top of page

Fatmir Terziu: Duartrokitjet


Duartrokitjet

Nga Fatmir Terziu

 

 

Retë u mblodhën grusht. U zbardhën. U nxinë. U lëshuan. U bënë litarë. Pastaj u bënë njësh dhe u ngjeshën në flokët e gruas me fund të shkurtër. E gjitha shikohej me sy. Sytë ishin vëzhguesit më të pakomandueshëm. Shqisat e tjera ishin arratisur nga trupi. Kështu gruaja u me fundin e shkurtër u kthye nga dritarja dhe shikoi ndoshta atë që shikonin sytë e mi. Era bënte detyrën e saj në këtë rast. Hynte në mes të kësaj panorame me një muzikë të veçantë. Më tej lumi që kapërcente shtratin e tij me shkumë të bardhë merrte një racion nga ai i syve. Në majë, atje ku qëndronin dy kapuçë të bardhë, syri nuk mund të shkonte në detaje. E gjithë kjo përhumbje disa minutëshe nuk solli asgjë të re.

Gruaja me fund të shkurtër kishte ngecur mbi shikimet e njerëzve kureshtarë me sy të pangopur. Nuk i kishte bërë kurrë një kurreshtje të tillë prania e njerëzve. Tashmë, sidoqoftë, gruaja, sytë e shpërqëndruar dhe dhimbja ime jetonin në një fjetore të përbashkët. Për të tjerat përkujdesej dritarja. Dritarja vetë ishte në katin e tretë të asaj ndërtese. I dëgjonte zhurmat. I pikturonte retë, pamjet e lëkundjet e pemëve. Hera-herës ua bënte një kopje edhe lazdrimeve të zogjve. Ata ishin kalimtarë. Më shumë i fiksonte kofshët e bardha e të drejta të gruas me fund të shkurtër, që përkulej sa herë që lëshoja ndonjë thërrime në dysheme. Dhe unë depërtoja mbi qelq. Të dy të qelqtat e mia nguleshin aty në qelq të dritares sikur të ishin mes atyre kofshëve të drejta e të fryra për herë të parë. Vetëm zhurmërat ishin ikje të ngathta, pa fiksime të qarta. Zhurmërat ishin duartrokitje. Duartrokitje … Duartrokitje… Duartrokitje… Asgjë tjetër. Asgjë Askush nuk dëgjonte përtej duartrokitjeve. Po inaugurohej spitali i ri i të çmendurve. Dhe vetë shiritin e priste i pari i vendit. Gruaja me fund të shkurtër shtangu. Në dritare pa të kërcehej një valle. Pastaj fshiu sytë dhe i pa njerëzit të rrethuar nga disa zjarre. Sakaq qe e para që ndaloi duartrokitjen. Vuri duart në kokë dhe u turr nga turma që duartrokiste. U thirri me sa fuqi që kishte. U tha se ishin rrethuar nga zjarre. Ata drejtuan sytë nga ajo, por askush nuk e dëgjoi. Vazhduan të duartrokisnin akoma me më të madhe…, dhe e ndalën vallen vetëm kur zjarri pushtoi trupat e tyre…

Ky ishte skenari që kisha lexuar netë të tëra, pasi e diela do të na gjente në skenën e Teatrit më të Madh të Metropolit. Ne ishim në vitin e fundit dhe Ata kishin vendosur që një pjesë të Diplomës ta meritonim nga duartokitjet. Skenari im kishte emocione. Ishte plotë dhimbje. Ishte për një humbje jete. Gjithë natën kisha lexuar. E në mëngjes i dhashë vetëm një përsëritje sipas rregullave teorike që na kishin diktuar thuajse tre vjet me radhë, dhe u mjaftova të ndihem i fortë, i sigurtë dhe shumë i vendosur për një rezultat të merituar. E ky rezultat do të vinte nga një duartrokitje e madhe. Këtë të fundit e kisha strukur me heshtje.

Heshtja që më rrethonte ishte e rënduar nga pritjet. Tingujt e vetëm ishin të miat. Dëgjova gjakun tim duke pompuar, fryma më dilte nga mushkëritë. Këmbët e mia vazhduan të më mbanin me vete. Nuk duhej të më pengonte, pavarësisht se sa më rrihte zemra.

Papritur isha atje. Duke qëndruar në perimetër, duke parë skajin e mprehtë të dritës. Edhe një hap dhe do të ekspozohesha. Edhe një hap dhe do të hyja në një botë tjetër. Duke mos ditur se çfarë të prisja, u detyrova të shkelja qetësinë e përsosur. Unë e hodha atë hap.

Pasi u përfshi nga intensiteti i shkëlqimit, lashë botën që kisha njohur pas. Me guxim tani, hyra në territorin e publikut. Atje ishte edhe një prezencë tjetër, pjesërisht e fshehur në hije. Skena ishte vetëm dy hapa mbi pjesën tjetër të dyshemesë, por mund të ketë qenë edhe perceptimet e mia të brendshme që më shfaqeshin nga emocionet. Në mënyrë të pamohueshme, po më bënte ajo hije e padukshme në atë errësirë po më vënte sinjal me fener, duke më ftuar me magjinë e tij.

Mbajta frymën ndërsa ngjita shpejt shkallët dhe u zhvendosa në qendër. Gjurmët e mia jehonin në dyshemenë e zbrazët prej druri. Sikur të kisha gjetur shenjën time, ndalova dhe u ktheva përballë publikut. U përkula poshtë, krahu im valëzoi dhe u shtri drejt fansave të mi të adhuruar ndërsa qëndroja ngadalë.

Vlerësimi im për përkushtimin e tyre të qartë ndaj meje ishte i dukshëm në fytyrën time ndërsa buzëqeshja me to. Në mendjen time ishte ngulitur një shfaqje e tillë dhe zëri që më vinte në vesh nga regjisori më dukej i tepërt. Me hijeshi lëviza nëpër skenë dhe po dehesha nga duartrokitjet. Në elementin tim tani. Unë isha një aktor dhe zëri që më kishte folur gjithë ato vite, këshillat, sugjerimet, tashmë ishte i kotë në veshët dhe mendjen time. Dhe aktori meriton duartrokitje. Duartrokitje. Duartrokitje. Duartrokitje. Kjo ishte thirrja ime dhe e dija në çdo fije të qenies sime. Por zëri në aparatin e fiksuar në veshin tim vazhdonte të më urdhëronte të lija sa më shpejt skenën… Zjarri kishte ardhur dy metra afër meje. Fshiva sytë dhe ende po mendoja: kujt ti besoja?! Skriptit që më kishte lodhur e stërlodhur duke e lexuar apo zjarrit që po afrohej duke më përvëluar… Veshët tashmë e kishin më në fund radhën, kur Duartrokitjet vazhdonin të shkulnin sallën. Eh, thashë me vete, desh më morrën në qafë duartrokitjet…

14 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page