top of page

Fatmir Terziu: Borås me „Migjen“ dhe me „Kurorë fjalësh“



Borås me „Migjen“ dhe me „Kurorë fjalësh“

 

Fatmir Terziu

 

 147 poetë, 18 gjuhë, dhe vetë titulli „Kurorë fjalësh“ bën bashkë në dy ditë me ftesën e Qendra Kulturore Shqiptare „Migjeni“ Borås të Suedisë festivitetin kulturologjik të Festivalit të trembëdhjetë Ndërkombëtar të Poezisë, „Sofra Poetike“ 2024. Por, që në fillim dua të theksoj, se me ndihmën e organizatorëve të QKSH „Migjeni“, Hamit Gurguri, Gladiola Jorbus, Rizah Sheqiri, Anxhela Ziso, Qerime Gurguri, Xheladin Shabani dhe natyrshëm të drejtuesit të saj, Sokol Demaku, dhe të gjithë të pranishmëve, pa përjashtim, ky ishte një festival si një serial që dëshiron të tregojë se si gjuhët e poezisë ndërhyjnë në shoqëri, si e ndihmojnë atë të jetojë më e plotë, më intensivisht, më komplekse dhe me ngjyra. Një festival, që falë organizatorëve tregon, se poezia nuk mund të zgjidhë asnjë problem praktik, por mund të tregojë në veprimet e zakonshme të përditshme gjëra që askush nuk mund t'i tregojë, ndoshta vetëm muzika. Ky nocion logjik, psikologjik dhe filozofik, i përfshirë në gjuhët e shoqërisë, duke provokuar këto gjuhë, na ndihmon të emocionohemi dhe të jetojmë më thellë dhe më komplekse përtej klisheve kulturore që jemi mësuar t'i konsiderojmë realitet.

Ky „serial“ i Qendrës Kulturore „Migjeni“ Borås shpresoj se do të bashkojë më shumë njerëz, sepse poezia, veç të tjerash, është një forcë shoqërore. Ajo sjell fantazi në një shoqëri që ka gjithnjë e më shumë nevojë për fantazi. Dhe fantazia më shumë se kurë, duhet dhe në demokraci, pasi demokracia e vërtetë përfaqëson polis polemos, d.m.th. jetën e qytetarëve në polis, të cilët e bëjnë jetën më të mirë dhe më cilësore, më të drejtë - këtë e arrijnë përmes bisedave dhe diskutimeve. Po e paraqes shumë shkurt qëllimin dhe e them thjesht: poezia rrit cilësinë e jetës. Dhe si ndodh kjo? Vetëm. Ju e dini se ka kafshë që shohin vetëm në sfondin bardh e zi, të tjerët shohin me ngjyra. Dhe ka nga ata që shohin shumë më mirë se njerëzit në një spektër shumë më të gjerë të dritës ultravjollcë, ose infra të kuqe. Poezia bën diçka të ngjashme. Me gjuhën e saj poetike, ajo ndërhyn në bisedën e pandërprerë të polisit dhe i hap ndjenjat larmisë së pafundme të jetës, por jo vetëm në kuptimin shqisor, por në emocionalitetin e saj më të thellë dhe në mundimet më të ndërlikuara mendore. Dhe me këtë, sigurisht, rrit cilësinë e jetës.

Me këtë risk vëzhgimi pashë organizatorin, pashë pjesëmarrësin, pashë konkurruesin, pashë anëtarin e jurisë, të thjeshtin, modestin, të durueshmin, të mërzitshmin, folëpakësin, folëshumësin, poetin, patriotin, dhe mbi të gjitha pashë tre imazhe. Këto tri imazhe, të historianit, mësuesit që udhëton në mëngjes dhe poetit, më dhanë një këndvështrim tjetër për të njëjtën botë, por edhe më dhanë mundësinë të vërej disa strategji të pranisë dhe ekzistencës në të që plotësonin njëra-tjetrën, duke krijuar e rikrijuar një poezi, që e vendos Sokol Demakun, Anxhela Zisin, Gladiola Jorbus, Riza Sheqirin e të gjithë ata mësues poetë që lëvrojnë në Suedi, të ndjejnë atë kënaqësi që ne ndjenim dikur kur nxënësit na flisnin e na përshëndetnin në rrugë. Një poezi të vlerës për vlerën në një imazh të plotësuar në trinitet, e që më dukeshin se ishin tri imazhe. Megjithatë, me kalimin e kohës, këto tri imazhe filluan të shkrihen në një dhe mendoj se gjëja më e rëndësishme që kuptova nga kjo poezi dhe kjo prani në jetën e përditshme është diçka që më dha mundësinë të kuptoj shumë gjëra për shkrimin tim. Mbi të gjitha, rëndësia e strategjisë së mbijetesës përmes soditjes së botës. Një strategji që në njëfarë mënyre të ndihmon të emanciposh veten nga parametrat mbytës të kohës ekzistencialiste në të cilën ekziston dhe që arrin të të strehojë në një rrjedhë që duket se është jashtë këtyre parametrave.

Dhe tani, kur e rilexoj poezinë e Antologjisë „Kurorë fjalësh“, përsëri gjej gjurmë të kësaj strategjie në të. Është poezia që merret shumë me kohën, me perceptimin e kohës, me perceptimin e kohës, siç thonë filozofët. Dhe mendoj se aty gjithkush nga të 147 poetët arrin të arrijë një këndvështrim interesant për të. Ajo së pari arrin të prodhojë një ndjenjë kujtese për diçka që nuk ka ndodhur në të vërtetë. Nxit imagjinatën për të prodhuar një ngjarje, e vendos atë ngjarje në të kaluarën dhe e vendos në kujtesën e lexuesit si një ngjarje historike që ka ndodhur në të vërtetë. Kjo poezi funksionon me kujtesën në një mënyrë si tregim. Vitin e kaluar, falë Riza Sheqirit dhe përkthimeve të tij, takova reflektimet e Britta Stenberg. Te krijimtaria e saj poetike lexova një shpjegim shumë interesant të mangësive të ligjërimit historik, problemi më i madh i të cilit është se ai nuk mund të jetë kurrë në sinkron me atë që po ndodh; me ngjarjen që përshkruan. Ky ligjërim është gjithmonë i vonuar në lidhje me ngjarjen, ose përndryshe në raste të caktuara mund t'i paraprijë ngjarjes duke e parashikuar atë, por sido që të jetë një tekst, ose parashikues, ose i vonë. Megjithatë, nuk është kurrë një rrëfim që banon në vetë ngjarjen. Nuk është kurrë në sinkron me të. Nuk mund të përkojë kurrë me ngjarjen.

Më duket se ajo që poeti i „Kurorë fjalësh“ arrin të bëjë në poezinë e vetë është të arrijë emancipimin nga kjo pamundësi. Atë që historiani nuk mund ta bëjë dot me rrëfimin e tij historik, domethënë, ta lidhë rrëfimin e ngjarjes me vetë ngjarjen, poeti në këtë antologji, çuditërisht ia del ta arrijë. Gjuha poetike duket se bën të mundur kapërcimin e kësaj pengese. Në përmbledhjet e hershme poetike të tilla, ka shumë reflektime për kohën. Ka pjesë të tëra që shpjegojnë dhe trajtojnë llojet e ndryshme të orëve, si rrjedh koha, si matet, si lidhet kujtesa e kohës së kaluar me kohën e së tashmes. Kjo Antologji arrin të krijojë një kohë që nga njëra anë rrjedh në mënyrë lineare dhe historike dhe nga ana tjetër, njëkohësisht mendon dhe duket se vëzhgon kohën në tërësinë e saj. Në këtë Antologji koha historike dhe poetike rrjedhin në sinkron. Nga një palë e tretë atyre, në të njëjtin sinkronicitet, u shtohet një kohë dramaturgjike që prodhon personazhe, konflikte dhe ngjarje. Kur them se është dramatike, dua të them që zakonisht ngjarja në dramë lind nga një përplasje e personazheve që e prodhojnë atë, por para se të ndodhë përplasja, në skenë janë aktorë të cilët si rezultat i veprimeve të tyre prodhojnë atë përplasje, nga të cilat mund të merret një ngjarje, mbi të cilën mund të kemi një reflektim. Në rastin e poezisë së Ingeli Aalto, që ishte dhe njëra nga tre fituesit e këtij Festivali, le të themi në epitafe, ka prodhim të një numri të madh personazhesh me konfliktet dhe betejat e tyre personale, duke rezultuar në prodhimin e një sasie të madhe ngjarjesh të imagjinuara në të kaluarën në sfondin e kohës, nëpërmjet që unë argumentoj se edhe më shumë se një efekt dramatik, ka edhe një efekt edukativ. Një gjë e tillë si epitafet, për shembull, të synuara si një mistifikim që i ngjan shumë realitetit historik, për mua arrin një efekt edukativ shumë më të prekshëm në ndërtimin e një imazhi të prekshëm të një vendi dhe kohe tjetër sesa çdo libër shkollor mbi historinë e atij vendi nga vjen ajo, qoftë ai, histori politike, ushtarake apo kulturore. Dhe kjo është kështu për një arsye të thjeshtë: kur dikush hyn në mënyrë të besueshme në një botë private, shumë personale (edhe pse fiktive!) të një anëtari të zakonshëm të shoqërisë nga një kënvështrim i caktuar, për shembull një grua që jep mesazhin e saj, pastaj përmes vëmendjes për rastin individual dhe unik, tabloja e realitetit të kaluar arrihet si një prani drejtpërdrejt e prekshme këtu dhe tani. Ky realitet i kaluar mbetet i trilluar, por perceptueshmëria e pranisë së tij është rritur jashtëzakonisht shumë. Këtë prekshmëri mund ta krahasoj, të themi, me një prani personale mes rrënojave të Pompeit. Kur je trupisht i pranishëm mes mbetjeve të realitetit të prekshëm, ai realitet në shumë raste të jep njohuri më të madhe për atë që dëshiron të dish sesa çdo tekst njohës metodik. Nëpërmjet kësaj poezie, bota e treguar nga Ingeli Aalto hyn në zonën e perceptimit tuaj, mishërohet. Ajo ndërton personazhe konkrete që përjetojnë kohën në një mënyrë që të jep një ndjenjë të historisë që mund të tregohet, por edhe të një kohe ekzistenciale të prekshme që kalon. Kështu përvoja personale nëpërmjet identifikimit, njohjes dhe vetëdijes së fiksionit shfaqet në një unitet të pandashëm. Në të njëjtën kohë, mistifikimi i saktë krijon iluzionin e një tregimi historik shkencor të besueshëm. Ajo i pajis krijimet poetike me një aparat shkencor, duke sqaruar lloj-lloj realitetesh, si të ishin monumente autentike epigrafike. Kur lexohet bashkë me poezinë, ky aparat jep edhe njohuri shumë të gjera. Ajo regjistron faktet nga paleta e përditshmërisë në një vend nga i cili mungojmë, por sikur fillon të jetë i pranishëm rreth nesh, të ngopë botën tonë.

Në tekstin e poezisë tjetër fituese të festivalit, „Tjetra“ që mban firmën e poetes Merita Kuçi Thartori, situata për ngjarjen, shkon mjaft larg, do të doja të kisha përmendur se kjo poezi ka më shumë të përbashkëta me tre muzat beotiane sesa me „lakminë“ që mban qielli, pasi në vetvete është filozofi, estetikë, edukatë poetike. Mendoj se po, sepse në të tre poezitë e poezitë e Merita Kuçi Thartori, që janë në këtë Antologji, por dhe në vëllimin poetik „Unë jam Ti“ (Fidani; Prizren 2024) ndjej një gjurmë shumë të fortë dhe po aq të rëndësishme të secilës prej tre muzave: Aede (këngë, melodi), Melete (meditim, praktikë, ushtrim dhe mësim) dhe Mneme (kujtesë, kujtim).

E aty ku poezia është një formë bazë e intensitetit njerëzor, edhe në kuptimin elektromagnetik, nëse doni ajo është një shkarkesë elektrike me intensitet midis dy poleve të njeriut, midis forcave që ndikojnë absolutisht në të, si ato negative dhe si ato absolutisht pozitive. Kur dëgjon një pjesë muzikore, befas ndjen fuqinë e saj të ndikojë tek ti, duke të turbulluar: kjo është poezia. Kur kërceni, dhe bollëku i trishtimit, ose gëzimit shkakton ngrohtësinë që ndjeni në stomak: kjo është poezia. Kur lexon dhe ndjen që shtylla kurrizore të galvanizohet: kjo është poezi. Poezia fillon aty ku njeriu intensifikohet  dhe përfundon aty ku njeriu nuk mund të tolerojë më intensifikimin, ku njeriu hyn në vdekjen absolute të nxehtësisë. Për mua, bukuria nuk është një fenomen estetik, ose jo vetëm kaq. Por në thelb është gjithçka që na jep atë fuqi që fizika e quan intensitet: estetikisht, natyrisht, por edhe etikisht, politikisht, biologjikisht, ekonomikisht dhe në çdo mënyrë të mundshme, njësoj sikurse e bënë artistët me çifteli e Plisa në kokë, Mustafë S. Berisha, Remzi Basha etj. duke nderuar dhe artistin shumëplanësh Ismet Krasniqi Lala, që ishte dhe personi i tretë që mori çmimim ”Shkëlqim Demaku” për arritje të veçanta në fushën e artit. Ky artist i vlerësuar dhe mjaft popullor, me një vlerë të madhe drejton dhe një program televiziv dhe mban lart traditën e Plisit shqiptar, për të cilin së bashku me Prend Buzhalën kanë bërë dhe një libër.

 

VAZHDON…

62 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page