Nga Fatmir Minguli
Rezonime të jetës së autores me narrativën fiction
(Shënime mbi romanin “Në duart e fatit” të Zamira Hoxha Kamberi, botime 2 M, Durrës, 2024)
Zamira Hoxha Kamberaj, sot është shkrimtare që ka hyrë në radhët e autoreve që kanë sukses me botimin e romaneve. Edhe pse romani i fundit “ Në duart e fatit” është i katërti dhe ka pak kohë i botuar, ai po ndjen shijen e fitores në lexuesit e ndryshëm shqiptarë. Duhet të pranojmë se tre romanet e mëparshëm të saj “ Ajo vajza dhe të tjerët”, “ Jetë në mëdyshje” dhe “ Zgjidhje e gabuar” janë të përkthyera në gjuhën italiane dhe janë pjesë e biblotekave të shumë e shumë lexuesve.
Kjo shkrimtare që filloi krejt e ndrojtur romanin e saj të parë gati autobiografik, sot e ka hedhur tej pelerinën e ndrojtjes dhe ecën e guximshme në atë botë krijuese që zoti ia ka dhënë me dashuri.
Romani “Në duart e fatit” është një akrobaci narrative, ku nuk kemi të bëjmë me anë biografike të autores, por kemi të bëjmë me ndërthurje të niveleve të ndryshme të veprimeve të personazheve në vende të ndryshme. Vetëm koha është ajo që e orienton autoren në shpërthimet e saj fiction, ajo kohë që duket sikur jo vetëm e orienton por edhe e ngushëllon autoren tek ka kapur për dore heroinën e saj, Tatjanën e bukur. Zamira në këto momente është protektori i Tatajanës, e ndjek deri në kufijtë maksimalë të dhimbjes shkaktuar nga mashtrimet deri sa e çon në ato rrugë të fatit të mirë dhe shpërblyes. Nuk kemi të bëjmë me një “Hapy end’ siç do ta trajtonte dikush fundin e narratives për heroinën Tatianë.
Janë pikërisht këto elementë që Zamira përdor si një autore tashmë e sprovuar që e bëjnë romanin e katër të saj tejet të kërkuar. Ky roman është i bazuar në fantazinë fiction të autores, një fantazi që përplaset me ritualet dhe faktet e hidhura të një realiteti të pamëshirshëm në fatin e pakuptueshëm të një femre shqiptare. Autorja Zamira Hoxha Kamberaj duke qenë femër vetë që në romanet e saja të parë si emblemë të përbashkët ka figurën e femrës shqiptare. Në se në dy romanet e saj të parë në lojën narrative është jeta e saj, në romanin “Në duart e fatit” është loja e fuqishme që e çon lexuesin në nivele tronditëse. Heroina Tatianë, që unë nuk e di pse e quan me këtë emër të huaj herionën e saj, emër që vjen nga një e shenjtë e besimit ortodoks të hershëm, kur e gjithë familja e saj është e besimit musliman!
Intersektimet me jetën e fshatit ku heroina kalon një pjesë të rinisë së saj, janë të fuqishme, të denja për një penë shkrimtareje të fuqishme e me përvojë.
Por duke ecur në rrjedhat e jetës së heroinës Tatjanë, autorja sjell para lexuesit, si fillim romani, një botë shqiptare të para viteve ’90 ku ngjarjet duken si të vërteta ashtu siç është vjedhja e tubave të bakrit për të bërë antena për televizorin e të shihje stacione të huaja, apo ngjarje të ndryshme fshati për mblesëri, për fejesë të Tatjanës sipas traditive të vjetra e për shumë zakone të ndryshme.
Këtu ndoshta fantazia e autores merr hov dhe narracioni i saj vë në konflikt krijues jetën në burg të Aliut me jetën e lirë të Tatjanës. Dialogje të gjalla, jetësore, shqiptare në botën shqiptare janë si në asnjë roman tjetër të Zamira Hoxha Kamberaj.
Ardhja e demokracisë dhe intersektimi i shqiptarëve e sidomos durrsakëve me njerëzit italianë është një kulmim narrative i autores ku turbulencat e ngjarjeve janë pasojë e stilit të zhdërvjellët të mënyrave fiction. Martesa me Aliun, lindja e Vullnetit nga kjo martesë e çuditshme, ikja e Tatianës në Itali, flirti me doktorin italian e të tjera ngjarje, janë të shkruara me firmën “Made in Z.H.Kamberaj”.
Zamira tashmë di të ndërtojë subjekte ku intersektimi i epokave, kalvari i dashurive dhe komplekset psiko- sociale për Tomën verior të Shqipërisë janë shumë tronditëse, janë gati gati si skena të një teatri absurd ku aktorët janë realë. Toma është personazhi i dytë me rëndësi në këtë roman me emrin ” Në duart e fatit”, një personazh alla Edgar Poe, një djall i zi me pamje njeriu, që me magji i bën femrat të bien në dashuri me të, i trajton ëmbël gati si princesha dhe pastaj i shtyn në rrugën e ndyrë të prostitucionit duke i shfrytëzuar deri në palcën e fundit.
Fantazia narrative e çon Tatjanën në një burg që e kalon për tetë vjet, si një nga rrugët e fatit të kësaj femre por miqësia me Adelen është simbol i miqësisë paralele i grave shqiptare me ato italiane.
Ditet e fundit autorja ka postuar në Facebook një shënim tronditës për fatin e grave që e lidh me katër romanet e saj e sidomos me romanin e fundit. Po e ripostoj në këtë shkrim:
“Gëlltit diku një lugë çorbë të hidhur...e vjell gjithë jetën...Jo me kot ke të 4 Romanet e mija. ..flitet për këto Tema.. Forca Gra...Përballojeni jetën edhe nëse jeni vetem..pa kërkuar ndihmën e Askujt..Jave të mbarë uroj për ju..Respekte
Zamira Hoxha Kamberaj është mjeshtre në thurjen e situatave që shpesh kërkojnë guxim të fortë të cilat mund të quhen “peripeci jetësore”. Kështu jeta e Tatianës kalon në kalvare të tilla jetësore ku bën pjesë divorci me të shoqin dhe befasia e bashkshortit të avokates, që ishte Besniku. Kështu dhe burgu i Tatianës që vazhdoi deri në vitin 1999 është një pjesë tronditëse ku tronditja është një nga goditjet narrative që Zamira përdor.
Por edhe në mos qofshin ngjarje të vërteta, ato janë tejet të besueshme siç është sëmundja e të birit që është një nga metaforat më të goditura për “rrugët e fatit”.
Ngjarje të vërteta apo ngjarje të krijuara artistikisht? Në fakt është magjia apo sugjestioni që autorja përdor. Është jeta e vetë autores që njeh “ rrugët e fatit” dhe rrugicat anësore të fatit.
Është kjo magji që romani “Në duart e fatit” ka sukses të plotë e për të kritika letrare nuk mbetet vetëm me lavdërime të rëndomta, por me gjetjen e “magjisë’ së autores.
Durrës 29 janar 2025
Comments