top of page

Fatmir Minguli: ETYDE AKUARELI TË NJË POETI TË HESHTUR



(Përsiatje mbi poezitë në librin “Dhimbja e lotit” të Edmond Agollit, 2M Botime, Durrës, 2022)

 

“...nga Virgjili te Shekspiri, nga Pessoa te Antonia Pozzi, Andrea Di Gregorio rishikon vendet në letërsi ku heshtja është protagoniste, duke na ftuar të gjejmë një cep qetësie edhe në eksitimin e së tashmes.”Andrea Di Gregorio

 

Edmond Agolli është një poet i heshtur, që zëri i tij jehon përmes vargjeve. Portreti i tij, me cigaren në buzë, fsheh një botë të thellë. As unë nuk e di pse e quaj Edmond Agollin “Poet i heshtur”! Ndoshta është fizionomia e tij që sjell një portret të një burri me cigare në gojë që edhe pse në tavolinë janë katër apo pesë shkrimtarë të tjerë që flasin e flasin, ai hesht! Por nuk është kështu. Ai hesht duke bërë poezi dhe... drama. Mund të jetë e çuditshme.

Por dy autorë durrsakë të njohur tashmë në botën e letrave si Shpendi Topollaj dhe Vladimir Muça kanë shkruar andej e këndej kufijve shqiptarë për poezinë e Edmond Agollit duke i dhënë zë poetit që flet përmes poezisë. Nderim për të dy këta miq tonë! Poeti Edmond Agolli është një minierë për t’u eksploruar në krijimtarinë e tij poetike. Unë do të perifrazoja një thënie të Platonit duke e sjellë në këtë shkrim: “ Zbulon më shumë te një poet me poezi të shkurtër se sa në një vit bisedë.” Por heshtja e Edmond Agollit është e bazuar në një filozofi tejet personale sepse ai i bindet Rëne Dekartit që thotë “Cogito, ergo sum” – unë mendoj, prandaj ekzistoj.

Poezia e Edmond Agollit nuk duhet parë si “kalimtare” por si një poezi e një teoricieni me një poetikë që shpjegon shumë gjëra si në poezinë “Ca e ca”, ku shfaqet ironia politike:

E mendojnë shtetin lopëDhe rendin për ta mjelëNë ua mbylltë rubinetënI turren për ta përcjellë.

Uinston Ҫërçill, nobelist në letërsi ka shkruar për shtetin: “ Disa njerëz e shohin një kompani private si një tigër të egër që duhet vrarë menjëherë, të tjerë si një lopë që duhet mjelur, shumë pak e shohin atë siç është në të vërtetë: një kalë i fortë që tërheq një karrocë shumë të rëndë."

Edhe Bertrand Rasëll kur analizon Dekartin thotë: “Ҫfardo që mund të vinte në dyshim, ai do ta dyshonte deri sa të shihte arsye për të mos dyshuar në të.”

Vetë Edmond Agolli është i tillë. Poezia katër vargëshe e Edmond Agollit është një ekspansion në letërsinë shqipe. Unë i quaj ato si poezi që janë etyde aktrimi, pra ai është në skenën e teatrit dhe deklamon. Deklamon dhe pret përgjigje nga poltronat e sallës! Por deklamimi i tij është shpirtëror, i tejdukshëm, pa kontaminime të thashethmeve tipike të ndonjë durrsaku. Mos vallë janë etyde transhendente që e çojnë në inkoshiencë vetë raportin dramë-poezi? Strofa katërvargëshe e Edmond Agollit është një lloj sfide jo qëllimdashëse ndaj poezisë haiku. Por në se do të gjurmojmë në histroinë e poezisë katërvargëshe që Edmond Agolli e përdor në një origjinalitet të çuditshëm, do shohim se zanafillat janë te rubairat e Omar Kajamit i cili vdiq në vitin 1122 e për të cilin i madhi amerikan E. Fixherald në 1859, përktheu poezitë e tij dhe nën ndikimin e përkthimeve vërshuan poezi katërvargëshe mbarë Amerikës dhe Europës.

Por Edmond Agolli përjashton me dashje “katërvargëshin” me poezinë brilante “Nën dardhë”, një poezi me aromë rilindase europiane. Ose “Akoma s’e di”, një poemë estravagante që del nga katërvargëshi dhe sjell një panoramë surreale të lëvizjes së syve, ku loti është vendimtar absolut. Intersektimi i natyrës devollite nga ku është origjina e poetit, aty ku fryjnë flladet e lirikës së Dritëro Agollit, Koçi Petritit, Ymer Nurkës dhe Edmond Agollit janë zgjidhje të ekuacionit të shpirtit poetik.

Nuk e di pse ky libër me këto poezi të shkurtra, të brishta, të ndojtura dhe shpërthyese njëkohësisht më sjellin në mendje Robert Bërns dhe magjinë e poezisë së tij katër vargëshe, shpërndarë në pyjet e atdheut të tij. Po pyes: po natyra e Durrësit dhe e Devollit nuk janë frymëzim natyror për poetë si Edmond Agolli!? E përse Dritëro Agolli botoi me shqipërimin e tij poezitë e Robert Bërns duke i botuar në librin “Bërnsi i shqipëruar”? Duhet të vemë në vendin e duhur poezinë e Edmond Agollit! Është një thirrje jo vetëm intelektuale durrsake por një ofshamë me nota dhimbjeje si ato të lotit.

Ajo që më ngre pikëpyetje për poezitë e librit “Dhimbja e lotit” është fakti se pse kaq pak poetë merren me këtë formë të poezisë katërvargëshe kur vetë apostulli i liqenit Lasgush Poradeci e praktikoi me dashuri. E respektoj me dashuri Edmond Agollin për poezinë që i kushton artistit të madh dhe të heshtur Gulielm Radoja titulluar “Më mungon”:

Shikimi dhe fjala jote më mungon

Më mungojnë dhe ditët kur ishe ti

Ngushëllohem vetëm kur mendoj,

M‘u shtua dhe një mik në përjetësi.



Duke lexuar e studjuar këtë libër të Edmond Agollit “Dhimbja e lotit” unë pyes veten: “Mos vallë poezia në strofa katërvargëshe lind nga një mister poetik?

Në këtë analizë poetike, patjeter që dikush edhe mund të shprehet se kemi një kontradiktë të thellë midis aromave të gjethit poetik dhe dhimbjes së lotit, pasi metafora e lotit e superon dhe e tejkalon metaforën e gjethit fotosintetik. Është për t’u habitur sesi ky lot poetik kapërcen çdo metaforë biosintetike, çdo fotosintezë të gjetheve jeshile. Ky nuk është thjesht një lot dhimbjeje, ky është një lot fitimtari, si tingujt e një melodie epike nga një film gladiatorësh, ku mes atij publiku spektatorësh jam edhe unë, që duartrokas mbi triumfin e shkruar në një libër me poezi.

Poezia e Edmond Agollit është një sfidë dhe një meditim i thellë. Strofa e tij katërvargëshe, e thjeshtë në formë, është e ngarkuar me filozofi dhe ndjesi të thella. Ajo flet me heshtjen e poetit, një heshtje që nuk është mungesë zëri, por prani e thellë mendimi. Ky libër nuk është thjesht një përmbledhje vargjesh; është një përvojë shpirtërore, një përballje mes ndjenjës dhe mendimit.

Duke përfunduar, pyes veten: Mos vallë poezia në strofa katërvargëshe lind nga një mister poetik që nuk i prek vetëm mendjet, por edhe zemrat? Dhe në atë mister, fjala e Agollit bëhet si loti i brishtë, i fuqishëm, dhe i përjetshëm.

Poezia e Agollit është një dorëshkrim i shenjtë i shpirtit. Një transhendencë e kthyer në tingull. Një lot që rrëshqet pa rënë, duke mbetur përgjithmonë në qiellin e letërsisë. Dhe ne, si shtegtarë në atë univers, nuk bëjmë gjë tjetër veçse përkulemi me lot dhe duartrokasim në heshtje.

Durrës 2025

64 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page