top of page

Fahri Dahri: Kush ishe? Kush je?  Dhe kush do jesh?!



 

Kjo jetë, për të gjithë njerëzit që lindin, kalon në tre kohë, në tre pyetje dhe më tre veta tek vetvetja!.

 

I.- Koha e lindjes. Krejtësisht e pavarur, e pavetdijshme, e panjohur, abstrakte për të lindurit. Mesa konstatojmë foshnjat vijnë në një jetë, në një mjedis krejtësisht të pa përgaditur. Lëvizin pa komandë, qajnë dhe diç kërkojnë, por asgjë të vetdijshme. Vallë kush i “drejton”?. Të gjithë, tashmë e dimë. Është instikti, një “aftësi e lindur dhe e trashëguar te çdo lloj i qenieve të gjalla, që e bën organizmin të veprojë në mënyrë të pavetëdijshme për t'iu përshtatur mjedisit e për t'iu përgjigjur ndryshimeve të tij…”, na e përkufizon fjalori. Çdo gjallesë, sapo vjen në jetë drejtohet me anë të institktit. Dhe ne të rriturit, i shikojmë, i vëzhgojmë, i prekim, i ndjejmë dhe prap çuditemi, na duket diçka e pakapshme, e pa kuptueshme, e përsosur, perfekte. Ndalemi vetëm tek foshnjat, të vegjlit e posa lindur, lëvizin kokën sa andej këndej, diç kërkojnë, nënat-njeri, u vijnë menjëherë në ndihmë por këto me vetëdije; ndërsa tek nënat-shpendë; apo nënat-kafshë, etj. dallohet veprimi me instikt. A nuk është tepër i  habitur veprimi që kryejnë sa lindin breshkat që sa dalin nga rëra dhe drejtohen turma-turma drejt vendit ku ka ujë? Shembujt janë të shumtë.

Nga vrojtimet tona, kuptojmë se në këtë planet, pa përjashtim të gjitha gjallesat përcaktohen nga dy parime: fillimisht nga instikti, e më pas përvoja dhe vetëdija, kjo e fundit është privilegj që natyra i ka dhuruar njerëzimit (themi ne,njerëzit?).

Është arritur të përcaktohen disa instikte, fjala vjen: instikti i të ushqyerit, i vetmbrojtjes, i riprodhimit, i kujdesit ndaj foshnjave të të gjitha llojeve, instikti i nënës, i fëmijës, instikt për këdo.

Mbas kësaj trajtese, duhet të ndalemi dhe të bëjmë pyetjen e thjeshtë, tepër domethënëse si për vete dhe për të tjerët kushdo qofshin: “kush ishe?”.

 

II.- Koha aktive deri në largimin prej kësaj jete.

 

Mbasi ta kuptojmë “kush ishim”, vazhdojmë me “kush je”?.

Përqendrohemi tek njerëzit! Kush jemi ne? Qenie e gjallë, fillimisht të orientuar me instikte, pastaj me përvoja dhe të vetdijshëm, brenda nivelit kulturor dhe aftësive të ndryshme mendore në raport me mjedisin ku gjallojmë.

Me kapërcimin e foshnjërisë, vijon rritja në moshë, në trup, në përvoja dhe në njohuri për mjedisin ku jetohet, në raport me aftësitë mendore të secilit. Kështu arrihet që çdo njeri krijon personalitetin e tij. Me personalitet kuptojmë gërshetimin e temperamentit të secilit, me karakterin e tij. Karakteri është ajo pjesë e personalitetit që zhvillohet përmes të mësuarit dhe përvojës që arrijmë të marrim. Kuptohe, si të mësuarit dhe përvojat janë të ndryshme për secilin njeri. Këtu ndikojnë shumë gjëra: vendi, koha, mjedisi etj.

Ndërsa temperamenti është pjesa e lindur e personalitetit.

Për të arritur tek qëllimi i artikullit, është e nevojshme të dimë përcaktimet dhe dallimet mes tempersmentit dhe karakterit. Karakteri përfaqëson qëndrimet dhe besimet etike, morale dhe sociale, që duhen nënkuptuar karakteristikat e qëndrueshme dhe dalluese mendore dhe morale të një individi. Është i vetmi faktor që përcakton reagimin tonë ndaj një situate të caktuar. Mënyrën tonë të sjelljes; aftësinë e secilit për të kontrolluar ndjenjat; mënyra si i shprehim mendimet. Me karakter duhet të kuptojmë se kush jemi në të vërtetë. Dhe për tu kuptuar kjo duhet të dallojmë disa dukuri të personit si ndershmëria; besnikëria; bujaria; ambicia, etj.        Në kohën tonë, si efekt i ndryshimeve të mëdha sociale që ndodhin, na është dhënë mundësia të kuptojmë mjaft mirë karakteret e njerëzve me të cilët jetojmë, qofshin familjarë, miq, shokë, e më qartë politikanët, intelektualët.

A nuk është bërë i qartë dhe i dallueshëm karakteri i njeriut tonë me ndërimin e sistemit politik? Shumë shembuj arritëm të kuptojmë për karakteret e njerëzve! Më tepër u ndeshëm me karaktere negative, të neveritshëm të disa personaliteteve të para dhe pas ndryshimit. Për të mos u zgjatur le ti referohemi filmit shqiptar të vitit 1992, “Vdekja e kalit”. Atje shikohet karakteri, dyfytyrësia e njeriut, ku shpërfytyrohen të zgjedhurit apo të emëruarit. Disa nga ata dhe këta që drejtojnë për tre dekada shoqërinë tonë, i gjejmë të personalizuar tek ai film, të cilët na shfaqet (na ndjekin) për ditë në të gjitha fushat e jetës. Fatkeqësi e jona që na vret çdo ditë!

Dëgjova një ligjvënës, i cili në intervistë televizive të “euronws” albania (12. 05.2024), mesa duket për karshillëk ndaj vizitës së kryeministrit shqiptar në Athinë, deklaroi se “Boll abuzuat. Nuk kemi qenë kurrë të pushtuar nga Greqia”. Më tej deklarimi vazhdon me mos inferioritetin tonë, një deklarim që rrëzohet me gjoja mos pushtimin. Thuhet se është e drejta e fjalës, po, por jo të mashtrojmë, as të mohojmë, apo anashkalojmë realitetet ku historia i tregon qartë masakrat antinjerzore të kryera nga shteti grek në jugun shqiptar, që nga viti 1914 e deri në vitin 1945. Po ashtu aktualisht janë 15.674 km/2 territor shqiptar i pushtuar nga ai shtet.

Krahas këtyre të keqeve në karaktere, pa dyshim kemi dhe karaktere pozitive. Këta i dallojmë tek masa e besimit në drejtësinë sociale. Të shumtë janë dhe rastet kur karaktert pozitive shfaqen duke dëshmuar me argumente fenomenin apo veprimin që konsiderojnë të padrejtë. Të tilla ndodhi, për fat të mirë përsëri i kemi me bollëk. Një institucion të tillë, ku na krijohet besimi se karakteret dhe temperamentet do të rikthehen, e gjejmë tek SPAKU, tek sistemi i ri i drejtësisë. Kjo kërkon që kushdo që ndeshet me padrejtësi, qoftë individuale apo shoqërore, nuk duhet të hezitohet, përkundrazi karakteri pizitiv duhet të na shtyjë për të vepruar, ndryshe vënojmë rëndë karakterin.

A nuk dëshirojmë të gjithë që të mos zhgënjehemi! Sigurisht!

Është arritur me kohë konkluzioni se: “Ndërsa personaliteti tregon se çfarë jeni jashtë ose çfarë jeni për botën, karakteri zbulon atë që jeni brenda”. Dhe “Nëse kombinojmë personalitetin dhe karakterin tonë, rezultati do të jetë ai/ajo që jemi në realitet”.

 

                   ●●●

 

Para se të kalojmë tek e treta jonë,

më duhet të trajtoj se si ka gjetur dhe gjen zbatim ose jo sistemi i drejtësisë Ndërkombëtare. E them që në fillim se këtë trajtim e bëj duke u bazuar në përvojën dhe këndvështrimin tim.

Zgjedhimin do t’ja besoj të shtruarit nëpërmjet pyetjeve:

1● Ku vërtetohet zbatimi i të Drejtave të Njeriut, kur brenda shteteve të Bashkimit Europian, ndodhin masakra, gjenocide të mirëfillta dhe të pa bazuara? 

2● Ku kuptohet se veprojnë parimet demokratike, kur një shtet i BE-së kryen vrasje, masakrime, përdhunime, shpronësime dhe dëbime tërësore të banorëve autoktonë?       

3● A është e mundur të krijohet besimi tek ai shtet që nuk pranon zbatimin e konventave e ligjeve ndërkombëtare? 

4● Kush pengon mos zbatimin e parimeve demokratike dhe pse duhet të mashtrohet me gjoja mos plotësimin e kushteve për anëtarësim, kur të gjitha kushtet janë zbatuar?

5● Pse mungon kurajo për të deklaruar të vërtetën se në thellësi të ndërgjegjes në të dy palët (lindje-perëndim) ekziston “lufta e ftohtë por e fshehur e vërteta që lifhet me bindjet fetare?”.

6● A nuk kuptohet ende se luftërat më të ashpra në këtë Botë janë shkatuar dhe shkaktohen nga ideologjitë fetare?

Të gjashta këto pyetje, veçse shërbejnë në nivel të përgjithshëm botëror, këtu, në trajtimin tonë, shtrohen edhe në veçanti për qendrimin e BE-së, shtetit shqiptar dhe shtetit grek, për masakrat, shkeljet e të Drejtave Universale të Njeriut nga shteti Grek, ndaj popullsisë autoktone të rajonit etnik shqiptar të Çamërisë të kryera që nga viti 1913 e deri në vitin 1945, vit ku thuhet se u përmbyll spastrimin etno-fetar me gjenocidin. Trumbetohet me tone të larta për zbatimin e parimeve demokratike, kur në të vërtetë kemi sjellje armiqësore me pasoja tepër të rënda, deri në shfarosje popujsh që janë ndryshe etnikisht dhe fetarisht. Ngjarje të faktuara,  aspakt të hetuara e të gjykuara. Hipokrizi dhe pa turpësi.

 

                     ●●●

 

Kisha dhe shteti ortodoks Grek, gjatë 33 viteve të aneksimit të rajonit etnik shqiptar të Çamërisë, u karakterizua nga veprime tepër ekstremiste raciste, etnike e fetare. Masakra të përgjakshme në vazhdimësi; internime; përdhunime; shkelje e të gjitha të drejtave të njeriut; përvehtësim të pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme; dëbime masive nga vendi i tyre; këmbime banorësh të detyrueshme nga vendbanimet me kriter absurd të bazuar në besimet fetare; u përdorën kundër një popullsie të pafajshme.

Po. U kryen të gjitha këto kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë. Ky është viti i 80-të kur afro 35 mijë çamë, të mbetur nga mos këmbimi i vitit 1923 (andallaisë), nënshtetas grekë, të kombësisë shqiptare, u shuan (u vranë) apo u dëbuan nga Atdheu i tyre.

Lind pyetja, Pse? Sepse ata etnikisht ishin shqiptarë dhe nuk pranuan të konvertoheshin në ortodoksë që të quheshin kombas grekë, si rrjedhojë sigurohej që rajoni i Çamërisë nga territor historikisht etnik shqiptar, të kalonte në territor grek, sipas strategjis së “megalloidea” për helenizimin e trojeve të huaja, kryesisht të trojeve shqiptare.

Ky vit është viti i 80-të. Përpara këtyre akteve ç’njerëzore, të cilësuara e të përcaktuara gjenocid njerëzor, të ndodhura brenda kontinentit Europian, që dëshmon dhe pretendon për liritë dhe parimet më demokratike në Botë, drejtësia njerëzore, humane, kanë preferuar heshtjen, asnjë llogaridhënie, asnjë akt akuzë, asnjë rezolutë, heshtje dhe vetëm heshtje. Madje konstatohen qendrime preferenciale në çdo rast kur mendohet të arrihen marëveshje dy a më shumë palëshe mes shteteve anëtare të BE-së me shtetet që kandidojnë.

Drejtësia, së cilës i thurren kaq e aq merita për vendosjen e paqes, marëdhënieve miqësore, reciprociteti, etj. në rastin që trajtohet, nuk është drejtësi, por propagandë dhe padrejtësi që mban ndezur ç’ekuilibrin etno-fetar mes anëtarësisë së Besë dhe jo anëtarësisë të shteteve të tjera europiane. E pranojmë apo nuk e pranojmë popujjt, në çdo rast mbeten, ashtu siç i cilëson Fjordi, turma.

 

III.- Dhe kush do jesh?

 

Erdhëm tek e treta e vehtes tonë se me ndërrimin e jetës ç’far do jemi!

Të jem i qartë, nuk do ndalem gjatë në këtë të tretë. Vetëm se nga përvoja që kemi ne të gjallët me ata që kanë ikur nga kjo jetë, konstatohet se po vdiqe nuk kthehesh më. Kujtohesh nga të gjallët poshtë lart nja 100 vjet. Nëse ke kryer ndonjë vepër që i shërben shoqërisë, kujtimi zgjatet, sipas rëndësisë edhe mbi 100 vite, madje edhe me shekuj. Mundet të  shikohen edhe kockat në raste kur bëhen çvarrosje për arësye të ndryshme.

Pra se kush do jesh? Përgjigja qenka e thjeshtë: Erdhe nga e panjohura, jetove në të njohurën dhe ike përsëri në të panjohurën. Ikja nuk dihet se ku, por e njohur është se nuk kthehej më.                  

Ikja është e pakuptuar nga shumica e të kamurve, e personaliteteve të larta, e diktatorëve, e kriminelëve, të cilët nuk kanë arritur dhe as arrijnë të vetkontrollojnë sjelljet e tyre, kuptohet: “çështje karakteri” se edhe ata, ashtu si të varfërit, nuk marrin asgjë në varr, veç asaj që thamë: ose “emrin e mirë”; ose “ligësitë”; ose “asgjë, vetëm mbulohen me dhe”.

Në mbyllje dëshiroja që gjithkush të përpiqet të kombinojë personalitetin me karakterin që të jemi ata që duhet të jemi në realitet,

 

   Fahri  Dahri, më 12 Maj 2024.-

22 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page