top of page

Faktet që i përmendem përligj në mënyrë të mirëfilltë


LETËR KRYETARIT TË BASHKISË SË HIMARËS

I nderuari kryetar i Bashkisë së Himarës, zotëri Gjergji Goro,

Për arsye të rrethanave të rënda që ka shkaktuar Kovid 19 dhe të gjendjes së përkeqësuar ditëve të fundit në Shqipëri dhe në Kosovë, nuk mund të udhëtojmë për Himarë dhe nuk mund të jemi të pranishëm në aktin solemn të dhënies së titullit – Nderi i Himarës mikut tonë të shtrenjtë, TIMO MËRKURIT, prandaj me anë të kësaj letre ju përshëndesim e falënderojmë për këtë vendim.

Vendimi i Këshillit Bashkiak të Himarës që të shpallë Nderi i Himarës poetin dhe studiuesin e shquar, TIMO MËRKURIN, jo vetëm që është më së i drejtë, por e nderon atë Bashkësi, e nderon qytetin ku jeton Timo, Sarandën, e nderon secilin shqiptar që e njeh sado pak krijimtarinë e tij të pasur studiuese dhe letrare dhe i çmon vlerat e njëmendta që krijohen dhe e bëjnë botën tonë.

Timo Mërkuri me punën e vet krijuese në dy fusha të rëndësishme: letrare poetike dhe studiuese, ka dhënë një ndihmesë të madhe, duke e pasuruar kulturën dhe shkencën tonë.

Në fushën e poezisë Timo Mërkuri dallohet, pos të tjerash, për dy veçanti të rëndësishme: për ngjeshësinë – dendësinë e tekstit poetik të përftuar, dhe për dhembjen – vuajtjen e thellë që shprehet përmes strukturës gjuhësore shprehëse.

Në poezinë e Timos dhembja është e ndërlidhur me botën e tij të brendshme dhe me botën e njeriut të tij në rrethana konkrete jetësore; ajo është e ngjizur me vuajtjen dhe me vetminë, që kushtëzohen midis tyre, që vërehet sidomos në përmbledhjen me poezi të zgjedhura “Ëndërrime të mbytura në det”, të botuar në Kosovë më 2018.

Në fushën e studimeve Timo Mërkuri ka dhënë një ndihmesë të qenësishme në ndriçimin e iso-polifonisë shqiptare, në veçanti atë të krahinës së Himarës duke shpalosur sa pasurinë, aq dhe veçantitë e kësaj tradite të lashtë e të rëndësishme shqiptare dhe kjo është e pranishme në disa libra të tij si Shënjtëria e iso-s, Identiteti iso-polifonik, Vajz’ e valeve, Honestra e këngës himariote etj. Krahas kësaj ka mbledhur, sistemuar dhe botuar mbi pesë libra me krijime të artit gojor si këngë, vaje dhe bejte pilurjote.

Timo Mërkuri, po ashtu, ka dhënë një ndihmesë të rëndësishme dhe në studimin e baladave si “Balada e murimit”, Balada “Besa e Kostandinit” etj, duke i krahasuar ato dhe me traditat e tjera të popujve të Siujdhesës Ballkanike dhe më gjerë.

Faktet që i përmendem përligj në mënyrë të mirëfilltë se sa i drejtë dhe i merituar ka qenë vendimi i Bashkësisë së Himarës që ta shpallë Timo Mërkurin Nderi i Himarës.

Ju përshëndesim vëllazërisht nga larg.

Prishtinë, më 3 nëntor 2020

Prof.Dr. Anton Nikë Berisha



Poet Sabit Rrustemi



Prof.Dr. Labinot Berisha

46 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page