top of page

Fatmir Terziu: 110 vjetori i shkollës së Trebishtit të Gollobordës dhe ajo që mungon


110 vjetori i shkollës së Trebishtit të Gollobordës dhe ajo që mundon

Prof Dr Fatmir Terziu

 

Pas disa ditësh në festimin e 110 vjetorit të themelimit të shkollës 9-vjeçare “10 Dëshmorët” të Trebishtit, Gollobordë, pritet të marrin pjesë edhe zyrtarë krahas atyre që janë ulur dhe ende ulen në bangat e një shkolle që u hap njëherazi me atë të Peshkopisë. Ishte koha kur Aqif Pasha, Guvernatori i Elbasanit, i cili i kishte nën administrimin e tij të gjithë këto fshatra me urdhër të Presidentit të Qeverisë së Përkohëshme të Shqipërisë, Ismail Qemal Beut. William Willard Howard, sekretar i “Komiteti i Ndihmave” të Kryqit të Kuq të SHBA (The Relief Committee) sqaron se Aqif Pasha[1] ishte jo thjesht një Kryetar i Elbasanit, por ai kishte tërë autoritetin dhe forcën të menaxhonte territorin e tij shqiptar të Gollobordës, gjë që ai e konsideronte pjesë të zonës së tij qeverisëse. Gjithashtu, mes bisedës së Howard dhe Aqif Pashës mësojmë se Golloborda dhe Gegëria, që ndahen nga Lumi Shkumbin, rrezikoheshin nga orekset bullgare dhe serbo-malazeze. Kështu një zonë e braktisur dhe në një pikë nevralgjike natyrshëm kërkonte ndihmën, por dhe shkollën. Dhe shkolla hapi dyert, sikurse dihet… më 15 Prill 1914, nga mësuesi Ramiz Qatja, ndërsa një ditë më parë, pra 14 prill 1914, në Peshkopi me mësues, Haki Sharofi. Populli i Trebishtit hapi shtëpinë e Mulla Elez Pupulekut, dhe më pas shtëpinë e Idriz Muçinës, deri sa u ndërtua godina e shkollës me bamirësi dhe kontribut vullnetar në vitin 1948.

Historia e emrave që e zanafillën këtë shkollë është tashmë në shkrime, në refleksione, në libra e në memorje, po aq sa dhe ajo që dihet e duhet sqaruar më tej. Por shkolla është vetëm një pikë në tërë atë që kërkon sot e mot ajo zonë, rruga që ka përshkuar në tërësinë jetike, ndaj dhe nuk u ndala pasi shumë gjëra janë thënë e stërthënë me emra që flasin e fliten, duke thënë herë meritoren e herë atë që na vjen si shkas për ta stërthënë sipas shkruesve. Enigmat e tjera janë pjesë e një debati të madh, që faktohet në ditët që jetojmë, ku lëvizja e lirë për arsye të ditura ka bërë që shkolla së pari të mos e ketë më atë numër që ka pasur disa dekada më parë, dhe fshati, po ashtu dhe zona të reduktohet në banorë. Gjithkush e di se pika ku mbaron fjalia është Lëvizja e Lirë. Dhe në këtë pikë të gjithë jemi dakord. Po kohët me një lëvizje të tillë e me të tjera të detyruara si duhet ti kuptojmë deri në një të vërtetë të pranueshme? 

***

Shekuj më parë një kryeprift kallogre, një poet shëtitës i kohës, personifikoi Gurin dhe Zjarrin dhe i bëri ata të flasin në vargje të paharrueshme, duke futur me mend me afirmime dhe kundërshtime të konkurimit estetik midis tyre, etikën e tyre të kundërt dhe të mirat dhe përfitimet që secili i ka i dhënë njerëzimit mes produktit të bardhësisë. Ky dialog tipologjik nga prifti kallogre, ribotoi në lavdi jo vetëm të emrit të tij, por të Kishës së vogël të Kallogjerit, fama e së cilës mbështetet ekskluzivisht mbi atë të transmetimit gjenial të rrëfenjave të bashkëjetesës së kohërave dhe të çdo lloj mënyre vargu të huazuar, ngjallës të produktit që largonte kolerën, pastërtinë, digjte të gjitha mikrobet dhe problemet e padiktueshme me ikjen e njeriut.

Ndoshta polemika e famshme e imagjinuar nga poeti kalimtar mund të shërbejë si një precedent letrar për të më lejuar tani të personifikoj kohën e errët dhe tymin e zi, dhe t’i lëmë ata, nën maskën e një legjende, të mbështesin meritat e ikura bashkë me erërat dhe kohërat e fraqta, duke mbetur jo thjesht tek gjuha që rodhi, por tek kënga që kënduan mbi bazën e tekstin “në tokën Arbërore”. “E ndërsa vesa binte në tokën Arbërore”, sipas tekstit të poetit kalimtar, produkti i bardhësisë jepte rezultatin e një kohe kur vdekja vinte nga e padukshmja, kështu gëlqerja që vinte nga alegoria poetike e djegjes së gurit dhe tymit të zi, në lutjet e kryepriftit kallogre tashmë krijonte emrin tek i cili mblidhej Jeta, Njeriu, Familja. Por, duke ndjerë gjithnjë se diçka ka munguar, siç gjej unë, ndoshta jo edhe tek autoriteti i kalimtares, qoftë si prifti e poeti kalimtar, për të ngjallur krijesa të fantazisë dhe t’u japë atyre pasione njerëzore dhe domethënie mbinjerëzore, gjithçka që mund të bëj është të përcaktoj, në prozë të çuditshme, kontrastet e mahnitshme që kam vërejtur në qasjet dhe rrëfimet e ndryshme historike dhe produkte gojore të transmetuara, mbi të cilat mbështetet historia kulturore e Gollobordës.

Këto kontraste nuk janë as fetare dhe as morale, siç ishin ato të rimuara nga prifti kallogre dhe kalimtari poet midis zhdukjeve mëkatare të njeriut dhe shpresave prej Gurit dhe përkoreve të Zjarrit pastrues, në ekzistencën e qëndrueshmërinë e Tokës, emrit dhe vetë Jetës. Guri dhe Zjarri janë kundër njëri-tjetrit në aspektin ekonomik, ashtu si në fushën sociale dhe kulturore, pasi guri në atë zonë ishte një nga arsyet e jetës, lidhej me fatin dhe vetë zanatin e Njeriut Usta, dhe Zjarri frika e ardhur nga pushtuesi që vinte, digjte në zjarr jetën dhe tërë produktin e një jete, madje edhe moralistët me rreng të ngushtë i kanë marrë ata në shqyrtim gjatë historisë së tyre, duke e parë si një, edhe me mosbesimin, edhe tjetrin e debatueshëm, me favorin. Për më tepër, paralelizmi i kundërt midis gurit dhe zjarrit është kurioz, si ai mes dy personazheve në dialogun rrëfimtar, se ai shkon përtej kufijve të një problemi thjesht kulturor e shoqëror dhe prek pjesët e poezisë. Një poet mund të jetë në gjendje të na japë në mënyrë të fortë dallesën midis gurit dhe zjarrit në kuptim tjetër, ku aspekti kulturor i referohet faktit të tokës, pasi gurët janë produkte të tokës, ku njerëzit janë duke luftuar për jetën dhe ekzistencën dhe zjarri me gurët është një marrëdhënie e lidhur me jetiken e vetë jetës. Ky lloj kompozicioni i dialoguar i cili bart dialektin dramatik të jetës në sferën e artit gjithmonë ka qenë i preferuari i muzave popullore të ngjizura në poezi, muzikë, valle, këngë dhe dramë. Shembujt e shquar të kësaj në Gollobordë janë lutjet antifonale të liturgjive të dy grupeve që karaktorizohen mes kësaj si qëndresë dhe ikje e vendasve dhe të tjerat me kalimtarët dhe misionarët e ardhëqëllimtarët, pikën më nevralgjike të sfumuar nga vetë guri dhe zjarri, që i përket asaj arbërore të palexuar, por të diktuar e rrëfyer duke u shuar dhe kalimtares së shkruar në gjuhë të huaj.

Një baladë popullore tipike, ose një nga ato poezitë e stanzës dhjetë rreshta në rrjedhën e këngëve, kundërshtarët e së cilës ishin protagonistët mashkullorë të diktuar si parësorë e të privilegjuar nga pushtuesi dhe aspektet femërore të vëna në një hapësirë tregu dhe dialektike inferiore, mund të jenë me vlerë edukative në shoqëri dhe dasma, sikurse ndodh mes tekstit të këngëve, sepse në studimin e fenomeneve kulturore dhe efektet e tyre sociale do të ishte e vështirë të gjesh mësime më elokuente, sesa ato që jep Ballkani në kohë dakordësish, për vetë kundërpeshën befasuese midis gurit dhe zjarrit. Kjo është vetëm tek kënga më e detajuar, “Shtatëdhjetë e dy ditë me radhë”, por ndoshta jo tek e vetmja, pasi morali qaset si një hapësirë gjeografike më e madhe, kur flitet për një kontrast kaq të domosdoshëm për ta kuptuar, sikurse do ta sqarojmë.

Kontrasti midis gurit dhe zjarrit në folklor daton nga momenti kur të dy u mblodhën në mendjet e zbuluesve të produktit të bardhë, gëlqere (var). Në kohën e pushtimit të kësaj treve në territorin Arbëror, në shekujt që trazuan gjuhërat, nga okupimet që sollën civilizimin e Evropës në Botën e Re, mendja e këtyre pushtuesve ishte nga ana tjetër e maleve dhe kodrave, ngase kishin fiksuar tashmë lakminë territoriale duke parë bardhësinë e gurëve, produktin tjetër që dilte prej tyre, me të cilën njeriu i atyre anëve realizonte bardhësinë e shtëpive, po aq dhe talentin e të qenit usta që nga lindja (faktet dihen-zanati i ustait trashëgohej). Lakmitarët, tashmë menduan se kishte ardhur çmimi më i mahnitshëm i zbulimit, një lak i fuqishëm i shqisave si me një lloj të ri prosperiteti, mendja me një mister të ri, shpirtin me një mëkat të ri në mësymjen e tyre brenda bardhësisë. Dy gjetjet, gur dhe zjarr, që prodhonin bardhësinë i bënë të shtojnë kërshërinë e tyre territoriale, po aq sa dhe produkti i tokës së pasur në ushqim e malet e mbushura, i bënë këta të iknin e vinin me armën e tyre të shuarrjes së jetës mes zjarrit, si shpagim i mosbindjes.

Jashtë këtyre synimeve territoriale, oreksi shtoi dhe zgjerimin e produktit të tokës së artë që për kohën ishte dhe një arsye më shumë të fiksohej si një interes ekonomik, të bëhej histori e re, të ritregohej fati i gurit dhe zjarrit odave që prisnin e përcillnin tashmë frikën dhe pasigurinë e jetës. Guri dhe zjarri mbetën kështy dy gjëra kryesore në jetëudhën e njeriut të kësaj treve.

Të dy tashmë nuk ishin si shkas të vetmit e një zone, nuk ishin as dhe zbulimet e para, pasi qytetërimet kishin shkuar përtej tyre, por në kohëhapësirën e ndodhur ishin më shumë se sa një arsye. E kështu mes gurit që digjej e zjarrit që përvëlonte, kishte filluar ndryshimi i një bote. Një botë që kishte trazuar vetë rrjedhën e saj. Gjuha në këto raste vinte e bëhej plot mëkate. Digjte rrjedhën e saj, digjte e përfundonte në varre, bashkë me fatet e të parëve.

Guri dhe zjarri janë të dyja prodhime të gjetjes së arsyeshme që seleksionohet, përpunohet dhe qaset për delektimin e kulturave që i konsumojnë në mënyrë estetike për shtëpitë që gjithnjë kanë qenë syri dhe vëmendja e ustait të kësaj zone dhe elementit femëror, që e donte bardhësinë, pastërtinë, shëndetin dhe bukurinë në shtëpitë që dallonin tashmë nga të tjerët. Për më tepër, në prodhimin e produktit të lindur prej gurit dhe zjarrit me produktin që në fakt kishte përdorim të dyfishtë, shëndetësor dhe estetik, të katër faktorët janë të pranishëm: toka, riprodhimi primitiv, puna dhe paraja, kombinimet e ndryshme të të cilave përbëjnë historinë e këtij produkti, që u ngjiz si gëlqere, një nga elementët më të rrëndësishëm, pas vetë grurit, baltës, rërës dhe drurit në një proces të ngritjes estetike të një banese. Por që nga momenti i shkuljes së tyre nga toka, deri në formëzimin e fundit të gurit e produktit të fundit të vënies në shërbim të obligimit njerëzor, si produkt i tij pas zjarrit, gëlqerja, vetvetiu sillen në mënyra gati se gjithmonë kundërshtojnë rrënjësisht lidhjen me zjarrin. Shtëpitë janë të tilla pas së gjithave, por kur zjarri dhe zjarrvënësi nuk kanë arsyen e dhimbjes, natyrisht kundërshtia shkon përtej dhimbjes në të gjitha rrëfenjat, këngët e rrjedhat. Në këtë kornizë të ardhur nga rrëfenjat guri i skalitur në duart e ustait e mbajti zjarrin në shpirt, në zemër e në tërë udhën e tij të ecjes jetike. Sakaq ustai forcoi dashurinë me gurin.

Të ndërmarrësh një studim të tillë në një kohë kur Komisioni i Ligjeve të Parlamentit të Shqipërisë ka miratuar tashmë ligjin “Për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare[2], në të cilin ka përcaktuar se minoritetet në Shqipëri janë nëntë, përfshirë dhe pakicën bullgare, të cilësuar si të tillë popullsinë e fshatrave të zonës së Gollobordës, (që është brenda truallit shqiptar) natyrisht shtohen akoma më shumë vështirësitë. Ashtu sikurse vështirësi të tilla ka pasur dhe më parë, ashtu sikurse problematika e këtyre vështirësive gjithnjë ka lënë në mes të gjitha iniciativat, studimet, ndërrmarjet e mirëfillta studimore në të gjitha kohërat dhe për të gjitha mendimet dhe idetë e bazuara në atë që ka ardhur si e thënë apo e folur në ditët tona mes gjuhës. Ndaj që në krye të herës dua ta them atë që është thelbësore në këtë studim, atë që më detyron të forcojë bindjen time personale se të thuash atë që është realitet, atë që mendon personalisht dhe që e bazon në mjaft fakte të ardhura deri në ditët tona, nuk është thjesht angazhim, nuk është domosdoshmëri për debat, as edhe ndonjë kundërvënie mendimeve të tjera, por një detyrë të cilën duhet ta bëjnë mjaft të tjerë, qofshin nga ajo zonë, apo që kanë arsye të tjera me atë trevë historikisht të njohur, po aq dhe në kuadrin e mendimit të lirë dhe kontributit aq të domosdoshëm për të larguar sadopak errësirat e shekujve.

Në këto errësira sot, ndryshe nga ato që hodhën mirëfilli synimet e duhura, është mjaft lehtë të manipulohen më së shumti, pasi lëvizja e lirë, demokracia, zgjedhja personale, e drejta dhe mjaft të tjera, që shkojnë deri tek përditësia dhe ekonomia, deri tek motivimi me një pasaportë, apo më shumë se kaq, mund të provojnë se errësira është dritë, dhe me këtë dritë të tillë, në mjaft raste verbuese, pa e kuptuar shtohet më së shumti ajo që të paktën kishte mbetur si e tillë e mbuluar, dhe e hutuar në ndasi, përbuzje, zhdërvjelltësi dhe sinonime të tjera për një zonë mjaft të begatë, punëtore e duarartë, që përditë e më shumë sot po zhvishet e po çpopullohet masivisht. Ndodh që në këtë errësirë të quajtur dritë të mbesin edhe mjaft gjëra të tjera, që akoma më shumë e largojnë fatin e kësaj zone nga rrjedhat e gjyshit, stërgjyshit e vetë origjinës në fakt.

Por ky studim, sikurse e thamë, është një ndërrmarje personale disavjeçare, një qasje e mendimeve dhe fakteve toponimike të mbledhura, pos shpjegimeve që vijnë nga aspektet e njeriut, qoftë në gëzim, apo hidhërim, qoftë mes lotëve të gëzimit dhe qoftë mes atyre të vajtimit, qoftë mes arsyeve të tjera, ku jeta ka rrjedhur në ecurinë e saj shekujve të mbuluar nga dheu dhe gurët, atyre shekujve ku shuhej jeta e të parëve të kësaj zone bashkë me emrat e tyre të largët e me gurët e bashllagëve të varreve që u flasin mbi kokë me gjuhëra të tjera, se e folura tretej bashkë me frymën. Por, sikurse dihet dhe pranohet gjithnjë është më mirë të synohet dritë në rrugëtimin e të parëve, në fatet e shkruara prej tyre, edhe pse gjuha e folur, ajo që ka mbetur ka një rrjedhë të vetën[3].

Është më mirë të përfundosh te gjyshi dhe stërgjyshi, se  sa të mbartësh mbi supe fatet e ngulura me forcë, toponimet me gjuhërat që të ka ngarkuar pushtuesi për breza të tërë. Ajo që rrjedh nga ilirët dhe pellazgët, mbart më vete, edhe dëshira, edhe mjaft detyrime që të hapet si një kapitull më vete në historinë e kësaj treve të lënë në harresë, jashtë synimeve të caktuara. Jam i sigurt që të gjithë e dinë mirë, që popujt për shkaqe të ndryshme përgjatë kohërave kanë lëvizur. Lëvizjet dhe pushtimet kanë sjellë ndryshime, jo vetëm në konstrukt, por dhe në A.D.N. Për shembull, Anglezët e sotëm janë të trazuar me romakët dhe fiset gjermane; francezët me algjerianët, turqit u shkëputën nga mongolët; që të mos e zgjas, popujt kudo në botë kanë pësuar ndryshime në A.D.N. Midis tyre dhe shqiptarët, të cilët kanë qenë të pushtuar për shekuj të tërë nga romakët, turqit, sllavët, etj. Po ashtu dhe banorët e kësaj treve, që kanë qenë të pushtuar për shekuj të tërë jo vetëm nga të gjithë, çfarë u sqarua më lartë, por dhe nga vet bullgarët. Atëherë, sa gjak të pastër ka mbetur në genin e popullsisë së Ballkanit?! Dhe pse të tjerët duhet të përjashtohen ka ky evolucion njerëzor?! Pra, dua të them, se sot është e vështirë të gjesh popuj me A.D.N.-në e dëshirave të duhura, ndoshta dhe aq sa për të mbushur librat me financime të shumta. Njerëzit e teorisë së gjakut të pastër për mendimin tim, dashur pa dashur e vendosin veten ndaj bindjeve naziste.

Se kush janë banorët e një zone të tillë në derivatin e origjinës dhe në diskursin e gjuhës, apo dhe të dygjuhësisë, gjithashtu dhe përsëri për mendimin tim, mund dhe s’mund të përcaktohet nga gjuha që flet dhe shkruan, ndërtimet dhe shenjat e lashta që e rrethojnë aty ku jeton dhe gurët e shkruar nëntokë e mbi tokë. Këta komponentë popullit të kësaj zone, nuk i mungojnë, kur vjen fjala e këngëve të mbetura që edhe në gjuhën e grave dygjuhëfolëse[4] këndohet dhe faktohet se “Rosa rosit vo arbanoshka zemja…” (vesa veson në tokën arbërore…)[5], por i mungon dëshmia e shkruar, i mungon madje mjaft arsyeja e gjuhëve të shumta mbi këta gurë, i mungon, ajo që të tjerët në shekuj e bënë sipas rrethanave të tyre për të nxjerrë në pah “orrigjinën” dhe mbi të gjitha dhe “dominimin” e dëshirave të hershme të shtrirjes masive territoriale. Ndërsa ekzistojnë toponimet, dhe shumica e tyre flasin në gjuhët sllave, natyrshëm theksi shkon përshtat teorive që banorët e kësaj zone i përcaktojnë, sipas orekseve të këtyre gjuhë-studiuesve, në një parcelë studimore mbajnë origjinë maqedonase, dhe në tjetrën bullgare, ndërsa toponimet më së shumti janë një përzierje anormale mes gjuhëve të ndryshme sllave, ose në mjaft raste zhargone me ose pa kuptim të saktë, por që mbartin dëshmitë gojore të rrëfimeve, legjendave, miteve.

Kohët e fundit studiuesja bullgare Веселка Тончева (Veselka Toncheva) ka realizuar një libër studimor nga terreni në gjuhën bullgare, më së shumti me banorë të Steblevës dhe disa të tjerë nga kjo trevë me banim në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ku ka marë biseda, të dhëna kulturore, gjuhësore, këngë të kënduara, por edhe mjaft të dhëna të tjera. Sikurse thuhet në pasthënie “Libri “Bullgarët nga Gollo Borda-Shqipëri: Tradita, muzikë, identitet[6] prezanton një bashkësi jo të njohur në Bullgari, por dhe në Gadishullin Balkanik, fati historik i të clëve është shumë interesant – bullgarët nga Gollo Borda, Republika e Shqipërisë. Pas shpalljes së pavarësisë të Shqipërisë gjatë viteve 1912-1913 dhe përcaktimi i kufijve të saj të rinj, pjesa më e madhe nga qytezat e krahinës Gollo Bordo mbeten në territorin e Shqipërisë – 21 fshatra mbeten në Shqipërinë Lindore, kurse 6-në territorin e sotëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut” (Toncheva, 2009: 302). Në plan të parë duket se ky libër nuk shkon në komente të debatueshme, përveç atyre që shkojnë në përcaktime nga kënde të njohura. Nëse mbetet për të dëshmuar, ajo që thuhet se gjenden edhe sot banorë të kësaj treve, që nuk flasin gjuhën shqipe, kjo është një plagë e dyfishtë, pasi ata nuk flasin dot as gjuhën vendase. E folura e tyre, është një e folur sikurse ndodh me njerëz të tillë, të izoluar ekonomikisht, të rrethuar në kushtet e tranzicionit të vendit e me mjaft probleme të tjera, që kërkojnë natyrshëm vëmendje më vete. Sidoqoftë, ajo që trajtohet deri diku edhe pajtohet me realitetin e folur, por nuk shkon me atë që duhet të bazohet në faktorë të cilët kanë rrjedhat e veta historike dhe kulturore. 

Ndryshe a do të na vinte në ndihmë ekzistenca e thellë toponimike sllavo-bullgare deri në Vlorë me “Novoselë”; më tej me “Boboshticë”, “Çorovodë”, “Starovë; “Zadrimë”, “Zvezdë” etj., që të themi se toponimet janë emërtesa të vëna qëllimshëm dhe zyrtarisht për të realizuar qëllime të njohura prej kohësh. Kuptohet fare qartë se gjatë sundimit bullgar, në hapësirën e Gollobordës ishte vënë shtresa e parë e toponimeve sllave, dhe ky shtresim sllav ka vazhduar me intensitet edhe më të madh gjatë shekujve XIII e XIV, kur tokat arbërore u pushtuan dhe u administruan nga Nemanjidët serbë, për plot dy shekuj, deri në depërtimin e osmanlinjve aty rreth vitit 1389, të cilët mund të themi se ndërprenë sllavizimin e mëtejshëm të toponimeve dhe antroponimeve në viset verilindore dhe helenizimin e mëtejshëm në ato jugperëndimore të Arbërisë Mesjetare etnolinguistike dhe etnografike. Sikurse është vënë në dukje edhe nga profesor Eqerem Çabej[7], “për krijimin dhe ngulitjen e gjithë kësaj toponimie detyrimisht ka ndërhyrë administrata shtetërore bullgare”[8]. Kjo ndoshta mund të thuhet se mbi bazën e asaj kur dihet se gjuha nuk është mënyra e vetme për të përcaktuar përkatësinë etnike, natyrisht duheshin dhe forma të tilla, që të mbushnin arsyen e qëllimit (Siegel, 2017: 24). 

Pas depërtimit të sllavëve në Ballkan, dhe sidomos pas vendosjes së administrates së tyre në tokat arbërore gjatë shek. XIII - XIV, ata bënë ndryshime të mëdha në jetën shoqërore të popullsisë balkanike, si në aspektin material, ashtu edhe në atë religjioz. Administrata dhe kisha sllave ka lënë gjurmë të thella në të gjitha fushat e jetës shoqërore, por këto gjurmë më së shumti mund të shihen në lëmin e ndryshimeve të toponimeve. Edhe mendimi i shumë dijetarëve vendës si edhe të huaj, e sidomos ai i bizantologut francez Alë Dykelie (Allain Ducellier[9]), dhe të historianit anglez Noel Malkolm (Malcolm[10]), është se gjatë sundimit mesjetar bullgar dhe atij serb, është vënë shtresa e parë e toponimeve sllave.

Fakte të shumta të traditës së trashëguar gojarisht në këtë trevë ndoshta hedhin dritë në një errësirë që vjen nga shekujt si e tillë. Thuhet se kur një fëmijë qante shumë, ndërsa lindte dhe nuk pushonte së qari, dhe kur nuk i njihej “dermani”, prindërit e dërgonin në një kishë aty afër, edhe pse fëmija mund të ishte i besimit Islam nga prindërit, pasi në heshtje kjo thuhej se ishte “derman i të parëve”, ashtu sikurse ky “derman” (shërrim) shikohej dhe në mjaft aspekte të tjera kulturore, që dallonin nga lagjja në lagje, nga fshati në fshat e më tej në zonë. Veshjet ndryshe të grave, pothuajse për secilin fshat, fjalë dhe fjalëformime të ndryshme, pa pasur ndonjë afërsi me ndonjë gjuhë, sikurse ndodh me emërtesën “Rebori” për një vend që kishte dy emërtime. Njëra vinte si e tillë nga trashëgimia e mbetur, pra si “Rebori” dhe tjetra si “Bellana zemja” (toka e bardhë), nga rëra e bardhë gëlqerore, që gjendej aty, pikërisht në zemër të malit Ahu i Koços, që kishte toponimin sllav “Koçoska Buka”. Në kërkimet tona për këtë fjalë, pra për toponimin “Rebori” nuk gjendet ndonjë lidhje me gjuhët sllave, bullgare, serbe apo maqedonase, as me ndonjë zhargon vendas, por me një kuptim që hamendësohet të jetë krijuar nga barrinjtë e fshatit Trebisht Bala, ndërsa atje retë bëheshin si bori, dhe mali në atë pjesë gjëmonte nga rrufetë. Kështu retë si bori, apo rrufetë që binin retë si bori, mund të ketë sjellë këtë emërtim toponimik, të pafshirë nga kujtesa në gjuhën e të parëve, duke mbetur vetëm si toponim “Rebori” i atij vendi që banorët e quajnë me dy emërtesa.

Kjo bëhet më efikase, pasi tashmë dihet se më tej me pushtimin nga serbët, filloi edhe ndryshimi i emërtimit të vendeve dhe vendbanimeve në hapësirën ku përfshihej edhe Golloborda. Vetë transformimi i emërtimit të kësaj zone nga “Dulgoberda” në variantin e sotëm “Golloborda”, duket se ka qenë më në favor të synimeve të pushtuesit, për ta cilësuar atë si një zonë me kodra të zhveshura në gjuhën e tij. Në studimin e I.S. Jastrebov[11] ndeshet dhe një emër tjetër për këtë zonë që ai e quan “Kollobormë” (1904: 120).

“Kriteri më i mirë për përcaktimin e përkatësisë etnike do të ishte një deklarim vetë-referencial i vetëdijes etnike, por ky kriter është i pa praktikueshëm” (Herrin dhe Saint-Guillain; 2011: 117-118). Atëherë edhe efekti i ndjekjes së rrjedhës së individit, në një formë a në një mënyrë tjetër, mbetet mjaft problematike. Fatkeqësisht kur bëhet fjalë për përshkrimin e njerëzve në një prosopografi[12], është e pamundur të përcaktohet se kush e foli atë gjuhë dhe kur. E vetmja konsideratë e qartë është se në zona etnike homogjene zakonisht flitej një gjuhë, ndërsa zonat me popullsi të përzier dhe familje të përziera janë dygjuhëshe. Në këtë drejtim, roli i vendit të banimit fiton rëndësi.

Gjatë ceremonisë së akordimit të titullit “Qytetar Nderi” nga Komuna e Arrasit e Dibrës, në Muzeun Historik Kombëtar me datën 26 maj 2008, historiani, Profesor Kristo Frashëri,  iu përgjigj edhe një pyetjeje  të  bërë  për Gollobordën. Pyetja ishte: Gollobordasit janë minoritet  maqedonas, minoritet bullgar apo janë shqiptarë? Ai u përgjigj: “Historia shkruhet dhe argumentohet me dokumenta”, – theksoi Frashëri. Sipas tij, në Gollobordë banojnë tre grupe njerëzish: Në Gollobordën Përëndimore  ka fshatra shqipfolës, identiteti i tyre as që vihet në dyshim që janë shqiptarë. Në Gollobordën Lindore ka fshatra dy gjuhë folës, shqip dhe bullgarisht. Rajoni i Vjetër i Maqedonisë ka qenë përbërë nga helenët, ilirët dhe thrakët. Pra nëqoftëse bëjmë fjalë për maqedonas etnikë, janë ilirët.”

Sikurse e citova që në fillim se ky studim është një detyrim personal për të nxjerrë në dritë disa nga toponimet që flasin mes “dhimbjes” së tyre të hershme të mbuluar e të panjohur, por të ardhur vetëm mes rrëfimeve dhe interpretimeve nga më të moshuarit, dhe nuk ka për qëllim të merret me debate e mjete të tjera jashtë këtyre fakteve dhe faktorëve që flasin vetëm me aspektet e tyre kulturore, që u ngjizen toponimeve. Të tjerat janë një e tërë që kërkon lexim dhe jo interpretim ndryshe të këtij faktori që u bë objekt i këtij studimi.

Banorët e kohërave historike thonë në rrëfenjat dhe në tregimet e mbetura gojarisht brez pas brezi se popullsia e këtyre zonave shtohej dhe ndryshonte herë pas here dhe se ardhësit e rrinj gjithnjë ishin fizikisht një popull i përzier i barinjve dhe endacakëve, që endeshin nëpër male dhe kodra të rajonit. Ndërsa ata banorë, të cilët e quanin veten vendasit dhe më vonë njiheshin si "majstori", ishin në fazën para-metalike të civilizimit rreth 3000 p.e.s. Provat kryesore të ekzistencës së tyre sigurohen nga gjetjet spontane dhe gërmimet e herëpashershme, sigurisht të rastësishme, që kanë ndodhur dhe që janë harruar, nga disa objekte që ndodhen diku nëpër muzeume, apo dhe disa të shkatërruara nga kohërat dhe mos-interesi institucional, por kuptimi i provave gojore dhe atyre të trashëguara kulturalisht në shumë raste është padyshim spekulativ.

Ata që pretendojnë për pastërtinë e racave në gjuhën e një banori nuk do të gjejnë tek ata asnjë provë të tillë mbështetëse për të vërtetuar pikëpamjet e tyre. Kjo zonë u çlirua në 1912 nga Perandoria Osmane, sikurse i gjithë territori shqiptar, dhe para kësaj kohe kjo pjesë u bë gropa që spontanisht u mbush me ardhjet dhe ikjet prej dhe drejt qytetërimeve të tjera. Njerëz të ndryshëm migruan dhe ata u infiltruan në kulturën e banorëve vendas, ashtu sikurse dhe ata që ikën e u larguan u përshtatën në kulturat e vendeve ku shkuan, gjatë okupimeve të ndryshme dhe shumë prej tyre gjatë okupimit shekullor Otoman u konvertuan në besimin Islam. Por bashkëjetesa e besimeve ka qenë mjaft efikase, faktet e ekzistencës së xhamive dhe kishave nëpër fshatra të ndryshëm të kësaj treve flasin për një fakt të tillë, përjashtuar disa fshatra që mbetën në besimin e vetëm kristian, apo dhe të tjerë në besimin e konvertuar mysliman.

Gjithnjë flitej dhe tregohej në fakt se deri në disa vite të mëvonshme fise dhe familje të ndryshme janë ngulur në këto treva dhe kanë gjetur qetësi dhe bashkëjetesë të paqtë me vendasit. Klima e tillë e butë e vendasve, rajoni ndoshta i përshtatshëm për tu mbrojtur nga ndërhyrjet brutale deri shfarosëse i kanë bërë këto veprime gjithnjë e më jetike, deri në gjetjen e gjuhës së përbashkët, akulturimit dhe përshtajes. Në raste të tjera, kostumet që ende trashëgohen, janë gjithnjë e më shumë dalluese në fshatra të ndryshëm, gjë që ndoshta rrëfen qartë për këtë fakt. Sikurse e kemi cituar në këtë studim, kostumet tradicionale të grave janë dalluese, madje me to mund të dallosh ende dhe mjaft lehtë nëpër dasma e festa tradicionale se të kujt fshati janë ato. Këto kostume janë një trashëgimi, sikurse gjuha që trashëgohet për të sjellë në pah mjaft gjëra që janë dhe mbetet mister. Me këto dy fakte deri në një farë mënyre mund të themi se mund të hapet një dritë më shumë në përqasjen e fateve të popullsisë së kësaj zone, të paktën sot kur mundësitë janë më të lira në shfaqjen e mendimeve të bazuara në kërkime shkencore.

Gjatë viteve të shkollës së mesme në Elbasan, jam përballur, shumë herë, me emrin që quante banorin e lindur në këto fshatra "Gollo", sepse kishte lindur në një nga fshatrat që prodhonte ndërtues me shkollën e trashëguar nga të parët, fshatra që janë pjesë e Gollobordës dhe flasin dygjuhësi edhe gjuhën e tyre tipike të përzier, që në disa raste e quajnë „nashki“, „bullgarsko“, por dhe „makedonski“ dhe gjuhën shqipe. Ata e thërrisnin emrin e të rrinjve që vendosin në qytet, për shkollim, edukim dhe në ratse të tjera me prindërit e tyre familjarisht, në mënyrë nënçmuese, që tingëllonte keq dhe sillte konotacion mjaft të keq. Nuk do ta kisha mendjen nëse ata do të kishin thirrur së pari në ndonjë grup tjetër etnik shqiptar. Në fakt ishte absurditet i pakuptueshëm që i thërrisnin në këtë mënyrë, sepse ishin gollobordas dhe flisnin të dy gjuhët, pra një gjuhë që flitet dhe nuk shkruhet në zonën e Gollobordës dhe në gjuhën shqipe, gjuhë, sikurse shumë të tjerë në fshatrat që ndodhen në territorin e Shqipërisë, mjaft prej tyre e kishin mësuar në shkollë, pra në klasën e parë të shkollës tetëvjeçare.

Paraardhësit e tyre kishin veshje të ndryshme nga ajo e qyteteve ku vendoseshin ata, por ajo në kohën e tyre nuk ishte parësore, pasi komunizmi i kishte bërë unike veshjet, sepse ato shfaqeshin vetëm në festivale, e në disa ceremoni festive tradicionale, sigurisht nga jo të gjithë. Klima në Gollobordë ndoshta bënte më parësoren që veshjet të ishin më të trasha e prej leshi gjatë dimrit. Si rezultat, veshja në tërë Gollobordën, karakterizohej nga rroba të rënda leshi. Qytetet, duke përjashtuar atë klimë si e qytetit, kur bëhej fjalë për Shqipërinë e Mesme, ndodhte të ishte me një ndryshim klimatik më të butë, por mjaft fshatra ishin thuajse me dimra të ashpër.

Njësoj si në vendin fqinj, Maqedonia e Veriut, ku hershëm thuhet se gjuha maqedonase e shkruar nuk ekzistonte, Golloborda fliste një dialekt që përmban fjalë nga gjuha bullgare. Dhe kështu dhe në anën e Maqedonisë së Veriut, kur atje u zhvillua një lloj zyrtarizimi i gjuhës, ata të cilët u përshtatën me këtë gjuhë në vitet që pasuan, i quanin fshtrat e Gollobordës me nofkë dhe vendasit e tyre "torbesha" me vërejtje poshtëruese, duke i treguar analfabetë dhe jo shumë të zgjuar. Pra një zonë e mbetur nga të dy anët e nofkëzuar, me një gjuhë të lënë pas dore, natyrisht mund të thuhet se me të gjithnjë është luajtur me fatin e krijuar nga Zoti. Edhe pse njerëzit, burrat e kësaj zone kanë ndërtuar qytetet dhe kryeqytetet e të dy vendeve, dhe mjaft vendeve të tjera në kohëra të ndryshme, ajo që sillej akulturalisht me fatet njerëzore sillte në jo pak raste dyshime të thella. Fati përcaktohej vetëm nga gjuha. Edhe, nga dygjuhësia që sillej si një faktor i papëlqyeshëm tek të gjithë që flisnin vetëm një gjuhë, kjo mjaft e theksuar në kushtet e komunizmit, ku mirëfilli funksiononte si një racizëm nënsipërfaqësor, i strukur, por mjaft i rrezikshëm.

E gjithë historia ballkanike, kryesisht historia shqiptare gjatë komunizmit, bazohej në nacionalizëm duke mos marrë parasysh faktet historike. Fëmijët mësoheshin që në moshë të hershme të mendonin se asnjë vend tjetër me fjalë nuk është më i mirë dhe ka arritur bëma të një shoqërie të madhe të rëndësishme sesa Shqipëria. Aty të gjithë në fakt ishin të detyruar të pajtoheshin, mënjanonin vetveten, huazonin nga vetja, shkrinin nga tradita dhe dalëngadalë dhe humbisnin përditë e më shumë nga origjina. Kjo është e prekshme. Kjo është e ndjeshme. Kjo është e kuptueshme. Por, ajo që mbetet një problem është e shkuara. Është ajo që duhet të përcaktohet shkencërisht dhe pa hamendësime se ku i ka rrënjët, dhe me cilët rrënjë është mbajtur gjallë kjo zonë, që tashmë ka fituar zyrtarisht statusin e etnicitetit bullgar.

Gjyshi dhe gjyshja gollobordase me siguri flisnin gjuhën e zonës, por gjuha e zonës ka lëvizur bashkë me ikje-ardhjet, bashkë me trazimet dhe zhdukjet e paevidentuara dhe hera-herës ata e trazonin atë, duke sjellë në vëmendje se kjo gjuhë nuk ishte një gjuhë e qëndrueshme, por një gjuhë që kishte mbetur e trazuar dhe e trashëguar me ndërhyrjet e dukshme dhe të padukshme të disa gjuhëve. Të parët me heshtjen dhe zgjuarësinë e tyre udhëzuan në fëmijërinë e secilit mes kësaj gjuhe që të bëhen ata që janë sot, i këshilluan të jenë të denjë, të edukuar dhe gjithnjë gëzoheshin kur u sillin nipër e mbesa nga shkolat ku edukoheshin, nota të mira nga shkolla ku mësonin gjuhën shqipe. Por, dihet që mjaft të tjerë, dhe nga ata që përbënin një numër të konsiderueshëm që herët kishin folur dhe gjuhë të tjera, si turqisht, italisht, bullgarisht, greqisht e ndonjë gjuhë tjetër. Të parët gjithnjë tregonin me këto gjuhë në bashllagët e mbetur të varrezave dhe shpeshherë shfrynin me dihamën që e mbante guri dhe toka. Por atëherë askush nuk sillte nëpër mend se një ditë do të duheshin aq shumë ato rrëfime të tretura tashmë në dhe.

Sidoqoftë dhe mbi të gjitha shkolla e Trebishtit feston 110 vjetorin e saj në kushte ndryshe, ku secili tashmë që i përket lëvizjes globale, po aq dhe synimeve për një Europë të bashkuar është i lirë në zgjedhjen dhe përcaktimin e  tij personal. Shkolla që ka nxjerr emra të mëdhenj ka natyrshëm meritën e saj dhe merita e përmbush urimin Gëzuar në shekuj!

 


[1] Në prill të 1913 me largimin e trupave serbe nga qyteti, Ismail Qemali e emëroi prefekt të Elbasanit, detyrë të cilën e ushtroi derisa më 1914 u emërua ministër i Brendshëm dhe i Luftës në periudhën e Princ Vidit.

[2] Profesor Kristo Frashëri[2] ka deklaruar se “Në kuadrin e kartës së OKB, theksoi historiani Frashëri, ortodoksit e zonës së Gollobordës mbi bazën e vullnetit të tyre kanë të drejtën të vetdeklarojnë shtetësinë dhe kombësinë e tyre. Vetëm një gjë duhet patur mirë para sysh se toka e Gollobordës është tokë shqiptare dhe për mbrojtjen e saj nga pushtuesit serbë dhe bullgarë kanë dhënë jetën shumë patriotë të kësaj zone, kanë vdekur edhe gra e fëmijë.” (Frashëri, 2012).

[3] Akademik Veselin Hadjinikolov: Ndikime të ndryshme ndikuan edhe në gjuhën shqipe dhe shkrimin e saj. Shqiptarët prej kohësh kanë folur dhe shkruar në përkatësisht shqip, italisht, greqisht dhe sllavisht. Nga shekulli XII deri në XV, popullsia shqiptare në perëndim ndjeu ndikim kulturor italian, dhe në lindje - grek dhe bullgar.

[4] Sadikaj, H. (1999) Krahina e Gollobordës gjatë shekujve të XI-XIII tek “Gollobordasit e sotëm”. Tiranë: “Marin Barleti”; faqja 72.

[5] Komentuar dhe nga A. Çadri si: “Një shembull në këtë drejtim paraqet edhe krahina e Gurabardhës, ku megjithëse flitet gjuha sllave, burrat mbajnë kos- tumin shqiptar, ku bie në sy veçanërisht mbajtja masive e qeleshes së bardhë, ndërsa gratë nëpër dasma këndojnë në sllavisht këngën “Rosa rosit vo arbanoshka zemja” (vesa po veson në tokën arbërore), pra ato pohojnë se jetojnë në Arbëri.” Gazeta “Rruga e Arbërit”, shtator 2014. Fq 19. 

[6] Libri është i ndarë në dy pjesë – tekst shkencor dhe materiale në terren. Teksti shkencor prek aspekte të rëndësishme nga historia, feja, traditat kalendarike dhe ritet familjare, muzika dhe identiteti i bashkësisë bullgare. Materialet në terren (të regjistruara dhe incizuar nga fshatrat Steblevë, Klenjë dhe Vërnicë, si dhe të njerëzve të shpërngulur nga Gollo Borda në qytetet Tiranë dhe Durës) përmbajnë: tregime të zgjedhura dhe intervista të lira për historinë, fenë, besimin dhe kulturën tradicionale të bashkësisë, si dhe identitetin etnik (me një përfytyrim personal për prejardhje, gjuhë dhe përkatësi etnike) të botuar në dialektin vendas: folklori muzikor-88 këngë me tekste me nota, harta dhe fotografi. Popullarizimi i këngëve dhe analizimi i tyre në tekst janë një farë akcenti i këtij botimi – deri në këtë moment foklori muzikor i bullgarëve nga Gollo Borda nuk është shkruar, inçizuar, i shkruar me nota dhe botuar jo vetëm në Bullgari, por dhe në vendet fqinje ballkanike.

Qëllimi i këtij libri është dokumentimi dhe ruajtja e dijes traicionale të bullgarëve nga Gollo Borda. Libri i njeh lexuesit me një bashkësi bullgare jashtë kufijve të Bullgarisë, e cila ka jetuar në një mjedis të huaj gjuhësor dhe të huaj për nga ana etnike, por që ka ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditat bullgare gjatë kalimit të kohës.

[7] Cituar tek Sadikaj, H. (1999) Krahina e Gollobordës.

[8] Cituar tek Sadikaj, H. (1999) “Krahina e Gollobordës gjatë shekujve të XI-XIII, faqja 71.

[9] Alain Ducellier ishte një historian dhe profesor francez emeritus në Université de Toulouse-Le Mirail i cili u specializua në studimet bizantine dhe krishterimin në Lindjen e Mesme. Ai ishte autori ose redaktori i më shumë se 40 librave.

[10] Sir Noel Robert Malcolm, FRSL, FBA është një gazetar politik anglez, historian dhe akademik. Një studiues i King's në Eton College, Malcolm lexoi historinë në Peterhouse, Kembrixh dhe mori doktoraturën e tij në histori nga Kolegji Trinity, Kembrixh.

[11] Jastrebov, S. I. (1904) Stara Serbija i Albanija (Serbia e vjetër dhe Shqipëria). Beograd: Putevije Beleshke.

[12] Në studimet historike, prosopografia është një investigim i karakteristikave të përbashkëta të një grupi historik të njerëzve (biografitë e të cilëve mund të jenë kryesisht të pashtershme) me anë të një studimi kolektiv të jetës së tyre, në një analizë të shumëfishtë-karrierës.

40 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page