top of page

Fatmir Minguli: Poezia transformiste mes epikes dhe sentimentalizmit idilik  


Nga Fatmir Minguli 

 


( Shënime mbi poezitë e poetit Bajram Sulejmani) 

 

Duke botuar mbi tetë  libra me poezi, poeti Bajram Sulejmani zë vend mes  poetëve durrsakë aty ku banon  dhe mallakstriotë nga ku e ka origjinën. Por poezia e tij shihet shumë më gjerë. Ky poet në poezitë që boton herë pas here në rrjetet sociale, kryesisht në Facebook, ka një shpërthim të çuditshëm, ka në shpërthim poetik të çastit, instatanea, ku ndihet një fllad tjetër stilistik.  

Poezi ku ai fluturon i sigurtë drejt një ndryshimi cilësor dhe të stilit duke përfshirë këtu dhe subjektet apo skenat fluide në natyrë si dhe ato minimaliste. 

Në ambientet e studios 2M: Pol Milo, Bajram Sulejmani, Fatmir Minguli dhe Shpendi Topollaj
 Në ambientet e studios 2M: Pol Milo, Bajram Sulejmani, Fatmir Minguli dhe Shpendi Topollaj

 

Ai nuk bën pjesë në poezitë  “naiviste” në kuptimin e ngushtë të kësaj fjale sepse koncepti i "naivistit " ishte përcaktuar tashmë nga Moses Mendelssohn (1729-1786) duke iu referuar një mënyre në dukje sipërfaqësore dhe të cekët të të shprehurit, e cila në realitet fsheh një ndjenjë të fortë morale. 

Ky përcaktim është më se i saktë i Mendelssohn  por me ndryshimin se Bajram Sulejmani me poezitë e fundit është në aradhat e modernëve duke qenë poet i çastit.  

Poetëve modernë, pohon Shileri, do t'u duhet ta kthejnë poezinë në natyralitetin spontan përmes ndjenjës, duke arritur një sintezë harmonike në "idilën sentimentale". 

Po të lexosh poezitë e Bajram Sulejmanit do të kuptosh se ai e ka “bërë zap” sektorin natyrë, aty ku gjethja e vogël e një peme nuk është më gjethe po merr përmasa qiellore e ku kënga e thjeshtë e një ushtaraku kthehet në ngjarje epike e së bashku me të vluarën aty te kroi diku nga Mallakastra shpërthen sentimentalizmi idilik. Ky është transformizmi i tij poetik.  

   Në poezinë “Fjalë burri” shfaqet shpirti dhe mendja  e poetit, që ecin bashkë ku poeti sjell aroma të rilindsave  tanë të mëdhenj duke u bërë jo vetëm apostulli i tyre por dhe vazhdues i veprës së tyre. 

Sentimentalizmi i poetit nuk është vetëm idilik po në poezinë” Zëra të hershëm” ai i drejtohet shpirtërisht dhimbjes njerëzore  duke e sjellë këtë poezi si një elegji për atë që iku e s’kthehet më e poeti di të përmbahet dhe dritat mbeten të ndezura në shpirtin e tij.  

Në poezinë “Vello reshë” e cila u recitua për konkurim në festivalin e poezisë durrsake në 7 dhjetor 2024, poeti shpërthen me romantizëm  modern aty ku luhet me qiellin, retë dhe majat e maleve, me shtegtimin e romantizmit të burrave shqiptarë.  

Por ai i mëshon epikës si asnjë tjetër në ditët tona si në poezinë “Unë ushtar gjurmësh” që është një apotheozë, një pikturim nokturn i gjurmës që nuk është gjurmë e thjeshtë por vragë e thellë e jetës që poeti e sjell me impresionizëm të thellë lirik...e ku metaforat për thëllëzën nuk i ndahen.  

Ai i këndon edhe gjetheve të pemës së shegës dhe në poezinë “ Gjethe shege fëshfërijnë”, ku fëshfërima e tyre nuk është si te gjethet e tjera. Ajo mban sekretin e qindra kokrrave shege, mistere të melodive të pafund. Janë fëshfërima që vetëm poeti i kap ato si këngë dhe ia përcjell së vluarës me aq romantizëm kalorsiak. 

Shpesh poeti Bajram Sulejmani i drejtohet një “x”- i mosmirënjohës dhe mirë bën. Sepse në poezitë e vërteta  nga ana tjetër  na lëvizin emocionet e njerëzve të tjerë. A është empatia ajo që e bën veten tonë të lëkundet? Apo është ripërpunimi ynë personal i asaj që dëgjojmë, shohim, lexojmë që na lëviz mendimet dhe zemrat tona? 

   Këto janë gurë themeli në poezitë e Bajram Sulejmanit. Këta gurë janë emocioni, instinkti, ndjenja,  janë matrica gjeneruese e këtij rrugëtimi autobiografik që ai i ka   besuar muzikalitetit të poezisë dhe intensitetit shprehës të imazhit. Fuqia e fjalës minon siguritë dhe krijon botë të reja të mundshme. Por ai edhe kur i këndon ëndrrës shfaqet transformist  sepse ëndrra si ndërmjetse e optimizmit dhe pezimizmit kthjellohet kur pranvera rregullon ekuilibret e shpirtit. Transformizmi i këtij poeti tashmë  kalon edhe në rrjedhat e lumejve të dualizmit shoqëror, duke forcuar besimin e tij vetjak ndaj fenomeneve shoqërore dhe e forcon këtë besim përmes dualizmit ekzistent në mendime.  

Poeti është mes njerëzve  por është ndryshe nga turma e mundimshme dhe ai ngre malin  e mirëkuptimit në shoqëri duke  treguar njëkohësisht humnerën e moskuptimit. 

Shikoni poezinë “  Vjeshta e tretë” ku “ flutura dhe shkëmbi”  si heronj të kësaj poezie paraqesin një romantizëm  që zgjidh kundërshtitë  me një lirizëm triumfues.  

 Forca e tabllove poetike të këtij poeti  i ankoron ato  momente në limanin e jetës së tij  dhe nëdyert e hyrjes së menjëhershme në hapësirën e pafund të mendimit. Pasi ka nisur lundrimin nga porti konkret i përvojës, autori mbërrin në tokën e mrekullueshme të ëndrrave, iluzioneve dhe shpresës në një botë të mundshme më të mirë. Vlen të përmedet vlerësimi që shkrimtari Perikli Ҫuni  sjell për Bajram Sulejmanin: Aq i lidhur je me poezinë sa krijohet mendimi se vetëm poezi flet goja jote!” 

Bajram Sulejmani
Bajram Sulejmani

Lexoni poezinë “Qyteti i prushtë” ku ai i drejtohet Ballshit të tij  dhe do të kuptoni se si ky poet i ngre himn njerëzve, fëmijve, inxhinerëve dhe vetë fabrikës së Ballshit pa harruar vetë qytetin. Kjo poezi është retrospektiva aq e preferuar e këtij poeti që për mendimin tim luan rolin e një muzeu virtual që është aq i nevojshëm për historitë e mohuara apo të humbura të shqiptarëve.  

Epika e tij shfaqet në poezinë ‘Bota po lëkundet” ku forca e tij shpirtërore “edhe pse “të keqen e  kemi brenda” siç e perifrazon poeti tjetër Xhevdet Ҫela, epika është paralele me bukurinë e jetës. Të tilla janë dhe poezitë e veçanta si “Rrugë pa kthim”, “I ruajtëm blu” etj. Te poezitë e Bajram Sulejmanit ka vlerë përputhëse shprehja e Truman Capote “ Për mua kënaqësia më e madhe e të shkruarit nuk është subjekti, por muzika e brendshme që krijojnë fjalët.”  

Ndoshta poezia më e bukur mes shumë të tjerave për mua do të ishte “Mbeta pelegrin” ku më kujtohen leximet e mia mbi bardët e hershëm shqiptarë, ata që me poezitë e tyre fituan jo vetëm zemrat por edhe puthjet e vështrimet ndonëse në muzg dhe gjithmonë në pelegrim. Eshtë një poezi e dashurisë e denjë për në Antologji të poezisë shqipe.  

Papritur shfaqet drita e transformizmit si te poezia “Na u afruan bilbilat”. Eshtë  elegjia për gjethet në muzën magjike të tij, një elegji që forcohet nga zërat e këngëtarëve  të natyrës, bilbilat që pa gjethe nuk mund të këndojnë. Rënia e gjetheve është trishtimi i jetës por jo mërzitje e poetit, prandaj ai na sjell bilbilin si një lloj antiteze ndaj fetishizmit të gjethes në poezitë e sotme. Kësisoj kjo elegji është vezullimi i një pranie të dashur, vetëm të ndjerë, që hesht shqetësimet dhe e shtyn shpirtin përpjetë, drejt qiellit dhe lehtësisë. 

Bajram Sulejmani e di se  fjalia "Në Zotin ne besojmë" është shkruar në kartëmonedhën e dollarit, por kjo nuk nënkupton një lloj konfuzioni teokratik ose ideologjik midis  poezisë së tij dhe shoqërisë.  Ai e di si tha Jezusi: "Kthejini Ҫezarit atë që është e Ҫezarit dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë".  Duhet të ketë bashkëpunim dhe, në të njëjtën kohë, dallim ndërmjet këtyre dy sferave: të dyja duhet të shikojnë njëra-tjetrën dhe në të njëjtin drejtim, duke ruajtur autonominë e tyre. Besimi është pjesë e jetës njerëzore dhe, si dritë e dytë dhe ndoshta më e thellë sidomos në poezi, mund të ketë edhe pasoja pozitive për shoqërinë dhe ekonominë. 

Pranadaj ai i këndon gëzimit të jetës ashtu siç vjen. Në poezinë “Komça” e papritura e çastit nga ky poet është metafora e fshehtë që ai përdor. Ndoshta, kjo komçë objekti më i vogël esaktologjik në jetën e njeriut në vështrimin e poetit ajo është “roje”e gjoksit të së vluarës. Po kështu edhe në poezinë që mund ta quaj epike “E ngrita vitin” ai është mjeshtër i metaforës:  

“Nyja e lisit  

Thesi mbi shpinë 

 Pushka e gjatë  

Hejbetë e gjyshit  

Dhuratat e babagjyshit”  

 

E gjithë historia e jetës në ngritjen e nyjes…Metafora të një jete të shkuar që regëton në çdo fund viti në pritje të një viti tjetër…  

Ky është poeti transformist i ditëve tona, Bajram Sulejmani! 

Durrës 16 dhjetor 2024 

5 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page