Fabula, filozofia dhe mesazhi i thukët i Vangjush Saros
Dr Fatmir Terziu
Kur bëjmë vend analitik për fabulën shqiptare, nuk mund të lëmë pa e vendosur në parësinë e vendit të duhur, vendit aprior, emrin dhe krijimtarinë e këtij zhanri të shkrimtarit dhe fabulistit të mirënjohur Vangjush Saro, apo dhe më tej fabulën e Gjikë Kurtiqit e disa të tjerëve të pacituar ende. Por le të ndalemi së pari tek fabula, filozofia dhe mesazhi i thkët i shkrimtarit të mirënjohur në disa zhanre, kritikut dhe publicistit me një theks të ngjashëm “thukës” dhe “ngacmues”, por trajtues të së dretëpërdrejtës, asaj që shqetëson dhe që duhet të zgjojë shoqërinë tonë. Fabula e Saros është një kënd më vete. Ajo është si një artefakt i vendosur në Muzeun e Madh të Fabulës dhe menjëherë bie në sy si një shkëlqim, jo sipërfaqësor, por si një dritë që vjen nga zemra e saj. Saro ka një krijimtari të hershme, por disa nga fabulat e tij të prura kohët e fundt kanë në thelb jo vetëm qasjen për të mbetur si një nga zhanret më të vjetra letrare, por një tregues ku origjina kombëtare është veçanërisht e mrekullueshme në to.
Sikurse ndjehet pra, edhe në krijimet më të fundit të Saros, fabula si një nga zhanret më të vjetra letrare është dhe mbetet një nga prioritetet e krijimtarisë të tij. Ai nuk ndalet. Fabulat e tij zënë faqet e këndeve letrare të sotme dhe më tej ato marin vlera dhe vlerësime. “Zagari”, një fabulë që shkon në një qëmtim të thukët të lidhjes mes arsyes dhe logjikës, natyrisht tejçon mesazhin teksa kumti rrok parësoren e mesazhit dhe kuptimit të qartë: “Shkon korijes sy e veshë Gjahtari,/shkumëzon aty përqark Zagari./Strukur Lepuri në shkurre e shpresë,/kot i lutet tjetrit të mos e shesë:/“Mirë yt zot, se do më çojë në zgarë,/ti përse vjen rrotull si i marrë?” Pra nëse shkojmë më tej, shohim qartë rolin e mjaft servilëve të sëmurë, e mjaft shërbetërorëve të të gjitha sistemeve që luajnë rolin e zagarit për të zgjuar e kapur gjahun për gjahtarin dhe asgjë për veten e tyre. Në kënde të tjera mesazhi i kësaj fabule shkon më tej. Jo vetëm tek kjo fabulë, që e ka publikuar kohët e fundit, por dhe në dhjetra e dhjetra të tjera të këtyre kohëve, sikurse janë “Dallga” apo “Majmun” autori tregon se qëndron vetëm tek vlerat.
Krijimtaria e tij vjen me një formë të avancuar, shpesh herë në formë të saj nuk është thjesht një aspekt, por është një histori e shkurtër, e veshur shpesh në një formë poezie, që përmban një element ironik ose satirik, të shprehur përmes një shqiptimi didakt. Karakteret e zakonshme janë kafshë, por ne shpesh gjejmë njerëz, perëndi, madje edhe objekte në të. Personifikimi dhe përfundimi aforizist (morali, etika, mësimi) janë tiparet e ndjeshme të fabulës së Saros. Prandaj, që nga koha kur në hapësirën shqiptare zuri vend fabula, dhe në këtë aspekt të cekur nga Saro, ajo tregon se ende u shërben njerëzve në formësimin e normave të tyre etike dhe estetike, dhe përmes veçantisë së saj është një armë e fuqishme në duart e të thjeshtëve. Fabula e Saros si një tipar karakterstik është një pasqyrë e veseve dhe mangësive të jetës sonë të përditshme dhe një armë e fuqishme ideologjike në luftën kundër tyre.
Vetëm pak kohë më parë ai nxorri në dritë librin e tij të ri me fabula, titulluar “Gomar apo Kaproll?”. Për këtë libër pedagogja e Universitetit të Tiranës Daniela Hasa theksoi se me publikimin e fabulave të “Gomar apo Kaproll?”, … fabulës, por edhe letërsisë shqipe, iu shtohet një prurje me vlera”. Duhet shkuar më tej tek pikasja kur citohet se “Krijimtaria letrare e këtij autori, i njohur për qasjet groteske, është e gjerë dhe e larmishme; ajo karakterizohet nga struktura të kohës dhe një koncizitet bindës”.
Vangjush Saro ka publikuar libra me fabula, me tregime satiro-humoristike, si dhe novela, për të rritur e për fëmijë; ai ka shkruar, gjithashtu, skenarë për filma artistikë, dokumentarë e vizatimorë, si dhe publicistikë. Origjina kombëtare dhe tematika po e tillë është veçanërisht e mrekullueshme në të gjithë këtë krijimtari të këtij autori të vlerësuar nga mjaft autorë. Arti i fabulës së tij buron nga përditësia, frymëzimi nga arti gojor popullor, pasqyron mënyrën e jetës dhe botëkuptimin e njeriut nga njerëzit dhe shërben përmes karakterit të tij si aspektualitet mësimor dhe moral të njerëzve.
Fabula, filozofia dhe mesazhi i thukët i Vangjush Saros nuk mund të shihen të ndara. Ato bashkëveprojnë në mënyrë diskursive, krijojnë gjuhë, theksojnë gjuhë, lartësojnë gjuhë. Të tilla janë fabulat e qëlluara në tematikë, si “Treni”, ku faji shkon në erë, pasi shinat, konstruktorët, trenat, hekurudhat, të gjitha lidhjet me ta kanë shkuar në erë, dhe natyrisht fajin e ka era filozofike, mesazhi i thukët dhe tërë gjuha që prodhon kjo fabulë e latuar bukur nga shkrimtari. “Dallga” nga ana tjetër është një arsye më shumë për të kuptuar saktësinë dhe arsyen pse ndodh kështu: “Një Dallgë ndiqte shoqen në detin e vjetër…/Dhe befas iu shkrep ta arrinte patjetër./Filloi të përhidhej e shkumëzohej fort,/‘garoi’ gjithë ditën, por nuk e kapi dot./Së fundi e ngrata, e lodhur, u shua/në Bregun që bënte gjumë të trazuar…” Edhe fabula “Reja” natyrshëm shkon në këtë shtrat filozofik të autorik: “Reja që vallëzonte në qiell ishte/e vogël, e butë edhe e brishtë…/Papritur, era e shkundi atë;/dhe Reja u ngrys, u vrenjt, u bë gri,/e frikshme,/e dridhshme,/e madhe u bë,/në tokë, inatin e derdhi shi./E ndërsa ajo bënte tiranin,/drurët edhe rrugët vetëm qanin./Por pas një kohe (që askush s’e mat)/lule avujsh zu të ngjitej lart;/dhe Qiellin e madh e la pa gojë,/teksa në vallëzim sërish e ftoi…”
Ndërsa jemi mësuar që zakonisht të themi se fabula shoqërohet me emrin e Ezopit, ajo që bëmë të qartë në pjesën e parë për këtë zhanër, natyrisht jep më shumë detaje. Sidoqoftë, ndikimi ende është dhe mbetet, si pasojë jo thjesht e qasjeve, por edhe të ndikimeve gjeografike, pasi fabula është dhe një prurje më së shumti gojore. Duke rrëmuar në astarin fabulesk të fqinjit jugor, me arsyen e ekzistencës dhe origjinën në Greqinë e Lashtë, aty ku krijuesi i saj ishte Ezopi, ku edhe koncepti i fabulës ezopiane ka dalë në dritë, gjejmë arsyen të rrëmojmë edhe në udhën e fabulës shqipe, dhe me këtë rast edhe në stacionin e Saros, ku diskursi parathotë se emri i tij tashmë është një model për brezat e tjerë. Themi kështu pasi vlerësimet dhe vlerat e fabulës së këtij shkrimtari shkojnë në kënde të larta. Në këto vlera shkon dhe vetë faula e tij. A nuk është një qasje sa tipike dhe tipologjike “Deti dhe varka”? Le ta shohim si fillim të plotë: “Një varkë e vogël,/shumë e vogël,/që Deti i madh e zhbëri sakaq,/u shkalafit si të ishte lodër/në udhëtimin e saj pa fat./“Epo, duhet ta zgjedhësh mirë
me kë bën luftë apo lojë…”/Tha Deti tek përpinte dërrasat,/që s’kishin më as formë, as bojë.” Një ide e tillë është e bukursjellë, filozofikisht e qëmtuar dhe masazhi i saj është tejet kuptimplotë, rrek dhe cek të gjithë arsyen, rrëzn dhe shpërfill mjaft dukuri dhe etika të një propogande se “edhe i vogël” bën namin. Saro që shkërmoq propagandën e socit dhe riformaton një relaitet me mesazhin dhe filozofinë e tij, i jep lexuesit të qartë për atë që është mjaft kuptimplote: “me kë bën luftë apo lojë?”
Ashtu sikurse Daniela Hasa citon “Fabulat janë një aspekt i veçantë i krijimtarisë së shkrimtarit; në këtë zhanër, ai operon duke kombinuar rrëfimin gazmor e shpotitës, me elementet lirike”, kuptojmë qartë se edhe “Dilema, meditimi, zhgënjimi, finalet e papritura, janë karakteristike për fabulat e tij”, pra aq qartë sa “në to, shpesh ai vizaton edhe peizazhe, ku vendos ngjarjet dhe shpërfaq karakteret”, pra aty ku mbesin edhe fabulat “Pilivesa”, “Sorra”, “Apo dy kecat” e mjaft të tjera si këto, me mesazhet dhe filozofinë e tyre. Thuhet jo pak herë se Saro me diskursin e tij fabulesk ka prurë “shenja të reja në krijimet fabulore”. Sipas shkrimtarit Xhahid Bushati këto “I gjejmë në konceptim, në këndvështrim dhe ndërtim”, pasi sipas e gjithë kjo karakteristikë lidhet “me aktin poetik individual të tij.”
Në fabulat e Vangjush Saros, bien në sy, gjithashtu, gjetjet interesante, dialogu intensiv dhe fjalori i pasur, e në funksion të mesazheve që përcjell krijimi. Falë simbolikës bindëse, rrëfimit tërheqës, autori qaset natyrshëm te lexuesit e çdo moshe. Dhe kjo është një e vërtetë rreth së cilës nuk mungojnë asnjëherë argumentet. Fabula e autorit Vangjush Saro “nuk është thjesht një vjershë e shkurtër me karakter alegorik a satirik. As edhe ndonjë kategori e tillë që vetëm lexohet. Ajo tërheq!” (Fatmir Terziu). Ndër veçanësitë e tjera të krijimtarisë së shkrimtarit, është “përcjellja e fabulës përtej subjekteve e botës së kafshëve, tani edhe te sende e dukuri të ndryshme të jetës; këto sende e dukuri personalizohen, duke hyrë në marrëdhënie varësie a sjelljeje me njëra-tjetrën.” (Pandeli Koçi)
Duke shkuar më tej thëniet dhe pikasjet për krijimtarinë tërësore të fabulës së Saros shohim këtë tipar kryesor, se procesi i analizës së fabulës së tij është reduktuar në thelb në zbulimin e karakterit të imazheve alegorike dhe veçantitë e konstruksionit komplot-kompozicioniv. Sidoqoftë, megjithë praninë e elementeve lirike dhe epike, analiza e fabulës nuk mund të zvogëlohet në analizën e një vepre lirike, ose të trilluar, pasi nuk është e vështirë të gjesh atë që e dallon nga poezia, dhe cilat janë këto tipare të veçanta të poezisë, që mungon qartë nga fabrikimi i njëjtë, pra e njëjta vlen edhe për trillimet. Fabula e Saros, në këtë kontekst, është në thelb e kundërta e tyre. Forma e saj poetike (poetike) dhe narrative (proze), dialogu, mjetet artistike janë në vartësi të arritjes dhe shprehjes së plotë të alegorisë. Në fabulën e Saros, alegoria është rezultati i kërkuar qëllimisht. Nuk është ngjashmëria, por ndryshimi me besueshmërinë, ky është çelësi i vitalitetit të saj.
Fabula e Saros mbështetet në deformim, jo ngjashmëri. Prandaj, sa më i besueshëm të jetë komploti, aq më e natyrshme është dëshmia, aq më neutral është të folurit, aq më e papërsosur mbetet puna e saj deri në delegimin e memsazhit tek lexuesi. Me fjalë të tjera, elementët që përbëjnë strukturën e fabulës së Saros, kanë një funksion të ndryshëm për të ilustruar në mënyrë figurative një ngjarje dhe, duke e zëvendësuar atë, duke e distancuar atë nga bota reale, duke nxjerrë kështu një normë të caktuar morale. Në kontekstin e asaj që është thënë në analizë, përshkruhen dy drejtimet e mëposhtme:
E para është se autori gjurmon rrjedhën e veprimit. Ai nuk ndalet tek pasazhet individuale, me mundësinë e shkëmbimit të vendeve të tyre, por shkon tek ndjekja e sekuencës shumë logjike të ekspozitës, që është dhe mbetet një moment udhëzues. Në nivelin e hyrjes, fabula e autorit, ka për qëllim zbulimin e funksionit të elementeve për ndërtimin e përmbajtjes dhe arritjen e sugjerimit artistik. Sidoqoftë, ajo që është thelbësore është vëzhgimi i gjendjeve psikologjike që justifikojnë veprimet e personazheve dhe japin tërësinë e përmbledhjes prej së cilës lindin e prej së cilës i lindin. Efekti i qartë dhe i saktë i filozofisë, mesazhit të thukët në këtë rast është të zbulohet përmes analogjisë së sugjerimit ideologjik.
Në rastin e dytë objektet (fragmentet) dhe ndërtimi i modeleve të intonacionit në varësi të përdorimit të mjeteve poetike janë objekt i vëmendjes në tërsinë krijuese të Saros, si fabulist dhe lëvrues i një dimensioni më të gjerë zhanresh. Funksioni i dialogut sqarohet gjithashtu në këtë drejtim, pasi Saro është tipologjik dhe gjuhëbërës i ndjeshëm. Theksi është në natyrën e tij humoristike-satirike. Një nga mënyrat e portretizimit me humor-satirik të personazheve të tij është që të thyejnë vazhdimisht iluzionin mbi të cilin ata shpesh janë bartësit. Pra, me plot gojën e themi se Saro e meriton këndin e tij të lartë në mjedisin e fabulës së sotme shqiptare.
Comentarios