Në mbrëmjen e të shtunës së 21 Dhjetorit 2024, në orën 18.10, ra zilja e telefonit dhe një zë i ëmbël, plot dashuri dhe me mall më përshëndeti. Ishte zëri i birit të Çamërisë, historianit rrëzanjot, i cili ka bërë një punë të madhe, të vërtetë, të saktë për njohjen e historisë së Rajonit të Çamërisë dhe të banorëve të asaj treve. Ishte Hajredin Isufi, bashkëfshatar dhe mik me Dahrinjtë. Unë e vlerësoj jo vetëm si patriot, por dhe si krijues, hulumtues, studjues i zellshëm, me plot vullnet për të bërë të njohur, të panjohurën e diktuar nga gjeopolitika e kohës, mbi 110 vjeçare. Biseduam pak gjatë sepse na pëlqente të dëgjonim zërin e njëri-tjetrit, kishim mall, na bëhej sikur zërat vinin nga Rrëzanji, nga Vatani ku kemi lindur dikur para 8 -9 dekadave. Kishin kaluar plot 20 vjet (2004) pa u takuar dhe pa u dëgjuar mes nesh.
Në nderim dhe respekt të këtij historiani që edhe pse në kushtet e një ambienti aspak dashamirës, Hajredini shkruante hitorinë e rajonit dhe të prindërve tanë. Kurajoz, tepër i kujdeshëm, i saktë dhe i vërtetë. Në dijeninë time, Hajredini është ndër të parët historianë me origjinë nga Thesprotia që për 70 vjet i është kushtuar me përgjegjësi të lartë historisë së vendlindjes së tij dhe të të parëve tanë.
80vjet më parë, të dy ne, në moshat 6 dhe 9 vjeçare, së bashku me familjet tona dhe banorët e rajonit morëm rrugën (në drejtim të pa ditur) dhe lamë mbrapa vatrat tona, por jo ngrohtësinë që japin vatrat e shpirtrave dhe zemrave prindërore ndër mijëvjeçarë. Sot, të dy, në moshat e treta, në qytete të ndryshme, flasim në telefon dhe krahas përshëndetjeve, në të qintat apo në të mijërat e sekondave, kujtohen rrugëtimet tona tetëdhjetë vjeçare, me të mirat dhe vështirësitë e llojeve nga më të veçantat që i ndodhin njerëzisë. Është kjo arësyeja që më shtyu për t’a ndarë me ju, të nderuar miq. Si kushëri i uroj Hajredinit jetë të shëndetshme, mirësi dhe me lutje të shpejtojë të shkruajë edhe gjetjet e reja për ndodhitë e trevës së Çamërisë, të tokës shqiptare.
Miq të mirë! Ju uroj familjarisht: “Gëzuar vitin e Ri 2025. Sjelltë mirësi dhe begati në familjet tuaja”.
Tiranë, më 29 /Shëndre/2024.
Comments