BALTOSJA
Nga Fatmir Terziu
Endjeshterp një i palodhur. Nashtishëm
mes baltës në një pellg i alivanosur
shkul e mbjell yje
imagjinarë
si një meteor i ardhur nga shekujt
qëkur ardhja mbeti një fjalë
në fjalorët e gjethtë, të zverdhur.
Udhëton ndjesitë tona,
duke i transportuar vërdallë
mite të tjera lindin
bëhen (i)realë
buzët i bindin
duke u treguar një përrallë
në kasollen e largët afër vatrës
zjarri bubulak ngroh qoshin e pafjalë
që heshtazi spërkat me aromë skeleti
gjendjen që shkon përtej aradhës
brenda një rrënje
dhe një lastari
ardh-ikja briskgjerb në kokë e në sy
a është guri
më i rëndë se kurrë
në baltosjen e tij.
DOLLIBOSH
Nga Fatmir Terziu
Me qelq, me gdhënkë, pas meje
para meje
e kam gjithnjë një risi
mat hijen me hijen që sheh
dhe unë e pyes: Aje o njeri, Njeri?
Ai hesht.
Ngre me duart e tij të lidhura dolli,
bërtet për rrënien e hijes së Tjetrit
e më pëshpërit
mos i trego asnjerit,
të gjithë janë ziliqarë,
janë si maja e perit
e bërë majë,
majë e hollë nga pështyma e tharë
që qep arnat e mbetura në poturet e pleqve
e në taftanë e bardhë
nuse muzgu
që sillet si një mjegull vërdallë
të mbuloj farën që e zhduku
besimin me një fjalë.
Dhe pas kësaj
Mendon se del më i fortë
ka një zverdhje të paparë.
Komentar