top of page

Fatmir Terziu: Enciklopedia „Shqiptarët në artin botëror“ ndër më të kërkuarat në British Library


Enciklopedia „Shqiptarët në artin botëror“ ndër më të kërkuarat në British Library

Prof. Dr. Fatmir Terziu

 

Në Bibliotekën Britanike (British Library), ose sikurse quhet edhe Biblioteka Kombëtare e Mbretërisë së Bashkuar, ku raftet mbajnë mbi 170 milionë artikuj, pra një koleksion i gjallë që bëhet më i madh çdo ditë, ndodhet dhe Enciklopedia „Shqiptarët në artin botëror“, enciklopedi e autorit të mirënjohur shqiptar, Prof. Dr. Ferid Hudhri (2012). Në Katalogun online të këtij institucioni, ku rrënjët e tij shtrihen në shekuj, dhe ku mblidhet gjithçka e botuar sot, që të shërbej për nesër dhe për dekada në të ardhmen, ku ka miliona klikime, kërkime për miliona libra, por edhe gazeta, harta, regjistrime zanore, patenta dhe pulla, rezulton se libri në fjalë i Hudhrit mbetet mjaft i kërkuar nga lexuesit. Përpara se Katalogu të sulmohej nga hakerat, rezultonte në disa mijëra klikime, dhe natyrshëm zyrtarët e këtij mjedisi mjaft të vizituar dhe me një emër të madh Global, e deklaronin këtë me një krenari të veçantë. Arsyet ende nuk dihen, por dihet se kjo Enciklopedi është e vetmja, e munguara ndër vite, dhe me një cilësi të madhe e të padiskutueshme të realizimit të saj.


Ky libër mjaft cilësor i autorit Hudhri, është i kërkuar dhe për shumë arsye të tjera, që vijnë nga vlerat, kërkimi adekuat dhe profesional, trajtimi i sqimtë e mirëfilli shkencor i të gjithë burimeve, gjithëpërfshirja, informacion i një modeli të paparë, materiali ilustrues burimor dhe trajtimi i detajuar e i planifikuar mirë në vetë strukturën e Enciklopedisë. Duke ditur se për shekuj me radhë, në kufijtë midis kohërave dhe orekseve kohore, territori i Shqipërisë ishte një lakmi e hershme e Perandorisë Romake, pastaj e Bizantit dhe forcave të tjera agresive dhe grabitëse, dhe në periudhën e hershme moderne pre e Perandorisë Osmane dhe më pas edhe nën Pushtimin italian, apriori ishte dhe fakti që mbeti nën mjaft ndikime. Këto ndikime të mbivendosura kanë rezultuar në varietete kulturore në të gjithë Shqipëinë, ku përveç lidhjes gjeografike është vetë një ndikim karakteristik për Ballkanin më të gjerë, madje edhe për Mesdheun. Ndikimi bizantin në Shqipëri ishte i thellë, kryesisht përmes tregtisë dhe ndikimeve romane, ashtu sikurse pasuan më pas ndikimet e kulturës dhe arkitekturës italiane.

Edhe pse me pak gjasa të mbaheshin në këmbë shumë nga këto arrritje dhe qasje me ndikime, kishat dhe manastiret e asaj periudhe i japin shumë vlerë dhe dimension. Shqipëria ka pesë monumente kulturore të regjistruara në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s: Butrintin, Qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës, Amfiteatrin e Durrësit, Varret Mbretërore të Selcës, si edhe Trashëgimia Natyrore dhe Kulturore e rajonit të Ohrit. Ka valle tradicionale popullore nën shoqërimin e tradicionales (Vallja e Tropojës) janë të regjistruara në Listat e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s. Ministria e Kulturës dhe Informacionit ka për detyrë të ruajë trashëgiminë kulturore të vendit dhe të mbikëqyrë zhvillimin e saj. Aktivitete të mëtejshme në mbështetje të zhvillimit të kulturës ndërmerren në nivel të qeverisjes vendore. Por kjo është në një plan të gjerë, në një plan që i përket ministrisë, ndërsa atë që ka bërë autori i Enciklopedisë natyrisht është një punë e munguar, një vlerë e madhe dhe një risi e ndjeshme edhe për të huajt, që kohët e fundit duket se kanë shtuar orekset për ta rizbuluar ndryshe.

Kësisoj në këtë pikë Enciklopedia „Shqiptarët në artin botëror“ ka rolin e saj të padiskutueshëm. Pse e themi këtë? Së pari nga vetë fakti që ajo është ndër më të kërkuarat dhe së dyti ngase ajo është e strukutruar dhe e paisur edhe me aparatin e duhur ndihmës, i nevojshëm ky për të lehtësuar konsultimin e shpejtë dhe efikas nga ana e lexuesit dhe studiuesve. Indeksi i jep asaj një kënd tjetër profesional dhe kështu ajo mbetet në kornizat më të larta akademike dhe kërkuese si vlerë. Vetë teksti i enciklopedisë është pajisur me indeksin e personave që paraqiten në veprat e artit, si edhe listën e veprave të artit, ku këtu mirëkuptohet se cili ka qenë „gjahu“ rreth të cilit të huajt e artit janë vërtitur e frymëzuar më shumë. Këtë e vërtetojnë qasjet me figurat historike. Figura të tilla si  Skënderbeu, Ali Pashë Tepelena, Mehmet Ali Pasha, Ahmet Zogu, Aleksandër Moisiu e deri tek ato bashkëkohore si Ismail Kadare dhe Nënë Tereza, natyrisht janë embrioni i këtij thelbi.

Prof. Dr. Ferid Hudhri nga eksperienca e tij e gjatë, nga koha metë cilën ai ka hulumtuar, e zbuluar, gjetur e përshtatur, një kohë gati katër dekadash në studim, kërkim dhe hulumtim shkencor, ka ditur të flasë me dy gjuhë të veçanta. Themi kështu se ka ditur ti afrojë shqiptarëve një realitet të akumuluar dhe të parë në një kënd ndryshe mes artit dhe në anën tjetër mjeshtërisht ka ngritur diskursin të informojë edhe për jetën dhe karrierën artistike të autorëve, duke theksuar interesimin dhe përkushtimin që ata kanë pasur ndaj botës shqiptare, fenomenve shqiptare, koloritit dhe kostumografisë, vyrtyteve dhe tipareve, natyrës së Shqipërisë, njeriut shqiptar, objekteve dhe kulturës materiale shqiptare. Për secilin prej piktorëve, apo skulptorëve autori ravijëzon edhe punimet me subjekt shqiptar që ai ka realizuar, historiku i krijimit dhe ekspozimit të tyre, lëvizjet nëpër ekspozita dhe koleksione të ndryshme dhe vendndodhja aktuale e tyre.

Enciklopedia “Shqiptarët në artin botëror”, kjo vepër monumentale e Ferid Hudhrit, nuk është thjesht një botim i Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, por një përkujdesje e gjatë dhe e gjallë shpirtrore, profesionale, akademike dhe art-përcjellëse që konkuron me vlerë, me cilësi, me art dhe me çdo gjë në përgjithësi, thuajse me të gjithë paraqitjet e këtij lloji në kohë të ndryshme. Në këtë pikë duke parë volumin e saj të madh, që natyrshëm është rreth pesëqind faqe, dhe duke ditur se enciklopeditë janë vepra referimi, ose përmbledhje që ofrojnë përmbledhje të njohurive, të përgjithshme, ose të veçanta, në një fushë, ose disiplinë të caktuar dhe për to angazhohen institucione të tëra, e themi padyshimin më të vogël, se kjo Enciklopedi është ajo që e bën Prof. Dr. Ferid Hudhrin një institucion më vete. Kjo e mjaft të tjera si kjo e bën këtë Enciklopedi mjaft të kërkueshme edhe në Bibliotekën Kombëtare të Britanisë së Madhe.

Faktet e tjera burojnë nga ajo që përfshihet në këtë vepër voluminoze, por dhe nga konteksti që dihet e përfshihet se trojet e banuara nga shqiptarët, ashtu si dhe fatet e kulturës shqiptare, ndonëse gjeografikisht i takonin Europës, u mbajtën për shumë kohë larg ndikimit iluminist, ngaqë për shkaqe që tashmë dihen, ndodheshin në skajin më të largët të Perandorisë Osmane e për rrjedhojë, u ndien gati të harruara. Ajo që vlen të citohet është se një ndikim pati Orientalizmi. Orientalizmi tregoi interes për skenat orientale në artet pamore të shekullit të 19-të. Fushata e Napoleonit në Egjipt, pushtimi i Algjerisë, si dhe librat e udhëtimeve dhe përshkrimet e tjera letrare, nxitën entuziazmin dhe imagjinatën e artistëve. Vendet islamike ishin bërë destinacioni i preferuar i udhëtimit për shumë artistë. Skenat e shesheve, pazareve, haremit dhe ngjarjeve të ndryshme folklorike hynë në pikturën evropiane. Orientalizmi rrallëherë kishte një karakter thjesht dokumentar dhe më shpesh përshkruante entuziazmin e evropianëve për bukurinë, gjallërinë dhe joshjen e botës së panjohur dhe ekzotike. Natyra e egër dhe zakonet e pazakonta, të kombinuara me ngjyrat dhe dritën e mrekullueshme, ishin bërë një frymëzim i madh për artistët evropianë. Një shembull mbetet vlera e pikturës historike të Leopold Müller-it, e njohur për motivet e saj orientale. Nuk ka dyshim se mësimet vendimtare të Millerit përcaktuan preferencën e mjaft subjekteve për pikturë, që vunë në dukje rritjen e interesit të Evropës për ngjarjet në Ballkan. Kështu krahas tij  që udhëtoi në Shqipëri, Mal të Zi, Dalmaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi duke mbledhur skica dhe studime të jetës së popujve ballkanikë, janë dhe të tjerët që mbajnë vendin e tyre në këtë Enciklopedi, që për fatin e mirë pamje të jetës së përditshme prej punës së tyre përjetësoheshin në tablo, statuja, monumente, si dhe në vepra të tjera arti. Gjithë kjo krijimtari e begatë, shtrirë në të gjitha gjinitë dhe zhanret e arteve pamore, përbën objektin e enciklopedisë së hartuar nga Ferid Hudhri.

Para disa vitesh, kur në Ambasadën e Shqipërisë në Londër ishte Kryediplomati shqiptar, që në vetvete kishte dhe një shije të lartë estetiko-kulturore, po aq dhe atdhetare-dashamirëse ndaj arti dhe letërsisë, publicisti dhe studiuesi i njohur Mal Berisha, Enciklopedia “Shqiptarët në artin botëror” së bashku me disa libra të tjerë të rëndësishëm u ekspozua në kënde të ndjeshme e të mirëndërtuara për vizitorët e huaj. Ndërsa kjo eciklopedi u pasqyrua krahas librave të Kadaresë, Elsies, e mjaft të tjerë natyrisht kishte dhe meritoren tjetër përkrah saj në gjuhën angleze me titullin “Albania in the World Art”, (Athinë, 1990), e cila ishte e plotësuar me 100 riprodhime të reja në pikturë, skulpturë dhe grafikë.


Të mos harrojmë edhe faktin tjetër se kjo enciklopedi kur iu dhurua nga ish-Zëvendëskryemintsri i Shqipërisë dhe Ministër i Arsimit, Kulturës dhe Shkencës, Prof. Dr. Myqerem Tafaj, ish-Ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, Arvizu, ajo nuk ishte thjesht një surprizë, por një vlerësim i madh, të cilin vetë Ambasadori Arvizu atëkohë e quajti vlerë mbi vlerat. Në atë kohë ishte dhe një shkëputje nga një shkrim i autorit Kastriot Marku që përblidhte si më poshtë: „Me rënien e regjimit komunist dhe hapjen e vendit, kishte mundësi shumë më të mëdha kërkimi, hulumtimi dhe studimi nëpër galeri, muze, biblioteka, arkiva dhe koleksione private të ndryshme në qendra kryesore të artit botëror në shumë vende të botës, si Paris, Romë, Londër, Athinë, Nju Jork dhe deri në Shën Petërburg (në British Museum, Victoria and Albert Museum, Wallace Collection në Londër, në Art Museum në Mançester, në Musé du Louvre e Muse d’Orsay në Paris, në Metropolitan Museum of Art në Nju Jork, Houghton Library në Harvard, Muzeun Ermitazh në Shën Petërburg e Galerinë Tretjakov në Moskë, në Muzeun Uffizi në Firence, në Galerinë e Arteve Moderne në Romë, Muzeun e Soloturnit në Zvicër, Benaki Museum në Athinë) etj., duke siguruar kështu të dhëna të mjaftueshme për enciklopedinë me temë shqiptare. Nga 118 autorë që kishte përfshirë në botimin e parë, tash në këtë botim enciklopedik, numri i tyre shkon në 1250 piktorë, skulptorë dhe grafistë, ndërkohë që numri i riprodhimeve është 1112 copë. Enciklopedia ka gjithsej 871 zëra/njësi enciklopedike të zgjedhura nga mijëra vepra arti nga një arkiv personal, që sikurse e përmend autori shkon në mbi 1400 dosje dhe 7000 njësi arkivore, çfarë dëshmon një punë të pallogaritshme hulumtuese kërkimore dhe sistemore, pas së cilës qëndrojnë 40 vite të tëra pune.“ (Marku, Gazeta „Shqip“ 2013)

Sikurse shkruhet, Enciklopedia përmban: „Studime mbi ndikimin e shqiptarëve në artin botëror, si artistë dhe si figura të paraqitura në art; Dokumente dhe materiale arkivore të rralla, duke përfshirë piktura, grafikë, dhe fotografi nga artistë të huaj dhe shqiptarë; Piktura e huaj me tematikë shqiptare, që përshkruajnë figura, peizazhe dhe skena nga kultura dhe historia shqiptare; Biografi dhe analiza të thelluara të artistëve shqiptarë, të cilët kanë kontribuar në skenën ndërkombëtare të artit.“ Jo më kot kjo Enciklopedi u bë fituese e Çmimit Special „KULT 2013“.

Duke parë punën e madhe të këtij autori ndër vite, shkrimet e tij të shumta, paraqitjet akademike e shkencore, duke parë këtë enciklopedi në këndin e saj meritor, mund të themi se “Shqiptarët në artin botëror” është një studim jo vetëm me karakter kombëtar por edhe ndërkombëtar të artit gjithëkohor që ka vendosur si kryefjalë Shqipërinë dhe shqiptarët, duke hedhur një vështrim kritik në punën e artistëve të njohur në këtë drejtim dhe duke eksploruar tendenca dhe lëvizje të gjera me vlera ndërlidhëse, ndërkombëtare. Libri merr si temë qendrore ndikimin e punëve në fatet e mohuara, që natyrisht me forcën që kanë artet pamore kanë synuar të bëjnë atë që mbetet e pavdekshme. Diskutohet dominimi i këtij arti që ka bërë shqiptarët të kenë dhe ata vendin kohor, në kohën kur ishin lënë të braktisur e në harresë të plotë. Përveç kësaj, enciklopedia ka veçori të ndjeshme e të thella disa dhe të panjohura më parë mbi artin që gjunjëzon me art kohërat dhe ngre lart vlerat e ekzistencës dhe vetë jetës si një dëshmi madhështore e përkushtimit të Prof. Dr. Ferid Hudhrit dhe një trashëgimi e vyer për brezat e ardhshëm.

6 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page