
Fatmir Minguli: Maro Kondi, çorrjotja heroinë e Labërisë në këngë e ballada.
(Nga krijimtaria e kompozitorit nga Ҫorraj, Adham Prifti)
Maro Kondi është e stampuar në memorjen e njerëzve të Bregdetit të jugut dhe Labërisë por dhe në hapësira gjeografike shumë më të mëdha që shkojnë herë nga Kuçi e herë nga Fterra, herë nga Himara e herë nga Saranda. Jo vetëm fshati Ҫorraj ku është vendlindja dhe vetë vepra e saj heroike është i njohur me këtë grua legjendë shqiptare të jugut.

Eshtë kompozitori Adham Prifti, çorrjot i thekur dhe kushëri me dy poetët që janë po nga Ҫorraj, Viktor Qurku dhe Ilirian Zhupa, që na tregon për fillimet e krijimit të balladës dhe këngës të kompozuara nga ai për veprën e heroinës Maro Konda.
Ja se çfarë tregon ai: “ Prej kohësh kam patur një projekt ku t’i kushtoja një këngë apo balladë kësaj heroine dhe andej nga fundi i vitit 2023 që nga Londra ku unë jetoj iu drejtova mikut tim të hershëm për të më hartuar tekstin e balladës, poetit të ndjerë Arben Duka. U tregua i gatshëm pavarsisht se unë nuk e dija që ai po jetonte ditët e fundit të jetës së tij. Erdhi lajmi i trishtë i ndarjes nga jeta dhe ai shkoi në parajsën e përjetësisë.
Në kujtim të bisedës pak ditë para ndarjes së tij nga jeta po sjell foton e mëposhtme me Arben Dukën.

Atëhere teksti i këngës- balladë mori rrugë tjetër që u shkrua nga shoku im gjimnazit në Durrës që sot banon në Amerikë, poeti i mirënjohur Petraq Risto. Dhe ballada mori jetë nëpërmjet punës së një grupi artistësh ku muzika u bë nga Adham Prifti, teksti nga Petraq Risto, orkestrimi nga Sokol Marsi ( Mjeshtër i madh), këndoi Kozma Dushi dhe realizoi videon mediatike durrsaku Zija Saraçi.
Le të sjell disa të dhëna për fshatin Ҫorraj, fshati që në kufi ka Kuçin dhe Fterrën e Adriatik Kallullit. Eshtë 200 metra mbi nivelin e detit rrëzë malit të Vakajve. Malet që e rrethojnë janë mbi 1000 metra mbi nivelin e detit. Si fshat njihet që në vitin 1431 me emrin Cernogoricë.
Ky fshat është ndër të paktit fshatra të bregdetit të jugut që ka ruajtur arkitekturën e traditës. Eshtë plot me ullinj e qiparisa.”
E pak kohë më parë puna më dinjitoze e Adham Priftit që është Ballada e Maro Kondës ka krijuar jetën e saj. Kjo balladë përjetson një heroinë nga Ҫorraj historia e së cilës është në folklorin e zonës së Bregdetit dhe të Shqipërisë.
Në një shpellë në Ҫorraj poshtë një mali u strehuan fshatarët e fshatit bashkë me luftëtarët që ishin kundër Turqisë. Turqit endeshin kudo për t’i gjetur e kur gjetën kroin poshtë malit zunë pritë. Marua me foshnjën dhe bucelën në krah u nis për të mbushur ujë pa e ditur se çfarë e priste. Sapo mbrriti te kroi, dymbëdhjetë turqit e zunë dhe u vunë përpara që ajo të tregonte se ku fshiheshin njerëzit e fshatit.

-Në humnerë- u thotë ajo atyre dhe kërkoi të lidheshin me njeri tjetrin e pas saj për t’u mbajtur se nuk mund të kalohej ajo humnerë ndryshe. Në lartësinë mbi dyqind metra mbi nivelin e detit, hidhet vetë me gjithë foshnjën duke marrë me vete edhe dymbëdhjetë ushtarët turq. Kjo është shkurtimisht historia e veprës së saj.
Në shtypin e përditshëm janë shkruar shumë përsiatje, përshkrime për heroinën dhe veprën e saj. Adham Prifti ka sjellë në respekt të autorve të ndryshëm disa mendime të Minello Priftaj ku ai veçon disa nga intelektualët çorrjot si Ilirian Zhupa, Ali Dhrima, Mane Alikaj, Berti Kopali, për të vazhduar me Thoma Kokën, Tomorr Dhrimon, Arben Nestur Priftin, Halil Skëndon, Spiro Dukën, Adriana Dhrami, etj
Poshtë malit ndodhet dhe varri dhe lapidari që i kushtohet heroinës Maro Konda.
Një mësues çorrjot si Simo Duka ka lënë një gjurmë jo pak të vlefshme në përjetësimin e aktit të Mario Kondës, Në vitet ’60 ishte ai që organizoi të rinjtë e fshatit dhe pikërisht aty ku ndodhet në këmbë të Harapës, ndërtuan lapidarin – memorial për heroinën e Ҫorraj, ndërsa dokumenti i parë dedikuar heroinës është ai i vitit 1940, kur intelektuali Mihal Kopali ka vargëzuar poezinë “Fshatit tim”.
Sipas Minello Priftaj kënga popullore i ka ngritur heroinës lapidar me vargjet e gdhendura me daltë shpirti. Kënga e kënduar nga Grupi i Cipinit është shumë e përhapur. Kaluan pak kohë dhe Adham Prifti projketoi dhe një këngë tjetër për Maro Kondën duke dashur që përjetimi për këtë heroinë të ishte më se i plotë pikërisht nga një kompozitor çorrjot. Ditët bënin kohën e vet dhe Adhami arriti të realizojë këngën “Heroina Maro Konda”, që është ndryshe nga ballada e kompozuar më parë.
Kësaj radhe për realizimin e kësaj kënge bashkëpunuan:
Muzika: Adham Prifti
Teksti: Spiro Xhavara
Këndon: Ermelinda Biçaku
Orkestroi: Genci Malaj
Video mediatike: Zija Saraçi
Kontribuoi në realizimin e tekstit Petro Prifti.
I ati i kompozitorit çorrjot Adham Prifti, zoti Dhimitër Prifti që interpretonte me aq mjeshtri melodi në fyell. Kjo është dhe magjia e trashëgimisë të artit, nga i ati te i biri. Eshtë dhe mbyllja e siparit për këto dy kompozime të bukura të kompozitorit Adham Prifti.

Durrës 22 mars 2025
Comments