Fatmir Terziu: „Belladona“ e dehur pas zërit të tenorit shqiptar Kastriot Tusha
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 16 hours ago
- 3 min read

Në një nga restorantet e Londrës atë zë askush nga anglezët nuk e beson se është zëri i një tenori shqiptar. Në restorantin “Belladona” të vendosur në Morden, të Londrës, vetëm pak sekonda larg nëntokësorit, sa vjen ora shtatë e mbrëmjes është ky zë më së shumti që mbledh intelektualë me emër londinezë të të gjithë fushave.
Është zëri i tenorit shqiptar, Kastriot Tusha, që ka detyruar shpeshherë të vihen baste për zërin e origjinën e tij. Në këtë ambient të qetë e tepër intelektual të “Belladonës” ndjehemi edhe ne rastësisht me një grup kolegësh universitarë. Dhe natyrshëm përpos atmosferës shoqërore janë tingujt që shoqërojnë timbrin e Tushës. Ai këndon thuajse me një ritëm dhe ton të njëjtë me atë të të famshmit Luciano Pavaroti.
Zëri i tij del nga disku dhe përhapet qetë e qetë në tërë hapësirën e këndshme dhe qetësuese të restorantit. Këndon këngët e famshme të tij dhe të gjithë pas disa minutash harrojnë pjatat, lënë pas piruna e thika dhe i bashkohen ashtu në ndjesi e sipër ritmit të fuqishëm të tenorit shqiptar.
Kastriot Tusha oshëtin pastaj aty në atë restorant, që për të zotët e tij kapërcen kujtimet e pak viteve më parë kur në Londër Kastriot Tusha dhe Manjola Nallbani zgjuan ndjenjat shqiptare për disa ditë me radhë në disa koncerte të tyre. Dhe pasi dëgjojmë në “Belladona” tenorin shqiptar, në një cast kur qetësia pushton restorantin, kolegët anglezë pyesin për origjinën e tij. Unë buzëqesh. Ngul vështrimin në flamurin e kuq e zi që ndodh në cep të restorantit dhe u zgjas një foto timen me tenorin. Është një foto e jona në kohën e shkollës së mesme, kur ne bashkë kryenim aksionet, zboret dhe praktikat mësimore të asaj kohe në Elbasan. Unë u mundohem t’u jap më shumë shpjegime dhe detaje. Ata vëzhgojnë njëri-tjetrin në sy. Pastaj kthehen drejt e tek unë. Ripyesin. Dhe presin detajet e jetës së tij.
Kastriot Tusha (lindur më 13 Prill 1964 në Elbasan) është tenor shqiptar. Mësimet fillestare për kanto i mori në Shkollën e Mesme të Muzikës "Onufri" (Elbasan) nga viti 1978 deri në vitin 1982. Në vitet 1983-1984 kryen kursin 9-mujor të krjimtarisë popullore për kanto në Tiranë. Në vitin 1984 fillon studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë, dega kanto, nën drejtimin e tenorit të mirënjohur Gaqo Çako. Përveç detyrimeve shkollore, në këtë periudhë ka zhvilluar aktivitet koncertor me pianiste dhe orkestra. Mbrojtjen e diplomës e bëri me rolin e Pinkertonit nga Opera "Madam Buterfly" e Puçinit, me Orkestrën e Akademisë së Arteve.
Pas mbarimit të studimeve u emërua solist pranë Teatrit të Operas dhe Baletit, kohë në të cilën ka realizuar disa role kryesore. Nga viti 1999 e në vazhdim është pedagog i kantos në Akademinë e Arteve.
Kastriot Tusha ka treguar aftësitë e tij të këndimit brenda vendit dhe jashtë tij në shumë zhanre dhe turne, si në fushën e muzikës klasike, muzikës së lehtë dhe asaj të zgjedhur popullore si dhe ritmeve latino-amerikane. U paraqit në koncerte në Kosovë, Maqedoni, Gjermani, Itali, Zvicër, Turqi, Angli, Irlandë, Danimarkë, Norvegji, Suedi, ShBA, Kanada, etj. Këndoi ndër të tjera edhe nën shoqërimin e Orkestrës së Re të Filarmonisë. Koncertet e tij shumë të njohura janë: "Kastriot Tusha me Miqtë", "Latino American Classic", "Vikena Kamenica & Kastriot Tusha", "Tre Tenorët" etj.
Me rastin e premierës së operës të parë kosovare Dasma arbëreshe Kastriot Tusha interpretoi rolin e Arbrit. Për dëgjuesin shqiptar u bë i njohur më shumë me zhanrin e këngës qytetare, që ai i këndon me tingullin e tenorit lirik.
Pas kësaj ndërhyrjeje të detajuar anglezët mbesin të hutuar. Hutimi kësaj rradhe vjen nga përmasa gjigante e tenorit që vjen në mes të Londrës me zërin e tij nga vendi i vogël ballkanik, nga Shqipëria. Ja që ka edhe në këtë mes një krenari më shumë për të qënit shqiptar, pas zërit të Kastriot Tushës në metropolin britanik.
Comments