![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_dcfdd85dd6834b34b3900e2ce59c67bb~mv2.png/v1/fill/w_980,h_1225,al_c,q_90,usm_0.66_1.00_0.01,enc_auto/a48dbc_dcfdd85dd6834b34b3900e2ce59c67bb~mv2.png)
1.Një dashuri e tillë bie shi
Nga Fatmir Terziu
Në tregun e sotëm të fjalëve me flluska
hyn trazimi i dritës në kuletën e zbrazur
dardha, që desha të këpusja nga fjala,
kalb vetveten në shportën me shifrat e kamur
(por nuk tregon se bishtin e ka mbrapa).
E lashë të mësynte vetë dola në sipërfaqe
me një pjesë balade në sedër:
„Një çift i moshuar në tregun e shtrenjtë,
ne nuk mund ta përballojmë këtë dardhë, zemër!“
Dhe ata ecin të dashuruar me dinjitet.
Një dashuri e tillë bie shi dhe ndalon pa kusht,
flladi i dritës trazon sikurse lulet,
aty-këtu të dashuruarit e tillë në shkurt
e dardha pa bisht u struket.
Në tregun e tillë mes fjalëve me flluska
shoh të tillë të dashuruar nga shumë dekada
rinia që deshën u ka mbetur si pushka
shkrep si qentë që lehin nëpër fasada,
mbi sytë e prushta.
2.Shpirti i shiut
Pak më poshtë se baqthi dhe mollëzës së faqes
lotët marrin hark, shkasin paqshëm si armë.
Diku thellë në anën time të majtë një tingull i zjarrtë
kur remba më bren nga brenda si dallgë:
nëna ime, duke shtrydhur sytë. Unë shikoj lart
qiellin që hapet pafundësisht e më degdis midis yjeve
e rrëshkitja e ujtë, zbret poshtë ngadalë,
më shpie gjashtëdhjetë vite pas,
duke ndjerë ninullën me një ritëm të paparë
aty ku shpirti nga malli gati po plas.
Dora e butë më përkëdhel pa fjalë, në trup
e sytë janë një vullkan me llavë.
Zbret ngadalë kjo dorë, prek flokët e mi të rëna në sup
për të zbutur bardhësinë që ndrin deri në ballë,
duke lagur faqet e për të mos u ndjerë kurë.
O Zot, kjo dorë s'mund të largohet këtë herë,
më largon dimrin e më sjell pranverë.
Dimri u ngri e u shkri brenda një dite
deri në malin e Tomorit, para çdo ngrice.
Era e ftohtë e lagur, fryrja dhe dihama ikin në hava
zgjohen në kokën time nëpërmjet rrënjëve të gjalla
por unë nuk kam makthin për të pritur shiun si ata.
Pak më poshtë se baqthi dhe mollëzës së faqes flakë
lotët marrin hark, shkasin paqshëm bashkë,
me shpirtin e shiut vishen nën armë.
3.Petalet kumbullës së shkurtit
E jashtë imazhit prej lumit
po çelin petalet e kumbullës së shkurtit.
Gjethet janë tani gri dhe të bujshme
e lulet si veshjet në mënyrë të papërshtatshme të trupit.
Ndonjëherë lumi, i pikturon me bujë,
ekspozitë e ekspozuar në ujë.
Pamjet po zhyten gjithnjë e më shumë,
rrënjët kanë filluar të bëjnë rrëmujë,
jam gati të tregoj me dorën time rënien e flokut
dhe po e prek. E ndjej më afër se kurrë,
gjithnjë e më shumë kam folur,
për rënien dhe petalet e shkurtit mbi lumë.
***
Petalet u zbardhën pranë syve të mi
e hapur mbeti ekspozita e iluzioneve në rini.
Pse bien petalet e kumbullave të shkurtit?
Kur bien flokët më shumë?
Disa iluzione kërkojnë dy shembuj,
zakonisht nuk e lodh mendjen të hyjë më thellë këtu,
ftoni dallgët e jetës së çmendur,
që t'ju shoqërojnë mbi ujë.
***
Tani, më lër të të korrigjoj gabimet e dallgëve,
për të kuptuar rrënien e flokëve të mi.
Jam gjashtëdhjetë vite i ardhur,
qëkur u rrite dy mote më shumë se sa e dimë,
kumbull e shkurtit të zbardhur,
e mbjedhur nga babai im.
4.Manifesti i kalimit
Dashuria rreh si zemër në pagjumësi
nuk mund të quhet thjesht produkt i zgjimit
por si rastësi
një manifest i kalimit,
hyn deri thellë nën lëkurë
detyrim i pandreqshëm i syrit,
sepse dashuria sikurse zemra kanë një kantautor
këndojnë bashkë,
mirëkuptohen në një pikë në kraharor,
një ligj i lashtë
një këngë që përcillet në korr
kur dirigjohet nga një pompë e gjaktë
deri sa të jemi e të mos jemi në këtë botë
jemi dhe mbetemi këtu,
jemi bashkë,
kur na prek marria e zjarrit
digjemi në një anije flakë,
për të harruar pse po ecim të përkulur drejt farit,
lexojmë yjet lart,
një manifest i kalimit përtej zjarrit.
5.Dimri po kthehet stinë
Si të erëmirin trëndafilat kur je i huaj?
Po sytë mes tyre me çfarë të vishen
kur hunda tret atë nuhatjen e saj të mbetur
e fjalët e pakuptimta të përzihen
në atë dhëmbin e zverdhur.
Dhe gjuha të mbetet si një gonxhe e paçelur
në majë të buzëve që s'janë më të tuat
mik, shok, zotëri, vëlla më thuaj,
a mund të jetosh gjithnjë i huaj?!
Si të duket vetja në tualet,
kur edhe aty një gjuhë tjetër të flet,
a mund të ndjehesh njësoj
kur dhe ajo „punë“ të tret
me arsyen e thjeshtë se është nevoj.
Në këtë gjendje që bërtet,
duke e mbartur në shpinë
në të vërtetë
dimri po kthehet stinë!
P Si gjithmonë, edhe me këtë cikël, pena e talentuar e Fatmir Terziut vazhdon të na sugjestioi me sinqeritetit prekës, stilistikën krejt të freskët dhe plazmimin origjinal të motiveve. Janë disa shkrepje-fotografi spontane të blicit poetik të tij që ke dëshirë t'i rishohësh dhe e falenderosh Poetin.