Një Dritë në dritare
(Dedikim vargut të Drita Çomos)
Nga Fatmir Terziu
Luleboret do të bien sa të duan mbi tastiera
vetëm ëndrrat do të shfaqen lulëkuqe mes zogjsh
në kaltërsi gjithçka që pëshpërit,
po mbulohet nga yjet
çmenduria e ditës po thith,
sekretin e humbur në vargje ku ngjyhet
fjalëve boshe, tërkuzë
kataklizma e një kohe që ende s'fshihet
të bënë bujë në buzë.
Eh, sa i shkoka një pasqyrë me brymë,
vargut që shëtit netëve pa frikë,
më thuaj, të lutem më trego, sa mirë duken në gjumë
dritaret e përthyera në Cërrik,
kur fantazmat ngriheshin në korr
si gjela të kurdisur në një furrik
moshën e dashurisë ta bënë një sy qorr...
Nën zanoret e zbehta me hapësira të pafundme
Gledis Çala, shoqja jote e mirë qëndis dhimbjen tënde
është përsëri stuhi në krahët që përkulen
nëpër Cërrik janë vargjet e një kënge
në të struket një tempull sakrifice vokale
një ëndërr e vështirë në dritë të diellit
bekohet në misterin e prillit një Dritë në dritare,
nga zona e muzgut të qiellit.
Comments