top of page

Fatmir Terziu: E lodhim, e ngarkojmë, e trazojmë dhe mëkatojmë


Jemi udhëve të botës. Jemi me mantelin e puthjeve foshnjore dhe përkëdhelave të ninullave të nënave, jemi me plotë vegime, jemi me Gjuhën Shqipe… E lodhim, e ngarkojmë, e trazojmë dhe mëkatojmë: Lexojmë Ambasadorin që na përfaqëson diplomatikisht, që të plagos Gjuhën e bukur shqipe duke shkruar „A po fitojna?“ në vend të bukurisë së saj të drejtshkruar, e dashuritë ikin larg e më larg në gjuhë të tjera, duke u përhumbur në çdo fjalë, nga dhjetra të tjerë gjuhëvrasës zyrtarë. Për të tjerat me pak varg…

 

TEK BERBERANA E LONDRËS

Nga Fatmir Terziu

 

Në Londër në berberanën „Mbreti“

një ditë në javë punon një berbere shqiptare,

një vajzë si një pikë argjendi.

 

Duart e saj lodhen dyfish të shtunës

lëvizin gërshërët, krehërin, makinën me korent,

por nuk e di nëse i bën hile punës,

gjithnjë të hedh një buqëqeshje e s'të flet,

ndonjëherë i merret fryma prej turmës.

 

Nuk kam pasur mundësi kurë të ulem në karrigen e saj

të shtunave ka shumë djem të rrinj, të llakuar,

ata mbushin papushim berberanën skaj më skaj,

e ajo e lodhur ndoshta pëshpërit duke mallkuar,

pse u bë berbere duke qenë vajzë?!

 

Një ditë nguli këmbë të qethej prej duarve të saj,

një djalosh me një fytyrë disi të vrarë,

lëvizte buzët, por s'nxirrte asnjë fjalë,

qëndronte i heshtur dhe priste në radhë,

me të ishte një plak,

të dy mendoj kishin të njëjtin hall,

kishin në xhaketa një flamur të veçantë

por ajo e shtunë i lodhi të dy mjaft.

 

Djaloshi i hidhte vajzës shikime të lodhura me bisht,

ajo vazhdonte të qethte papushim djemtë,

kur i erdhi radha ai nuk s'fliste dot veçse me gisht,

u zemërua që s'u kuptuan dhe iku pa e kuptuar as vetë,

duke bërë me shenja se do të kthehej një ditë.

 

Tre të shtuna të tjera, tre herë, ai erdhi në berberanë,

pluskonte lotë pakuptimshëm si ndonjë fëmijë,

vajza e pyeti, pse ai plaku nuk ishte me të pranë,

bëri me shenjë se është kthyer në vendin e tij,

ku e kishte lënë dashurinë e tij mënjanë.

 

E djaloshi më në fund u ul në karrigen e berberes vajzë

loti i zbriti poshtë si një diamant,

në pasqyrë teksa shihte atë fytyrë engjëllore të bardhë,

i erdhi goja dhe i foli vajzës berbere ngadalë:

                 ti më ngjan si e fejuara ime që m'u vra atje larg.

 

POEZI VETËM 5 MINUTA

 

Në të zbardhur vetëm 5 minuta kisha

për ta zgjuar me këtë poezi sikur isha

dashurinë time ku u ngjiz lutja

me këngën që këndon Agron Berisha:

5.

Nuk dua të më shohin të përfjetë

tha vargu pesëminutësh i hutuar

kështu që tha, mos më lini të qetë

sepse dua të jem i dashuruar.

4.

Sepse mbeta duke u lutur vetëm 5 minuta

kjo është ajo që e them moti me takt

dhe i kam zili të gjithë ndaj s'u nguta

të them se nuk janë në të njëjtin fat.

3.

Çfarë duhet bërë për 5 minuta?

Deri ku do të shkojmë me këto lutje?

Pyetjet mbeten me përgjigje të prushta:

A jemi ende duke u lutur këndej e tutje?

2.

Për të qenë edhe një herë të fortë

me lutjen 5 minutëshe plot mendime

nuk duhet të humbasim nëpër botë

në konkurrencën e dashurive sublime.

1.

Do të doja të kishe më shumë kohë

ashtu si më parë në atë këngë me lutje

kam vetëm 5 minuta e më mjaftojnë edhe sot

të të kisha më shumë se një puthje.

 

GJUHA SHQIPE

 

Zgjohem me fjalët e tua

ëndrrat mendojnë se jam në gjumë,

shpërngulen me mijëra vite rishtas

si një Perëndi që shfaqet më shumë

nga një mit i përcjellur enkas.

 

Por nuk jam në betejën e syve të lodhur,

me tavanin që shkruan bejtet e hijeve të klonuara,

gjuhërat si sallata e mbetur në tryezën e ngrënies,

është ende në pjatat e emaluara,

për të mos lodhur mendjen e huaj.

 

Edhe unë nuhas thartinën,

nuk lexoj më menu në një qiell të pastër,

e gjithë kjo është një lodhje për shijet,

edhe në librin e gatimit,

ku trazohen mes tyre të trishtuar yjet.

 

Thjesht po shijoj fjalët

si kënaqet shpirti me këtë libër

të shkruar nga dora e shqisave

të mbingarkuar nga pesha dhe vitet

në rrudhat e strukura mes plisave

me erën e petave që shkruan mitet

me duart e nënave.

 

Dhe ky mit mbetet një libër i hapur

në hapësirën ku ndjehem si pupël

e goja hapet pa fre

me gjuhën e bukur shqipe

duke kënduar për disa Atdhé ...

 

Dhe mendja e dëgjon dhe e di

se kjo nuk është thjesht si një magji

nga shekujt po rizgjohet një e vërtetë

kur gjuhët u ushqyen në Iliri.

 

Në këtë orë vetëm ti e dashur,

betohesh në ëndrrën tonë të përbashkët,

dhe gjuha është një zgjim në muzg

ku njeriu i shtrin krenarisht krahët.

 

Në anën tjetër të gjërave

ti shuan kuptimin me pëshpëritje:

- Dëshiron zgjim tjetër zemra ime?

Asgjë tjetër ...nuk e them me habi,

Faleminderit! - në gjuhën e bukur shqipe

ndryshe çfarë është një gjuhë pa dashuri?

 

Zgjohem me fjalët e tua

ëndrrat mendojnë se jam në gjumë,

asgjë tashmë s'është e huaj

dua të të shqiptoj deri në fund.

 

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page