
Dy fjalë të vonuara si një grusht Dhé Lamtumire për Ramazan Seferin
Prof Dr Fatmir Terziu
Janari i këtij viti, i vitit 2025, dhe pikërisht dita e njëzetë e dytë, shënoi një ditë në një vit më pak në urtinë që shpërndante goja dhe mendja e një Njeriu fisnik, në Trebisht. Në këtë ditë të janarit të bardhë mbi Raduç e Stugarë ikja në duart e Zotit të Laureatit të Çmimit të Republikës dhe Hero i Punës Socialiste, Ramazan Seferi, ishte jo vetëm një dhimbje për familjarët e tij, njerëzit e tij të zemrës e shpirtit, por dhe një dhimbje që kaloi kufijtë. Kështu me qindra ngushëllime pasuan online, me qindra e qindra të tjerë dërguan atë që ndjenin tek të afërmit, e të tjerë vërshuan me të pathënën për këtë Njeri të urtë e punëmadh të një zone të tërë, të një vendi që e deshi dhe e mbrojti me përkushtim e sakrifica.

Kur emri i tij hyri në mesin e nëntë të tjerëve, pra emrave të respektuar të Punës si Trajçe Mazniku, Millan Bogdani, Ahmet Xhelo, Kamber Shevroja, Mehmet e Hasan Bekteshi, Jonuz Muça, Sabri Caka etj., Ai vetëm buzëqeshte dhe vlerat e përkushtimin ia dedikonte Atdheut. Ai e dinte se kohërat bëjnë të tyren dhe kohërave i jepte vetëm forcën dhe angazhimin pafund. Pra kohërat kanë punën e tyre, dhe atë që lënë kohërat e marrin nga vetë jeta e përkushtimi i njerëzve në kohëra. Ai merrte titullin më të lartë të asaj kohe, por jo „mendjemadhësinë“ pas saj. Ai mbeti i thjeshtë si gjithnjë. Hero i Punës Socialiste ishte titulli më i lartë në fushën e ndërtimit të socializmit në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe u jepej shtetasve, rretheve, qyteteve, fshatrave, organizatave shoqërore, institucioneve, ndërmarrjeve, kooperativave bujqësore, fabrikave, sektorëve, brigadave, njësive, reparteve e nënreparteve ushtarake dhe grupeve të punonjësve për përfundime të jashtëzakonshme dhe të qëndrueshme me rëndësi të madhe për të gjithë vendin, të arritura në sektorin e ekonomisë, të shkencës, kulturës, artit, të revolucionit tekniko-shkencor dhe për veprimtari e merita shumë të shquara në shërbim të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Dhe Ramazan Seferi ishte njëri prej kësaj sfide.
Sida i shkonte punës. Sfida vinte nga sfidat. Sfida si ajo që njihet botërisht nga similariteti dhe ngjashmëri të tilla, si burri i urtë e i mençur, arkitekti i të gjithë veprave ujitëse në Dibër e Mat, madje dhe Librazhd e Kukës, njeriu i shekullit, Heroi i Punës Socialiste Gani Tuçepi, apoTrajçe Mazniku me brigadën e tij ndërtoi Pallatin e Kulturës në Tiranë, Millan Bogdani nga Vërnica që realizoi me mjeshtri të rrallë përmendoren e Luftëtarëve të Lirisë në Mat’hauzen të Austrisë në vitin 1966, Boris Ilo Koja që ka drejtuar punimet e ndërtimit të godinës së ish Komitetit Qendror dhe të Monumentit të Skënderbeut në qendër të Tiranës, e Ramazan Seferi që me punën e tij në shumë vepra arriti të bëhej edhe laureat i Çmimit të Republikës, një të tillë më parë e kishte marë bashkëpatrioti i tij, i madhi, Nexhmedin Zajmi.
Kështu janari i bardhë i këtij viti e mori këtë Njeri të pavdekshëm, por ai la pas urtësinë, mençurinë, njërëzillëkun, burrërinë, veprat anembanë Atdheut, e familjen e shëndoshë, dy djemtë, Njaziun që dha modelin e tij në Drejtësi dhe Ardianin në arsimin e edukimin e brezave me gjuhën shqipe. Prandaj ndjej krenari dhe dhimbje si detyrim në këtë shkrim me këto dy fjalë të vonuara si një grusht Dhé Lamtumire për Ramazan Seferin!
תגובות