top of page

Fabula një aspekt i krijimtarisë shqiptare


Dr Fatmir Terziu

Fabula një aspekt i krijimtarisë shqiptare

Dr Fatmir Terziu

Hyrje

Qindra fabula u kompozuan në Indinë e lashtë gjatë mijëvjeçarit të parë para Krishtit. U krijuan e u kompozuan më shumë si tregime me korniza treguese. Dhe ashtu mbetën në një rrugë të gjatë të tyre, ku krijues e kritikë gjetën një emër të ndjeshëm për to. Dhe këtë emër ia ngjizën një orrigjine të vetme. Mbeti gjatë ky emër. Mbeti aq kohë sa studiuesi Ben E. Perry zbuloi se shumica e këtyre fabulave kanë patur ndikim të kryqëzuar kulturash. Pra, kanë patur ndikim të hapur nga fabulat greke dhe nga ato që krijoheshin në lindje. Kryqëzimi i dy kulturave u dha atyre më shumë jetë. Më shumë dimension e gjeografi. Por, sipas Perryt fabulat më të njohura kanë ardhur nga Lindja e Mesme, ku më e njohura është ajo që njihet në dy mënyra si “Njëmijë e një netët” apo “Netët Arabe”. Fabula ka patur një traditë të gjatë lëvrimi në Mesjetë dhe në atë kohë u bë edhe pjesë e Letërsisë Evropiane. Gjatë shekullit të 17-të, fabulisti francez Jean de La Fontaine e pa shpirtin e fabulës në moral, si një ligj të sjedhjes. Duke vazhduar më pas me krijimtarinë e Ezopit, që përbën një skenë të plotë të jetës së tij, fabula arriti edhe më lart. Dhe kështu stili i La Fontenit u puth lehtë nga polaku Ignacy Krasicki dhe rusi Ivan Krylov. Duke ardhur tek fabulistët e kohës moderne Leo Tolstoy, Nico Maniquis, Ambrose Bierce, Sholem Aleichem, George Ade, Fables in Slang, Władysław Reymont, Franz Kafka, Italo Kalvino etj.

Në kohët moderne, fabula është shndërruar edhe në libra fëmijësh. Pra, ajo është plotësisht e adoptuar në një letërsi moderne. Për shembull, James Thurber, përdori stilin e hershëm në librat e tij. George Orëell satirizoi sistemin stalinist në veçanti tek “Ferma e Kafshëve” dhe në përgjithësi totalitarizmin duke sjellë fabulën e kafshëve.

Historia e fabulës shqiptare dhe lëvrimi sot

Duke iu kthyer historisë së fabulës shqiptare, natyrshëm kemi parasysh edhe ndikimin e hershëm në të nga fabulistët më me emër të kohërave. Ajo që bie ndesh është një arsye kohore e privuar nga fabula e lëvruar në Perëndim. Por gjithësesi ajo ka hapësirë të nevojshme për tu komentuar në këtë pikë, që kërkon një studim më të gjerë. Por, në fakt duket paksa e largët ajo kohë kur në letërsinë tonë lëvrohej ngeshëm edhe fabula. Fabula që vinte e krijuar ose e përshtatur nga Naimi, Çajupi, Ndre Mjeda etj, fabula që në traditën e të cilëve u zhvillua nga Nonda Bulka, Spiro Çomora e ndonjë tjetër. Por ndikimi i fabulistëve shqiptarë vinte edhe nga fabulistë të shquar në letërsinë botërore si Ezopi, Fedra, La Fonteni, Krasiçki, Krylov, Bierce etj. Dhe fabula, ajo vjershë e shkurtër epiko-lirike (më rradhë edhe përrallë e shkruar në prozë), me karakter alegorik e satirik tashmë duket disi e rradhë në krahasim me lëvrimin e poezisë në përgjithësi. Ajo shpesh kur lëvrohet nga disa autorë në Shqipëri, ose kur mori një zhvillim nën siglën e disa fabulistëve të pas viteve 90-të, u duk sikur mori tërësisht një pushtet politik, pra u kthye në një lloj arme në shërbim të politikës. Mjeshtëria e Dritëro Agollit në këtë pikë është një fushë më vete. Ai është një fabulist tipik në fjalën e tij dhe shumë orrigjinal në ndërtimin e fabulës. I tillë si në poezi, i tillë edhe në gjuhën e fabulës. Agolli ka një stil të veçantë dhe është padyshim pena që godet më fortë në këtë zhanër. Mjafton të sjellësh nëpër mend “Dijetari dhe gomari” të kuptosh qartë forcën e fabulës së tij.

Përshembull tek krijimtaria e Ferit Lamaj, ajo duket shumë e qartë në këtë pikë. Ferit Lamaj tek “Ariu dhe Dhelpra” fikson këto kafshë, ariun, dhelprën, kërriçin, gomarin, ariun për të realizuar qëllimin e tij goditës poltik të sistemit të drejtësisë, një sistem që në tëresinë e fabulës së autorit është një dilemë mosbesuese. Të njëjtën gjë mund ta shohim edhe tek krijimtaria e mirëfilltë e aktorit elbasanas Astrit Çerma, që ka lëvruar ngeshëm në këtë fushë. Astrit Çerma, aktori dhe regjisori i mirënjohur shqiptar ka sjellë shpeshherë modele tërheqëse dhe shumë shpotitëse. Fabula e tij “Gabimi i qukapikut” është një model. Fabula kanë krijuar edhe emra të tjerë si Miço Kallamata, Pëllumb Kulla, Odhise Grillo, Pandeli Koçi, Astrit Bishqemi, Skënder Rusi, Muharem Xhaxho, Themi Bello, Selman Biza, Adelina Mamaqi, Ferhat Çakërri, Niko Tita, Beatriçe Balliçi, Agim Bajrami, Miltiadh Davidhi, Ilir Borodani, Jorgo S. Telo, Jani Duri, Ejup Cerraja, Luan Myftiu, Pilo Zyba etj. Por në fakt një mjeshtëri të rradhë në këtë fushë ka treguar fabulisti i mirënjohur shqiptar Ferit Lamaj. Ja se si shkruan Jorgo S. Telo për fabulat e Ferit Lamaj: “Prej vitesh kam lexuar në vijueshmëri botimet e këtij autori të mirënjohur veçanërisht në gjininë e fabulës. Së pari kam konstatuar dhe vijoj ta kem këtë mendim se fabulisti famoz është bërë pikë referimi e frymëzimi për të tjerë fabulistë tepelenas, duke nisur me Izet Çulin, Kastriot Hadërin e me radhë... Është kuptimplotë fakti i kësaj pëlqese e pikërisht stili i zhdërvjelltë e kumbues i vargut, larushia e temave, që rrjedhin nga njohja e realitetit shqiptar dhe e shpirtit njerëzor gjer në honestrat më të padukshme... Gjithashtu në nivelin e lartë artistik e tematikën e pasur të krejt fabulave te Feritit ndikon thellësia e fantazisë dhe njohja e mirë e artit të fjalës. Padyshim ndikon (sipas mendimit tim) përvoja shumëvjeçare e angazhimit të tij në shtypin e dikurshëm e bashkëkohës deri te entet botuese...”

Ferit Lamaj është njëkohësisht edhe i adhuruari i Pëllumb Velos. Ai vetë është një fabulist i spikatur. Velo ka folur për herë të parë për krijimtarinë e tij kohët e fundit. Në një intervistë dhënë publicistit dhe poetit, Gëzim Llojdia, fabulisti Pëllumb Velo shprehet qartë se “fabula është pjesa ime shpirtërore”. Më tej ai duke iu përgjigjur Llojdisë shton edhe faktin e ngjizjes së tij me fabulën: “Frymëzimin ma dha nëna ime. Së bashku me qumështin e gjirit ajo më mëkoi edhe muzën. Edhe pse pa shkolle, ajo krijonte shumë vjersha të bukura,të cilat unë‘ i recitoja me pasion.Kam adhu­ruar si prozën dhe poezinë, por në veçanti poezinë satirike. Krijimi i parë është i vitit 1962, fa­bula “Dhia dhe keci’”, shkas u bë shpyllëzimi në ato vite. Në vitin 1964 shkrova (gjithmonë me vargje të kursyera) fabulën “Shkurta dhe qukapiku”, ku kritiko­het hipokrizia. Në vitin 1965 shkrova “Kërriçi dhe gici”, ku i padituri thotë vetëm gafa etj. Muze kjo që s’m’u nda kurrë.

Duke e ngacmuar më pas Llojdia zbulon edhe faktin që fibula ka ndikim shpotitës, po aq edhe ndëshkues të politikës, pra ajo në gjuhën e fabulistit ka ndëshkuar një sistem poltik me fjalën e zgjedhur: “Falë kujtesës sime. Pasi i shkruaja, fabulat, që unë i quaja vjersha satirike, i mësoja përmendësh dhe letrat i hidhja në zjarr. Babai im, që tek romani “Rrethi i kuq” përfaqësohet nga personazhi kryesor, nga i cili trashëgoj satirën,me kontrollonte çdo shkrim dhe, duke më puthur,me inkurajonte për të va­zhduar në rrugën e nisur, por gjithmonë nën kujdesin e tij. Njëra nga fabulat te binte ne duart e Siguri­mit të Shtetit dhe pasojat diheshin. Im atë, që kish­te kulturë perëndimore( ai fliste e shkruante italisht i njihte mjaft mire bëmat.”

"Personazhet" më të ndjeshëm

Personazhet e fabulës, të cilët janë kafshë ose shpendë, të cilëve u vishen tipare të njerëzve, duket se janë më të ndjeshëm në krijimtarinë e mëvonshme. Një lëvrim të tillë e gjejmë edhe tek Bardhyl Mezini, një fabulist me zë në këtë fushë. Bardhyl Mezini është autor i vëllimit “Kohë dhelpërish”, botuar nga “FotjonArt”, Tiranë, 2008 dhe i redaktuar e korrektuar nga Roland Musta dhe Nexhip Ejupi, idenë e ballinës e ka realizuar Elton Shyti dhe arti grafik dhe realizimi i kopertinës nga Orsin Thanasi. Mezini ka në botim një vëllim tjetër me fabula dhe një sërë fabulash të tjera në dorëshkrim. Në vëllimmin e tij “Kohë dhelpërish” ai ka përzgjedhur jo më kot këtë kuotë të rëndësishme të Fedrit: “…Çdo njeri-përfaqëson një kafshë dhe çdo kafshë një njeri…”, gjë e cila mund të thuhet se është edhe një postulat udhërrëfyes i tërë enigmës së tij shprehëse në fabul.

E parë nga afër fabula e Mezinit është një krijimtari e rëndësishme e letërsisë shqiptare. Ajo përbëhet në tërë lëvrimin e tij nga dy pjesë: rrëfimi për një ngjarje të caktuar, dhe morali që del në fund prej saj. Në këtë analizë ne do të shohim pikërisht anën më tipike të fabulës së shqiptare mes disa shembujve, duke sjellë në sytë e lexuesit kuptimin e saj ndryshe. Së pari do të shënojmë aspektin fabulistik dhe ndikimin e tij dhe së dyti do të analizojmë në detaj ndërtimin e saj.

Krijimtaria e fabulistit Mezini

Në vëllimin e Mezinit “Kohë dhelpërish” janë 120 fabula që flasin në formën klasike të fabulës. Ata sjedhin për lexuesin formën që i bën të jenë më jetëgjatat në lëminë e vet, ashtu si edhe vetë krijimtaria e tillë është më e mbijetuara në literaturën folklorike. Është kjo formë e letërsisë që sipas shkencëtarëve të cilët besojnë se ato kanë ekzistuar më shumë në formën e gojëdhënave se sa në formën e shkruar. Në ktë pikë krijimtaria e Mezinit forcon jetëgjatësinë e saj, duke marë shkas jetik nga të dy anët e lartcituara. Ajo është e lexueshme dhe e lehtë për tu mbajtur mend dhe transmetuar lehtësisht. Këto fabula mund të thuhet që në fillim janë një pasuri e mirëfilltë letrare dhe ata pasojnë traditën e lëvruar më parë në këtë fushë. Fabula si “Kohë Dhelpërish”, “Macja dhe Korbi”, “Peshku dhe Rosa”, “Profecia e Gomarit”, “Breshka Trimëreshë”, “Alo, Alo”, “Ministri i ri” etj janë fabula që mbahen në mend gjatë pasi lexohen. Kështu është edhe me krijimtarinë e tij të re. fabulat “Kryqëzim”, “Konkursi i bukurisë”, “Viçi në kular”, “Etika”, “Çmimi i jetës”, “Cjapi kasap”, “Modernizëm”, “Çudia”, “Tjetërsim” etj janë një arsye më shumë në ndalesën e kësaj analize.

libri-meziniTek fabula “Kali në lëmë”, Mezini sjedh një proverbialitet sa mesazhdhënës aq edhe edukativ. Ai kapërcen të zakonshmen me intuitë dhe sjedh forcën e fjalës për të argumentuar se fjalët janë një kotësi kur nuk ekziston ndihma e plotë dhe e sinqertë: “I tha kali:-O veshgjatë/Shiko rrugën, më lër rehat./Fjalët e bukura janë kot,/Gjersa s’më ndihmon dot.” Tek “Gomari me shalë” autori pasqyron bukur në pjesën e parë të fabulës me një përshkrim tipik e tërheqës të situatës së gomarit me shalë dhe në pjesën e dytë forcon kuptimin e fabulës duke sqaruar “S’mund të mbaj gomari shalë…”, pra gomari nuk mund të luaj rolin e kalit në asnjë rast. “Peticion” është disi ndryshe. Në këtë fabulë forca e autorit zbulon se në një shoqëri ka vlerë kryesorja dhe personalja, ose vetvetja është një përfundim si ai që autori shpreh: “Jo moj jo, ne pa atë,/Do shuhemi, një nga një.” Duke ndërtuar fabulën “Riqna” autori sjedh idenë e një lloj paraziti që fiksohet në pjesët e buta të lëkurës së kafshëve, kryesisht nën bisht dhe thith gjakun për të formuar vlerën e kuptimin e mesazhit që përcjedh tek lexuesi.

Pra, shihet qartë se fabula e Mezinit është një vazhdim tradite dhe një lëvrim në aspektin e mit-krijimit letrar që shkon në nivelet e arta të saj në kuptimin e mirëfilltë, deri në në atë masë ku kuptimi i saj qëmton në taban të shëndoshë. Në fakt, fabula e Mezinit është një pjesë e kulturës bashkëkohore që e rendit atë në stadin e pëlqyeshëm të fushës së saj, jo vetëm për ne si një mit jetik por edhe si një krijim letrar. Po ku qëndron sekreti i kësaj mi-jetike? Ai është një analizë më vete dhe kështu do të duhet që të plotësohet në një përkushtim më të detajuar. Ajo që u tha në veçanti për disa fabula të Mezinit është arsyeja kryesore. Por unë do të theksoja se një stad i tillë i pëlqyeshëm kërkon më shumë përkushtim ideor dhe një larmi më jetëdhënëse në situatimin e simboleve. Më tej është fjala e lexuesit të thjeshtë që duhet të thotë fjalën e tij në heshtje, se rruga duket e mbarë.

Fabula e Davidhit dhe shpallja

Fabula është një lloj gërshetim i revoltës shpirtërore të papajtueshmërisë me shpalljen e saj në një formë artistike për lexuesin. Duke u ndalur në një formë fabule të Miltiadh Davidhit, pikërisht tek ajo që ai e titullon “Liria” shohim pikërisht këtë shpallje në një përballje psikologjike tek gomari, i zoti dhe mushka. Dhe leximin e Davidhit e gjejmë në një kënd të tillë të qartë: “U mërzit në kasolle gomari,/ ndaj një ditë këputi litarin:/ Boll më, tha ,me dru dhe punë,/ do fitoj lirinë dhe unë!/Po kur i zoti e gjeti në Pazar/e ngarkoi mirë me mall./I foli një mushkë aty pranë:/Liria nuk është për gomarë!” Mjafton të shohësh këtë filozofi të fabulës së Davidhit për të kuptuar rolin e saj në misionin e autorit. “Liria nuk është për gomarë” është më se e qartë. Mes këtij përfundimi shihet se fabula është një mori gjërash në kombinim për të realizuar anën virtuale të përshpirtjes rreth një detaji që të ngacmon, apo të shqetëson. Në këtë rast shqetësimi për Davidhin është Liria... dhe mes saj filozofia e fjalës...

Vazhdon ....


215 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page