top of page

Fatmir Shqarri: Për librin e Ahmet Shqarrit, "Kur ke çfarë të kujtosh"



 

Personazhet që lëvizin në librin me kujtime të Ahmet Shqarrit, "Kur ke çfarë të kujtosh".       

 

Letërsia nëpërmjet gjinive të saj të larmishme, si qëllim kryesor ka përmbajtjen, por në këtë brendi a përmbajtje, lëvizin personazhe të shumtë, që në libra të ndryshëm janë nga disa, në qindra. Dhe në kujtimet e Ahmet Shqarrit, personazhet janë të shumtë, se jeta e veprimtaria e tij ,ka qenë e tillë, të komunikojë me njerëzit, që në moshën e fëmijërisë, të rinisë, ushtrisë, në jetën studentore dhe më pas në periudhën, kur puna  që filloi në radio Tirana, e donte të takonte njerëz të profesioneve të ndryshme, sidomos sportistë, që nga njerëzit e thjeshtë e deri te personalitete të shquara të vendit e të huaj. Nuk e di, ata që kanë lexuar librin, a e kane gjetur veten në këtë libër apo jo… Unë e kam gjetur, si vëlla i Ahmetit, por dhe si banor i këtij qyteti, me pamjet, lojnat e ndryshme të fëmijërisë, me toponimet a emërtimet e vendeve e të tjera gjera, që përshkruan në libër.          

Sipas një numërimi rigoroz, në libër përmenden jo pak, por mbi 500 persona, të cilët sipas kujtimeve të Ahmetit, janë takuar realisht nga ai, në marrëdhenie pune, si gazetar apo shoqërore, kuptohet peronazhe që i kanë lënë mbresa.        

Personazhi i parë dhe më i rëndësishëm i kujtimeve të këtij libri, është vetë autori i veprës, Ahmeti, që me mjeshtri artistike, rrëfen për veten dhe botën që e rrethon, rrëfim që na mban pezull me ngjarjet e ndryshme, deri sa mbyllim dhe faqen e fundit të librit. Personazh, që vjen e rritet natyrshëm nga njëra faqe në tjetrën, duke bërë paralelizëm me emisionin e tij të famshëm, "Nga njëra ndeshje në tjetrën" .        

Personazhi i parë, që përmendet në libër është Mumë Hybja, nëna e mrekullueshme e tij dhe e jona, fëmijëve të saj, të cilën e përmend, kur shtëpia jonë, i dukej si kala, duke e krahasuar me shtëpitë e tjera, Meti kujton se, kur ishte i vogël, Muma e merrte me vehte dhe shkonte te kushërinjtë a shoqet e saj, për vizita të ndryshme. Meti thotë për mumën, "Me  paraqitjen e  saj prej zonje, e urtë dhe shumë e respektuar, me napën e saj, gjithmonë borë të bardhë në kokë, ajo ngjante si shenjtore" .           


Kujtimet vazhdojnë me personazhe të tjerë, shumë të rëndësishëm, Lal Fadili, kështu e thërrisnim babanë, ndër këpucarët më  të mirë të qytetit, që bënte me duart e tij, këpucët alpine, që përdoreshin për dimër, që mendoj se ishte njeriu, që na donte më shumë se kushdo tjetër.          

Meti kujton, "Lala lodhej  çdo  ditë  nga  puna  në dyqan dhe në  kopsht, që  duhej  punuar e  mbjellë,  kështu  që  i ishte bërë zakon që drekën ta gjente gati kur kthehej nga  dyqani  për  në shtëpi. Dhe Muma e urtë dhe  e kujdesshme sa  s’ka më, përpiqej ta  shtronte pikërisht  në  këtë kohë  drekën".                      

Gjeografia e kujtimeve është e larmishme, si në përroin e ndërgjegjes, ato fluturojnë nga një vend në tjetrin dhe ketë herë dalin personazhe të tjerë, non Honmja, gjyshja e Ahmetit dhe e jona, nga nëna, gruaja më zemërmirë dhe më e dashur, që kemi njohur. Meti thotë,          "Kam qenë me  shumë fat që  kam  pasur  një  gjyshe aq të urtë,  të dashur dhe  shpirtmirë, me ato  çitjane të  zeza  dhe  me  napën e  bardhë në  kokë,  imazhin e së  cilës e kujtoj edhe më  mirë sot , kur më  qëllon të  shoh  ndonjë  fotografi  të  Marubëve me  gra  të veshura pothuaj asisoj! Po ashtu  kujtoj gjyshin, babë Rrahimin të cilin e mbaj  mend mirë nga  qeleshja që nuk e hiqte  nga  koka dhe  nga  xhoka  e shallvaret e leshit,  që  më  shumë na  bërtiste për  çapkënllëqet tona, se sa na përkëdhelte"…        

Në një moment tjetër në kujtime, del dhe halla jonë, Biku, që kishte rritur Lalën dhe xha Hasanin, se prindërit, gjyshi nga lala, Ahmeti dhe gjyshja, Havaja, i kishin lënë të vegjël, e ndihmuar fillimisht, nga vëllai Sulejmani dhe më vonë nga vëllai tjetër, Muharremi.            Personazhe të tjerë të rëndësishëm jemi dhe ne motrat e vëllezërit, motra e madhe Liria, motra e vogël, Eglantina dhe më pas dy vëllezërit Fatmiri dhe Ylli.          


Për të kaluar te njeriu më i rëndësishëm në jetën e Metit, shoqja e tij e jetës, Engjëllushja, Meti kujton takimin e rastësishëm me të, takim që do të ishte vendimtar për jetën e tij të ardhme. Studiuesi i këtij libri, Përparim Kabo, në shënimet e tij, thotë për Engjëllushen, "Engjëllushja të ndihmon të mendosh saktë dhe të shprehesh qartë. Unë e adhuroj cilësinë e punës së saj. Një përkthyes i keq e vret mendimin. E deformon, ose e perçudnon...kështu prish historinë. Engjellushja është një dritë e butë e dinjitetit. Një grua që di histori, që ne si dimë ...por që e ka të mençur edhe heshtjen".        

Emrat më të rëndësishëm do të vinë më pas, janë vajzat e mrekullueshme të Metit dhe mbesat e mia, Kleitia dhe Marseida, të cilat një pjesë të fëmijërisë, sidomos Kleitia, e kanë kaluar në këtë qytet, në Peqin, nën kujdesin e mumë Hybes, që i donte  aq shumë, mjalti e mjaltit, për të cilat Meti flet me dashuri atërore.

Për të kaluar te mrekullia Mabel, vajza e Marseidës, mbesa dhe e bukura Metit, për të cilën ai, merr rrugën për në Amerikën e largët…

Në libër janë plot emra siç ju thashë, të afërm, shokë të fëmijërisë, shokë të punës, miq të vjetër e të rinj, por në këtë analizë është e pamundur të përmenden…    

Ahmetit i urojmë suksese dhe jetë të gjatë e të shikojmë libra të tjerë prej tij...

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page