1. Detyrat e Veriut
Nga Fatmir Terziu
Ju lutem mos m'i korigjoni me të kuqe!
M'i lexoni Detyrat e Veriut
ngadalë
fjalë për fjalë
mbi një mangall
me prushin ku digjen vargje të tëra.
Ju lutem mos ma korigjoni me të kuqe!
Një detyrë e gjallë si një ortek i madh
fluturon mbi mua,
borë e bardhë,
fjalët që zhduken nga kallot e gishtave
ndërsa unë vendos penën time mbi vijë
në ëndërr më djersisin klithmat e shpirtrave
deri në ijë.
Ju lutem mos m'i korigjoni me të kuqe!
Detyrat e Veriut nuk janë akullnajat e dimrit
malli për shtëpinë
dhe zbutja e trishtimit.
2. Sezioni i Zbardhjes
Qepallat shfletojnë sytë,
album me ëndërra të bukura.
Kujtime në syprinë
shtigje të arta të vyshkura
puthje hermetikisht të mbyllura
në legjendë
mit
peng
në një shkëndijë që shndrit
të dashuruar në themel.
Ëndrrat e rinisë
„kaçurrel“
(ponç portokalli me pak fernet)
kafe elbi me dromca të vegjël në sy
e brenda enigmës thelbin
ishim të rrinj.
Netët ende xhirojnë
me stilin e vjetër
filma të shkurtër për dashurinë
deri në përjetësi
në një kartolinë pa emër
flokët e borës bien,
një nga një
të bardhë
të lehtë e të rrëndë
të gjitha prodhuan vetëm një ëndërr.
E njëjta melodi, e njëjta këngë,
flokët të shkëputura nga froni i pigmentit
kilivilin sytë
është soji më i vjetër i trendit
që memorjen cyt
mendja krijon e rikrijon një tjetër botë,
brenda: bardhësi e paplotë
jashtë: heshtja e një dimri të ftohtë,
që e ndjejmë
që mezi e pranojmë
me flokë e paflokë.
3. Galeria e pusit
Vetullat, trashen kur prekin pusin,
bëhen trarë,
pesha e brendshme e çartur, nuk është më një fjalë
sytë i pikturojnë në valë,
e uji i kolovit vërdallë.
Sytë dhe vetullat bëhen një galeri e paparë
kur goja shuan etjen në pus ngadalë,
skuqen vetëm buzët si një zjarr
që kërkon të shuaj flakët pa i parë.
4. Gushter në Galaktikë
a.
Dita po piqet
në xhamin e dritares së shkollës së mbyllur.
Nxënësi që doja të isha,
gërryen me penë gurët e murit të trashë
të hyj si një endacak që kërkon shpëtim nëpër kisha
me gushterët bashkë
bën paqë.
Qentë lehin dhe bëjnë tmerr
por nuk më dallojnë aspak,
jam bërë si gushterët njësoj i verdhë.
Nga sytë nis shiu që të mos ndalet,
njom lulet e tharra, shpirtin e tyre tërë vrer,
kudo ka një „heshtje“ që duket se vetëm falet,
mbi gurë, mbi drurë, mbi sende,
por fëmijë që lexojnë
nuk shoh ende.
b.
Dielli bën rrokadë, por retë kot lodhen
ndryshon metereologjikja.
Malet gëlltisin barkun e lumit dhe jeta e qetë bëhet peizazh,
gotat dhe bucelat prej balte pozojnë mbi mure,
shishe birre, kanaçe, kuti boshe pa zarzavate, pelegrinazh,
të njëjtat pasthirma nëpër shkurre,
rrëshket mbi frikë,
kur shiu zbrazet nga lart me poture,
sheh si zvarriten gushterët në Galaktikë
mes bimëve të verdha gjëmbore,
shumë e pamend përditë e përditë,
pa menduar fare për dyert e mbyllura të kësaj shkolle.
c.
Bota po eksperimentohet.
Dhe gjithçka propagandohet si arritje e madhe:
mund të dëgjoni urinë por jo çfarë fermentohet,
në kazanin modern të Inteligjencës Artificiale
shkarravit gjuhën që po thahet,
si turisti nga porta fqinje që sheh ëndërr,
gjuhët janë bërë hata:
kërkon pulë të pjekur dhe dikush i hap këmbët
dhe duhet ta ha…
5. Barra e brumbujve
Ka shumë perceptime ku sytë thekin mëdyshje
për të parë hisen e vetë,
për të ngarkuar pamjen me peshën e tyre
për të kuptuar barrën që të vret.
Kaq shumë barrë të pistë
nuk lavdërohen heronjtë shëlbues
vetëm ata që mezi i shohim në dritë.
Sa shumë errësirë të mjegullt,
të rreme,
si gjithë këto përpjekje mjeshtërore për të mbartur
nga nxjerrja e jetës jashtë kësaj teme
nga mbijetesa e vogël, e nëpërkëmbur:
të kujtosh që lavdëron tokën e reme,
dhe kurrë atë që të ka nëmur.
E dini pse me barrën e brumbujve jemi ngjiz,
pasi nuk kemi më kurriz (!)
6. Pusi që lahet vetë…
Netët lodhen. Shtrojnë miliona shtrojera
Eh, netët lodhen. Ndezin miliona qirinj,
përkëdhelin mëndafshe me gishta
tërheqin perde të gjata
thithin oksigjenin e ngecur në maja të larta
netët të çmendin
të bëjnë të harrosh vetminë
edhe sikur ke qenë ndonjëherë i vetëm
të kujtojnë errësirën,
eh, netët,
edhe kur netët të kanë ndezur dritën
e fortë si një lampadar i zverdhur
të ngrejnë,
të rrëmbejnë me forcë,
dhe më pas të mësyjnë papandehur,
netët të mbyllin e të hapin një derë
kur ti harron të kthehesh esëll e mbetesh i dehur
në legjendën e patreguar ndonjëherë
ku rrjedhin ujëra të heshtur
e ti pret t'ua ndërrosh drejtimin
në një ëndërr të fshehur,
netët janë një bishëz që kafshon tymin
zgjon egërsirën që fle
brenda një pusi që lahet vetë…
Comments