top of page

Faktet, ore Profesor i dashur, janë kokëforta


Prof Dr Eshref Ymeri

I dashur Profesor Resmi Osmani,

Në faqen e Portalit të respektuar “Fjala e Lirë” të datës 25 janar, lexova shënimin tuaj “Le t’i hedhim një sy asaj që ndodhi...”, shënim ky, si reagim ndaj Esesë së Prof. Dr. Fatmir Terziut, me titull “Lideri opozitar me dimensione te reja?”,të botuar po në këtë Portal më 20 janar. Për ju, Profesor i nderuar, kam shumë respekt se jeni një intelektual me brumosje të shkëlqyer atdhetarie, një specialist me autoritet në fushën që mbuloni, si edhe një shkrimtar dhe publicist i talentuar. Veç kësaj, për ju respekti më shtohet edhe më shumë për faktin se jeni bir i Tokës së perëndive, i Çamërisë martire, për të cilën Babai im, Hasan Ymeri (1890-1970), veteran Luftës së Vlorës, thoshte se Çamëria përfaqëson këmbët, ku mbështetet kombi shqiptar, prandaj pa Çamërinë ne jemi një komb pa këmbë.

Në reagimin tuaj ndaj Esesë së Profesor Fatmirit, ju shkruani:

“E lexova me kujdes parashtresën Tuaj te Fjala e lirë dhe mendimet për atë që duhet të jetë dhe cilësitë që duhet të ketë drejtuesi i opozitës politike që pretendon të jetë (apo që do të jetë) kryeministri i vendit, si dhe përgjigjen flakë për flakë të Prof. Eshref Ymerit. Sa për ta përmendur, nuk jam i një mendimi me profesorin e nderuar që veset tona janë gjenetike, që nga Iliria e deri më sot. Se po të jenë të tilla ato janë të trashëgueshme, pjesë e genomes sonë dhe si të tilla të pandreqshme”.

Edhe mua do të ma donte shumë zemra që veset që pata përmendur, të mos ishin të trashëgueshme, por faktet që nga lashtësia vërtetojnë se ato vese janë përcjellë brez pas brezi. Për shkak të përçarjes së pellazgoilirëve, grekët na grabitën historinë, deri edhe perënditë. Për shkak të përçarjes së mallkuar, principatat ilire hanin kokat e njëra-tjetrës. Në mesjetë Lek Dukagjini s’u bashkua me Skënderbeun. Ps vdekjes së tij, shqiptarët ranë nën sundimin gati pesëshekullor të perandorisë otomane, e cila, me nxitjen e patrikanës dhe të kishës shoviniste greke, na ndaloi shkollat në gjuhën shqipe, ndërkohë që asnjë vendi tjetër nuk ia ndaloi shkollat në gjuhën amtare. Dhe shqiptarët, për shkak të përçarjes, shtruan kurrizin para këtij akti kriminal të agait të Stambollit. Jo vetëm kaq, por pikërisht për shkak të përçarjes, shumë shqiptarë u bënë mercenarë në shërbim të perandorisë otomane. Në Paris, para se të nisej për në Londër, vetë Ismail Qemali, më 26 prill 1913, ka deklaruar në “Excelsior”:

“Për shekuj me radhë, turqit kanë rekrutuar midis nesh zyrtarët më të mirë dhe ushtarët e tyre më të guximshëm” (Citohet sipas:“Ismail Qemali më 1913: Evropa na konsideron të paaftë për të qeverisur”. Faqja e internetit“Bota Sot”.02 maj 2019).

Pra, përçarja ndërshqiptare ka qenë trualli që ka ushqyer mercenarizmin, tradhtinë dhe servilizmin ndaj të huajve, përçarje që i ka kthyer shqiptarët në argatë të tyre .

Lidhja e Prizrenit u krijua me frymëzim të Stambollit, për t’iu kundërvënë vendimeve që u morën në Paqen e Shën Stefanit, frymëzim që kishte për qëllim shpalljen e autonomisë. Por edhe në Lidhjen e Prizrenit shqiptarët shkuan të përçarë: një palë donte shpalljen e autonomisë, tjetra synonte shpalljen e pavarësisë. Për shkak të përçarjes ndërshqiptare, dihet si përfundoi Lidhja e Prizrenit.

Në vitet 1910-1912, shqiptarët u ngritën në kryengritje kundër turqve, duke mos e kuptuar që perandoria otomane kish marrë tatëpjetën me kohë e me vakt dhe, për shkak të përçarjes, duke harruar që armiku i tyre më i rrezikshëm ishte grekosllavizmi, siç edhe rezultoi faktikisht.

Modelin e përçarjes tragjike shqiptarët e manifestuan në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Pasojat e asaj përçarjeje janë boll të dukshme edhe në ditët tona. Vetëm në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup janë të regjistruara në gjykata 92 parti politike. A ka fakt më domethënës për përçarjen ndërshqiptare, e cila ka një traditë të lashtë pellazgoiliriane?

Pra, Profesor i nderuar, pikërisht për shkak të përçarjes tragjike që i ka karakterizuar dhe vazhdon t’i karakterizojë shqiptarët, trojet tona etnike, si askund në kontinentin evropian, janë të hallakatura në disa shtete të gadishullit tonë. Edhe mua s’ma do zemra që veset që burojnë nga përçarja ndërshqiptare të jenë gjenetike. Por përçarja që kemi trashëguar që nga lashtësia dhe që vazhdon deri në ditët tona, na vërteton të kundërtën.

Me respekt të veçantë ndaj jush.

Santa Barbara, Kaliforni

26 janar 2020

68 views3 comments

3 Comments


Eshref Ymeri: Të dashur Eqerem dhe Noke,

Ju falënderoj nga zemra për komentete tuaja. Aq më tepër që ju jeni shkrimtarë dhe i keni mjeshtëri analizat e formimit psikologjik të njerëzve. Jam shumë i brengosur që përçarja ndërshqiptare na ka ndjekur nga pas këmba-këmbës që nga lashtësia pellazgoiliriane deri në ditët tona. Nuk jam në gjendje t'i shpjegoj arsyet e kësaj përçarjeje tragjike të këtij kombi më të lashtë dhe që flet gjuhën më të lashtë të kontinentit. Me sa duket, një popull i përçarë, ashtu si edhe një familje e përçarë, nuk e gëzon bekimin e Hyjnisë. 

Me shumë respekt dhe mirënjohje.

Like

Noke Abilekaj Fatalitet. Kjo është historia. Të tjerat janë dëshirë e mirë për t'u dukur HEROIKË:

Like

Eqerem Canaj Prof. Eshrefi, nuk i kam rene penes asnjehere ne nervin politik, pse, sic edhe e di, me ka mjaftuar pjesa e letersise, per te cilen i jam perkushtuar... Gjethaq, lexova vemendshem shkrimin tuaj dhe, duke te te pershendetur, ju mbeshtes teresisht per tensionin argumentues, ghihen dhe forcen kundershtuese. Te falenderoj, respekte pafund!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page