top of page

Fatmir Terziu: Bardhëzona e penës së Prof. as. Dr. Astrit Bishqemit


Fatmir Terziu: Bardhëzona e penës së Prof. as. Dr. Astrit Bishqemit

 

Prof. Dr. Fatmir Terziu

 

Vlera që lartëson veprat dhe Astrit Bishqemin

 

Në një jetë që mund të jetë një aventurë e trazuar, ne mbledhim shumë gjëra. Disa gjëra duam dhe disa jo. Disa gjëra na gjejnë dhe disa gjëra i gjejmë vetë. E vërteta është se në fund të udhëtimit tonë ne largohemi ashtu siç kemi hyrë. Fundi i botës ne erdhëm pa asgjë dhe nga bota nuk marrim asgjë me vete, dhe trashëgimia jonë përfundimtare është thjesht një copë toke ku ata që lëmë pas do të na kujtojnë se si aventurat dhe bëmat tona pushojnë. Në një jetë të tillë është dhe shkrimtari i mirënjohur elbasanas, profesori i qindra studentëve anembanë Shqipërisë, Astrit Bishqemi, ai që ka një pikë mjaft të rëndësishme në vlerën e "aventurës" së tij jetike mes penës dhe mendjes, mes talentit dhe krijimit, mes përkushtimit dhe dedikimit, atë që radhë kush e ka pasur ndonjëherë në lëminë e letërsisë për fëmijë e sidomos për brezat e rrinj. Është një nga penat më të lexuara në vite, një nga emrat më të sinqertë e më modestë, që kurë nuk kanë rendur pas çmimeve, por pas krijimeve, realitetit dhe perceptimit të tij në moshë tjetër për një moshë tjetër, në një kohë ndryshe, për një kohë ndryshe. Astrit Bishqemi është një model që lexohet natyrshëm në të gjitha kohërat…

E ndërsa shkruaj dhe rikujtoj atë që kam shkruar, si dhe atë që kam biseduar me Astrit Bishqemin, këtu në Londër, në vapën e ditës në një kodër të vogël rrotulluese, një pemë me gjethe të gjera qëndron si një Sentinel i vetmuar. Gjymtyrët shtrihen dhe bëjnë një hije mbi tokë. Një oaz i freskët pushimi në një kohë të tmerrshme, kur dielli bie pa mëshirë. Shumë e gjejnë shpëtimin nën një copë toke me hije që është streha e vetme përreth, e mjaft të tjerë jetojnë nga hija e paduskhme, nga hija që të bën formatin e hijezuar. Ky është një karakter krejt ndryshe, por një karakter që ka luftuar me taentin dhe penën e tij Astrit Bishqemi. Është një hije që ka qenë gjithnjë padëshira e vetë Astritit si në jetë, ashtu dhe në shkrimet e krijimet e tij.

E mbi të gjitha në të gjithë krijimtarinë e tij është mesazhi estetik, edukativ, jetik dhe frymëzues. Ai nuk e dha mesazhin e tij në një tribunë të madhe. Megjithatë, me fjalët e tij ai mund të lëvizte edhe njerëzit që rendnin, turreshin dhe rrethonin tribunat e të gjitha kohërave. Në cepat e rrugëve të Elbasanit dhe në tregun e lirë, buzë rrugës me pluhur është vendi ku mund ta gjeje me meditimin dhe thjeshtësinë e tij personale. Fjala e frymëzuar ishte dhe mebeti elementi kryesor i tij. Ai u tha të gjithë atyre që do të vijnë të sillen me këtë estetikë që karakterizon Njeriun dhe njerëzoren. Ai nuk ka ndonjë ofiq, por ka një pasuri të pakapshme në sinqeritetin dhe modelin e tij jetik. Duke shkuar nga një vend në tjetrin duke shkruar për njeriun e mirë, duke i çuar kujtdo që do të dëgjonte se çfarë mund të bëjë njeriu i mirë dhe i lirë, ai krijoi mjeshtërinë e tij të shkrimit dhe krijimtarisë që do të pashet nga brezat, se ai vetëm për ata shkruajti dhe shkruan. Ndonëse statura e tij e kësaj bote mund të duket disilarg asaj që kap mburrjet dhe shfryrjet, bota rreth tij dhe në veprën e Astrit Bishqemit është një vend real, i kapshëm, i dëshirueshëm, nëse jo për një kundërshti të karakterit dhe talentit të tij.

 

Rreth “Elbasani ndër vite për librin” të Prof. as. Dr. Astrit Bishqemit

 


Në fakt nuk është thjesht aritmetikë. Autorët dhe faqet, librat dhe ngjarjet, botimet dhe botuesit, vitet dhe shekujt, janë një. Janë një, ashtu sikurse është një dhe vendlindja, Elbasani që i bashkon në një. Krijimtaria dhe studimi që i bën në një. Vetë njëshi produktiv në një të tërë. Dhe kështu vetë njëshi tek ata që përfshihen në libër është arti përjetues. Arti përjetues që përjetohet. Dhe këtë e bën pena e mprehtë studiuese dhe e vëmendshme e Astrit Bishqemit, tek “Elbasani ndër vite për librin” (2016). Kjo prurje në formën bibliografi-enciklopedike me përkujdesjen e SHB “Dy lindje dhe dy perëndime”, ku dora redaktuese e Rudian Zekthit dhe recencat e Tomor Plangaricës dhe Skënder Karriqit formojnë tërësinë strukturore, duket që në zanafillje si një mungesë e ardhur në kohën e duhur. Por unë, më besoni, e kam bërë këtë vlerësim kohë më parë për penën e Bishqemit. Ky natyrisht ka qenë nga lartësia e një specialisti, nga lartësia e një njohësi të krijimtarisë elbasanase. E pranoj që ishte admirimi i artit të Bishqemit, që më shtynte të guxoja atë vlerësim, një vlerësim që edhe po të ishte i tepëruar, nuk do të më bënte të skuqem. Por entuziazmi im gjatë soditjes së marrëdhënies së këtij shkrimtari dhe studiuesi kërkues, të lidhjes së tij me tekstin, të shkrimit elegant për moshat e ndryshme, nuk më ka bërë të ulë nivelin dhe vlerën e vetë vlerësimit.

 Dhe kështu të dyqind e pesëdhjetë faqet e kompletuara të këtij studimi me indeksin e radhitjen disi të ndjeshme kanë prurë dy gjëra të rëndësishme në vëmendje. E para ajo që është vlera e autorit dhe e dyta e SHB “Dy lindje dhe dy perëndime” që ka bërë një punë të lavdërueshme. Jo më kot tek ftillesa hyrëse autori parathotë qartë: “këtë botim mund ta quajmë edhe “Libri i librave të autorëve elbasanas”. Dhe kështu duke shkuar më tej shoh dhe ndjej se vlerësimi im për Bishqemin që herët, kishte qenë lumturisht i qëlluar. Një libër që flet qartë. Që shfaq bukur dhe rrjedhshëm mjaft origjinalitete dhe sjell në jetë mjaft fakte. Si i tillë libri i Prof. as. Dr. Astrit Bishqemit, “Elbasani ndër vite për librin” është libër inteligjent që reket të paraqesë  formatin e deritanishëm të jetës dhe veprës deri në informacionin e mundshëm të krijuesve dhe vlerave elbasanase. Sikurse e cituam më lartë, ibri është një bibliografi enciclopedike e të gjithë shkrimeve te autorëve elbasanas, qoftë këto letrare apo shkencore dhe didaktike dhe ka një informacion jetik të formatuar për njohuri dhe kërkime të mëtejshme të detajuara shkencore.

 Ndryshe nga botimet e tjera, brenda formatit të vet ky libër jep dhe detajime konkrete, shkurtesat e përdorura dhe disa nga botimet e mjaft autorëve në fusha të ndryshme. Në brendësi të librit ka të dhëna të munguara deri më sot dhe kështu ky libër enciklopedi ose më saktë bibliografi enciklopedike është një vepër reference e plotë, një studim që ofron një përmbledhje gjithëpërfshirëse të informacionit nga të gjitha degët e dijes, dhe me një disiplinë të caktuar të krijuesve të këtij qyteti. “Elbasani ndër vite për librin” është tërësia unitare e llojit të vet, e botuar nën një titull në një stil tipologjik të Bishqemit, që ka për objekt materializimin e një produkti mendor të gjithë autorëve elbasanas dhe që botohet me synimin të jetë një shtysë për shumë drejtime të tjera. “Elbasani ndër vite për librin” nuk është thjesht një botim radhe, por vetë libri që është një vepër shkencore, e pse jo nga mënyra e të paraqiturit dhe një fomat me ndjesi letrare, mësimore. Libri e tejkalon vetë definicionin e UNESCO për këtë lloj.

 

Bardhëzona e penës

 

(Mikut dhe kolegut tim Astrit Bishqemi)

 

 

Nga Fatmir Terziu

 

Ja ku janë librat,

ja dhe shkrimet, shënimet shtrëngatat e brendshme

nga shtrëngimi i dhëmbëve

udha e hapur me penë e letër.

 

Po e shqep këtë masë kujtimesh mes vargut

përtej gjuhës së heshtur,

ka raste miku im Astrit,

që veç shpirtit, gojës, mendjes, syve

flet edhe pezma e trishtit. Po e hap këtë varg

të bardhë për t’ua lënë ditëve të nxehta

që buisin filxhanëve të mëngjesit, xhevahiret

e gjerdanit të gjatë të etjes.

 

E në mbijetoftë duke ecur i burrëruar, i hepuar,

unë nga mushti i artit, nga maja,

do të mendoj ta udhëtojë,

gjuhëve të botës,

për t’i rrëfyer mendimet e gjalla.

 

E sa herë që fjala

apo vargu do të kërkojnë të qetësohen

do t’i përcjell

derisa të ‘çelin livarezat e arrës’

mbi ‘një gotë çaj’. Do të zbres vetë përgjatë pjerrësisë

së bardhë të filxhanit

përgjatë majëngritjes sinonime të vargut,

vezullimin e plasës

të bojallisur, të shprishur,

shenjë e një dalldije të gjatë të rropatur

që vazhdon të griset në astarin kamush të fjalës

në tërë dimensionin e fraqtuar zanor,

prej smalti letrak të radhës.

 

Takova mes librave të shumtë të Astritit

arsyen e moshës në kulmin moshor,

me shikimet e kyçura brenda shpirtit

rilexoj ende lakun kohor. Zbrit përgjatë pjerrtësisë

së bardhë të vargut

përgjatë arsyes së fugët

dhe ‘burgut të qelqtë’ të gotës

që mbledh ‘një verë plot ngjare’

 të shohësh ‘kur çelin livarezat e arrës’

ngulur mbi qindra dritare.

 

Astrit Bishqemi mjeshtër i tregimit fantastiko-shkencor

 


Në krijimtarinë shqiptare natyrshëm një emër dhe një gur i çmuar mbetet shkrimtari Astrit Bishqemi. Një emër që vjen nga vitet shtatëdhjetë, por që ndjeshëm ngulet në plejadën e shkrimtarëve të shquar e të vlerësuar edhe jashtë Shqipërisë. Nehas Sopaj, një nga studiuesit më në zë të Letërsisë Shqiptare në Maqedoni, e rendit Bishqemin në një vend të merituar të krijuesve dhe studiuesve për Letërsinë e shkruar për Fëmijë. Ai në studimin e tij “Letërsia për fëmijë” (2007), botim i Fakultetit Filologjik të Universitetit të Shkupit, e cilëson krijimtarinë e shkrimtarit shqiptar në një rang me emra të shquar të këtij këndi si Dionis Bubabni (1926-2006), Abdylhaziz Islami (1930-2006), Xhevat Beqaraj (1937), Gaqo Bushaka (1943), Tasim Gjokutaj (1945-2002) e mjaft të tjerë që filluan krijimtarinë e këtij lloji duke njohur përrallëzat e Ezopit, si Anton Santori, Naim Frashëri, Çajupi etj, e deri në periudhën e mëvonshme kur spikatën e emrat e shkrimtarëve Rexhep Hoxha, Anton Çefa, Rifat Kukaj, Odhise Gridho, Bedri Dedja, Agim Deva, Pandeli Koçi, Tasim Gjokutaj etj (Sopaj, 2007: 169). Sipas Sopajt, krahas Vasil Xhashkës, që ishte i pari që foli për zhvillimin historik të letërsisë për fëmijë, është edhe emri i Astrit Bishqemit. Artikulli i Xhashkës, “Të mbjellim sot, të korrim nesër”, të botuar në vitin 1938, duket se e bëri shkrimtarin shqiptar, po aq edhe studiuesin e mirëfilltë të kësaj letërsie të zinte vendin e merituar më vonë në tërë dimensionin krijues dhe studiues të letrave shqipe.

 

Ardhja e Bishqemit në letrat shqipe

 

 Kështu shkrimtari Bishqemi, një studiues dhe lëvrues i hershëm, që në moshën e re, i letërsisë, pas mbarimit të arsimit fillor e të mesëm në vendlindjen e tij të shtrenjtë, Elbasan, por edhe pasi kreu studimet për matematikë në Shkodër, iu rikthye zellit, vullnetit dhe talentit të tij të lidhur me letrësinë për të studiuar letërsi në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, ku punon edhe si pedagog. Ai me vëllimet e tij të mirënjohura dhe me studimet nga fusha e letërsisë për fëmijë, sot padushim zë një vend të lartë në ‘hierarkinë’ e letrave shqipe. I njohur për vepra të tilla si novela “Gjoksshkëmbi” (1972),  tregimet fantastiko-shkencore “Gëzofi i tokës” (1977), vëllimin me tregime “Drugdhendësi i vogël” (1978), “Kallëzimet e kokërrzave të breshërit” (1978), novelën “Një verë plot ngjarje” (1981), “Ali Baba me dyzet hajdutë” (ritregim, 1993) e mjaft të tjera.

Kur Astrit Bishqemi, shkrimtari më modest e më virtuoz, në karakterin e tij, (ndoshta këtë e themi me plot gojën e me bindje se me zor e kemi intervistuar në vitet nëntëdhjetë, pas ardhjes së Demokracisë, shih gazeta “RD” Dhjetor 1994), botoi vëllimin me tregime “Drugdhendësi i vogël” mjaft kolegë të asaj kohe tentuan të deklaroni hapur se ‘po vinte në dritë një penë e ndjeshme, e duhur...”. Në fakt këtë e pati deklaruar më herët që me botimin e novelës së tij të parë, shkrimtari me fjalën e tij tejet të mprehtë e filozofike, Hyjni Ceka, kur shprehej se ‘ky djalë i duhet letrave, ky ka gjuhën e bukur shqipe, që del nga sepetet e shtrenjta elbasanase...”. Dhe kështu modestia e Bishqemit, karakteri i tij i qetë dhe i sjellshëm, lanë pas vepra, dhe jo fjalë të gozhduara xhaketash apo kollaresh të rrudhosura çantash ‘habitate’, apo ‘vetvrasese të letërsisë.

Ardhja në dritë e novelës “Drugdhendësi i vogël” me një tirazh prej gjashtëmijë kopjesh, nuk ishte vetëm një ushqim i bollshëm letrar për moshën e shkollave, por edhe një mesazh i qartë për moshën e shkollës së mesme. Këtë e vërtetojnë fjalët e Odhise Gridhos, tek gazeta “Shkumbini” (4 Prill 1979) nën titullin “Gjithnjë në ngjitje”, apo edhe reçenca e Stefan Kumes me titullin origjinal të novelës tek revista “Pionieri” (nr. 6, 1979, faqe: 35).

 

Po pse kjo novelë zgjoi kritikën shqiptare?

 

Në këtë libër janë përfshirë dhjetë tregime. Tregimet: “Drugdhendësi i vogël”, “Ullinjtë e xha Ramës”, “Xhadeja”, “Natën për në Labinot Mal”, “Nën hundën e gjermanëve”, “Parakalimi”, “Në udhë’, “Midhjet”, “Kush e hante rrushin”, “Në rrugën e bukur të artit”, janë miniskenare të gatshëm vizivë, janë dhjetë filma të munguar shqiptarë. E themi këtë se në këtë vëllim, fjala e bukur, fjala artistike është thelbi i asaj që evokon të kaluarën e hidhur të popullit shqiptar. Nga kjo e kaluar e hidhur, por me një shije të qartë mesazhiere e filozofike në gjuhën e autorit subjektet e tregimeve “Drugdhendësi i vogël”, “Ullinjtë e xha Ramës”, “Xhadeja”, “Natën për në Labinot Mal”, “Nën hundën e gjermanëve”, përshkruajnë episode të trimërisë dhe heroizmit të fëmijëve gjatë luftës. Tregimet e tjera që trajtojnë tema të prekshme, natyrshëm janë një metaforë e prekshme e një kohë që duhej pikturuar me stilin e Bishqemit.

E thënë më hapur, kjo novelë ishte dhe mbetet një produkt i vlerësuar për stilin, gjuhën, veçorinë e komunikimit dhe mbi të gjitha për pamjet perceptuese e vizuale që paragatuan në mendjen e çdo lexuesi, të çdo moshe.

 

Mjeshtër i letërsisë fantastiko-shkencore

 

Në udhëtimi e prekshëm të krijimtarisë së shkrimtarit Bishqemi në vite, ajo që është më e ndjeshme, është letërsia fantastiko-shkencore dhe shkencore e popullarizuar (Tabaku, 1979:101). Faire Tabaku e rendit krijimtarinë e Bishqemit në rendin e parë, jo vetëm sipas rendit alfabetik, por edhe si një krijimtari që vlen të ndalesh e të përhumbesh në të, padallim nga mosha, mjafton të ndjesh shijen e saj. “Kallëzimet e kokërrzave të breshërit” (1978) është pikërisht tregimi shkencor, që vjen me gjuhën dhe stilin tipik të autorit, por edhe me një melos ngjyrash nga peneli i piktorit Bujar Marika, duke na dhënë nën siglën e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” jo vetëm tirazhin e pesëmbëdhjetë mijë kopjeve, por edhe vlerën e papeshuar didaktike për moshën e ulët shkollore. Duke lexuar këtë tregim shkencor, lexuesi mëson se si në pranverë rrezet e diellit shkrijnë dëborën që është në majat e maleve. Rrëketë e ujit që rrjedhin tatëpjetë malit bashkohen në përrua, pastaj derdhen në lumenj, të cilët derdhen në det... Lexuesit mësojnë si formohet vesa, bryma, mjegulla, reja, shiu, dëbora, breshëri, ylberi, nga se shkaktohet bubullima (ibid). Por ajo që duhet shtuar e vlerësuar është ana më e theksuar didaktike dhe filozofia e autorit që u mëson lexuesve qartë se duhet të tregojnë kujdes për ujin, pasi sipas autorit ata duhet të dinë rëndësinë e madhe që ka uji për jetën e bimëve, të kafshëve, njerëzve dhe të gjithë organizmave të tjera të gjalla.

Duke parë sa cituam rreth tregimeve shkencore tek . “Kallëzimet e kokërrzave të breshërit”, duket si një e thjeshtë, një ‘simple’ për fëmijë me të cilën kritikët bashkëkohorë britanikë dhe amerikanë, Aidan Chambers (1980) tek "The Reader in the Book" në faqet 250–275,  Peter Hunt (1991) tek studimi i tij  “Criticism, Theory, and Children's Literature”, dhe Henry Jenkins (1998) tek “The Children's Culture Reader” do ta cilësonin si një e thjeshtë e domosdoshme për të dhënë mesazhin e qartë didaktik. Sipas tyre në nivelin e teorive akademike, ata mendojnë se shkrimtari që realizon qartë e thjeshtë këtë mesazh didaktik është padyshim një mjeshtër i asaj kategorie. Në një mënyrë të ngjashme këtë e lexojmë disi afërsisht për shkrimtarin Astrit Bishqemi edhe në reçencat e Grillos dhe Kumes.

 

Duke përfunduar

 

Duke lexuar studimin e akademikes Margaret Mackey (1988) “The Case of Peter Rabbit: Changing Conditions of Literature for Children”, botuar në Londër dhe në Nju Jork, gjejmë edhe një derivat logjik e pikëlidhës me tematikën e novelës fantastiko-shkencore të shkrimtarit Astrit Bishqemi “Përtej oborrit diellor” (1978). Problemi që ngre studiuesja Mackey në lidhje me një nga krijimet më me emër në letrësinë për fëmijë, lidhur me një personazh tepër popullor të njohur si Lepuri Peter, duke e cilësuar si një konditë ndryshuese në letërsinë për fëmijë, ngjashëm mund ta trajtojmë edhe tek kjo pjesë e krijimtarisë së Bishqemit. Në qendër të kësaj novele, edhe pse ndryshe nga karakteri në novelën e marrë në konsideratë nga Mackey, janë fëmijë si Çlirimi, Jonida e Shpëtimi, një lidhje e përbashkët është aspekti i ëndërrave. Ata ashti si edhe Lepuri Peter, ëndërrojnë të bëhen kozmonautë, anëtarë të ekuipazhit kozmik “Shqiponja”, gjatë udhëtimit të së cilës shtjellohen ngjarjet. Shkrimtari shqiptar, duke u nisur nga hipoteza shkencore, i jep krahë fantazisë dhe përpiqet të realizojë idenë e ekzistencës së jetës në hapësirat kozmike. A nuk qëndron edhe sot i gjallë dhe ambicioz ky fenomen në gojën dhe mendjen e shkencëtareve? Pra konditat e kësaj krijimtarie, që në lidhjen e saj janë ato që Mackey i trajton qartë, ‘ndryshim konditash’(ibid). Si i tillë shkrimtari Bishqemi mund të themi se mbetet i pari në krijimtarinë e kësaj fushe që solli këtë ‘ndryshim konditash’ për logari të krijimtarisë letrar, per hir të vlerave ndaj lexuesit.


18 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page