top of page

Fatmir Terziu: Argjendaria e natyrës


Argjendaria e natyrës

Nga Fatmir Terziu

 

Është një ditë shumë e veçantë e vitit. Një ditë të cilën e kam zili! Nuk ka datë fikse. Zakonisht unë e quaj një ditë të tillë. Por, një ditë e tillë zakonisht më ndodh të pikëtakohet nga fundi i gushtit. Pikëtakohet në gusht, pikërisht në prag të „big bang“ të përditshmërisë sime, kur kaloj në midisjen e blertë të rrugëve Morden Park dhe Phips Bridge me sytë e ngulur në argjendarinë e natyrës, ku punëtoria e verës, përgatit të skalis gështenjat e egra me xhevahire të bronxta. Unë jam në lëvizje.

Edhe pse jam në lëvizje, sytë ia kam ndarë racionit të detajuar. Njëherësh grabis të fshehtat e argjendarisë që përmenda, dhe më radhë ndodh, që gjithashtu përgjigjem, konfirmoj dhe planifikoj gjëra me rigorozitet, duke u përgjigjur, konfirmuar dhe planifikuar gjërat që nisin pas të dielës, në shënimet e mia në celular.

Rrugët thjesht mbushen me njerëz si unë, dhe kreshendo e zhurmshme e biznesit infekton iluzionin, se asgjë nuk ka më shumë rëndësi, se sa perimetri i vogël i sprovës personale. Sprinte të shkurtra. Përfundime të shpejta. E kuqja. E verdha. E gjelbërta. Rrugicat e ecjes këmbësore. Rrjedha e makinave. Fillimi, dhe ai fillim përsëri. Ekzaminimi i shputave dhe nervave. Po ndalem! Argjendaria e natyrës është një perfeksion i pakapshëm.

Dhe nuk ka fuqi në botë që të më largojë nga i vetmi destinacion që mund të më sigurojë disa orë kohë të lirë mes oksigjenit të parfumuar të një strehe luksoze që më magjeps si një kompliment i matur. Parku Morden Hall Park, që është pjesë e Trustit Nacional, ndoshta është muzeu më i mirë i kësaj argjendarie model. Të paktën një herë në ditë emigroj atje për të bërë pjesë ecjen, lëvizjen dhe mbushjen me oksigjen të pastër.

Eh fundja është park, e gjithkush mund të thotë, se çdo park në Londër ka fytyrën e vet. Për mua, fytyra e Morden Hall Park ka tiparet aristokratike të fiksuara diku në fotografitë dhe pamjet historike që struken e ekspozohen në muzeum. Ky muzeum është dhe një pjesë e projektit të kësaj argjendarie që vetëm dora e Zotit e bekon me mjeshtërinë e saj.

Qëndrova në mes të një mjedisi të zbukuruar me tullumbace dhe dhjetra lodrash mekanike me bateri të mbështjella më gërhitën butësisht, me komanda të programuara, dhe një fletë argjendi në topin e strukur në një kordhele mëndafshi të madhe gati fluturoi afër kokës sime. Një, dy, tre, një dy, tre, thirrje dhe parapërgatitje! Vajzat e bukura kërcenin përreth, asistentët përshkuan mjedisin e gjelbër me tabaka me biskota promovuese dhe të tjerrët shikonin me kureshtje. Tërësia mbushej tek rrjedha e sheshtë e Lumit Ëandle nga syri im i djathtë. Nga ana tjetër, një zonjë me flokë bjonde platin më fiksoi me një pamje profetike:

- Ju ndoshta keni ngatërruar seksionin - tha ajo, që ishte veshur me kadife - unë jam në të njëjtën situatë. Unë jam i gatshëm të vë bast që po kërkoni .... Unë mendoj se rruga është atje ...


- Në fakt, doja të shkoja në muzeum - iu përgjigja - por nuk e kam problem të shijoj edhe aerobitë natyrore në modë të stinës. Aty punon një a njohura ima vite më parë. Është një angazhim i tij në këtë grup aerobie natyrore, kohët e fundit.

Menjëherë e gjetëm njëri-tjetrin. Miqësitë e vërteta janë si dashuria me shikim të parë. Ato ndizen vetëm kur të keni takuar veten. Egoiste, por të vërteta. Këtë e kuptova teksa i thashë nga isha, pse erdha në këtë vend dhe çfarë më solli në këtë park. Ajo buzëqeshi dhe me një kontekst të qartë më tha: „Doni një gotë raki?“

Unë shtanga. E pashë në sy. Pastaj prita të më shpjegohej.

-Po, më tha dje u ktheva nga Shqipëria. Isha me burrin tim dhe me fëmijën tonë të parë në Bogë. Atje kishte vërtet natyrë të bukur. Shqipëria është vërtet argjendari natyrale. Gurët, panorama, … ishte argjend dhe ar. Pale pemët…

Ndërsa e pa që isha gati i përhumbur, nënqeshi me një dashamirësi dhe shtoi:

- Nuk mundet - buzëqeshi sërrish ajo duke rrëkëllyer filxhanin elegant të kafesë - ke kërkuar të shohësh natyrën e mbledhur në një stinë, për shkak të historisë me parkun që më tregove, por atë e ke atje më të mirë se kudo në botë…Dora e Zotit ka krijuar argjendarinë e natyrës më përrallore në Bogë.

8 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page