top of page

Fatmir Terziu: Anthula Tili, jo thjesht një këngëtare virtuoze


Prof. Dr. Fatmir Terziu

 

Anthula Tili nuk është vetëm një zë i bukur, një këngëtare, një zonjë fisnike, por një poete lirike, me varg të mbushur plotë dimensione diskursive. Ajo është një forcë jetike, feministe midis realitetit dhe dinjitetit, moralit dhe shpirtit real romantik e të lirë.

Forma romantike e një risie tërheqëse poetike mbështjell hapësirën artistike të poezisë së Anthulla Tili. Imazhi simpatik i mbush me admirim vështrimin krijues të autores, të kthyer në thellësinë shpirtërore të vlerës së popullit. Anthulla Tili ndan me secilin nga lexuesit e poezisë së saj atë që „pa“ udhëve të jetës në thellësi të vlerave ndaj dashurisë tsë popullit.

„Kur dita me natën, ndërrohet.

E zemra ime heshtur rri,

duron e pyet nga malli...

fjalët më derdhen si rrëke

që rrjedh e zbret nga mali.“ (Tili, Dashurisë, 2013)

Lexuesi njihet me hapësirën e fjalës artistike dhe interpretimit krijues bashkëkohor të një motivi të njohur tipologjik - duke ngulitur kujtesën shpirtërore të bukurisë morale të gruas shqiptare të dashuruar. Në poezinë e Anthula Tilit, ajo emërtohet në mënyrë specifike - "Dashurisë", ku emetohet në formë diskursive njohja e një imazhi individual femëror mes tingullit të përgjithshëm poetik të veprës:

„Ç'sy  sorkadhe të shikojnë

e qajnë me lotë të nxehtë?

Me ç'fjalë zemrën ta copëtojnë

ta shkrijnë, të zgjojnë ëndrrën?“ (Po aty)

Foljet, „qajnë“ copëtojnë“, „shikojnë“, „shkrijnë“, „zgjojnë“ e përforcojnë më tej karakterizimin poetik. Ekstern-përshkruesi luan rolin e një lloji parakushti krijues për ndërtimin e një imazhi artistik me sugjerime lirike individuale: “ Ç'sy  sorkadhe të shikojnë” mbart sugjerimet e traditës poetike të trashëguar dhe pikëpamjen krijuese individuale të autores ndaj bukurisë së shpirtit shqiptar. Ajo dallon për nga bukuria nga të tjerat. Ajo mban shenjën artistike të zgjedhjes. Bukuria e thellë është më shumë një sugjerim estetik, duke prekur ndërgjegjen e lexuesit me fuqinë delikate të vargut, sesa një perceptim real tokësor. Ndikimi estetik i së bukurës stilizohet në mënyrë poetike. Ndërsa në folklor, bukuria është e lidhur pazgjidhshmërisht me temën e dashurisë, këtu ka një ridimensionim të saj. Anthula Tili gërsheton dy motive vargjesh: dashurinë dhe bukurinë, në komplotin e poezisë së saj.

Dashuria në traditën e saj është pararojë e jetikes. Një fat të tillë e parathotë edhe bukuria, mes formës shumëngjyrëshe, të fjalës së thjeshtë, por që ka një mesazh të bukur.

Imazhi tradicionalisht i qëndrueshëm që dashuron fort dhe thjesht në interpretimin individual të Anthula Tilit rritet në një kategori të re poetike. Shpirti i kësaj dashurie në vargun. esaj është një shprehje artistike e asaj që është tipike e forcës diskursive dhe morale të gruas shqiptare.

Bota e brendshme shpirtërore e poezisë së kësaj poeteje shfaqet në zhvillim. Fazat e pjekurisë së brendshme morale kanë motivimin e tyre poetik, të lidhur organikisht me përvojat intime dhe personale të heroinës, të ndarë nga turma nga bukuria dhe virtyti moral. Në botën intime të vargut të saj ka vend vetëm për njeriun e lirë, atë që dashuron zemra.

„Të të them - Të dua sa qielli,

si atëhere, kur ishim fëmijë?

Plotë dritë është ai, rrezaton dielli

Sa dashuria, trembem mos shkrijë.“ (Tili, „Të të them“)

Përkufizimet dhe krahasimet natyrale të përdorura nga autorja nuk janë të rastësishme. Ata prezantojnë atmosferën e bukur të dashurisë reale, e cila parathotë një betim të ndërvarur mbi fatin njerëzor të të dashuruarve. Gëzimi i tyre është diskursiv. Fati i tyre është shpirtlirë. Shpirti i tyre lexon shenjën e fatit:

„Në këtë botë të gjitha janë veç fjalë

Për mua ti je fryma, pa ty nuk kam jetë.

Ti, je vetë zemra, zemër e ngrohtë, valë

Veç po pushoi, çdo gjë humbet...“ (Po aty)

Shfaqja diskursive e njeh lexuesin me kohën e dashurisë. Atëherë dashuria është "e fshehtë" dhe kur fjalët e shtypin vetëdijen, shpirti nuk është i lirë, i mbushur me frikë skllavërie. Gëzimi dhe lumturia sjellin telashe, duke parashikuar një të ardhme tragjike. Forcat e së keqes, të materializuara nga vetëdija folklorike shqiptare, janë shenjë e një parandjenjë të vërtetë se gëzimi intim i ndjenjës së përbashkët midis të dyve është vetëm një moment lumturie, por shuhet vetëm kur pushon, atëherë e gjitha humbet. Është e pajetuar. Vrullimi i shpirtrave të gatshëm për të rrëfyer dashurinë e tyre është ndërprerë. Dashuria nuk u përket atyre. Fati ka dekretuar një ndarje tragjike. Poetja simpatizon dy të dashuruarit dhe për këtë arsye ofron drejtpërdrejt vlerësimin e tsaj personal për fatin e krahasuar me dashurinë sa deti:

„Të të them:Të dua sa deti... është ai

i thellë sa fundin s'ja gjen.Ta dish,

Shpirtin do kem të gjerë sa deti,

Që Ti, valë e shpirtit, drejt meje të vish.“ (Po aty)

Duke përdorur mjetet e profecisë poetja parashikon fatin përmes fatit personal njerëzor të përshkruar në mënyrë didaktike. Edhe anafora e sugjeron: “ Shpirtin do kem të gjerë sa deti”. Aty është zemra dhe shpirti i saj si poete e dashurua përjetësisht me jetën dhe vlerën, por dhe si një nënë që këndon për nënën. Kjo ndosh tek Poezia „Nënës sime“ (pas vdekes)

„Po kthehem, nënë,

o zonjë bujare.

Ti, Shtatore e Pritjes,

Ti, shkëndijë dashurie

në vetminë time,

o nëna ime!“ (Tili, „Nënës sime“ (pas vdekes)

Këto poezi dhe mjaft të tjera si „Tim biri“; „Atdheu im“; „Copëz jete“; „E di që qan“; „Je ti“ e të tjera, janë një lloj rekuiemi lirik për fuqinë flijuese të shpirtit femëror. Në dridhjen sublime të zemrës ndjehet dhembja e hapësirës amtare. Kujtimi i vlerave mbetet, por bashkë me të edhe dashuria rritet. Dedikimi për të dashurin përndjek përjetësisht shpirtin e saj poetik. Ajo "rrëfen" në melodinë e toneve të fuqishme, që vijnë nga thellësia e zemrës së thellë e liridashëse, dashurinë e saj për botën e tij më të madhe të dashurisë. Tingëllon miti i ri i vlerës për bukurinë morale të shpirtit shqiptar, i interpretuar në mënyrë krijuese nga Anthula Tili si poete me nivel të admirueshëm, sikurse dhe në këngët e saj. Pra kemi një Anthula Tili, jo thjesht si një këngëtare virtuoze, por dhe një poete me fjalë zemre.

 
 
 

1 Comment


Guest
Mar 03

Mençurisht, profesionalisht, me respekt për poezinë dhe poeten na vjen prof. Fatmir Terziu. Krijimtaria e Anthula Tilit meriton.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page