
Dimension i katërt…
Tregim nga Fatmir Terziu
Ndërsa shkrepte celularin, që të fiksohej fotografia ime para këtij arti historik, që fiksohet dhe njihet si Statuja e Alfredit të Madh, kolegu im në qytetin e Winchester, pëshpëriti me vete dhe më tregoi, se jeta e tij ka kaluar të paktën në tre epoka të njëpasnjëshme, laike, socialiste dhe kapitaliste! I njëjti „dinosaur“, rrënjët etnike të të cilit, të zhytura thellë në mërzi dhe tension, e kanë ndryshuar atë nga një sekretar premtues Komsomol në një subjekt drithërues me flokë gri me një atmosferë të dyshimtë globale përgjatë ashensorëve të bllokuar të një karriere imperialiste me mjegull!
Të kuptosh veten në papërshtatshmërinë e mesit të të pesëdhjetave, kur shefja jote është një bjonde mahnitëse kërkuese me buzë si një bozhur nënballkanik dhe shpirti yt është një emocion skizoid i rinisë tashmë në të ardhmen e ndritur, për të është e njëjtë, për të shtypur me gisht në kompjuterin që punon në mënyrë perfekte! Të gjitha gjërat e tij atje, sistemet, skedarët, fushat e informacionit dhe Facebook-të me ngacmimet e pafajshme të virgjëreshave të fotoshopuara, për një moment përzihen dhe gumëzhijnë në ekranin e emocioneve të tij të tërbuara, ku edukimi i rreptë stalinisto-enverist i babait të tij, një premtim për të pathyeshmen e sotme të tij, disiplinë kapitaliste, ai iu kundërpërgjigj me një pyetje të vetme, të rimuar dhe të qartë spartane:
“Ariu është larë, i pastër në rrjedhat e argjendit. A ka ndonjë pengesë që ju të silleni si ariu?“
Hë, pra, hë, tani! Si do të ketë kuptim një pengesë!
E pra, për dekada, i fshikulluar nga higjiena komuniste e ngulitur në shpirtin e tij të ndershëm, ai fërkon dhëmbët e tij të rregulluar në mënyrë perfekte, me “Sensodin” sepse i ka problematike mishrat e dhëmbëve. Megjithatë, vit pas viti, konflikti i brendshëm i dramës që filloi në fëmijërinë e tij në vendlindje, i mbivendoset ekzistencës pa shpresë për një katarsis të kohëve të fundit. Sepse ky kapitalist i sotëm, socialist i dikurshëm, i riemërtuar, i arsimuar dhe i planifikuar përtej njohjes në Perëndim, thellë dhe më thellë mbetet produkti i ndershëm dhe i rregullt Komsomol i vendlindjes së tij, i cili e nxori atë me shpresën e humanizimit në botën e madhe. Është e vërtetë, sipas partisë, që nuk ka marrë notat e larta, por gjithsesi ia ka dalë. Dhe çfarë bëri ai, nipi i Sekretarit të Komitetit të Partisë? Ai pranoi që u pagëzua dhe mbi të, e rregulloi jetën e tij në mënyrë që as gjyshi i tij të mos mund ta njihte. Birra, po që po, pi nga më të mirat e kapitalizmit, ha dreka dhe darka me kolegët çdo të enjte, shkon dhe porosit dhe pica një herë në muaj, dhe... vazhdon të përgjumet për bustin e shkulur në zyrën e babait të tij, dhe i duket sikur i bindet po atij shefi, më saktë bjondes mahnitëse me buzë si një bozhure nënballkanike, kërkuese dërrmuese nga të gjithë tre epokat e thelbit të tij.
Koketë-joshëse për laikët. Mospërfillës - shkatërrues për socialistin. Dhe fatalisht – fatale për atë kapitalist. Sepse ai e di, pa u djersitur, ky bastard simpatik kapitalist, nuk ta ngre as rrogën, e jo më…. Në universin e tij të defokusuar dialektikisht, personazhet, antipodet e lojës së tij të brendshme e ngarkojnë atë me një faj torturues tragjik. Nga njëra anë, stalinisto-enverist i hekurt, babai i tij shpirtëror, i cili në të kaluarën e ndritur ngriti sloganin e vërtetë – „Anglo-amerikanët e vranë të ardhmen tonë“, dhe nga ana tjetër, lufta e pashpjeguar dhe e patreguar, por e lakmuar me tradhtarët, familje imperialiste dhe një trup amfore, një trup i palodhur... Si një kështjellë fluturuese në zemrën e të nënshtruarit dhe agresorit. Dhe ai tashmë fshin sytë, para se të fiksoj foton time para Alfredit të Madh…

Statuja e Alfredit të Madh ndodhet në qendër të Winchester, Angli. Ajo u realizua në vitin 1899 si pjesë e festimeve të mijëvjeçarit, që nga vdekja e Alfredit të Madh, pasi monarku sakson mbetet i konsideruar si një nga themeluesit e Anglisë. Projektuar nga Akademiku Mbretëror Hamo Thornycroft, ai u përfundua në 1901. Ndodhet në The Broadway, një vazhdim i Rrugës së Lartë e cila kalon nëpër qendër të qytetit. Është afër rrethrrotullimit që lidh me Rrugën Eastgate dhe Rrugën Bridge përgjatë lumit Itchen, pikërisht tek Winchester Guildhall që ndodhet afër tavolinës ku na presin bashkëshortet, të cilat shkëmbejnë biseda jashtë gjërave që shkojnë të gërmojnë në histori.
Nëpër qiellin e zymtë dhe joartistik të qytetit të Winchester-it, një rreze dielli joshëse rrëshqet mbi pijet e tyre, si një lazer shkrirës në një perde hekuri. Si një fill i një bashkimi ideologjikisht të papranuar, në anti-logjikën surreale të të cilit, i dehur me uiski pas një kornize të mbushur me yje, të humbur, portreti në mur i një bankieri dhe statuja kapitaliste triumfatore, në qendër të qytetit, vijnë ngadalë në trazimin e memorjeve dhe rrëfimeve të lexuara duke prurë me vete edhe bisedat dypalëshe që shkërmoqen në ajër. Ai tashmë ndodhet fare afër, pikërisht aty në këmbët hyjnore, sikurse i quan ai, këmbët e zonjës së tij.
„Cila është gjëja më e ëmbël në botë?“
- Uhh, dashuri? – ai mezi troket në tru të zbërthej në anglishten e trazuar të tij.
- Puna! – gjëmon triumfalisht pararendësi – Është koha të ngrihemi, se ariu po lahet, po pastrohet...
- Në flokë dhe në argjend - konsulenti i bankës e shndërron të shkuarën në të tashmen dhe meket si portreti në mur - Sot do të jem një arush i zbutur, sa të ngrohem, si me sobë!
- Çfarë thua, ore? - tha e shoqja e tij angleze, e papërmbajtshme me një zë lypës.
- Asgjë urgjente, e dashur - iu përgjigj zotëria - vetëm një dilemë e vogël e këtij dimri, e kësaj periudhe të Krishtlindjeve. A do ta konsideronit ndryshimin e bindjes suaj …, të paktën në të ardhmen?
Në mëngjesin rozë të ishullit, dielli përkul horizontin në një unazë të zbehtë dhe gërvishtëse. Përgjatë saj, si pincat e fryra nga Jugu, retë e vogla shtrijnë shpresa të ndritshme, laike, socialiste. Dhe kapitaliste. Ndërsa hedh sytë tek statuja e Alfredit të Madh, shoh në sytë e tij pandryshimin, dhe lexoj vetëm një triptik dashurie në sytë e çiftit ballkano-sakson, që mbetet i pështjellë tek ai, pra ish Konsomolisti-Kapitalist, si një shall aksiome të njohur e të panjohur në ish-statujën e babait të tij fizik dhe shpirtëror, tashmë si globalist i papërfunduar dhe i padukshëm për botën, si një dimension i katërt...
Comentários