Faruk Myrtaj: TI SIKUR S’KE QENË NË BURG, O NJERI...!
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 days ago
- 6 min read

-tregim-
Në njëmijë mënyra ishte paralajmëruar rënia e Tyre, e shtetit të Tyre, por deri në fund ne dyshonim te çdo pandehmë që kishte lidhje me ta. Edhe sot dyshojmë, paçka se dyshimi s'premton kurrgjë.
Megjithatë, atë mëngjes u gjend e hapur kanatë porta e madhe e burgut, dhe ne dolëm, u bëmë erë!
U ndamë grupe-grupe, o veç e veç, që të mos na kapnin kollaj, nëse pendoheshin që na e patën lënë portën hapur dhe na e dërgonin pas auto-burgun, për të na mbledhur rrugës, si dele të humbura. Morëm malet, faqeve anë rruge…
Më në fund, arrita në vendlindje. I trembur. Më i trembur se rrugës: sepse këtu më njihnin të gjithë, si të burgosur. Mu bë se ata që më kishin dashur kishin vdekur. Pikërisht ata, prisja të shihja, edhe pse s’më kishin ardhur dot në burg.
Gjallë do duhet të kisha vetëm vëllain. Ai më kishte ardhur në burg, edhe pse vetëm një herë.
Vetëm një herë të vetme, më vizitoi atje, sa për të më thënë se nuk do më vinte më. Po, kështu ma kishte thënë, shkoqur:
“Ose do vij shpesh të spiunoj ty, ose mos më prit më…”
Nuk më erdhi më. Më preku sinqeriteti i tij, prej vëllai, por edhe më erdhi keq që ishin më të frikur se ne aty brenda.
Tani isha i liruar, shkova ta takoja, si të mos takoja vëllain, do ta takoja me çdo kusht, edhe pse në dyshim mos ishte bërë spiun.
Nuk ia vlente ta pyesja për këtë, madje as ia vlente ta dija.
Ngaqë unë nuk u bëra spiun në burg, të ishte bërë ai jashtë?!
Logjika s’lë hile fjale: nëse ishe brenda, pse duhet të pranoje të bëhesha spiun?!
Pikërisht ngaqë ishte jashtë mureve, pra për të mos ardhur tek unë, si spiun vëllai, edhe mund të justifikohej bërja e tij spiun ndaj të tjerëve.
Vrasje-mendja më grushtonte si çekan nga brenda koke: Njerëzit e lirë janë së paku po aq delikatë, të kërcënueshëm, po aq të kurthueshëm dhe të dosjueshëm si tërë shpirt-robëruarit. Për shkak të lirisë!
Robi është tjetër gjë, robëria ka imunitet të pa-rrëfyer në asnjë nen: me çfarë ta korruptosh robin, duke e lënë edhe më tej rob?! Më shumë akoma, përse ta kursesh atë kur ai vet bindet pa fjalë, në mos mrekullohet, për robërimin pa asnjë rrugë dalje?!
Tërë jetën, edhe këtë ditë që ma falën lirinë edhe mua, im-vëlla ndjehet me fat që mbeti ‘jashtë’! Dhe, pa të keq, sinqerisht nuk beson që unë, atje brenda, nuk u bëra spiun!
Mbase thjesht punë natyre, jo karakteri, por si t’ia thosha: ne atje brenda e dinim ç’ishte jashtë burgut, kurse ju jashtë nuk e dinit ç’ishte tek ne brenda!
Mundësia e të gabuarit është më e madhe tek ata që s’i dinë gjërat. Kontakti me padijen është më i shtrirë, ata kanë të drejtë të gabojnë më shumë, pra janë edhe më të falshëm.
Nuk ndenja në shtëpinë e vëllait. Jo vetëm se nisi të më thoshte po ato gjëra, sikur isha ende në burg. Më padurueshëm, më paralajmëroi: “Rri urtë, se do të fusim brenda, prapë!”
“Do të fusim” (unë dhe Ata) thoshte, jo “do të fusin Ata”!
Fliste në shumës, sikur edhe ai, im vëlla, përballë meje të ishte pjesë e shtetit. “Po ta mbajti, shko, ja tek është kufiri, provo e kaloje! Mos e shko ndërmend se kufirin e kemi zbutur për ty...”
Po pra, vëllai im shprehej sikur edhe shteti, edhe kufiri, të ishin të tijtë, të vëllait tim pra!
Të nesërmen, qysh herët, ishte hapur fjala se kishin vrarë në kufi. Im-vëlla, nga puna, erdhi në shtëpi i lemerisur. Unë isha ende në gjumë.
“Pandeha se ishe ti, qen!”, po me thoshte, duke qarë në supin tim.
E mblodhi veten shpejt, i iku dobësisë mikroborgjeze, dhe mu kthye serish:
“Se mos nisesh për Andej, më dëgjon? Më mirë të vras unë, me dorën time, këtu në shtëpi, se të vritesh në kufi...”
Nuk kisha nerva për ta dëgjuar, por mora me mend se, për shkak të vrasjes së një dite më parë, kufiri mund të ishte lëshuar pak. Ashtu doli: Rojat rrinin kot. Me armë, pa fishekë.
“Më mirë tu jepnit armë prej druri!” i thashë vëllait, që më vështronte me habi dhe frikë.
“Ti sikur s’ke qenë në burg!”, më thoshte.
“Në burg më futën mua, të trembnin ty!”, i thosha.
E kisha pasur ëndërr kalimin e kufirit, tërë jetën kisha ëndërruar të dilja “Jashtë Shtetit”!
Ika natën tjetër. E kalova kufirin, pa asnjë pengesë, më mori të qarët: asnjë zë, asnjë roje, asnjë rrezik për të kaluar në botën tjetër, kur deri dje mund të paguaje me kokë…Më mirë të mos vijnë fare, se të plotësohen kaq shtrenjtë ëndrrat, mendova, a thua kisha dëshirë që edhe kalimi i kufirit afër shtëpisë së vëllait të ishte po aq i vështirë sa rreth-rrethimet e burgut.
Kufiri, është gjë e çuditshme, e madhe. Çdo gjë ka kufirin e vet. Pa kufij s’merret vesh ku fillon një gjë e ku mbaron tjetra, çfarë është e imja e çfarë s’është jotja, pa kufij s’dihet ku nis gruaja, dashurorja, e njohura, fqinja, atdheu, fshati, prona…Gjer edhe jeta e vdekja, kanë kufirin midis.
Mbase prandaj besohet në turmë se kufiri meriton respekt, meriton të jetohet për kufirin, mbrojtja dhe kalimi i tij. Mbase prandaj mashtrohen kollaj edhe ata të cilëve u premtohet shtyrja e kufijve…
Ika, unë, e shkela kufirin. Qeni i kufirit le të lehte antologjive! Ditëve të para më bëhej se kërkoja ndonjë vend pa njerëz. Pa zhurmë, pa rrëmujë, jo qytet. Në asnjë mënyrë qytet të madh. Kisha frikë se aty do trembesha, do trullosesha, do më binte në kokë, si rakia në barkun bosh.
Diku pashë dy gomarë që kërkonin të kapërcenin kufirin mes tyre, atë të bërit çift. Ishin larguar sa më shumë prej fshatit, për të gëzuar vetminë. Gomarica sikur rrinte urtë e rezistonte, por butë, si me ojna, për t’ia mbajtur tjetrit ndezur dëshirën sa më gjatë. S’më shtynin këmbët të bëja tutje. Ndenja një copë herë, duke i vështruar. Si për kthim kujtese të një “lloj pune” apo aftësie që ia kisha privuar vetes duke zgjedhur burgun.
Ajo që më tronditi ishte se, gjatë tërë kësaj dëshmie natyrore, asgjë s’regëtiu në dejtë dhe as thellë në eshtrat e mia. Sikur të mos i kisha pasur kurrë këto shqisa...
U graha gomarëve të lehtësuar prej njeri tjetrit dhe veshgjatët morën rrugën e kthimit, rrugën që dinin. Pas tyre shkova. Gomarët s’janë si puna e njerëzve. Bëjnë rrugë të njohur. I zoti i shtëpisë së gomarëve më futi në punë. Ushqim të bollshëm dhe, ç’ishte më e veçanta pas atyre ditëve në liri, një qoshk për gjumë. Atë natë nuk doja kurrgjë tjetër.
Pas dy javësh e kisha marrë veten dhe isha gati për të vazhduar udhën: për në Athinë.
Njeriun e parë që më nxori përballë rastësia si fat, në Athinë, një ish i burgosur tjetër. Provuam, të mos e zinim ngoje burgun. Ishte e pamundur. Kujtuam gjëra të atjeshme, emra të njohurish, ngjarje brenda muresh. Një lloj shërbim ushtrie është burgu, por pa liri-dalje dhe pa armë dhe pa…! Jo, jo, as tri muaj të ndonjë karantine me kapterë monstra nuk përqasen dot me burgun…
I kërkova që, më parë se çdo gjë tjetër të më çonte në një shtëpi publike. Kisha dalë nga burgu, por isha ende në burgun e dyshimit ndaj vetes në isha mashkull. Pa verifikuar këtë, kisha frikë se asgjë tjetër s’do më hynte në sy.
Tjetri, që e dinte Athinën e ditës dhe të natës, nuk ma bëri dysh. Athina e natës, më tha ai, është ku e ku me Athinën e Vjetër, të cilën as vet grekët s’e dinë si ka qenë. Nga librat e njohin, si ne të tjerët! Vetëm në shtëpitë publike gjërat bëhen si dikur…
“Femër më kërkon, femër do të jap/ Zgjidhe vetë të shkretën, e mos bëj hesap!”
Ai ma pagoi natën e parë, unë i kërkova edhe një natë tjetër, ai pagoi menjëherë të tretën natë. Të nesërmen më njoftoi se ma pagoi edhe për një javë tjetër. Ia ktheva. Nuk më duhej tjetër: e kisha trembur dyshimin për burrë, kot ia kisha ngritur mjegull vetes.
Pas dhjetë muajsh e lashë Athinën, nuk u mësova dot me zhurmën, por ika prej aty me aq para që kurrë s’i kisha pasur në gjithë jetën time. U ktheva prapë atje ku më kishin arrestuar 15 vite më parë, në fshat.
Gjërat ishin përmbysur. Vëllai mu bë tjetër.
Ishte gati të më lironte njërën nga dhomat e shtëpisë së tij por i thashë se të nesërmen do ikja. Për në Tiranë. Iu mbushën sytë me lot, kur ia lashë atij të tretën pjesë prej dhrahmive që kisha bërë.
“Ti mund të shkosh edhe vet, ta provosh çdo të thotë Andej”, i thashë vëllait, por ishte e kot. Ndjehej ende i frikur: kufiri, ende ishte i ndaluar për të. Dalja jashtë shtetit, i ishte ende e rrezikshme. E pa mundur të kalonte kufirin!
Sot e kësaj dite jam në kryeqytet, njeri i lirë. Punoj në ndërtim, jam bërë me tri fëmijë, lodhem më shumë se në burg, por kam ku vete pasditeve: në mitingjet e opozitës.
Mishin na e kanë ngrënë ata të parët; këta të tjerët, veç po na rropën lëkurën!
Se, si lëkurë e nderur mbi eshtrat, dukem mitingjeve…
Asnjë kufi i mëparshëm s’ka mbetur për tu kaluar, por njeriu ngre kufij të tjerë.
Comments