Kufi kuptimit të plotë, pos shfaqjes së të mundshmit kuptim
Nga Fatmir Terziu
Në vend të hyrjes
Psikikja[1] poetike e autores nga Vitija e Prishtinës, Edona Haliti, është një kontekst më vete në poezinë e saj. Si e tillë ruan atë pak gjë nga miti i përditësisë, aq sa mjafton të tregoj shembullin adekuat. Ndërkaq në disa konture, është aq larg nga imitimi, sa nuk përputhet me stigmën e ndjesisë së kësaj përditësie. Vitija është gjithashtu një reminishencë e fëmijërisë, jetës dhe rritjes së saj, ‘zonjë’e bukur me tiparet e një dashurie tejet njerëzore, sepse e rriti dhe e gatoi me formën më estetike të ndjesisë njerëzore, poetike. Vitija është rrënjësisht e perceptuar, e ndryshuar në vargun e Halitit. Është ashtu siç edhe ajo parathotë në librin e saj se “Më duket se ju kam sjellë mes shkronjave të tij lule Vitije, Prishtine”. Dhe kështu vetëkuptohet se nëse burimi i këtyre vargjeve doli nga zemra e Edona Halitit, ushqimi u bë nga natyra e bukur e zonës, ku ajo ‘shkuli këto lule’ për t’ja dhënë lexuesit. Pikërisht nën siglën e saj, në librin e saj të parë “Buzëqeshi jetës”: “Po, e vërtetë është. Ky libër që po ju vjen në dorë o miqtë e mi, ka emrin tim në ballinë, foton time. Botën time, dhimbjet, trishtimet, lumturinë dhe gëzimet e mia.“ Nën këtë preambulë nënkuptojmë tërë atë diskurs që bashkon punën psikike-poetike. Është e lehtë të lexosh poezi që të ndezin në mënyrë intuitive. Leximi i poezive të tilla çon shumicën e njerëzve në një ‘vend më të lartë’. Ka qenë më shumë sfidë të kuptoj e mirëkuptoj poezinë e Edonës nga Syri im i Tretë. Pas shumë eksperimentesh kam identifikuar 6 mënyra që e frymëzojnë të shkruaj atë që unë e quaj Poezia Psikike. Mendoj se mund të kuptohet edhe nga vetë ajo që thotë poetja, „Atë që kam patur më të bukur brenda vetes dhe që sot po ua tregoj dhe juve duke ndarë emocionet më të rëndësishme sërish me ju. Po, libri nuk është më ëndrra ime që flinte brenda vetes dhe sot është e realizuar. Si një zjarr që kishte pak hi. Është zjarri që preket nga të gjithë. Unë, Poete???!!!!!! Pak e vështirë që ta pranoj nga lumturia që kam, po edhe shumë poetë në botë kanë hyrë në histori vetëm me një të tillë.”
Ndërsa ndalem tek disa nga elementët që e dallojnë këtë poezi, të cilat janë: Puna e ëndrrave, Kujtesa, Lidhja e shpirtit, Vetëdija e thellë, Simbolet dhe Ngjarjet Psikike, theksoj se diskursi poetik i një poezie të tillë është një midisës midis metaforës dhe krahasimit.
Midis metaforës dhe krahasimit
Diskursi mbetet arsyeja. Ndërsa vetë Metafora mbetet një midisëse mes saj dhe krahasimit tek vargu i Edona Halitit. Kështu në mendjen e lexuesit, ajo nuk shprehet në formën e plotë të krahasimit, veç disa rasteve si përdorime të tilla ku autorja shkruan “si Zeus më godite”, “si luftë e ashpër Troje”; “si një ylber që bashkon një ditë lumin, malin dhe fushën”; “Si fasho e blertë ca mure u ngritën të larta te shpirti”; “si rrugë pa semafor” etj. Mes këtyre metaforave edhe ana krahasuese është një forcë e ndjeshme që na shtyn të lexojmë dhe të formojmë bindjen se poetja e re është në rrugë të mbarë. Një rrugë e mbarë që vjen si një projekt i ndërmjetësuar nga figuracioni dhe dashuria e autores për gjthnajën, ku spikat dhe e forcon lidhjen dashuria hyjnore. Dashuria hyjnore është zgjerimi i ndërgjegjes së autores. Vetë natyra e dashurisë hyjnore është për të zgjeruar, zgjeruar katërcipërisht përmasën ndjesore dhe poetike, pikërisht aty ku zgjerohet dhe bëhet një me të gjitha, me të gjitha që ajo prek mes siglës poetike dhe figuracionit të përzgjedhur. Sa më shumë që ndjejmë të zgjeruar këtë lidhje poetike, aq më shpejt ne ndjehemi të lehtë në vetëdijen universale, atë universalitet ku dëgjohet poetikja, metafora, dhe tërë figuracioni.
Figuracioni i Edonës pason natyrshëm atë që lind dhe zhvillohet mes mesazhit dhe vargut nga subjektivizmi që tendoser metrikisht tek çdo gjë. Kjo organizohet edhe nga forma dhe formëzimi që merr vetëdija. Nëse çdo vetëdije është një sferë e errët, atëherë vetë vargu i Halitit nuk ka shpresë për të qenë i mirëkuptuar nga të tjerët. Nuk ka përvojë, thotë Bradley në një frazë që Eliot citon kohë më parë, ‘të mund të qëndrojë e hapur për inspektim nga jashtë’. Kjo nënkupton se çfarë është gatuar brenda vargut, është një normë, një shije, një estetikë, një vizion më vete. Ja përshëmbull si vepron poetja tek poezia “Pas largimit tënd”:
“Në vranësirat e shpirtit qelqor si Zeus më godite, /Zbarkoj dashuria magjike që në sfidën e parë/Në lotët kuturu të kujtimeve që iknin në vite /Një minutë heshtje mbaj për ndjenjën kristal!/Si fasho e blertë ca mure u ngritën të larta te shpirti/gjeta veten të humbur pas dritares së qelqtë/E më mjegullohej si në një livadh bleror Vitije shikimi!/E gjumin e vrava si të ish natë e ndritur nga rrufetë/E mbollëm blirin e pranverës që u vyshk gjeth më gjeth /Ti u largove mes hapash pa hapa që sillte vetmia/Unë e ujita me qëndresën e fjalës që sillte pranverë/Rrofsh, rrofsh, do të të kujtojnë në vite vargjet e mia!”. Në këtë rast vizioni midisës luan po atë rol edhe midis metaforës dhe krahasimit. Ai nuk mbetet i pakomunkueshëm. Është gati diktant dhe përgjegjës deri në asryetimin më të detajuar. Secili është i tejpërshkueshëm tek tjetri.
Ndërgjegjësimi poetik
Nëse ndërgjegjësimi mes poetikës dhe mesazhit poetik, midis anëve të tjera ndërlidhëse dhe funksionale organizohet, themi se në vargun poetik të Edonës, ekzistojnë materie dhe objekte të lëvizëshme, transparaente dhe jo vetëm si një funksion i errët për mesazhin, por faktual, praktik dhe diskursiv. ndërgjegjësimi ka një lidhje po aq të kënaqur në kohë dhe hapësirë si një kusht vegjetues filozofik. Kjo është një enigmë dhe një veçori e poetes së re, me të cilën natyrisht kapërcehet edhe dilema e një rrugë të sapoçelur për më tej. Edona Haliti ka zgjidhur një puzël poetike, por ka një mori puzlash në rrugëtimin e saj. Koha zhduket në të njëjtën mënyrë siç zhduket dhe çdo puzël në misionin poetik. Hapësira duhet të jetë vetë aprioriteti i lëvizjes, ku forca e jashtme e bën të mos ngurtësohet. Shembull mund të merret poezia “Mos eja!”, por jo vetëm ajo: “Mos eja,/të bësh zhurmë për të zgjuar ëndërra,/Në mendimet vend nuk të bëj për t’u qetësuar/Të lutem mos eja!/Mos eja të lutem,/Stina ime nuk të pranon lulen për ta këputur/Mbi papirus ka rënë kaq shumë pluhur/Qetësia ime në vesh më pëshpërit /Ca fjalë të lehta si flladi si reja /Mos eja! Mos ejaaaaa!/Oh, mos ma ngrys kaltërsinë e qiellit/Tokën se njomë mos ia lësho shiun pas diellit/Mos ma merr ujin e pusit e të thash magjet/Mos i shito livadhet ku çelin manushaqet!/Të lutem, mos eja!”
Siç shihet si çdo organizim gjuhësor edhe ndërgjegjësimi poetik ka një tematikë, rreth së cilës shtjellohet vetë materiali semantik. Në thelb, tematika i përket materialit jetësor, mirëpo, duke u përfshirë në një aspektualitet të tillë, duke u realizuar brenda normave urdhërdiktate si ripërsëritja e “Mos eja” agravon por jep fuqi dhe emocion. Krejt subkoshienca poetike mbështetet në arsyen e dukshme e gati të pikturuar në perceptimin tonë. E gjitha do të vinte pos asaj që Edgar Allan Poe e shpreh se “Gjithçka që ne shohim apo që duket, është një ëndërr brenda një ëndërre.” Dhe kjo ëndërr për Edona Halitin sapo ka hyrë në tisin e hollë poetik të jetëfrymëzimit. Vetë autorja shprehet: “Ka poezi kur mund të kem ndërthurur gjërat bardhë e zi, por brenda meje shpërthenin ngjyrat e jetës! Të dashur miq, kam një këshillë të fundit. Duajeni jetën, çdo ngjyrë të saj! Duajini të tjerët, zgjatni dorën njëri-tjetrit, sidomos atyre që kanë nevojë për ju, hapni zemrat të ndjeni gjërat e vogla, sepse gjëra të mëdha nuk ka. Mos hiqni dorë asnjëherë, mos u frikësoni barrierave, mos u frikësoni rrëzimeve. Ne asnjëherë nuk do të ishim ata që jemi, nëse nuk do të mësonim diçka të re. E diçka të re nuk mund të mësoni nëse keni frikë!” E pra tashmë mes reales dhe ndërgjegjësimit poetik kapërcimi duket i mbarë.
Në vend të mbylljes
Pa dashur të anashkaloj edhe ndonjë parafrazim të shpëtuar, ku e brishta poetike ngadalëson veprimin poetik, ajo që shënon pozitivitet është se ajo ka marrë vetë në dorë firmën e poezisë, pa dashur që dikush në rolin e ‘veteranit’ të luajë rolin e dados poetike mes ledhatimit apo hezitimit për të thënë udhëmbarë Edona, bashkë me poezinë dhe vargun e ndjeshëm. Udha është e gjatë dhe jo thjesht mes poezisë. Vargu sapo ka nisur vesën e lehtë në erëtrëndëlinën poetike. Qëllofsh ngeshëm dhe ndejtshëm në rrugëtimin e vargut. Edona Haliti vetë ke zgjedhur: “Buzëqeshi jetës!”, ndaj jepi kufi kuptimit të plotë, pos shfaqjes së të mundshmit kuptim në psikenë poetike të veçantë e të admirueshme që ke gatuar me tre elementët e lartcituar.
[1] Regjistrimi i parë i përdorimit të fjalës „psikik“ mund të gjurmohet te Camille Flammarion, e cila ishte një astronome dhe spiritualiste francez. Fjala më pas hyri në përdorim të rregullt në gjuhën angleze gjatë fundit të shekullit të 19-të.
Comentários