Fahri Dahri: VINI RE! (VËMËNDJE-PËRQËNDRIM)!
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 1 day ago
- 10 min read

Duhen afro edhe tre muaj të mbushen plot 80 vite kur më 18 korrik 1945, doli numuri i parë i gazetës : “Zëri i Çamërisë”.
I- Përpjekjet për të dëgjuar zërin e mekur të çamëve!
“Si një ndër pionerët e publicistikës shqiptare, Rilindjes Kombëtare, Musa Demi e vlerësonte shumë rolin që do të luante një gazetë, për të përcjellé zërin e 25,000 çamëve në emigrim. Madje këtë gazetë ai e kishte pagëzuar me emrin "Zëri i Çamërisë", пjë emër kuptimplotë, që edhe sot, pas më shumë se 50 vjetësh (80 vjet me përditësim. FD) tingëllon aktual. Musa Demi projektin e tij ua shpalosi fillimisht bashkëpunëtorëve që bënin pjesë në Komitetin Çam, si Taho Sejkos dhe Kasem Demit, madje e diskutoi edhe me Kryesinë e Këshillit Çam, dhe në mënyrë të veçantë me Vehip më Demin dhe Dervish Dajakën. Ai gjeti mbështetje të plotë. Kështu që Musa Demi dhe Vehip Demi, i pari në funksionin e kryetarit të Komitetit Çam dhe i dyti në krye të Këshillit Çam iu drejtuan Ministrisë së Shtypit dhe të Propagandës, shkresën e datës 12 qershor 1945, ku kërkohej dalja e gazetës "Zëri i Çamërisë" si dhe ndihma nga ajo ministri për letrën e një tirazhi për 4.000 kopje, si dhe shtypjen e saj në shtypshkronjën "Bashkimi". Komiteti Çam mori përgjigje pozitive për nxjerrjen e gazetës “Zëri i Çamërisë”. Komiteti kishte planifikuar daljen e saj një herë në muaj. Pas daljes së numrit të parë, më 18 korrik 1945, Këshilli Antifashist Çam nisi shpërndarjen e gazetës jo vetëm në masën çame, por …. dhe, në redaksinë e gazetës "Koha e re", 150 copë gazeta "Zëri i Çamërisë". Të njëjtën gjë bëri duke nisur ekzemplarë edhe në qytetin Gjirokastrës. (Kështu shkruan historani i njohur Hajredin Isufi, në libbrin Musa demi..)
II- Pak informim mbi mundësinë e shtypin të kohës për çamët e vetmuar e të braktisur! GAZETA:”ZËRI I ÇAMËRISË”
Redaksia, e përbërë nga: kryeredaktor Kasem Demi e redaktorë Vehip Demi, Idriz Halluni, Gjergj Komnino, Njazi Demi dhe Vehip Sejko, iu përveshën punës për nxjerrjen numrit të dytë. Edhe për daljen e numrit të ri, Ministria e Shtypit dhe e Propagandës njoftonte Komitetin Çam, më 14 gusht 1945, se për shtypjen e tij ishte udhëzuar shtypshkronja “Bashkimi”.
(Marrë nga libri : “Musa Demi dhe qendresa Çame 1800-1947”. fq. 298, 299, autor Profesor Hajredin Isufi).
—------
Vazhdojmë të lexojmë të shprehurit e profesori Hajredin Isufit:
“Qëndrimi indiferent që mbante Misioni Britanik në Tiranë e kishte zhgënjyer shumë Musa Demin. Edhe EAM-i ishte shumë kontradiktor në qëndrimet e tij. Në mjaft raste, çamë të zënë (kapur-FD) nga EAM-i iu dorëzuan Qeverisë greke. Nga ana tjetër, lista të gjata me emra çamësh u përcilleshin autoriteteve shqiptare (nga pala greke -FD) për t'u kapur dhe për t'ia dorëzuar Qeverisë greke. Siç shihet, EAM-i, sipas marrëveshjes së Varkizës të shkurtit 1945, ishte bërë një mashë e Qeverisë fashiste greke për të vazhduar luftën shfarosëse kundër minoritetit çam. Musa Demi mendonte se e vetmja rrugë për nxjerrjen në dritë të së vërtetës për dramën e popullatës çame dhe dënimin e shkaktarëve të saj do të ishin institucionet ndërkombëtare që, sipas mendimit të tij, ishin jashtë ndikimit të Qeverisë greke dhe Partisë Nacionaliste ekstreme, të përfaaësuar nga Napoleon Zerva. (Po aty fq.332).
------
Libri i historianit, bir i denjë i Çamërisë, profesorit Hajredin Isufi, shpalos me vërtetësi dhe saktësi ngjarjet historike të ndodhura në një periudhë kohore prej 150 vitesh, mbështetur në dokumentet të besuara të asaj periudhe. Profesori, me formimin e tij profesional në histori dhe gjuhë-letërsi, dhe dëshmitar okular i asaj gjëme, na jep një dhuratë të çmuar e cila me një gjuhë të pastër shqipe, i jep çdo lexuesi informim të bollshëm historik për një kohë një shekullore e gjysëm, të nxjerra nga gërmimet e lodhshme, durim të veçantë dhe këmbëngulës, për të mbetur gjallë e për tu njohur historia e asaj treve, e cila ishte e “vetmuar” nga të gjitha shtetet, si të fqinjëve dhe të atyre që vendosnin fatin e popujve, duke thithur purot apo nargjiletë.
-----
Ja ç’farë konkluzionesh na jepen nga profesori, dëshmitari i masakrave, i gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, të cilat tregojnë vetminë e trishtë të një komuniteti autokton. Mbi atë komunitet vërshuan forcërisht mashtrimet, fuqia ushtarake dhe diplomacia e mbrapshtë e “Të mëdhenjëve”të kohës: “Musa Demi ishte skeptik ndaj këtij "komision hetimor", dhe që më pas koha i vërtetoi. "Unë, - shkruan ai (Muusa Demi-FD) në kujtimet e tij, - rreth këtyre komisioneve kisha një përvojë të hidhur nga e shkuara jo e largët. Kur vinin në Çamëri komisione nga Lidhja e Kombeve, në vitin 1924 e më pas, për të verifikuar ankesat tona rreth keqtrajtimeve që na bënte Qeveria greke, ne, megjithëse vinim (shtronim-FD) në dispozicion të komisionit fakte dhe dokumente të shumta dhe të pakundërshtueshme, kur vinte fundi, komisioni, nën ndikimin e qeveritarëve grekë, e bënte të zezën të bardhë. Prandaj, nga Misioni Britanik dhe nga z. Palmer nuk prisnim asgjë, përkundrazi mund të na servirej ndonjë shpifje tjetër e shëmtuar, nga ato që grekët dinë t'i gatuajnë me mjeshtëri në kuzhinat e tyre dhe në këtë drejtim me të huajt kanë qenë gjithnjë të suksesshëm".
III- Mbi librin për Çamërinë.
Vazhdojmë me vëmëndje leximin e librit të hstorianit të Çamërisë, z . Hajredin.
“Mbrojtja e çështjes çame nga Qeveria shqiptare në momentet e krizës në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë, kishte për qëllim t'u kujtonte qeverive aleate se qeveria greke kishte detyrime të mëdha ndaj Qeverisë shqiptare dhe problemeve duhej t'u jepej zgjidhje e shpejtë. Dukej qartë se Enver Hoxha u mundua ta përdorte çëstjen çame si një armë të fuqishme në fushën diplomatike, për t'i mbyllur gojën Greqisë për "Vorio Epirin". Ndërkohë Enver Hoxha vendosi të ndërmarrë veprime të tjera sensibilizuese në opinionin e huaj, në lidhje me çështjen çame, nëpërmjet botimit të një libri në gjuhën frënge me të dhëna mbi gjendjen e Çamërisë në Greqi. Në këtë kuadër, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, më 20 korrik 1945 i rekomandonte Ministrisë së Shtypit dhe të Propagandës që për problemin çam, vuajtjet dhe persekutimet e tyre të përgatitej një libër, i cili do të ndikonte në opinionin e jashtëm”. Libri e pa dritën e botimit në vitin 1947 nën titullin :”Actes agressifs du gouvernement monarcho- fasciste grece contre l’albanie”, Tiranë 1947. (Po aty fq. 305, 310).
[Nuk do ishte keq nëse do të bëhej e mundur që ky libër të dalë nga “sepetet” dhe të njihet nga brezi i sotëm. Sikur të ngadalsohet propaganda e demagogjia për të shpejtuar njohjen e vërtetë të masakrave të viteve 1913-1945. Mirë është të veprohet më konkretisht nga SHPAÇ - FD].
-------
IV.- Thesprotët/Çamët, e djeshëm dhe të sotëm, ndaj popujve të tjerë, fqinj dhe jo fqinj, vërtetohet plotësisht se mbulohen nga një mister armiqësor i pa spjeguar që vazhdon të jenë pre e përhershme për ‘ta.
Shqiptarët e rajonit etnik shqiptar të Çamërisë, të paktën, bazuar në hulumtimet historike shumëvjrçare, dëgjimet dhe kontaktet personale me njerës të shumtë, si dijetarë, intelektualë, të zakonshëm, me profesione të ndyshëm, të mirëkuptuar dhe jo të mirëkuptuar, më kanë krijuar bindjen se ata/këta të djeshëm dhe të sotëm, i ka mbuluar një mister historik, gjeografik, social dhe identik. Në këtë arritje konkludive, më duhet, para shtjellimit, të ndalem në dy përkufizime:
a)- Ç’farë kuptohet me termin “mister”, mistér/i.; diçka shumë e fshehtë, e panjohur ose e pazbuluar, e pashpjegueshme: misteret e natyrës; mbeti mister, mbeti pa u zbuluar”; sipas fjalorit shqip).
b)- Po identiteti si përkufizohet në fjalorin shqip? “Të qenët i veçantë nga të tjerët dhe i njëjtë vetëm me vetveten në disa veçori e tipare që shërbejnë për t'u njohur pa vështirësi si i tillë, të qenët po ai”. Dhe etniteti rezulton të jetë “një bashkësi e qëndrueshme njerëzish, e formuar historikisht në një truall të caktuar, me gjuhë dhe kulturë të njëjtë”.
Këto dy përkufizime, shpresoj të na japin zgjidhje për misterin historik, gjeografik, social e identik të grupnjerëzve, pasardhës të fisit të lashtë thesprot dhe çamëve të sotëm. (Fis-bërthamë pellazgjike),
Me vëmëndje tepër të kujdesshme, të këtyre dy përcaktimeve, pa drojë, me bindje, më rezulton se janë saktësisht të krijuar posaçërisht dhe me përshtatje për tre fiset epirote (kaonë, thesprot, mollos). Për të mos patur keqkuptime, tema që po trajtoj nuk është për të përjashtuar fiset e tjera pasardhës të ilirëve. Për të qenë transparent, arritjet e mia në këto konkluzione, janë produkt i mijëra e mijëra fletëve historike të lexuara, janë përvojat e viteve të gjyshërve e prindërve me të cilët kam jetuar, është periudha e të tre moshave ku kam jetuar dhe jetoj. Ky deklarim më shërben për të vërtetuar pikërisht atë që grupnjerëzit e rajonit të Thesprotisë, kryesisht nga mesi i shekullit XIX e në vazhdim, i janë nënështruar ngjarjeve më të egra, më ç’njerëzoret, siç u tha nga fqinjët dhe nga shtete e tjera të fuqishëm ushtarakisht, forcërisht, ekonomokisht, kulturarisht dhe që na kanë përjashtuar si qënie sociale!. Njeriu, dihet është qënie sociale dhe që çdo shoqëri të jetë e zhvilluar, e civilizuar, që të arrijë përparim e zhvillim ekonomiko- shoqëror, i kërkohet, ose realizohet kur në përbërje të saj gjinden persona krijues, punëtorë të zellshëm, të kenë marëdhënie të sinqerta ndaj njëri- tjetrit, të nderojnë, respektojnë, etninë, racën, besimin fetar, kufijtë tokësorë, etj. Por realiteti 200 vjeçar, ndaj këtyre gjasave, nuk ka qenë prezent mes banorëve të rajonit të Çamërisë me banorët e fqinjëve të çdo ane. E vërteta historike tregon se banorët autoktonë të rajonit, janë përballur me shpatat, dyfekët, mitralozët, tanket, shpifjet, mashtrimet, kurthet, dhunimet, masakrat dhe dëbimet të shoqëruara me nënvlerësime, poshtrime, me fshehje, fshirje, burgime, me shfarosje.
Kjo e vërtetë ndikon në ndërgjegjen time, për të zbuluar misteret që fshihen dhe që të gjithë kanë zënë pozicione luftimi përballë këtij grupimi shoqëror.
Vallë pse?!
Sinqerisht e kam të pa konceptueshme të gjej, qoftë dhe një arësye të vetme, ku të fajësohet ky grupim shoqëror.
Analizoj qendrimet personale, të anëtarëve të familjes time, të afërmit si dhe sjelljet, marëdhëniet e komunitetit çam me shoqërinë ku bashkëjeton. Po kështu dhe me familjet e shumta të emigruara në Turqi e gjetkë, nuk konstatoj asgjë ndryshe. Mirëkuptim, vëllazëri, me karaktere, dashuri, dhimshuri njerëzore, si gjithë fiset e tjera të etnosit sgqiptar. Atëhere kush duhet fajësuar? Edhe kjo pyetje ka vështirësi për tu zbuluar! Ndaj them se duhet zbuluar misteri, ose misteret që fshihen në arësyet e egërsisë së etnosve të tjerë ndaj fisit çam, fis brenda etnosit shqiptar.
a)- Le të zbresim në terrenin praktik. Për të zbuluar misterin. Në analizë do përqëndrohemi me pjesën e çamëve që u dëbuan nga vatani i tyre dhe u strehuan në Shqipëri. Më duhet të përdor sistemin mathematikor të eliminimit. Nuk do merremi me qendrimet aspak dashamirës të shtetit shqiptar, sepse janë të njohura e të provuara (disa pjesë u cituan më lart). Ndalemi tek marëdhëniet e refugjatëve çamë me banorët vendas. Përgjigja është pozitive, u konstatua pritje vëllazërore si në tërësi ndaj refugjatëve dhe individëve. Këtu nuk ka vend për zbulime misterioze.
b)- Në nivelet shtetërore greko-shqiptare. Nga përvoja dhe realiteti, qendrimet e tyre ndaj shqiptaro-çamëve, ka plot mistere. Të dy shtetet ndajnë qendrim aspak dashamirës për fisin çam të thesprotëve!?. Për këto qendrime kërkohet të gërmohet për të gjetur fshehjen e mistereve.
Kujdes kërkon gjetja e shkakut të përputhjes në qendrime të të dy palëve dhe që kanë mbështetje në përputhje edhe nga shtetet e tjera fqinj dhe jo fqinj. Këtu mendoj se fshihen misteret.
c)- Një mister është i zbuluar dhe është real. Në përvojën time, rol të fuqishëm luan misteri i besimit fetar. Shpesh flitet nga pala greke se çamët tradhëtuan kombin grek dhe u konvertuan në islam. Mirëpo ky mister i zbuluar nuk ka argument bindës në konceptimin e etnosit shqiptar. Besimet fetare janë subjektive dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me gjuhën, gjakun, territoret etj. Tregues këta që ekzistojnë edhe para lindjes së foshnjave. Madje besimi fetar është produkt i kultivuar tek njerëzit mbas një moshe të caktuar dhe nuk përcaktohet nga vendi i lindjes. Kokludohet se besimi fetar është mister, por i një anshëm dhe si i tillë mbetet pa vlerë përcaktuese etnikisht dhe në demokraci nuk pranohet shkak për kryerje masakrash apo gjenocide.
●- Nga sa sipër, nuk arrihet të zbulohen misteret e fshehta, për të ndikuar në justifikimin e armiqësive të shumë shteteve ndaj çamëve, grup i vogël njerëzish.
Në këto kushte lind nevoja ti drejtohemi veçorive natyrore që janë: territori dhe dukshmëria e hershmërisë njerëzore në atë trevë, në Çamëri..
1)- Dukshmëria historike.
Fiset kaone, thesprote dhe mollose, më pas banorët e Epirit, kanë dukshmëri historike, siç shkruan edhe profesori i historisë, i nderuari dhe i vlerësuari ynë Kristo Frashëri, “..aq kohë sa nuk mbahet mënd”. Nuk është e re, kur themi se rajoni i Çamërisë (mirëkuptoni, trajtohet tema për Çamërinë dhe çamët) është në mesin e Mesdheut. Pra del në pah se ky grup njerëzish është tepër i lashtë.
2)- Mitet, legjendat dhe hershmëria e kulturës.
Në territorin e Thesprotisë gjënden dy të veçanta që, mesa duket ndikojnë në sulmet armiqësore izoluse dhe shfarosje të fisit thesprot-çam.
a).- Ka lindur hershmëria e kulturës së mbidheshme (me faltoren e Dodonës);
b).- Kultura e nëndheshme (me lumin Aheron, lumin Vuv). Në Thesproti kanë lindur Zotat, atje ndodhet Hadesi [kur Herakliu i bëri fli Zeusit në Olimpia, dogji kockat e viktimave mbi drutë e plepit të bardhë. Herakliu e gjeti plepin e bardhë që rritej në brigjet e Akheronit dhe për këtë arësye u identifikua me përroin e nëntokës dhe plepi i bardhë ishte pema e shenjtë e perëndisë Hades (Hadhe)]. Në Thesproti ka plot mite e legjenda. Është plaku, varkëtari Charon, që me varkën e tij, që çonte të vdekurit në jetën e përtejme, nga njëra anë e lumit Acheron, në anën tjetër. Qeni me tre koka. [Rojtari skëterrë Cerberus e sheh Princin e Underworld (nëntokës) me emocione të përziera], nekromandia, shtatë vendbanimet më të hershme të rajonit Mesdhetar dhe shtatë shpellat strehuese të tyre.
Këto dy të gjendura të veçanta në atë rajon, ndikojnë në mendime se krijojnë shkaqe për të lindur zilija dhe ziliqarët kedashës. Nga ku arrihet në zbulimin e mistereve, të fshehtave, pasi këto të veçanta me vlera të çmuara, ziliqarët kërkojnë t’i përvehtësojnë. Për ta realizuar synimin e tyre kanë ndërtuar strategjinë që ky grupim, mbartës i trashëgimisë pellazgjike, duhet të asgjësohet, të zhduket nga historia dhe gjeografia, ashtu siç është vepruar edhe me djeg'jen e Bibliotekës së Madhe të Aleksandrisë.
De fakto është lufta kundër kulturës dhe dijeve të lashtësisë, për t'u zëvëndësuar me kulturën e re!.
Kulmi i egoizmit njerëzor!
Të ndeeruar lexues. Kjo është një përpjekje për të arritur tek misteret e fshehta të armiqësisë të të tjerëve ndaj nesh. Le të jetë temë e mbetur për t’u zbuluar e vërteta.
Fahri Dahri.
Tiranë, më 20 prill 2025.-
Nga sa kam ndjekur , ne leximet per Camerine , Fahriu , eshte nje veprimtar , qe ka bere dhe vijon te beje me shume se shoqata , qe mban kete emer. Edhe reagimet qeverritare mbeten shume te drojtura ndaj qeverrive greke , qe pa turpesisht mbajne ne fuqi ligjin e vdekur te luftes . Shoqata , lipset te gjallerohet dhe te filloi te botoi numurn 2 te gazetes e ne vijim . Ata trima guximtare , qe filluan botimin e kesaj gazete , duhet te behen simbol i vijushmerise , ne kohen e shtypit te lire . , qe perjetohet sot . Droja nga qeverrite greke duhet te marri fund , nje ore e me pare…