëm një „simulim“. Nuk shoqërohet me atë takim të brendshëm, të vërtetë dhe frymë uniteti. Mungon takimi i zemrës dhe i shpirtit; mungon prekja ekzistenciale që ngjall ndjenjën e gëzueshme të jetës, të cilën autori Ruka e shtjellon bukur tek „Mbresa kulturore të paharruara“ (Kryematja, që meriton rizgjimin artistik) (Ruka, 2023: 200).

Në këtë kontekst Ruka takon shokët e tij të hershëm A. Hoxha, R. Lasku, A. Kurti, A. Ymeri, L. Lasku, Gani e Bedri Hoxha etj., dhe na sqaron se „këtyre intelektualëve në sy u lexohen platforma të skicuara mirë, realizojnë ide e praktika konkrete kulturore që i bëjnë nder krahinës së Kryematit“ (Po aty).

Pra sikurse dihet se çdo libër ka personazhe kryesorë që luajnë një rol të rëndësishëm në brendësi, edhe analizimi i personazheve të tillë ndihmon të kuptojmë motivet, qëllimet, problemet dhe marrëdhëniet e tyre me njëri-tjetrin, me atë diskurs që Ruka e e quan „me zemër të vlueme e mendje të akullueme, jam preokuptuar të shkruaj në këtë libër“ (fq 12). Pos Autografit shpirtëror për lexuesin dhe leximit të detajuar kuptojmë se si personazhet ndërveprojnë me njëri-tjetrin dhe si ndikojnë veprimet e tyre në zhvillimin e mesazhit kulturologjik të domosdoshëm.

Ky libër përmban disa tema dhe nëntema në gjashtë kapituj ku autori përpiqet t'i përcjellë sipas një plani të detajuar më parë. Këto tema lidhen me mësime morale, çështje sociale, kulturologjike, muzikore, tradite dhe zone, pse jo dhe meide filozofike. Autori i përdor linjat, personazhet dhe ngjarjet e ndryshme për të theksuar këto tema dhe dhënë mesazhe të shëndosha e të domosdoshme për rrjedhën, për trashëgiminë, kulturologjinë, artin, muzikën dhe brezat. Kësisoj „Dukuri – fenomene kulturore – profile krijuese“ është libër që ka një kontekst të saktë e të qartë, ku sqarohet dhe kuptohet më së miri tërësia e rrethanave në të cilat është shkruar ky libër që shpjegohet me frazën e Garcia Markes „Tregojua të tjerëve domethënien e tyre“.

 

Rreth autorit:



Autori Esat Isuf Ruka, është lindur në Mat më 10 mars 1951. Ai është artist shumëplanësh, rruga e të cilit nis që në fëmijëri. Është producent i 6 albumeve muzikore më këngë folklorike e popullore. Gjatë një periudhe 50-vjeçare si specialist e drejtues i kulturës ka ngritur e drejtuar disa ansamble folklorike. Në vitet 2006-2013 ka qenë Drejtor i Qendrës Kom- bëtare të Veprimtarive Foklorike. Në vitet 2008-2013 ka qenë Anëtar i Komitetit Kombëtar të Trashëgimisë Shpirtërore. Në vitin 2009 ishte Sekretar i Komitetit Organizator dhe Drejtor i Festivalit Foklorik Kombëtar Gjiro- kastër.

Ka shkruar artikuj e punime studimore dhe ka qenë i ftuar në shumë emisione radiotelevizive për probleme të trashëgimisë kulturore shqiptare.

 

Botime të autorit:

 

1.         Monografi: Mati vështrim etnomuzikor- gjurmime,

studime dhe vlerësime. Në vitin 2009

2.         Broshurë: 45 vjet Orkestrinë me instrumente tradi- cionalë. Në vitin 2013

3.         Festivali Foklorik Kombëtar- Gjiroastër 2009. Në vitin 2015

4.         Dukuri, Fenomene Kulturore, Profile Krijuese. Në vitin 2023.

 

Është Laureat i Festivaleve Folklorike

 

Mban Titujt:

 

•           “Qytetar Nderi” i Matit

•           “Mjeshtër i Madh”

•           “Ambasador i Paqes”

 

Jashtë kontekstit të librit – lidhja mbarëkombëtare e rrënjëve të autorit:

 

Autori është i biri i Isuf Rukës, që në vitet 1941-43 ka qarkulluar si usharak në viset shqiptare të Vilajetit të Shkupit. Dhuntitë e tij të interpretimit në kangën tradicionale dhe rreshtimi i tij në odat tuaja malësore me këngëtarë të shquar të Kosovës, ka ndikuar thellë në mësimin e historinë tonë kombëtare. Babai i tij mësohet të thoshte me krenari se, „historia e kombit tonë me ngjarjet më të mëdha dhe burrat më të shquar e kanë zanafillën dhe namin në Kosovë.“ Pra, ai ka qenë inspiruesi i parë dhe më i rëndësishëm i angazhimit ë të birit Esatit, si krijues kushtuar të mëdhenjve Isa Boletini, Bajram Curri, Ibrahim Rugova, Mark Krasniqi, heroit Sali Çekaj, etj gjithsej 12 krijime e interpretime si kantautor.

Esat Isuf Ruka ka kryer Shkollën e Mesme Pedagogjike të Elbasanit (ish Normalja e Elbasanit), ku shumë bij kosovarësh ishin studentë të atij institucioni Universitar për kohën, të cilët u bënë shkëndijat e çeljes së shkollave shqipe në këto anë.

Duhet theksuar se gjatë periudhës kur Esat Ruka drejtonte QKVF në ridimensionim të politikave kulturore të qeverisë Berisha, pjesa shqiptare e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut jo vetëm kanë qenë pjesë e tipologjive konkuruese në shumë qytete të Shqipërisë ku organizo- heshin Festivale, por e kanë paraqitur artin popullor, duke u bërë shembull për disiplinë e origjinalitet të këngës, valles, veshjeve tradicionale në zbatim të kritereve të dërguara nga institucioni organizator. Ai shprehet: „Pikërisht këto kanë qenë disa nga arsyet që unë i mendova si avantazhe meritore të ndjeshmërisë dhe personale dhe institucionale. Ju falenderoj për pritjen dhe mendimet tuaja, fjalët vlerësuese e inkurajuese që u thanë për mua dhe librin tim, të cilin tashmë e keni në dorë dhe në bibliotekat tuaja publike.“

 

17 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page