top of page

FATI I NJERIUT…


Ramazan Sula, shofer i tregtisë që me “Zis-n” e tij

FATI I NJERIUT…

Rrëfenjë

Në telefon ai më tha se më njeh. Unë i thashë se njoh një Ramazan Sula, shofer i tregtisë që me “Zis-n” e tij nuk pat lënë vend pa shkelur në tërë Dibrën nga Llanga në Reç e nga Korabi në Masdejë.

Kur u takuam, me këmbnguljen e tij, vërtet më njihte. Më tha se kur ju keni mbaruar Universitetin e Bujqësisë në kodrat e Kamzës ai sapo e kishte filluar atë dhe, si çdo fillestar në studime universitare sytë i ishin ndalë tek ata që at vit merrnin diplomën, ëndërr kjo e çdo studenti që hyn në auditoret universitare. Atje më kishte gjetur mua…Më tha se i ishte bërë qejfi kur kishte gjetur në gazetë numrin e telefonit çka ia shtoi dëshirën të takoheshim.

Ramazan Sula është nga një fshat i dëgjuar i Tiranës, nga Selita. Është i përmendur fshati i tij, i përmendur për ujin e ftohtë në të cilin kristali sheh vetveten si në pasqyrë. Uji i Selitës, më shumë se një gjysëm shekulli më parë, në vitin 1951 ishte shëndrruar në dritë për Kryeqytetin, në jetë për Tiranën e asaj kohe, kishte mbyllë përfundimisht puset e vjetra. Ai mbetet dhe do të mbetet gjithnjë uji i parë, më i miri, më i shëndetëshmi dhe më i kërkuari në Tiranë. Para tij Fushëkuqja dhe Bovilla bien në gjunjë e falen me respekt.

…Erdhi në Agio Nikolaos me tren nga Pireu. Është një burrë trupshkurtër, me sy që i shkëlqejnë e me një zë ku siguria ka rrënjë të thella.

Për herë të parë në Greqi kishte ardhur maleve në vitin 1992. Nuk kishte ndejtë gjatë sepse rruga e kishte lodhë e punë nuk kishte gjetë. Në 2001-shin kishte ardhë e ishte vendosur përfundimisht në Athinë, pranë djalit. Këtë rradhë, si punonjës i Ekonomisë Didaktike të Universitetit të Bujqësisë kishte arritur të gjejë një ftesë nga Universiteti i Selanikut, ftesë e cila i kishte dhënë mundësinë të udhëtojë si njeri. Në Selanik nuk kishte qenë çka i kishte mbetur merak. Kur erdhi nuk e kishte vendosur të qëndronte në Greqi për një kohë të gjatë. Donte të këthehej në vendin e punës, vend të cilin e kishte fituar me vështirësi të mëdha. Tranzicioni kaotik e kishte nxjerrë profesionin e agronomit në rrugën e madhe dhe ai, duke iu përshtatur asaj, shiste qumësht të cilin e merrte të freskët nga një fermë lopësh në Kamëz.

Djali, vajza, gruaja kishin këmbëngulur që ai të rrinte. Por Ramazani e kishte një hall, kishte lënë nënën në të nëntëdhjetat e jetës në shtrat e donte t’i mbante ballin me dorë. Ishte koha kur në Greqi rifilloi procesi i legalizimit e një shans sy ky që vjen tepër rrallë nuk duhej humbur. Bëri dokumentet dhe i shkoi pranë nënës së dashur. Ia mbajti dorën në ballë deri sa ai u ftoh dhe bashkë me vëllezër e motra e përcollën në udhëtimin e përjetshëm…

Agronom, madje me përvojë të gjatë në profesion, Ramazani iu drejtua kopshteve e vilave në diametra të larg banesës së tij. Ka mbijetuar me kopshtet ani se askush nuk i dha një ditë të vetme siguracion. E pagoi vetë sigurimin në përpjestimin në 100 euro pagesë 40 euro siguracion, masë kjo që e përjetojnë të gjithë ndihmësit shtëpiakë ku përfshihen gratë dhe kopshtarët. Kësaj nuk mund t’i shpëtojë askush në don që çdo vit të marrë lejen e punës dhe t’i hapet rruga për ripërtritjen e dokumenteve.

Por Ramazanin e bren shumë gjëndja e pashpresë shëndetësore e dhëndrrit aktualisht në Shqipëri, Vetëm 38 vjeç ai i nënshtrohet një kure të shtrenjtë që e ka mbajtuar deri tani në jetë. Ai mbledh para për të mbajtur familjen e tij, ka mbledhur edhe diçka për të dhëndrrin me shpresë se një ditë do t’i jepet një vizë e të mjekohet këtu në Greqi. I dhëmb në shpirt mosha e re e tij aq sa i dhemb edhe jeta e “tre femrave” –siç thotë ai, e ardhmja e vajzës dhe e dy mbesave të veta. Ka hall e hall, por halli më i madh është se ato, në kohët tona po shumohen në progresion gjeometrik.

Ramazani është në shpirt një letrar i lindur. Ai ka një penë të fortë që operon si një bisturi e mprehtë në shoqërinë e sotme. Më parë shkruante në gazetat në Shqipëri, tani shkruan në një gazetë në emigracion. E ftova që një ditë firma e tij të hyjë edhe në faqet e EMIGRANTI –t. Ai, kohët e fundit ishte bërë lexues i rregullt i gazetës dhe i pëlqente shumë përmbajtja e saj, lehtësia që të shprehë mendimet e veta pa censurë, sëmundje kjo e pashërueshme e gazetave shqipshkruese në Greqi .

Të dielën pasdite me Ramazan Sulën pimë kafen e miqësimit, kafen e bashkpunimit të vazhdueshëm. Do ta takoj edhe herë të tjera Ramazanin. Nuk do të shkruaj më për të. Do të shkruaj ai për jetën e emigrantëve duke prezantuar denjësisht vetveten dhe kohën që jetojmë.

30 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page