top of page

FAMILJA KACELI, NJË INSTITUCION ARTI MË VETE


Piktori, Buron Kaceli

FAMILJA KACELI, NJË INSTITUCION ARTI MË VETE

(Intervistë me Piktorin Buron Kaceli, pinjoll i këtij fisi autokton tiranas)


Prof Dr Fatmir Terziu


Me piktorin e mirënjohur shqiptar Buron Kaceli jemi njohur në Atdhe. Natyrisht njohja ishte në vrulle të tjera angazhimesh të kohës, që shënonte ndryshimin dhe formën e re demokratike. Në këtë mori angazhimesh e shihja dhe kuptoja se ishte forca e brendshme, kultura e gjatë e trashëgimisë dhe mënyra e mirësjelljes që dallonte në tërësinë e tij të komunikimit. Më tej arti me të cilin ai gatuante tërë atë udhë të gjatë e bënte akoma më shumë një fisnik në detaj, një intelektual të tipit perëndimor, një Njeri mjaft të respektuar. Dhe kështu kohërat ikin shpejt, ndërsa vetë koha mbetet një arsye më shumë që kërkon të shpjegohet me njerëzit që e përfaqësojnë atë. Në këtë përfaqësim natyrshëm ndjenja jonë e njohjes më të gjerë na obligon të bëjmë këtë intervistë, që mbetet një dritare më shumë në një fis që ka kaluar normën e një Institucioni Arti në tërësinë e paraqitjes së tij. Në këtë realitet është dhe vetë Piktori Buron Kaceli, një pjesë gjithnjë në rritje, një vlerë e merituar e kulturës shqipe, e pse jo dhe më gjerë, që gjithnjë e në të gjitha kohërat meriton Nderin e Kombit.


Pyetje „Albanian Post“: Ku qëndron e pathëna dhe e panjohura në këtë udhë jetike midis mbiemrit dhe veprës?


Përgjigje Buron Kaceli: Familja Kaceli është një ndër familjet e vjetra autoktone tiranase. Kaceli u rrit dhe u edukua në gjirin e kësaj familje të madhe me tradita të shquara patriotike si dhe me një moral, moralin qytetar tiranas, ku dallimi ndërmjet të mirës dhe jo të mirës, të bukurës dhe jo të bukurës, të vertetes dhe jo të vërtetës ishte shumë i ndjeshëm. Gjyshi i tij Ismaili, ushtarak dhe akademik me gradë të lartë, do të binte dëshmor duke luftuar heroikisht në Lidhjen e Prizrenit. I ati, Osmani, do të ndërronte jetë nga një i ftohtë i marrë në luftën për mbrojtjen e Shkodrës duke lënë Sadikun në një moshë të re. Ishte koha kur frytet e rilindjes kombëtare po ndjeheshin në mbarëvajtjen e punëve në çdo fushë, vendi po përparonte në çdo drejtim dhe po ashtu edhe familja Kaceli po gëzonte një mirëqënie në rritje ekonomike. Sadikut, vëllait të vogël prej katër vëllezërve të mrekullueshëm, nuk do ti mungonte asgjë që do ti duhej për zhvillimin e talentit të tij që u shqua që në shkollen fillore. Vëllai më i madh Ismaili i cili mbante emrin e gjyshit të tij ishte specializuar për kepucari në Çeki pranë firmës së famshme të këpucëve “Batta” ndërsa tre vëllezërit e tjerë, Aliu, Ramazani dhe Jonuzi do të tregtonin në një dyqan në tokën e tyre pranë Sahatit të Tiranës. Ishin me shumë sqimë dhe mallrat që tregtonin ishin mallrat më të mira të kohës të cilat i merrnin nga Milano.

Im At, kujtonte kur kish qenë shumë i vogël kur një ditë e kishte zënë gjumi duke parë vëllezërit e tij që në një faqe të madhe të bardhë muri të shtëpisë kishin pikturuar rrapin madheshtor të Tabakeve. I kishte bërë jashtëzakonisht përshtypje dhe nuk do ta harronte kurrë. Një zeje e hershme e familjes kishte qenë dekorimi i arkave të nuseve dhe ndoshta kjo zeje, dekoracionet e ndryshme floreale do të bënin që Kaceli, një ndër nxënësit më të mirë të shkollës së vizatimit të Tiranës do të admironte artistin e madh francez Matisse të cilin e kishte njohur përmes enciklopedisë britanike në biblotekën Karnavon të Tiranës. Do ti shkruante artistit duke i kërkuar qe të bëhej nxënës i tij por Matisse e drejton tek miku i tij André Lhote sepse ai ishte i vjetër nuk mbante më nxënës. Kaceli do të shkojë në Paris por nuk do të shkojë tek shkolla private e Lhote-it duke menduar kthimin në Tiranë ku do ti duhej një diplome zyrtare dhe jo private. U regjistrua në ‘Ecole Superieure des Beaux Arts’ të Parisit. Pas mbarimit të studimeve me shumë sukses dhe pjesëmarrjeve në ekspozitat më prestigjoze të Parisit, do të kthehet në Tiranë me disa metodika për dhënien e mësimit të vizatimit në shkollat fillore sepse shumë më vonë do të hapeshin shkollat profesionale. Më vonë kur do të hapej Liceu Artistik, do të jetë një ndër mësuesit e parë të kesaj shkolle ku do të punojë deri në daljen e tij në pension. Në të njëjtën kohë zhvilloi një krijimtari shume të madhe artistike duke bërë një art të tijin jashtë çdo influence ashtu sic i kishte thënë pedagogu i tij, mjeshtri Sabatte kur kishte pare Sadikun të bënte një nudo alla Matisse: “Sadik ti duhet të besh artin tënd”. Dhe Kaceli vërtet bëri një art të tij, një art që i buronte nga shpirti i tij i ndjeshëm, një art që do ti burojë nga përjetimet në atdheun e tij që e donte aq shumë.


Pyetje „Albanian Post“: Duke parë këtë udhëtim mes artit, mund të thuhet fare hapur se jeta juaj dhe tradita e këtij fisi është Institut i Artit më vete?


Përgjigje Buron Kaceli: Arti ka qenë prezent që herët në familjen tonë. Familja kishte një traditë dhe një qasje të mirë ndaj së bukurës, ndaj artit. Gjyshi i Sadikut, Ismaili, ishte njëkohësisht dhe një lahutar i mirë. Fishta kur vizitoi shkollën e vizatimit të Tiranës dhe mori vesh se Sadiku ishte i vëllai i Aliut, mikut të tij, i recitoi vargjet e tija nga Lahuta e Malesise: “Merr Kacel një herë lahutën e na thuj një kangë shqipëtare, smajm na zi pa na qit faret….” Kur rritej im atë ndodhi që muzika klasike, arjet me të bukura të dëgjoheshin çdo ditë ngaqë banda e Tiranës së kohës me një dirigjent grek bënte prova ngjitur me shtëpinë e Kacelëve. Im atë kalonte një kohë të mirë duke dëgjuar këto arje dhe ishte bërë gati një përkthyes i dirigjentit grek. Do ta kishte të përhershme të lujaturën me mandolinë dhe violinë kur pushonte së pikturuari. Dekorimi siç thashë më sipër ishte prezent në familje që herët. Kështu që mund të themi se arti dhe e bukura ishin në çdo aspekt të veprimtarisë së familjes. Gëzim Ali Kaceli, nipi i tim eti, mbetet një ikonë e vyer e baletit dhe koreografisë sonë kombëtare. Një ndër themeluesit e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, Gëzimi me krijimtarinë e tij e ngriti vallen popullore në nivele të larta artistike pa ia lënduar thelbin e tabanit mbi të cilën u mbështët dhe u frymëzua. Vallet e tij kanë përfaqësuar me nder Ansamblin në vende të ndryshme të botës dhe sot luhen sikur të jene burimore. Ështe autori i dy baleteve ''Kecat dhe ujku'' me muzike të A. Peçit dhe ''Legjenda e Lules Honine'' me muzike të Hajk Zaharianit. Për gjithë këtë kontribut ai gëzon titullin ‘Artist i Merituar’, por realisht ky titull është shumë pak për atë çka ai i ka lënë trashëgim kulturës sonë kombëtare duke e pasuruar shumë atë. Renis Kaceli, djali i Gëzimit, ishte një ndër balerinët e shquar të teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. I diplomuar me Titull Nderi pranë ''Accademia di Danza del teatro alla Scala'' të Milanos, sot ai bashkë me Aleksandrën, bashkëshorten e tij, i dedikohet mësimdhënies në shkollën “Realballet” të hapur prej tyre në Kalabri. Po ashtu e motra, Sonila Gëzim Kaceli, që ka mbaruar studimet pranë Universitetit dhe Konservatorit të Bolonjës, është arsimtare dhe bën pjesë në mënyrë aktive në jetën kulturore dhe artistike të qytetit të Bolonjës. Shija ndaj së bukurës do të shfaqet edhe tek mbesa e tim eti, Qefsere Ramazan Frashëri, që njihej në të gjithë Tiranën si nje rrobaqepëse dhe stiliste e shkëlqyer. Motra e saj, Lule Kaceli Borova dhe motra ime Heroina Kaceli Saraçi, do të punojnë dhe krijojnë në artet e aplikuara, ndërsa motra tjetër e imja, Lumnika Kaceli Triest, do të realizojë disa portrete dhe në Hollandë atje ku jeton do të hapë dhe një ekspozitë me motive nga Hollanda. Një nga djemtë e Heroinës, Omer Alush Saraçi, mbaroi akademine e arteve per pikture dhe realizon me sukses fotografine artistike. Fëmijet e xhajës tjetër, Jonuz Osman Kaceli, “Martir i demokracisë” do të shquhen po ashtu për shije të hollë ndaj së bukurës. Drita Jonuz Kaceli do të punonte ne artistiken Migjeni po në artet e aplikuara ndërsa motra e saj, Dhurata Jonuz Balena po jeton dhe pikturon bukur në Itali. A ka qenë një institucion arti? Mund të themi që arti dhe biseda për të bukurën ka qenë dhe mbetet prezent në familjen Kaceli dhe me mjaft rezultate.


Pyetje „Albanian Post“: Le të ndalemi tek Ju. Thuhet se preferoni peisazhin, por tek Ju dhe peneli juaj shohim mjaft risi të tjera, si e shpjegoni për lexuesit tanë?


Përgjigje Buron Kaceli: Im atë ka lëvruar të gjitha gjinitë e artit të pikturës. Përveç kompozimit, portretit, peisazhit dhe natyrës së qetë ai është i pari që ka realizuar gravurat, pllakatin si gjini etj. Por kur erdhi koha që kërkesa ndaj artit të kompozimit u bë nga pushteti tëper tëndencioze në drejtim të kompozimeve tematike, im atë iu drejtua peisazhit. Në atë kohë unë, nxënës në liceun artistik, e shoqëroja tim atë nëpër daljet e tija në natyrë. Ai realizonte peisazhe të atdheut të bukura e plot poezi në tekniken e vajit ndërsa unë pikturoja peisazhe në teknikën e akuarelit (ngjyrave të ujit). Peisazhi ishte dhe mbetet për mua një dashuri e madhe. Lëviz mjaft nëpër Shqipëri dhe më gjerë, por përveç peisazhit, unë realizoj edhe mjaft portrete. Portreti është po ashtu një gjini që e çmoj shumë. Gati gati, për mua janë njësoj portreti i njeriut, fizionomia e tij e veçante, psikologjia e tij, ashtu si peisazhi që ka veçorite e veta. Natyra po ashtu të shfaq gjendje nga më të ndryshmet që përkojnë me gjendjet shpirtërore të njeriut. “Natura humanum est” thonin latinët. Natyra është njerëzore. Kur thellohem për të bërë një portret më duket gati gati sikur po pikturoj një peisazh. E dua shumë këtë gjini, më pëlqen kur thellohem në botën e brendshme të njeriut.

Po ashtu trajtoj edhe kompozimin, gjininë komplekse siç është romani në letërsi, ku të gjithë elementet duhet të flasin dhe të shprehin një gjendje e të përçojnë një mesazh. Dhe kur bën portretin dhe peisazhin nuk ka sesi të mos duash të realizosh edhe kompozimin. Më pëlqejnë të gjitha gjinitë e pikturës, i trajtoj ato dhe realisht nuk mund të them se ku jam më mirë.


Pyetje „Albanian Post“: A ka qenë jeta një përkëdhelje për Ju?


Përgjigje Buron Kaceli: Nuk mund të them se ka qenë një përkëdhelje, ndonëse edhe kur më ka ardhur disi mbrapsht nuk më ka penguar asgjë që të jem vetvetja e të vazhdoj me kujdes por me vendosmëri ti marr jetës më të mirën e mundshme. Pas një fëmijrie të bukur në gjirin e familjes së ngrohtë me prindër të mrekullueshëm, Sadikut dhe mamasë Safijes, arsimetare që la punën për të qenë më pranë nesh teksa rriteshim, si dhe pas një rinie të këndshme çka e bënte të tillë përfshirja totalisht në botën e artit, më pas kam patur dhe probleme dhe vështirësi. Për atë regjim ishte problematike biografia politike e familjes Kaceli dhe ai regjim ishte shumë i ndjeshëm per të kuptuar mospërshtatshmërinë me të. Tre herë më kanë emëruar jashtë Tirane. Në atë kohë nuk ishte e lehtë, aq me tëper për një të ri të përkushtuar ndaj artit, të përballonte reagimin jo dashamirës të strukturave të ndryshme shtetërore që dirigjonin jetën e shoqërise dhe të çdo individi. Nëse jam përkëdhelur në këto periudha, jo vetëm prej disa miqve të afërm që nuk mu larguan për asnjë moment, por, dhe e them me plot gojën, jam “përkedhelur” nga njerëzit e thjeshtë qoftë në Tropojë kur më emëruan në fillim e qoftë në Malësinë e Tiranës kur dy herë më larguan prej Institutit të Monumenteve të Kulturës ku punoja jo pa sukses në restaurimin e veprave të artit. Në një farë mënyre jam vetpërkëdhelur me aktivitetin tim krijues, pikturën që nuk e lashë asnjëherë përveçse në periudhen e ndërrimit të sistemit ku iu përkushtuam me idealizëm të madh, gati gati infantil, dëshirës për transformimin e jetës.


Pyetje „Albanian Post“: Një ndalesë tek disa nga veprat tuaja. Kë do të dallonit (veçonit) më shumë në syrin tuaj profesionist?


Përgjigje Buron Kaceli: Kur rriteshim katër fëmijë dhe im atë shiste ndonjë pikturë, dhe gëzoheshim të gjithë sepse plotësonim nevojat e ndryshme të jetesës, im atë, sigurisht që gëzohej, por edhe me një lloj ndjenje të lehte pakenaqesie sepse sic thoshte ai, pikturat i kam si fëmijët e tij, pjesë shpirti. Ashtu si prindi nuk bën dallime të fëmijët edhe piktori krijues nuk e ka të lehtë të vlerësojë krijimet e veta. Siç thash më lartë unë i trajtoj të gjitha gjinitë dhe ndër to po listoj ato vepra të mija që të tjerët i kanë vlerësuar më shumë. Për shembull në gjininë e kompozimit po permend: “Tokë Shqipëtare”, “Bendo Buzi”, “Violinisti”, “Cigania”, “Lypësi” etj. tek peisazhet: “Porti i vogël i Sarandës”, “Tirana në muzg”, “Drenova”, “Valbona”, “Liqeni i Pogradecit” etj. Dhe tek portretet: “Portreti i Kacelit”, “Portreti i nënës”, “Pranvera”, “I braktisuri” etj.


Pyetje „Albanian Post“: Si e shikoni artin dhe artistin në këto vite të demokracisë?


Përgjigje Buron Kaceli: Të gjendurit direkt në një liri të plotë dhe të papritur, direkt nga një periudhë e gjatë izolimi prej botës së qytetëruar, artistët shqipëtarë ndonëse të përgatitur profesionalisht shumë mirë me një formim akademik megjithë keqshfrytëzimin në kuadër të metodës se realizmit socialist, nuk e kishin të lehtë të njëhsonin hapin me kolegët e tyre, artistët e botës së lirë që gjatë 50 viteve kishin rrugëtuar normalisht në një jetë në zhvillim e sipër, me zhvillimet teknologjike si dhe me zhvillimin e koncepteve të reja për jetën dhe artin. Megjithatë më shumë sakrifica dhe përkushtim mendoj që mjaft artistë si jashtë, ashtu edhe brenda vendit rezultuan të suksesshëm dhe në përgjithësi arti pamor shqiptar po ndjek një zhvillim të mirë. Dhe kjo fatkeqësisht jashtë vëmendjes dhe kujdesit të shtetit.


Pyetje „Albanian Post“: Ku qëndron forca dhe e fshehta e një shpirti artisti si ju?


Përgjigje Buron Kaceli: Mendoj që forca dhe e fshehta për çdo artist qëndron tek shpirti i paracaktuar për të patur sukses në art nëse edhe rrethanat do të jenë dashamirëse dhe nëse nuk do të mungojë përkushtimi i artistit për artin. Sigurisht që ndjeshmëria karshi së bukurës, dëshira dhe rendja pas saj e jo thjeshtë dhe vetëm për ta ndjerë siç ndodh tek shumica e njerëzve, por edhe për ta prekur atë e për ta hedhur e fiksuar të bukurën në telajo. Nuk është e lehtë, por të lehtëson dashuria për të bukurën. Kërkon shumë forcë, por herë herë të jep një kënaqësi të tillë të madhe qe të mos pushosh së renduri pas së bukurës, së bukurës dhe së vërtetës, sepse e bukura dhe e vërteta nuk janë veçse një, një dhe e pandarë.



Pyetje „Albanian Post“: Ku qëndron rëndësia dhe vlera e ekspozimit të veprës së artistit nga studio tek ekspozitat?


Përgjigje Buron Kaceli: Si të gjithë artistët kur janë në proces të realizimit të një vepre që do ta ekspozojnë në publik, edhe une e vendos veprën në një sipërfaqe të lirë të studios për ta parë sikur do ta shihja në ekspozitë. Dhe ndodh gjithmonë që në studio e mendon të mbyllur dhe gati për ta dërguar në publik, kur e shikon vepren tënde të ekspozuar krahas veprave të tjera të kolegëve, gjithmonë do ta shohësh më shumë me tëper objektivitet. Të duket sikur po e shikon për herë të parë dhe e shikon sikur po e shohin dhe vizitoret e tjerë. Ekspozimi ka shumë rëndësi. Aty ballafaqohen vlerat dhe vlerën se si e shikojnë punën tënde të tjerët pavarësisht nëse je ose nuk je dakord, shkëmben mendime me krijuesit e tjerë si dhe me personalitete të ndryshme të kulturës dhe kështu del në konkluzione të vlefshme per krijimtarinë tënde në vazhdim. Për këto arsye ekspozitat janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e krijimtarisë krijuese të çdo artisti dhe të artit në përgjithësi. Fatkeqësisht në Tiranë artistët e kanë problem ekspozimin. Tiranës, kryeqytet me një milion banorë, i mungon sot e kësaj dite një sallë e mirë ekspozimi dhe artistët e ndjejnë shumë këtë mungesë megjithë egzistencën e dy tre sallave të vogla private.


Pyetje „Albanian Post“: Çfarë mesazhi përcillni ju tek kjo pjesë shqiptare, që mbetet me sy dhe zemër në Atdhe, ndërsa ka hyrë në katalogun „Diasporë“?


Përgjigje Buron Kaceli: Diaspora, pjesë shumë e ndjeshme e shpirtit të kombit, e shpërndarë nëpër botë ku çdo pjestari të saj i rreh zemra me zemrën e nënës Shqipëri, është një vlerë e madhe dhe e patjetërsueshme për mbështetjen e zhvillimeve pozitive në Shqipëri nëse ajo nuk qëndron e kataloguar në termin “Diasporë”, por ndjehet dhe merr pjesë aktive në zhvillimet e Shqipërisë. Sigurisht që arritjet individuale të shqiptarëve nëpër botë, për fat jo të pakta, influencojnë pozitivisht për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë, por nëse elementët më të shquar të diasporës do të organizoheshin në një lëvizje të mirë formuluar, atëherë do të mund të ndihmonin shumë me tepër në përmirsimin e politikbërjes në shërbim të vendit sesa votimi i thjeshtë që edhe mund të manipulohet. Nëse ky mesazh mbetet i paplotë në sensin e një bisede, konteksti i së cilës është arti, atëherë diaspora, atje ku ndjehet mirë dhe e ka të mundur do të mund të kontribonte në propogandimin dhe krijimin e mundësive të ekspozimit për artistët shqiptarë çka do të ishte shumë e mirëpritur. Por për të qenë efiçente e rëndësishme është që diaspora të jetë e mirëorganizuar, jashtë përkatësive dhe detyrimeve partiake dhe me të vetmen dëshirë dhe objektiv, zhvillimin e përgjithshëm kombëtar.





132 views2 comments

2 Comments



Shefqet Meko:

I dashur Fate

Faleminderit për këtë “peisazh mdhështie” krijuese! Kaceli shpesh ka “përkëdhelur “ ndjesitë e mia me veprat e me ngjyra magjike! Kjo intervistë sikur zbulon para nesh një “ajsberg” intelektual dhe krijues! Them “ajsberg” sepse më duket më e ëmbël se “ dinastia” që në konotacionin e vet sikur të jep përshtypjen e një imponimi krijues dhe i telektual! Intervista Juaj sjell vērtet një “ ajsberg” Kaceli që të befason dhe sërish i thua vetes “ Sa pak paskam ditur”! Ju dhe Kaceli me “penelatën” e shqipes sonë sillni një gjenealogji familjare me kontribute fondamentale në ekzistencën krijuese të shqiptarēve! Kaceli thotë aq bukur, “pikturon” mjeshtërisht botën e të mirës shqiptare që Ai e…

Like

Perparim Hysi
Feb 07, 2021

Një shkrim që ia vlen.Evohet një familje tradicionalisht e lidhur me artin.BURON KACELI është vazhdues i bdenjë i asaj dere të madhe e fisnike.Rrofsh për shkrimin FATMIR!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page