
ELBASANI NUK ËSHTË THJESHT PËR KORNIZË
Nga Fatmir Terziu
Ristelat, gozhdët, tutkalli, boja dhe xhami
cilido që ka hedhur djersë mbi këtë kornizë mbetet enigmë,
sikurse koha me diell, apo me shi kanë mbetur tek nami
jo tek emri, apo mbiemri që duhet të dimë...
… Kështu dhe me disa pamje në shesh të xhirimit,
misteri nuk bën lajm. Lajmin e tret një dashuri, një mall,
kushdo që e ka bërë këtë pamje e ka shtrydhur prej shpirtit,
aty ka natyrë, ka lum, ka ullinj, ka rrap, ka dhe njerëz të pafjalë,
e koha e lodhur në gozhdën me ndryshk,
ka lënë një kohë të ngrirë në përrallë
mbi sytë e tu të gjelbër myshk!
Dhe kjo ndodh sigurisht kur të shoh tek kjo kornizë që më mahnit…
më befason sa herë e shikoj nga larg,
jo aftësia e krijuesit, është më shumë një pëlqim,
të njohësh dritën që të çon fëmijërinë në prag,
nuk është varg ardhacak që përbën ndonjë krim,
vargu në fakt zgjodhi atë më elokuentin që të lag,
malli është gjithashtu një pemë verbale, një përqafim!
Me ngjyrat e tu verdhë - blu, jeshile, në këtë kornizë,
dukesh ndryshe nga brenda një mijë vite para ardhjes reale,
ndërsa përshtatesh mrekullisht edhe me vetminë,
ardhacakjet janë vetëm një anë e një përralle.
Ku të filloj? Ku të të prek Elbasani i artë në kornizë
a duhet të lavdëroj së pari bukurinë tënde,
apo të të largoj kur padashje të ndot ndonjë mizë,
apo t’ia filloj sërrish ndonjë kënge,
që të bën rrënjësisht të bëhesh një Myzyr?
A duhet të shpreh tharmin e magjishëm të një nëne
apo krijuesin e kornizës mjeshtrin anonim?
A duhet të mburrem për degët e një rrënje?
I gjithë kuptimi është në vështrimin tim.
Dukesh sikur je lodhur duke grisur kalendarët në atë kornizë
nuk është e qartë nëse shekujt të kanë bërë mirë,
ndërsa rri krenar mbi murin tek Guri i Qoshes së shtëpisë,
natyrisht kujton Gjyshin usta që të gdhendi në të gdhirë,
e duart e tij larguan llumin që të bënte pis,
aty ku ëndrrat, apo jeta ime kanë ngrirë,
në mjeshtrinë e atij Çekiçi që u tret për të të ngrit,
jo thjesht për në kornizë...
GJUHA E NËNËS
E kështu më ndodhi së pari me njëzetë e nëntë bashkëtingëllore,
më pëlqeu “mm”, në kuptimin që vetëm një foshnjë e di,
e të gjithë e kuptonin me kërshëri pa shtatë zanore,
Mama-në time fjalë për fjalë, si një poezi.
Bëlbëzim pas bëlbëzimi me të u rrita,
kështu që më pëlqeu përkëdhelja, dashuria, liria dhe frika...,
ditët e përkëdhelura prej duarve të ndritshme mbi një fëmijë,
ngritjet, rrëniet, ecjet dhe të gjithë lëvizjet e mia optimiste,
të gjitha, të gjitha në poezi.
Çfarëdo që kam humbur... kam gjetur tek tridhjetë e gjashtë shkronja
gjithçka që kam zemër, mendje e sy, me të gjitha në shpirt,
aty është edhe dashuria e pagjumtë kur kam pirë sisë në orët e vona,
e gjithë jeta që i paraprin rimës së shlirtë.
Ka edhe mërgim, ikje nga koha e pakoha
dhe plagë, dhe dhimbje, dhe mall, dhe lotë gjithashtu,
brenda gjuhës së nënës është e gjithë bota,
pa të s’do të isha pikërisht këtu.
Mbyllje qe te le pa fjale.
Lola Shehi
Skender Milaqi
Fantastike prof.Urime.
Arben Zogu
Shume bukur
Delo Isufi
Një vargëzim i mrekullueshëm, një gjetje e veçantë, urimet e mia të përzemërta.
Sokrat Hodo
Më pëlqeu shumë. Kur shkruan një poezi nën muzën e frymëzimit më duket se njeriu i harron emrin e vet, kollaren, titujt dhe kujton kush është në të vërtetë. Urimet e mia. Sinqerisht!