top of page

Fatmir Terziu: Aromë karakafte


Aromë karakafte

Nga Fatmir Terziu

 

Skicim i një poezie midis buzëve

e kadifta janë vargjet e qeta të një harpe të praruar

e butë, e urtë mes të urtëve,

shkruaj e skico me sy, ajo është si një vajzë e fejuar.

 

Tani le të shtrojmë pentagramin midis ullinjve

është si të shikosh foto të dallëndysheve

vallëzimin e tyre midis syve.

 

Ngjyrat perceptohen duke parë ullishten e qetë

aroma si një fllad i mëndafshtë veriu

ndjesi e çuditshme që emetohet lehtë,

herë pas here,

thuhet se nektari që bie në rrugë është vetë njeriu

e aroma një kupë vere.

 

Dielli i ngre dolli të gjitha e i fut në zemra

dhe pret të buzëqesh Hëna që ndez Harpën

aromë perëndie që ta ka ënda

shpon natën.

 

Tani si të dehur në të tilla raste,

luajmë harmonikë,

gjurmët e miteve të paqarta në buzët delikate,

përgatisin prikë,

ndërsa qielli na mbulon me kristale nate

çfarë mund të shkruhet për një lule të tillë në natyrë?

 

Nëse kjo aromë i ngjan oksigjenit të një pylli

këto ditë të shkurtit, të paqëndrueshëm, nëntëmendsh,

thuhet se ajo që ndodh është vetë virtyti,

epërsia morale e një personi që vjen mes nesh

le të themi se është dashuria që na lindi,

e mbeti si një aromë e tillë peshqesh.

 

E shtrenjta ime, më erëmir, me kodin tënd të misterit

e jotja e bekuar, moj karakafte, është një aromë e aniserit.

6 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page