top of page

Fatmir Terziu: Duhet menduar thellë, marsianët nuk mund të hyjnë në fletëvotim



 

Koha e partive me një masë anëtarësh ka kaluar dhe me siguri „Rilindja“ e ristrukturuar nga Edi Rama do të jetë partia e fundit „e madhe“ klasike. Moda është për partitë “elektorale”, d.m.th. ato që mobilizojnë mbështetjen gjatë zgjedhjeve pa pasur struktura në mes.

Megjithatë, majat e përjetuara nga rezultatet e meparshme elektorale tashmë, tregojnë se në fakt bëhet fjalë për bërthama të vogla politike rreth një lideri të caktuar, të cilët arrijnë të tërheqin vëmendjen për një kohë të shkurtër, e cila zhduket shpejt pas zgjedhjeve. Domethënë, kur flasim për parti elektorale, në fakt po flasim për parti të vogla nën një paketë të madhe shprese elektorale. Kjo është një nga arsyet pse ia vlen t'i kushtohet vëmendje partive të vogla. Tjetra është aktuale, prezantimi i disa prej atyre ekzistueseve në zgjedhjet e fundit. Por sidoqoftë, këto zgjedhje të pritshme, pra zgjedhjet e majit 2025 janë të çuditshme. Një lloj fushate zgjedhore pa shkëlqim. E tillë duket edhe në mesin e emigrantëve, edhe pse shumica thonë se Diaspora do të jetë përcaktuese. Si? Qysh? Kush? Të paktën në Britani të Madhe me qindra dilema. Më e madhja është se një masë e konsiderueshme kanë probleme me paraqitjen e shtetësisë në kohën e azilit, e mjaft të tjera. Me këtë disa interpretojnë se fitorja u takon atyre që i kontrollojnë dhe disa madje shkojnë më tej se pushteti është negociuar edhe para zgjedhjeve. Shumë në mënyrë demonstrative thonë se nuk do të votojnë se nuk ka kush të votojë, sepse asgjë nuk do të ndryshojë. E gabuar. Ka kuptim?!

Shumica e njerëzve janë të demotivuar për të votuar për partitë që kanë pak shanse për të hyrë në parlament. Sociologë dhe analistët e dobishëm i frustojnë ata më tej. Atyre u thuhet se vota e tyre mund të humbet duke shkuar në një parti që nuk ka asnjë shans. Pra, ose refuzojnë të votojnë fare, ose votojnë për një nga më të mëdhenjtë, mbi parimin e të cilit është e keqja më e vogël. Për disa është PS, për të tjerë është PD.

Partia e Ramës, edhe pse duket se ka më së shumti mbështetës sipas parashikimeve sociologjike, por sa vende do të ketë në parlamentin e ardhshëm varet nga pjesëmarrja e votuesve, varet nga arsyet dhe problematikat e krijuar në këtë jetëgjatësi pushteti dhe nga zënkat brenda vetes.

Këtu, për shembull, PD – sa më shumë të rezistoj, aq më shumë deputetë do të kenë, edhe pse ka shumë kriza dhe shumë sulme drejt Liderit të PD-së Prof Dr Sali Berisha. Votuesit e PD-së janë një numër relativisht më i madh në Diasporë, sidomos me largimet dhe ikjet e viteve të fundit të qeverisjes së Kryeministrit Rama.

Me një pjesëmarrje më të lartë të votuesve, partitë e vogla kanë një shans më të mirë. Më shumë prej tyre do të kalojnë barrierën dhe partitë e mëdha nuk do të marrin aq deputetë. Kështu, për shembull, edhe sikur të fitoj PS ka më pak shanse të qeverisë në mënyrë të pavarur, Edi Rama ka më pak shanse të bëhet sërish kryeministër.

Ka disa parti të tjera, të cilat nuk kanë shanse fare. E ata dihen. Çfarë kuptimi ka atëherë të votosh për ta? Ka kuptim, mbështetësit e tyre të paktën do të votojnë me ndërgjegje të pastër se votuan për kë të duan, dhe jo me parimin e „të keqes më të vogël“, me një kompromis. Dhe ata kanë rritur pjesëmarrjen në votime. Dhe kështu u kanë dhënë një shans këtyre partive që të arrijnë një rezultat me të cilin do të marrin një subvencion dhe do të zhvillohen në të ardhmen. Dhe një gjë më e rëndësishme, kur arrihet një rezultat 1-2%, një parti e tillë paraqet kërkesë për koalicion të ardhshëm, ka simpatizues të fortë, bëhet faktor në politikë. Si për shembull partia e ish-Presidentit Ilir Meta, në kohën kur ishte krejt e re, por që mori një përqindje të konsiderueshme dhe u bë baza e formimit të disa koalicioneve qeverisëse. Ngjashëm është edhe me partitë e tjera të vogla që synojnë të kenë një shans të tillë, për arsye që tashmë dihen, pasi Presidenti i Partisë së Lirisë ndodhet në burg dhe natyrisht të voglit shpresojnë. Nuk bëhet fjalë se cila nga këto parti është më e denjë apo më “korrekte”, por për mekanizmat politikë të kohës.

Por z. Rama dëshiron të jetë sërish kryeministër, të komandojë i vetëm çdo gjë, që nga ndërtimi i rrugëve dhe pastrimi i borës, deri te xhirro d'Italia, arrestimet e opozitarëve, kontrollet doganore etj. Ndoshta kur ishte gazetar, apo më pas publicist, e më tej emigrant, Edi Rama,  nuk kishte një mentalitet të tillë, ai shpërndau përgjegjësi në një shtet totalitar të ndërtuar nga piramida dhe më pas hyri vetë me dashje e pa dashje në këtë piramidë, duke e sfumuar më keq atë. Duket tashmë se dhe truproja e tij dëshiron të komandojë në një shtet demokratik.

Kjo është arsyeja pse votimi është i rëndësishëm.

Në fletëvotim do të ketë disa parti të krahut të djathtë, të majtë dhe të qendrës. Do të ketë edhe atdhetarë, nacionalistë e më tej. Në përgjithësi, do të duhet të konsiderohet një zgjedhje e plotë. Kushdo që thotë se nuk ka kë të votojë, padyshim që pret që marsianët të hyjnë në fletëvotim. Shqipëria dhe shqiptarët mund ta nxjerrin veten nga një kolaps që do të thellohet më shumë nëse nuk kuptohet votimi dhe pjesëmarrja në këto zgjedhje. Nuk ka të tjerë. Dhe ka kuptim të votoni për parti të vogla. Ata kanë një shans. Edhe për ata që janë shumë nën barrierën, ka kuptim. Është e rëndësishme që më shumë njerëz të votojnë

22 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page