Asaj udhe, u ringjalla!
Prof. Dr. Fatmir Terziu
Që atëherë, atë ditë të bukur Tetori 2024, më saktë, 26 Tetor, në zemër kurë nuk më ka ndodhur të jem ndryshe, në fyt kurë nuk më ka qëlluar të ndjehem më i shlirët, në shpirt më i qetë, në mendje më i kthjellët. Deri atëhere ajo që kishte rrjedhur me vitet tregonte se një pjesë e shpirtit nuk ka qenë e lumtur dhe kaq! Epo udhët të marrin, e kohërat të largojnë, memorjet shkërrmoqen e rrëfimet trazojnë. Miqtë e mirë të ftojnë për raki, dhe largësia si e tillë nuk qëmton, nuk do dhe nuk do! Koha u rrokullis, era e fryu, përplasi dyert, çau shtyllat dhe qëroi renë e fundit që mbante peng Lunikun, e iu ngjiz Llangës, kështu një diell më shkëlqeu si endacak, mjaltë nuk pashë, por mjaltë u derdh nga qielli. Zona e vilës ku pimë një gotë raki të mbajtur në një shishe të bukur e të prodhuar enkas nga pronari i saj, Ixhinieri me Master Shkencor, Lulzim Mustafa Shahinaj, dhe të servirur nga duart e arta e të fisme, të bashkëshortes së Lulit, (sikurse e quajmë të gjithë), Luljeta Bajram (Selimaj) Shahinaj (ose Lulka sikurse njihet nga ne dhe qytetarët e Elbasanit në biznesin e saj të pjekjes dhe servisjes së kafesë në Elbasan), u ndriçua, shkurret u strukën e gurët vezulluan dhe disa nga zogjtë e vjeshtës kënduan, aq sa më vonë edhe hëna dhe yjet u afruan së bashku…, pra, miq vetëm ndjeni, lexoni dhe vetëm imagjinoni se shikoni, pini ujin e freskët të zemrës suaj, ujin e Çezmës së bekuar të Llangës, dhe prisni dashurinë e vjeshtës në një zonë që tashmë flet si dikur në origjinë të saj...
1.
Në zemër nuk është një ndryshim i vetëm, ka shumë në vite, në largësi, në mall e dëshirë, në dashuri natyre. Por thelbi është tek i vetmi ndryshim i madh që është kryesori në këtë udhëtim, është se tashmë gomat e makinës nuk rrënkojnë. Nuk dëgjojnë poterën e shtrënguar të motorit të makinës, pasi ngjitja dhe udhëtimi bëhet në rrugë të re të asfaltuar e të bukur. Makina që drejtohet nga inxhinier Luli, flet ndryshe dhe tregon në qetësi mes këngëve popullore që dëgjojmë se i zoti i saj nuk është vetëm inxhinier i zoti, por drejtues Qarku, edhe ish Nënkryetar i Bashkisë së Elbasanit, drejtues ndërrmarjesh të mëdha dhe komunash qytetëse (minibashkish, ose rajonesh të Elbasanit), biznesmen, dhe përkthyes pasi ai njeh disa gjuhë të huaja. Një intelektual i kompletuar, pinjoll i familjes emërmadhe Shahinaj, dhe i i biri i Profesorit të nderuar Mustafa Zeqir Shahinaj, Normalistit me rezultate të shkëlyera, natyrshëm nuk ka projektuar një rrugë vetëm për të mbjellë e shkulur patatet e cilësisë absolute në Fushë Studën, por për të rizgjuar bukuritë e Shebenikut dhe një zonë të tërë që ka ndërtuar Botën në shekuj dhe në vite Shqipërinë. Ai nuk flet shumë, dhe nga heshtja në ngjitjen e Shkallës së Lunikut kuptojmë çmimet shpërthyese të tregut nuk ishin në xhepin e të rinjve, kur ata thjesht mendonin ndryshe të abandonin këtë zonë të bukur e perlë të natyrës. Dhimbja është gjithashtu e tillë e bërë vetë, gishti i vogël i dobët i nënës natyrë që prek në zemër mallin tonë për të. Kjo heshtje është e bukur, por makina e tij është egoiste dhe na flet me një gjuhë tjetër të motorizuar që vetëm asfalti e kupton. Nuk i shqetëson aspak që ajo është ende në prekjen e përditshme të udhës, e urtë dhe e mbushur me ndjesi makine aty ku duhet të jetë e tillë, pikërisht në pushimin e parë tek Çezmja e Llangës. Dhe aty hyn në punë edhe celulari në rolin e tij memorial. Me zemrën time, jetën dhe dashurinë time të patjetërsueshme, Luçin, duke u ribekuar nga uji i kristaltë natyral nga „Çezma e Llangës“ fiksohet fotografia e parë, pastaj disa të tjera me të katër nën penelin e vjeshtës dhe timbrin e natyrës.
2.
Dhe ndërsa ndalojmë në Vilën Shahinaj, celulari në duart e Lulkës, njeriut më human që kam parë ndonjëherë në nivelin e thjeshtësisë, na fikson për shtuar memorjen dhe respektin gjithashtu. Fushë Studna në plan të parë nga ballkoni i Vilës Shahinaj në Fushë Studën. Shkëlqen projekti i saj, pamja dhe vendndodhja e saj e bukur. Po aq shkëlqen dhe orendimi i saj i brendshëm që pret e përcjell në dy kate të saj turistë nga e gjithë bota, gati përnatë.
Sikur ta kishim vizituar një mijë herë, na e bën biseda dhe shpjegimi i Lulkës, ndërsa shtesat e Lulit ngjajnë si një një penel mjeshtri gjatë daljes, së karnavacit në projekt dhe realizim, dhe natyrshëm ndjejmë se ende të pikojnë bulat e djersës, por jo ata mendojnë se nuk janë lodhur por të kënaqur me këtë investim model! Dhe Shebeniku bukurosh duket se flet ende: Ejani, nxitoni, kemi punë për të bërë! E ky është një serial më vete tashmë. Serialin nuk ia them dot as vetes, se vetvetja hesht dhe ndjehet se është e shurdhër dhe ka mbulesë në syrin e majtë që prek liqenin natyral e rrugën asfalt, ndaj përzien gjethet që bien dhe mërmëritë rreshtat e artistëve si një zierje e kohërave anadollake, kur banori i kësaj zone themelonte biznesin e mjeshtërisë së gurit dhe drurit, atë pra të Ustait. Dihamës së makinës nuk i vjen keq, ajo i beson dhe i beson disi, sepse ajo, lëvizësja e kohës së sotme në atë udhë të bukur, belbëzon si obuçier, kështu që natyra nuk mund ta dalloj nëse ajo po i jep ndonjë arsye lodhjeje natyrës, apo thjesht po i fërshëllehet gurëve që qëndrojnë si përmendore të pavdekshme të hapësirës. Prandaj, edhe kur natyra ndodh të flasë nga hiçi, vetëm atëherë arrin t'i pëshpëriste duke thënë: „Faleminderit Steblevës që nuk la duar mizore të presin pyjet!“
3.
Një drekë e shijshme, me peshkun e freskët të ujit të ëmbël të Zallit Të Borovës, tek „Trofta Borova“ pronë, investim dhe vend turistik i një miku të përbashkët, Çim Golli, natyrisht ka më shumë vlerë në shënjesën e memorjes. Natyrshëm Luli me humanizmin e tij nuk na la të paguajmë, por në fakt me këtë rast shtrënguam duart me dhjetëra të tjerë, me të njohur të hershëm që vijnë këtu për të kaluar e shijuar një kohë të bukur, por dhe të dëgjojmë ndryshesën e bisedavë në tryezat e tjera. Dhe ja veshët bëjnë punën e tyre…, natyrisht atë që e bën memorja për të parë shqetësimin dhe realitetin ndryshe, me ndoshta një ardhje të hershme korçare në atë zonë.
- Unë – e dashur - Violetkë, jam shumë e mërzitur me djalin dhe nusen. Më shumë se nusja, mirë, ai, djali im, ndoshta nuk më mirëkuptojnë. Është kjo, gomarllëk i imi, apo koha është e tillë? Nuk duan t'ja dinë më për shtëpinë dhe pronat që kemi në fshat. Por as unë nuk dorëzohem pa luftë, Violetkë e dashur, si atëherë kur më thoshin „moj budallaçkë andej do të martohesh ti, atje ku ha pula gurë?!“! Mund të më refuzojnë, por nuk më internojnë si dikur më në fshat për t'i gërmuar e për t'i ushqyer të Tjerët, por fatet tashmë dhe kjo kohë më kanë sjellë mendimet ndryshe, madje vetë e kam blerë një kominoshe, me dy lidhëse pedi dhe disa veshje mbrojtëse prej najloni rozë dhe ja ndodhem këtu - lind dielli mbi Shebenik, po ju them, dhe karamel bëhen skajet! Nuk e di, thjesht kam pasur fat edhe këtë vit. Por unë nuk jam shumë e vjetër që të njoh dhe të flas për botën, kur të më vizitojë një fqinj, nuk do të nguroj t'i bëj surprizë me patate të verdha nga fara e dikurshme e kësaj zone!
Kështu tha zonja e kthyer me kurriz nga ne, dhe pyeti shpejt për fshatin, dhe fqinja e saj e tavolinës mbeti me informacion jo të plotë për aventurën e vitit të kaluar dhe syrin e saj të djathtë, gjithëpërfshirës, të fiksuar në dritare si një teleskop. Por dëshirat e qytetares nervoze nuk do të realizoheshin menjëherë. Ajo tregon sërrish qetë dhe veshët fiksojnë si në ndonjë skenar filmi të shkurtër, që duhet ta ripunosh në memorje disa herë… Tashmë djali im është shfaqur saktësisht dy herë që kur ka ardhur, dhe jo me romancë dhe komplimente, por me fatura të papaguara për energjinë dhe ujin, sikur i mungonte një mirëseardhje! Atë nuk e preku buzëkuqi në formë zile në buzët e fryra të së shoqes, as modeli i flokëve të veshur me “sisson”, as petkaja e karafilave rozë e ngjitur në qafë. Djali im është tashmë si një burrë tjetër për të, një brutal i çiltër, snob dhe mizogjen! Prej një jave ai ka dalë nga kërcelli, ka mbledhur fara dhe vetëm tani ka shkelur belin që godet dheun e bërë gur pa asnjë ndjesë për atë çfarë dëgjon në grindje e sipër. Ndryshim i rrezikshëm, mister dhe heshtje temerute. Por jo! Djali ka një sy tek unë e dy veshët në fjalën time tashmë, mbetet i palëkundur dhe i paprekshëm në idetë e tij. Nën ballin e tij me kurriz, bien prapë flokët me onde, mendimet vrapojnë nga e zeza në më të zezë dhe të mprehura për një grua që po vdes nga ikja e kohës, por që i bën diamante kohës që do të vij për brezat.
Zemra troket në atë tryezë si kova e zbrazët në fund të rezervatit dhe ndoshta jep sinjal se kush është tashmë fati i atij uji kristal që prodhon troftë dhe i atij dielli të artë që e bën ambientin mjaltë. Aty vetëkuptohet se e gjitha është tashmë gjaku yt... Gjaku gjithnjë thërret dhe toka të pret, të pret qartë e me një mendim të lartë, edhe aty ku nuk shijon mjaltë, shikon se natyra është e ëmbël mjaltë.
Kommentare