top of page

Faruk Myrtaj: Aleksander Babe, rikthehet “Vesveseliu”



(Arkiva tek Fjala e Lirë, e martë, 12 Maj 2009 20:36:30 GMT)

 

 

 

(Me rastin e ribotimit të “Vesveseliu")

 

Në të gjitha kohët ka pasur pushtete dhe pushtetarë, parti dhe partiakë, shkrimtarë dhe letërsi. Pa asnjë mëdyshje, në të gjitha kohët ka pasur Njerëz. Njerëz të Lirë!

Aleksandër Babe ka qenë i tillë. Së paku prej vitit 1972, kur ka botuar novelën (për fëmijë!) të titulluar “Vesveseliu".

E kam njohur “të lirë të trishtuar", “të mirë të vetmuar", aty nga fundi i viteve ‘70 apo fillimi i viteve ‘80.

Në Vlorë, aty ku për lirinë është derdhur aq shumë gjak, pikërisht aty, liria ka qenë më e brishtë, më e kërcënuar, mbase se gjithkund tjetër në këtë truall rrallëçaste të lirë në historinë e tij…

Hollak, lëkurëerrët, me sy zhbirues që bëheshin edhe më shumë të tillë përmes syzeve, pas të cilave sikur kërkonte të “fshihej", në një mënyrë që dinte ta bënte vetëm ai: po të doje, po të doje dhe po të mundje, po të lejonte liria që e kishe ose s’e kishe brenda vetes, mund të zbërtheje gojën e tij. Dhe, në çastin që hapej goja, se si ta rrëmbente nënqeshjen, të bënte më të mençur, të bënte dyshues për të gjitha, pra edhe për vehten, vehte e cila sikur të shkërmoqej me joshjen e një natyre tjetër, me ligjësi të tjera, për tu shndërruar, edhe ti pastaj, në tjetër gjë.

Edhe si krijues, allah-allah ishte! Si i shpërndarë: merrej me poezi, me prozë, me pikturë, skulpturë, më duket edhe me muzikë dhe me ç’kushedi tjetër!

Prej papafingos së mbyllur, në breg të hapësirave të detit, prej vetmisë ku ndrynte si i vetëburgosur veten, tek komuniteti në të cilin përthitheshin e mbesnin tërë miqtë e tij…

E pra, s’mund të mos e mendoje atë që të rrënbente syrin në papafingon e tij: atje brenda, s’mund të mos merrej edhe me “ç’kushedi tjetër"!

Kjo “ç’kushedi tjetër", mbase mu fanit kur dëgjova se dilte rrallë, me pak njerëz rrinte, dhe rrallë e më rrallë kishte botuar.

Sigurisht, s’dija gjë për “Vesveseliun” e bërë karton.

Kisha mbaruar të mesmen në Selenicë dhe, pasi kisha kryer ushtrinë, punoja në minierën aty. Dhe…shkruaja (gjoja)vjersha! Vjersha, papushim! Të gjitha më dukeshin të mira, të bukura, të mrekullueshme…Duhej të kalonte ca kohë që të zbrisja në tokë: Lekoja të ndihmonte për të fituar mbi veten…

Lekoja, më ftoi për vizitë në shtëpinë e tij, më thellë akoma, për në papafingon e tij…

Vetëm atje mund të mirrje vesh se ç’ishte Lekoja! Një rrëmujë e hatashme, një anarki e organizuar, një vend ku vetmija që i ishte “ofruar” vesveseliut Leko, thërmohej e tretej në pafundësinë e gjërave.

Do të mjaftonte një orë me Lekon, në papafingo, për të prishur rregullin e ligjësitë e perspektivën e deriatëhershëm të jetës…

“Edhe në papafingon e Lekos paske qenë?!", më pyeti Nestor Jonuzi këtë fund shtatori, 2003, kur pa që njiheshim. Sikur të kisha qenë i privilegjuar i asaj kohe pa liri zyrtare.

Statura prej Sokrati e piktorit të shquar Nestor, po më ndiqte me ata sytë e mençur që nuk di pse më bëheshin sivëllezër me ata të Lekos së dikurshëm. Por edhe të sotëm. Edhe pse kishin shkuar më shumë se tri dekada. Terrësira dhe diktatura t’i mpreh shqisat. Por edhe ndjenjën. Problemi është t’i shpëtosh mprehjes në kahen për së keqi, kjo po…Lekoja merrej me të gjitha, mbase në ansjerën nuk lejohej të shfaqeshe deri në fund!

Më bëri të dridhem koha që po përdor deri në këtë çast: sikur po rrëfej për një të shkuar, për ca njerëz që s’janë, për një Leko që s’është!

Por ai, Aleksandër Babe është. Vete e vinë nga Vlora. Ka një motër në Tiranë, ku e ka derën hapur. Lekon e gjen shpesh tek tavolinat përpara Galerisë së Arteve Figurative. Me Nestorin, me Qerim Vrionin e fotove të madhërishme të njerëzve dhe tërëkohëve shqiptare, me shokë të fëmijërisë e rinisë së tyre, Andon Qesarin, Pandeli Golikun, me miq të tjerë… Artistët dhe shkrimtarët shqiptarë i gjen të shumtë kudo, edhe aty, nën atë pemën gjigande që “mbledh” para, por nuk ndodh shpesh kështu me artin brenda Galerisë…

Lekoja, ai i Vlorës, ai Bregut të Vlorës, së fundi është kthyer prej Greqisë.

Kështu i gjeti demokracia shqiptarët, midis të varfërve më të varfër artistët: të varfër deri në atë shkallë sa nuk u hynte më në punë liria; të lirë, aq sa u bëhej dritë dheu i huaj; bregdetas që u nisën të kërkonim brigje të tjerë…

Ashtu u detyrua të bënte edhe Lekoja.

Andej, në dhe të huaj, si artist, teksa rropatej të mbante gjallë veten e familjen, iu dha të ngjallte edhe Krishtin…

Nestori, mjeshtri, s’do të ngurronte të fuste edhe veten, por unë s’marrë përsipër të luaj në lojra me mjeshtër të mëdhenj!

Shqiptarët, në masë, pothuaj të tërë ata që nuk i binden rregullit të pashkruar për të hyrë në politikën e lartë, në atë të klaneve, të menazherëve dhe bodigardëve të tyre, janë në ikje: me shpresë për tu ringjallur së gjalli! Dikur nuk i linte shteti të kapërcenin kufirin, sot shteti i “ndih” t’ia mbathin një orë e më parë prej atdheut, që ç’ti bësh, na duhet të themi se e kemi së bashku…

Shpresojnë, të gjorët, që tjetërkund të jetë ndryshe, pa kryq mbi shpinën e rreshkët e supet e rënë. Sigurisht që rreken. Rrekemi: kryqit të këtushëm marrë me vete, i shtojmë kryqe të tjerë. Por, së paku ikim me shpresën se, dikur, kthehemi.

Lekoja është kthyer. Është kthyer dhe po përgatit një libër me vjersha. Si për ta çuar deri në fund mundimin e tij…

Nestori më tregon “Krishtin me kryq", unë shohë “Krishtin që mbart Kryqin e Leko Babes"!

“Për Lekon, në emrin tim, mund të shkruash ç’të duash…", dëgjoj të më thotë Nestor Jonuzi.

Më besohet se kryqi është aq i rëndë sa Lekoja e shndërroi në vepër arti, që ta gëzojnë dhe ta vuajnë të gjithë miqtë e tij. Sigurisht edhe ata që i ofruan vetminë, heshtjen e papafingos, ata që u keqardhën për vesveseliun-këndez, ngaqë ai sillej e grindej e vetëmburrej dhe e pësoi si ndokush që duke hequr kryqin, na la tërë jetën me kryqin e privacioneve mbi shpinë…

Me “Krishtin me kryq” në krah, Aleksandër Babe ishte ndodhur në Athinë në syrin e vëmendjes së një pronari të fuqishëm arti, ekspozitash.

“E çfarë pret nga unë?", e kishte pyetur Lekon, tërë fodullëk të kamuri, fqinji i jugut të Ballkanit, që ushtrojnë privilegjin historik të të përfshirit në Europë.

Sigurisht, përballë shihte një shqiptar nën kryq. Njerin nga shqiptarët në nevojë ekzistenciale. Ishte afërmendsh që, edhe pse gjente kohë të merrej me hallet e Krishtit, shqiptari përballë nuk mund të mos merrej me lehtësimin prej kryqit të jetës së tij: do të kërkonte para, normalisht…

Kështu pritej. Se njeriu, njeri është. Qoftë edhe kur është shqiptar, dreqi ta marrë këtë fat!

“Vetëm mendimin tuaj, do të dëshiroja!” ishte përgjigja e Lekos.

Milionieri ofroi për Lekon pak prej milionave të tij: me kushtin që “Krishti me Kryq” t’i mbetej atij…

Aleksandër Babe doli nga studioja e fqinjit të kamur ashtu siç hyri: me Krishtin dhe Kryqin e tij mbi shpinë…

 
 
 

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page