top of page

Fatmir Terziu: Andrea Zarballa, ky ferment i filozofisë, poezisë dhe vlerave


Andrea Zarballa, ky ferment i filozofisë, poezisë dhe vlerave

 

Prof. Dr. Fatmir Terziu

 

Dashuria për poezinë dhe për gjithçka që përfshihet në konceptin e artit përcakton drejtimet e punës disavjeçare të poetit Andrea Zarballa. Arti i bukur i poezisë për poetin është ai përkushtim i shenjtë, në emër të të cilit duhet të jetohet, të punohet, të luftohet, madje ti përkushtohet edhe koha më e shtrenjtë dhe më e shenjtë nga jeta. Pasi ia kushtoi gjithë jetën shërbimit ndaj gazetarisë, redaktimit letrar, poezisë, tregimeve, studimeve folklorike dhe etnografike në greqisht me një ndjenjë kënaqësie në momente të caktuara, Zarballa do të kishte fjalën e tij artdhënëse edhe në Gjuhën Shqipe, sikurse përmblolli „Mos e shiko fundin e detit“ (Poezi, „Milosao“ e Agim Matos; 2012) deklaronte si në preambulë: E kam dashur jetën, por nuk e kam vjedhur.

Poezi, të dhashë gjithçka... Poezi - kjo është historia dhe heronjtë e së shkuarës, jeta e e sedërtuar minoritare në kohën e monizmit, ruajtja e lirisë dhe e virtyteve kulturore, kjo është natyra magjepsëse dhe gjuha amtare. Për artistin, gjuha ka një vlerë të madhe ,sepse është pjesë e identitetit, sepse transmeton kujtesën ndër shekuj dhe sepse është garanci për zhvillimin e ardhshëm shpirtëror.

Duke jetuar dhe krijuar në dy epoka - në epokën e monizmit, të mbushur me vrulle të shumta e disiplinë proletare dhe në epokën e pasmonizmit, në të cilën idealet e heronjve u harruan dhe u zëvendësuan me indiferencë shpirtërore, por liria mori një sfidë tjetër, pranon me dhimbje përdhosjen e mjaft gjërave që u zvetënuan në emër të kohërave, ku koha mallkon kohën, pa e kuptuar gjuhën e artit. Në poezinë "Lavdia", poeti shpreh gjallërisht ndjenjat e tij të zemërimit ndaj keqdashësve të kohës dhe kënaqësisë për fuqinë e saj krijuese.

Lavdia e meriton vendin që i takon në mendjet e njerëzve. Ajo nuk është vetëm melodike dhe e pasur, por krijon një lidhje të thellë midis brezave dhe transmeton kujtesën kombëtare. Lavdia duhet të ruhet dhe të zhvillohet, sepse është pjesë e asaj që ndërton idetë për hapësirën e sinqeritetit.

Zarballa e ngop odën e tij me ndjenja të forta dhe kontradiktore - dashuri dhe admirim, zemërim dhe përbuzje, sarkazëm dhe alegori, deri sa e filtron termin e tij „Lavdia“ në sitën e duhur të kohës. Ai nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj fatit të jetës, sepse si poet është më i vetëdijshëm për fuqinë dhe rëndësinë e fjalëve. I shtyrë nga detyra e tij si qytetar dhe artist, Zarballa mbron me krenari gjuhën e tij amtare, duke zbuluar ekspresivitetin, melodiozitetin dhe pasurinë e saj. Me veprën e tij poetike dëshmon fuqinë krijuese të gjuhës minritare në krah të gjuhës shqipe. Kështu, ai jep një mësim patriotizmi jo vetëm për bashkëkohësit e tij, por edhe për të gjithë brezat e ardhshëm.

E ndërtuar si një dialog mendor me gjuhën, poezia krijon përshtypjen e një lidhjeje të gjallë e të pathyeshme mes poetit dhe fjalës. Gjuha personifikohet dhe Zarballa i drejtohet me respekt modestisë tek poezia „Modesti“: ​​„I mjaftonte vetëm një gjethe/për të shtrirë mbi të gjithë jetën e tij/dhe të nxënte akoma edhe dy oqeane“.

Modestia është ajo që e ruan njeriun gjatë shekujve të gjatë të ëndërrimit, shekujve të perceprimit, përshtatjes, pritjes dhe ankthit, të shkatërrimit të vetëdijes njerëzore në pritje. Falë modestisë dhe gjuhës, raca njerëzore ka mbijetuar dhe prandaj për poetin ajo është një "preambulë e shenjtë". Ai është dëshmitar i historisë: gjuha e mundimit, rënkimet shekullore... Përmbysjet - mjet shprehës karakteristik i poezisë - theksojnë forcën e ndjenjave të autorit. Gjuha krijon lidhjen më sublime për njeriun që kërkon ti hedh një sy Globit: „I ngjitej asaj kodre dhe sodiste Globin./por jo se kishte iluzione,/s'mund ta shikosh tërë Globin nga një kodër/modestët, s'janë medoemos të marrosur,/por, e dinte se kalonte ai nga kodra“. E kështu ai e kupton lirinë, njohjen e Tjetërit nga kodra, dhe këtu sërrish nënkupton lirinë e shtrenjtë.

Liria e shtrenjtë sikurse dhe gjuha e shenjtë nuk mund të lihen në përdhosje, por duhet të ruajnë fuqinë e tyre historike dhe estetike. Këto të dyja në idetë e Zarballas janë gjithashtu "të bukura" sepse zotërojnë melodiozitet, bukuri, fuqi dhe shprehje. Të dyja sjellin kënaqësi estetike. Duke depërtuar në thellësitë e fshehta të fjalës, poeti flet për to me admirim dhe nderim: „Kalonin dallëndyshet, dielli dhe lejlekët,/kalonte era dhe lufta“.

Epitetet shprehëse në përmbysje "vinin tej nga kontinentet", "tej nga oqeanet“, „maste me pëllëmbë", "kaq gjatësia, kaq gjerësia e thellësia" shtojnë ndjenjën e kënaqësisë së autorit dhe pyetjet retorike theksojnë pozicionin e autorit. Krijuesi dëshmon se vetëm një durim i madh, i ndjeshëm mund t'i rezistojë sulmeve të brendshme duke mbjellur „gjurmëve të tyre ullinj të rrinj“. Në veprën e poetit Andrea Zarballa lexuesi nuk ndeshet për herë të parë me imazhin e këngës së gjinkallave. Këta janë ata gjinkalla, që këndojnë, kanë këngët sipas tyre - të huaj dhe, mjerisht! – Janë ato gjinkalla që duan të minojnë themelet e identitetit duke shpifur historinë, gjuhën dhe moralin. Kundërshtarët mbeten të shurdhër ndaj bukurisë dhe tingullit të bukur të artit të fjalës: „“I mjaftonte kodra e vogël me ullinjtë,/me ato degë të rënduara/nga pesha e këngës së gjinkallave“.

Toni i ndryshuar i vargut - bëhet polemizues, i mprehtë, denoncues, është pjesë e mbrojtjes së zjarrtë ndaj timbrit trillues "gjinkallë". Një seri fjalish pasthirruese ndërton imazhin negativ të që ekziston në qasjet e paraleleve: „Por edhe një paralel po të shkelësh/do të vijë një ditë,/që do të gjesh përpara prapë veten tënde“. Për gjinkallat ai është i vrazhdë, i varfër, i pashprehur, prandaj edhe i strukur tek modesria: Nuk mund ta mishërosh në vete vetëm tek krijimet e mendimit krijues!

Dhe gjeniu juaj nuk është i verbër ndaj këngës - Ai ju qortoi vetëm se jeni një djall i vrazhdë, jeni një gjinkallë! Këto mbesin në mendjet e lexuesve e kthejnë poezinë dhe gjuhën e saj në një "gjuhë të realitetit artsjellës". Foljet në trajtën treguese shprehin mospajtimin e poetit me atë që struket dhe nuk shihet. Zarballa - poet dhe qytetar - është i tronditur dhe i indinjuar.

Ndajfolja tre herë e përsëritur "se" zbulon procesin afatgjatë të nënçmimit të kohës dhe mbrojtjes së dinjitetit të saj. Aty thuhet gjithashtu se poeti do të vazhdojë të luftojë për mbrojtjen e saj për sa kohë të jetë e nevojshme, sepse ai është i vetëdijshëm qartë se keqpërdorimi i traditës që mbahet fort tek modestia çon në fshirjen e kujtesës stërgjyshore dhe të vetëvlerësimit aktual.

Është detyrë e krijuesit të ruajë, zbërthejë dhe pasurojë fjalën. Poeti e di të vërtetën e artit të fjalës së bukur, sepse e ka dëgjuar më së miri “melodinë” e saj, “tingujt e ëmbël” dhe e ka kuptuar më së miri “bukurinë, fuqinë” e saj, dhe jo atë këngë të gjinkallës. Krijuesi nuk do të përdorë kërcënime apo keqdashje si shpifës, por do të përgjigjet me fjalë - të fortë, të bukur, krijues. Poezia e tij është dëshmi e gjallë dhe e pamohueshme e rëndësisë së lirisë, „mos e shkel gjithë mllef hartën e botës“ tek poezia e tij „Kufijtë“ apo tek tjetra „I sëmuri“: „Ma tha një trung i prerë, i plakur shumë,/ma tha me rathët, lartë nga akuareli i piktorit:/Sëmundja jote është e pashërueshme. Duhet të shkosh/të flesh një natë të tërë/në tempullin e blertë të Bredhit“. Zarballa është i bindur se do të fitojë vendin e merituar të kohës „te porta e tempullit më 17 korrik“ dhe do të provojë sharmin e saj: "bredhat njomëzake, pa zë,/hidheshin, përhidheshin rreth gjumit tim tërë natën;/dhe në mëngjes, kur u zgjova,/ pashë një shtambë të thyer copa-copa para meje,/dhe trishtimin tim të zi të derdhur krejt“.

Poeti e kupton se detyra e tij më e rëndësishme është t'u përcjellë brezave të ardhshëm domethënien e e filozofisë së gjuhës poetike, në mënyrë që ata ta duan dhe ta ruajnë atë dhe të krenohen për tingullin dhe bukurinë e saj si vetë krijuesi. Fjala do të vazhdojë të ruajë kujtesën e popullit. "Turpi i zi" i kohërave do të bëhet "frymëzim" që vlera të zërë vendin që i takon dhe do t'u kujtojë atyre që e kanë hequr dorë nga "Anijet e mbytura"; apo dhe nga „Guriçkat“ dhe „Gjumi“ dhe me goditjen e bukurisë do t'i ndëshkoj blasfemuesit: „Poetët e vdekshëm/presin me ankth majin, o shtatorin,/të shtrëngojnë duart qoftë dhe një mbrëmje“.

Fjala është pjesë e pandashme e përmasave të „Dhjetorit“, „Lypsarit bashkëkohës“, apo dhe tek poezi të tjera si „Vëllavrasje“, „Arat shterpa“, „Mullinjtë“, „Autobuzi B5“ „Distanca“ e mjaft të tjera. Mesazhi i Zarballas - çdo poet i vërtetë duhet të krenohet me vargun e tij, sepse mbi të është krijuar një traditë letrare shekullore - ka kaluar nëpër dekada. Është përgjegjësi e poetëve të sotëm ta përcjellin këtë mesazh në dekadat e ardhshme, për të ruajtur kujtesën stërgjyshore, ndërgjegjen kombëtare, krenarinë dhe vetëvlerësimin. E kush më bukur mund ta thotë këtë poetikisht se sa Andrea Zarballa, poeti që lindi në Llazat të Sarandës më 1941, dhe që gjithë jetën mbeti sikurse e thoshte me kohë miku i tij Agim Mato „Mjeshtër i Madh“ „Duhet pirë ngadalë ky balsam, siç e pinë nektarin perënditë në Olimp“. Dhe në fakt ai do të shtonte edhe në biseda të lira se „Ky ferment i filozofisë, në heshtje, është një pasuri shpirtërore e morale e një njeriu me vyryte, siç është Andrea zarballa, me aftësinë për ta kthyer këtë vyrtyt në vlerë të të gjithëve“.  Aty është udhëtimi imagjinar (breshnorakja) poetik që ngre vlerën mes poezisë dhe fabulës së saj, syzhet, si poezi që mbetet organizëm më vete.

 

‘Breshnorakja’ që mposht stigmën mes kulturës poetike-emblematike



Udhëtimi imagjinar i fabulës së poezisë së poetit Andrea Zarballa është një kumt letrar që vjen në tre kohë. Në të parën është vetë objekti që lidhet natyrshëm me subjektin në hapësirën e tij, në të dytën është pikëlidhja e ndërthortë e këtij objekti me subjektin jashtë hapësirës reale dhe në të tretën është vetë objekti që ndikohet nga e papritura duke lënë subjektin të flasë e nënkuptojë ndjeshëm. Kjo udhëtesë imagjinare mes kësaj trioje kumtore të fabulës dhe syzhet (ndjedhja ose pështjellimi i mesazhit në rafshin metafizik) është ‘proverbi’ i filozofisë në poezinë ‘1997’, jo thjesht si një metafizikë e ndërlidhur matematikore, por si një udhëtesë filozofike që përcakton kohën, hapësirën dhe vendin në të trija kohët. Ja ku është ndjeshmëria e kësaj fabule në një shtjellim model të syzhet: ‘U hodh përpjetë zogu shumëngjyrësh i Butrintit/hapi krahët, /shriqi këmbët e gjata e të holla;/ishte mpirë  /tre mijë vjet i ngurosur dyshemesë së mozaikut./Ish bezdisur pranë luleve të njejta,/pranë gjetheve të njejta vreshti,/pranë peshqëve me veshtrim të përhumbur,/gaforeve dhe akrepave gjymtyrësakatosur/dhe tha të shëtisi deri te liqeni...’ Pra është zogu i vjetër sa ‘tremijë vjet’ të mozaikut historik që dëshmon në heshtje dhe shkruan historinë e atij viti ‘1997’, mes një objekti të qartë dhe një subjekti ku shfaqet filozofia e ‘të panjohurit’. ‘armikut enigmë’, ‘mjeksroshit’: ‘Dhe mori për nga monopati i dafinave,/zgjati qafën dhe lëshoi një klithmë të ngjirur – /duke iu përgjigjur /thirrjes erotike të një zogu mali,/u përkul të pijë  ujë të freskët, /por guriçkat shumëngjyrëshe të trupit/befas, iu shkërmoqën edhe ranë në liqen./Një mjekrosh e kish qelluar lartë nga kalaja.’

Kalaja, mozaiku, liqeni, Butrinti, jetikja mes rrethnajës së ngurtësuar në metafizikë, ku gaforret dhe akrepat gjymtyrësakatosur flasin në emër të historisë, natyrshëm e bëjnë poezinë e poezit Zarballa një dëshmi më shumë në vlerat e tij. Është ndoshta një emetim përkitës me atë që studiuesi shqiptar, Andrea Shundi do ta shtjellonte si ‘stigmate’ tek studimi i tij ‘Vinçenc Prendushi (1885)’ duke cituar se kjo ‘stigmate ishte ‘shenjat e plagëve, të mundimeve dhe të kryqëzimit të Krishtit’ e që në këtë rast është një zog, një pafajësi qiellore që pëson stigmatën nga një mjekrosh’ (Shundi, 1941: 343-348).  Më tej me përkitjen e Shundit shohim ‘një jeh të këndshëm dhe një ushtimë zymnuese’ (Zymnues: ushtimë trishtuese, brengosëse, zymnim, të zymnuerit, trishtoj, brengos, trishtohem, brengosem) kur autori sjell për lexuesin poezinë e tij ‘Në Shkurt’: ‘Rri nën strehën e Dimrit,/duke pritur me ankth të dëgjoj përsëri/tik-takun e sahatit të dheut tim,/të shoh Shkurtin të nxjerrë thikën nga brezi/e të çajë venat e mia, /të derdhet gjaku e të jeshilojnë malet dhe fushat,/të rritën bimët e insektet,/të sundojë kudo përkryerja e luleve dhe e gjetheve,/të kthehen dallëndyshet dhe emigrantët/e ta gjejnë vendin paq të rregulluar...’ (ibid)  A nuk thotë populli ynë qartë se ‘Shkurti është me nëntë mendje’? A nuk është i tillë Shkurti ‘brengosës’ i autorit? Në këtë brengosje Shkurti është fabula e poetit që realizon në heshtje dhe determinon syzhet: ‘Pastaj, lë ta varin trupin tim të zbrazur/në sheshin e shkretë të erërave/e të klithi gjithë ditën si një gajdë Trakase.’ Por lexuesit i jep një kumt dhe një mesazh të qartë duke ndjerë thellësinë e shpirtit që sakrifikon deri në detaj.

Kjo qartësi në vargun filozofik të Zarballës, përbën një mesazh të qartë ‘breshnorak’ (të kristaltë) që e veçon në stilin e tij mes një vargu të lirë e të detajuar (Ashta, 1942: 274-277). Ndërsa Kolë Ashta e sheh ‘të kristaltën’ (breshnoraken) si një dëshmi të së dendurës në vargun e hollë, si një bashkëlidhje natyrore, poezia e Zarballës ‘Një djalë’ mes vargut tipi e shumë domethënës e fuqizon ndjeshëm ‘litari i horizontit do të thurrte shilarse të kaltërta’. Poeti na jep ‘shilarset e kaltërta’ në një sfond me ato që Ashta i pikas mes metafizikës dhe filozofisë tek ‘Vaji i Bylbylit’, por me një sens më të ndjeshëm, me një kapërcim kohor dhe mes një ritmi më të ngeshëm, jo emergjent. Katër çaset, ose katër pjesët që Ashta i determinon në filozofinë e Mjedës, janë amplituda të fuqishme letrare, por edhe referenca në analizat poetike që kërkojnë saktësim, qartësi dhe jo thjesht ‘kritikë për hir të kritikës’ (ibid). Fantazia e lexuesit kritik është ajo që na dikton Ashta, dhe jo ‘kritiku nuk do të ketë vetëm shtirim; do të jetë poet, do t’a ndjejë e t’a riprodhojë të bukurën e në qoftë se fantazija e tij mbetet e plogshtë asht një  mungesë e poetit’ (ibid).

Duke vazhduar në këtë pikë me poezinë ‘I thjeshti’ shohim edhe aspektin tjëtr të Ashtës, atë tek i cili mbetet sensi ‘ndjesor’ ai sens të cilin Tenyson, herët në krijimtarinë britanike do ta cilësonte si një ‘lëvizje të shpirtit me dyluftimin jetë-shpirt poetik’ (Ashta, 1942: 270 & Tenyson,1908: 127). Ndërsa në poezinë e Tenyson vjen mes përkushtimeve shpirtërore poetike, tek poeti shqiptar kjo ndjesi vjen me imediaten, të thjeshtën e më të paktën ‘një gjethe’: ‘I mjaftonte vetëm një gjethe/për të shtrirë mbi të gjithë jetën e tij/dhe të nxënte akoma edhe dy oqeane’.

Tek poezia ‘Vetvrasje’ poeti sjel më në detaj kuptimin poetik të lidhjes ndjesore mes fabulës dhe syzhet. Fabula në këtë poezi është rrëfenja poetike dhe syzhet është ploti. Lidhja mes këtyre dy nocioneve është analoge në lidhje me relacionin praktik të përditësisë dhe jetës. Por, kjo lidhje në këtë poezi shihet edhe si një gjuhë poetike. Syzhet krijon efekte jofamiljare mbi fabulën. Ja më qartë tek poezia në konsideratë: ‘ Pardje, brenda meje vrau veten me kallash /fjala «Κryengritje»,/e fundit, që më kish mbetur/nga ato që Kavafis i quan të «kumbushme»./Për çudi,/nuk më bënë pis trutë e hedhura në erë,/as u mbulova me njolla gjaku./U vertëtua kështu, që, megjithë pretendimet/se lind mendime të reja,/nuk kishte tru,/dhe megjithëse e mbulon botën me gjak,/venat i kishte të zbrazura.’ 

Poezi të shumta të poetit, krijuar në vite, si ‘Spanja’; ‘Distanca’; ‘Fatalisht’, ‘Shkëmbinj’; ‘Dënimet’; ‘Demokracitë bashkëkohore’;  ‘I burgosuri’; ‘Epidavros’; ‘Udhëtimet’; Sëpata’; ‘Duarshtërngime’ etj. e rendisin poetin Zarballa në një linjë të shëndoshë të krijimtarisë shqiptare në vite. Ai me penën e tij ka lënë gjurmë në mjaft fusha të krijimtarisë dhe po aq edhe të publicistikës e përkthimit.

Andrea Zarballa, i lindur në vitin 1942, është një poet shqiptar dhe gazetar i etnisë greke.

Zarballa, ka lindur në fshatin Llazat pranë Sarandës, në jug të Shqipërisë. Ai fillimisht punoi si mësues në gjuhën greke në disa nga shkollat ​​lokale. Në 1968 ai filloi të shkruajë poezi në kolonën letrare të gazetës ‘Laiko Vima’, e cila ishte e vetmja gazetë që publikohej në kohën e komunizmit në gjuhën greke. Ai shkruan që nga fillimet e tij kryesisht poezi në vargun e lirë.

Në 1991 kur regjimi komunist në Shqipëri u rrëzua ai u bë një nga anëtarët themelues dhe presidenti i parë i ‘Omonia’ lokale, organiztaë politike dhe kulturore e minoritetit grek në Shqipëri. Në zgjedhjet e para ai u zgjodh si përfaqësues i Omonoia në Qeverinë Shqiptare.

Zarballa botoi përmbledhjen e tij të parë poetike “Ne këmbëngulin”, në vitin 1981. Zarballa u bë një figurë kyçe në mesin e grekëve në Shqipërinë e Jugut. Ai përdori vargun e lirë si një simbol të shpirtit të lirë. Zarballa në poezitë e tij ka përdorur shumë  elementë tradicionale me një qasje metaforike dhe alegorike.

Në strukturën elektronike online të katalogut të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, poetin shqiptar, Andrea Zarballa e gjejmë edhe me këto përkitje: Monologu i Momos / Kostas Varnalis; Spiro Çika; Andrea Zarballa; To garoikaki: monografi historike / Vangjel Babi; Andrea Zarballa

Zonja e vreshtave: poemë = I kyra ton ampelion : poiiemata/ Giannis Ritsos; Andrea Zarballa; Jani Malo.

Por poeti Zarballa është edhe një përkthyes i shkëlqyeshëm i poezisë më të njohur greke në kulturën shqiptare. Ai mbetet një varg-gatues energjik, një shqipërues i një niveli të lartë, ku mjafton të sjellim një fakt nga poezia ‘Kopshti’ e poetit grek Miltos Sahturis: ‘Binte erë epshi,/nuk qe kopësht ai,/ca çifte të çuditëshme/ecin nëpër të,/këpucët i kishin veshur në duart/këmbët e tyre të mëdha, të bardha të zbathura,/kokat si hëna të egersuara epileptike/dhe befas trëndafila te kuq/mbinin/për gojë/që fluturat-qene/u suleshin e i shqyenin.’ (Përktheu: Andrea Zarballa).

Duke përfunduar natyrshëm mund të themi me plot gojë se vepra e poetit Zarballa, që flet bukur në dy gjuhë mund të flasë këndshëm edhe në gjuhë të tjera që mirëpresin kulturën e bukur poetike. Është pikërisht ‘breshnorakja’ ‘e kristalta’ që dominon dhe i jep larmi poezisë së poetit me një emblematikë të radhë poetike.

 

Referenca:

 

Ashta, K. (1942) Vaji i Bylbylit tek gazeta ‘Shkëndija’, Tiranë, nr 7-8, fq. 274-277.

Biblioteka Kombëtare Shqiptare, Katalogu online. Krijimtaria e poetit Zarballa. Kërkuar Shtator-Tetor 2011.

Maliqi, B. (2011) Bisedë rreth krijimtarisë së krijuesve Sarandiotë. Gusht 2011, takim i hapur.

Mato, A. (2012) Pasfjala tek „Mos e shikoni fundin e detit“. Sarandë: „Milosao“.

Mërkuri, T. (2011) Komunikim privat me email, jeta dhe vepra e Andrea Zarballa.

Shundi, A. (1941) ‘Vinçenc Prendushi (1885)’ Tiranë.

Tenyson (1904) Poezitë e Tenyson, botim i Oksfordit, Londër: Henry Froëde.

Zarballa, A. (2011) Krijime poetike. Londër: ACPE.

Zarballa, A. (2012) Mos e shikoni fundin e detit. Sarandë: „Milosao“.

Faktorë ndihmës: Gazetat dhe mediat shqiptare. Arkiva bibliotekare Tiranë.

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page