
I dedikohet të gjithë mësuesve që na kanë frymëzuar dhe na kanë mësuar ta duam Gjuhën Shqipe dhe shkollën, të besojmë në to dhe të kërkojmë përmbushjen tonë në botën e dijes.
Nga Fatmir Terziu
Në ditën e 7 Marsit mediat shqiptare pyesin shqiptarët, dhe po bëjnë masivisht sondazhe ku pyesin “Çfarë dini për festën?”. Përgjigjet janë shumë më tepër se të kënaqshme, por ndonjëherë ato përmbajnë thelbin e ditës së sotme. Dhe kështu, me një fjali, përcillet i gjithë kuptimi i ditës së sotme. Një festë në të cilën nxënësit, studentët dhe të gjithë brezat ndër vite nderojnë mësuesit e tyre. Një festë kushtuar shkollës, arsimit, shkrimit, Gjuhës Shqipe, njerëzve që i janë përkushtuar misionit të shenjtë të transmetimit, mbrojtjes dhe ruajtjes së Gjuhës sonë të shenjtë Kombëtare.
7 marsi në fakt, nuk është thjesht dita e festës së mësuesit, por dhe dita e festës së shkencëtarit, bibliotekarit, shkrimtarit, veprimtarit kulturor, artistit, përkthyesit shqiptar. Një festë e të gjithë njerëzve që besojnë se Gjuha Shqipe është dielli dhe i kanë kushtuar jetën zhvillimit dhe ndryshimit të botës me të mirë dhe me fjalën e kësaj gjuhe të padiskutueshme mes nesh. Sot është gjithashtu edhe themeli i Fjalës së bukur shqipe, themeli i kulturës shqiptare, sepse një popull i tërë bashkohet, përkulet para letrave të tij, feston iluminizmin dhe nderon dijen si një pasuri e rëndësisë më të madhe pa vlerë reale, por me dimension të pakufi.
Kremtimi i festës së 7 marsit të vitit 1887, i festës që vjen nga dita kur u hap në Korçë Mësonjëtorja e parë kombëtare shqipe, ndryshe është dhe një kremt për një emër të madh, sikurse ishte Pandeli Sotiri, i cili ishte mësues dhe drejtor i parë i saj. Festa mbetet shumë karakteristike për territorin e Shqipërisë edhe sot e kësaj dite, pasi ka rëndësinë e saj historike, ka vlerën e saj diskursive, dhe ka një rëndësi të madhe të padiskutueshme të ekzistencës Kombëtare.
7 Marsi është një festë e shoqëruar gjithmonë me solemnitet të fortë, krenari dhe emocione. E gjithë shoqëria jonë njëzëri e kupton se të gjitha kombet mbesin në destinacionin e shuarrjes pa gjuhën e vetë, dhe po ashtu natyrshëm mbesin lakuriq pa libra. Festa është festë e mësuesit sepse sot ne bashkohemi rreth fuqisë së edukimit dhe kuptojmë se sa e rrëndësishme është për zhvillimin tonë. Edhe në momentet më të errëta, drita e festës së fjalës, shpresa e 7 Marsit dhe mesazhet e ditës u kanë dhënë njerëzve forcë, të luftojnë, të bashkohen, të ndriçojnë dhe çojnë më tej atë që nisi më 1887-ën.
Ka një 7 mars ndryshe në historinë e festës. Kjo festë nuk është thjesht një festë brenda territorit ekzistues gjeografik të Shqipërisë së sotme, por dhe një festë në një hapësirë të gjerë të shqiptarëve kudo që jetojnë në trojet e tyre etnike, dhe madje dhe kudo që ata jetojnë, punojnë, angazhohen dhe edukohen nëpër Botë. Kjo festë ka shtysën e saj dhe me përpjekjet e vazhdueshme që kanë të bëjnë me mbrojtjen e vlerave që u pasuan më pas. A nuk janë figurat e tilla si Ernest Koliqi, Gjergj Fishta, Eqrem Çabej, Lasgush Poradeci etj., ata që ndihmuan në vitet e Luftës së Dytë Botërore, atë që na la një trashëgimi të pasur studimesh për shqipen, pikërisht Norbert Joklin, i cili u ndoq dhe u persekutua për shkak të origjinës së tij hebreje. Po përmend këtu “Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes” (Vjenë 1911), “Kërkime gjuhësore-kulturohistorike nga fusha e shqipes” (Berlin 1923), “Kontribute gjuhësore për paleontologjinë e Gadishullit Ballkanik” (Vjenë 1984), si dhe një varg punimesh e artikujsh në revista të veçanta të specializuara. Jokli e mësoi gjuhën shqipe në moshën 30 vjeçare, duke ndjekur kursin që asokohe udhëhiqej nga Dr. Gjergj Pekmezi, i cili ishte lektori i parë i shqipes në Universitetin e Vjenës. Më pas i pasuroi njohuritë si autodidakt me ndihmën e studentëve shqiptarë të atëhershëm në Vjenë. Ishte meritë e tij që më 1914 në Vjenë u kryen, për qëllime studimi, regjistrimet e para zanore në gjuhën shqipe me subjekte shqipfolëse.
Në vite të tilla përveç mungesës së të rinjve të ndaluar për shënimin e festës, ajo u shënua edhe nga disa nga protestat më të mëdha. Kështu, procesioni solemn i mëngjesit përplaset në mendjen e njeriut të zakonshëm me kortezhin e pasdites, i cili është i mbushur me dëshpërim, sepse është përpjekja e fundit e qëndrestarëve të arsimit, Gjuhës Shqipe dhe vlerave Kombëtare për të ruajtur vlerën e për të shmangur fatin që u ndodhi qindra e mijëra të tjerëve që u privuan të mësonin Gjuhën Shqipe në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Greqi, Turqi etj. Angazhimet e fuqishme intelektuale në vitet e vështira që pasuan më pas 7 Marsin e 1887-ës janë shembull se cilat cilësi duhet të nderojmë sot. Sepse gjëja më e tmerrshme është të ndjekësh një ideologji të pandriçuar dhe larg kuptimit të popullit, që zgjedh festën e iluminizmit si festën e parë.

Comments