top of page

Etër! Për hirin tuaj etër,… ne ‘jetojmë me letërsinë tuaj për fëmijë’!



Letërsia për fëmijë, si shkas për …

… “etërit e letërsisë sonë didaktike…



Etër! Për hirin tuaj etër,… ne ‘jetojmë me letërsinë tuaj për fëmijë’!

E dimë prej kohësh që Letërsia për Fëmijë u nda nga letërsia e përgjithshme për t’iu përshtatur më mirë botës së fëmijëve,veçorive të moshave të reja, përvojës dhe aftësive të tyre njohëse. Dhe që nga kjo ndarje është një kohë e gjatë, një rrugë e gjatë. Letërsia për fëmijë eci dhe u lëvrua si e tillë. U zhvillua dhe krijoi emrin e saj. Shtrati i kësaj letërsie natyrshëm krijoi edhe venddihatjen e tij në itinerarin lidhës mësues-shkollë-letërsi për fëmijë dhe nxënës, por shpeshherë harroi arsyen dhe analizën e duhur dhe të domosdoshme për këtë krijimtari. Vetë mësuesi që udhëzon veprimtarinë e tij letrare tek nxënësit në këtë itinerar, shpesherë dikton mbi atë që Natasha Poroçani e quan:

një libër që e apasionon nxënësin si nga forma narrative, edhe nga vlerat që transmeton, e përdor atë si sfond integrues dhe e transformon në manual të aktiviteteve të ndryshme” (Poroçani, Mangësia në të lexuar dhe alternativa për shmangjen e saj; Kurrikula dhe shkolla, Cikli fillor 5; 2003:205).

Më tej mësuesja me një përvojë profesionale në këtë fushë e sheh këtë në praktikën mësimore ‘tek gjetja e një lloj letërsie didaktike’ (Po aty).

Letërsia didaktike është një nga mjetet e saj, misionin e së cilës, fjalorët me karakter enciklopedik, e përcaktojnë kështu: Letërsia didaktike ka si qëllim “të japë një mësim shkencor, moral, artistik” (F. Leka - F. Podgorica - S. Hoxha. “Fjalor shjegues i termave të letërsisë”. Tiranë, 1972, fq. 40-41)

Ajo përfaqësohet në prozë (me traktatin, lexsionin, fabulën, parabolën) dhe në poezi (me poemën didaktike, epistulën, satirën). Duke e shtjelluar më gjerë, me letërsi didaktike kuptojmë veprat artistike të kryejnë edhe funksione didaktike, duke transmetuar të dhëna me karakter shkencor, artistik, moral, filozofik, historik etj., në përshtatje me moshën, zhvillimin fizik, aftësitë perceptuese të fëmijëve etj. Të tilla, p.sh., janë: fabulat, poemat didaktike, traktati, leksioni, epistula, satira, tregimi fantastiko-shkencor etj (Prof. dr. Shefik Osmani; Letërsia didaktike shqipe dhe arsimi ynë fillor; 2003:214). Dhe kjo në fakt sipas Osmanit quhet edhe letërsi didaskalike.

Më tej nga teoria e cekur prej Osmanit, po edhe nga teoria e studimit të letërsisë dimë se letërsia didaktike është një mjet i fuqishëm për të realizur disa synime që ka shkolla, familja, mjedisi lidhur me edukimin e brezit të ri nga ana e edukimit human, qytetar, shkencor, artistik etj. Nuk duhet të identifikojmë letërsinë didaktike me letërsinë për fëmijë. Kjo e fundit është degë e veçantë e letërsisë së përgjithshme artistike, që krijohet posaçërisht për të vegjëlit dhe të rinjtë (që nga mosha 4-5 vjeç deri në moshën 17-18 vjeç), që të ndihmojë në zhvillimin e këtyre moshave në përgjithësi, e në veçanti në edukimin e shijeve të tyre, në stilin bisedor të fjalës së folur e të shkruar, në aftësimin e nxënësve për të dalluar të bukurën nga e shëmtuara, të mirën nga e keqja, të vërtetën nga gënjeshtra, heroin nga tradhtari, të bardhën nga e zeza.

***

Ndoshta kemi harruar ta quajmë këtë letërsi si pjesë të familjes së letërsisë, por edhe kur e quajmë si ‘familje më vete’, dendur e nisim dhe e bitisim aanalizën e saj tek “etërit e letërsisë sonë didaktike: Kristoforidhi dhe Naimi” (Shefik Osmani; 2003:215). Duke e konsideruar atë si një familje më vete, natyrshëm kemi edhe një gjeneologji të saj. Pra, kemi etërit, kemi bijtë, nipërit e mbesat e saj, në kuptimin logjik, në kuptimin figurativ, apo edhe të mirëfilltë të kuptimit të saj. Kemi kështu krijuesit e vjetër, krijuesit e viteve që pasuan atë, krijuesit e djeshëm dhe ata që lëvrojnë letërsinë për fëmijë sot. Pra këtu është një lidhje me vetë risinë e cituar, por edhe me mitologjinë, si shkas në këtë aspekt të letërsisë dhe krijimtarisë.

Duke u rikthyer tek mitologjia, sepse çdo krijimtari në letërsinë për fëmijë vjen nga një mit që të çon në një mit tjetër, vetë krijimi letraro-artistik për fëmijë mund të jetë një mit në një kohë të mirë për të krijuar një bazë të dhënash mbi këtë bazë të shëndoshë, për veprat e krijuara apo që krijohen nga autorë të ndryshëm në mënyrë që të ketë një arsye më shumë në listimin e tyre, pse jo edhe në përfshirjen e tyre në vlera normative për moshën përkatëse. Le të kujtojmë këtë si një arsye që lidhet me letërsinë e fqinjëve grekë. Ata prej kohësh vepronin në mënyrë të atillë që të gjenin “një fushë për nënën dhe babain” në këtë kuadrat krijimtarie dhe mbi vlerat e secilit ndërtohej përzgjedhja e letërsisë që vinte nga koha romake apo ajo greke, duke sigluar kështu në njëfarë mënyre kronologjikisht sipas vlerave edhe krijimtarinë e lëvruar në kohë tjetër. Si temë e veçantë kjo pjesë e letërsisë vazhdon, që t’ikonsiderojë këto të hyra dhe këta krijuese që kanë lëvruar në vite, si një amorfitet, si një ngecje, kur në fakt ka ecje përpara, si në çdo etapë tjetër, por duke mos u nxituar themi se ajo synon në këtë pikë të lëvrojë aspektin normativ që do të ndihmojë për të mbajtur drejt dhe qartë, duke seleksionuar krijimtari karakteristike që të shërbejë si një raportim efikas në fushën e kërkimit shkencor.

E dimë të gjithë që sot shoqëria shqiptare, përgjithësisht, ka kapërcyer barrierat e vështira që solli ndryshimi strukturor dhe ideorsocial edhe në aspektin krijues të letërsisë për fëmijë. Para këtij realiteti të ri të moderuar, në fakt duket se jemi vetëm teorikisht të tillë, pasi akoma në letrsinë për fëmijë kemi ngelur tek preambula e gjithëcituar mendësisht ‘etërit e letërsisë sonë didaktike’. Ne jemi të përgjegjshëm për arritjet dhe nivelet e reja ku bëjmë pjesë, jo thjesht si subjekte, por tashmë si njësi e strukturës bashkëkohore, apo ‘kontemporane’, sic cilësohet më së shumti si term i huazuar nga anglishtja.

***

Ky rezultat i kësaj analize tregon qartë se kryesore është të kuptohet, se ndërsa librat për fëmijë kanë ndryshuar shumë vetë në dy dekadat e fundit, madje kanë dhënë vendin, pamjen dhe rolin e duhur të fëmijës në shoqërinë shqiptare, shumë nga të rriturit mbeten injorant ose të palidhur me realitetin e ndryshimeve të tilla. Shumë prej këtyre ‘të rriturve’ janë edhe pena apo kritikë e analistë që kanë mbetur me orën e së djeshmes, ose që ende shohin nëpërmjet vrimave të gjilpërës së teorisë së tyre. Përgjigjet e këtyre të rriturve për këtë përshkrim do të ishin vërtet shumë habi, për shembull, po ta dinin se ende tani nuk është dorë e sigurtë, apo më saktë tani është dhe duhet shumë më tepër të vihet theksi mbi ndjenjën seksuale në librat për fëmijë. Një sinqeritet i madh i filluar në letërsinë aktuale perëndimore për fëmijë qysh herët, pas revolucionit psikoanalitik, ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në ndihmën për të çuar tërë letërsinë për fëmijë në këtë ndryshim. Adler, një nga psikoanalistët bashkëkohorë të Frojdizmit, në teorinë e tij thekson se ndryshimi i letërsisë për fëmijë, duhet të vijë në një linjë me ndryshimin e familjes. Kjo nënkupton shumë fakte dhe arsye që lidhen me zhvillimin dhe kulturën në të cilën jetojmë dhe përfshihemi. Rivalitetet familjare në mjaft libra apo inskenime filmike për fëmijë në të kaluarën shqiptare janë parë vetëm si aludime letraro-artistike, apo si trille në shërbim të ‘edukimit marksist-leninist’. Shumë shpesh shihen në librat për fëmijë, nën ritme fjalesh si ‘muskuj’; ‘zemra që rrahin fort për …”; “gjokse…burrërore”; “shokë trima” etj dhe aspak ose fare pak fjalë për jetë fëminore të lidhura me rrethnajën familjare dhe me hap-gjatësinë e ecjes normale. Kështu përshembull në Shqipëri, pranë televizionit shihen familjarisht “Portokallia” apo humore të ndryshme që shtatë fjalë në pesë i lidhin me seksin dhe maturinë, dhe asgjë nuk shihet si një arsye edukuese në kontekstin krijues letrar të letërsisë për fëmijë që krijohet sot. Dhe këtu kritika aspak nuk është kujtuar të bëjë edhe rolin e duhur, por edhe rolin seleksionues të nevojshëm.

***

Thërmija të tjera nga kritikët letrarë në tryezën e psikoanalizës përfshijnë miratimin e fantazisë jo thjesht si një kontekst për të fituar imagjinatën në frymëzim por si një metaforë e vlefshme për pasazhin e vetë jetës së njeriut. Për Karl Jungun përrrallat dhe tregimet, poezitë dhe fabulat që vijnë nga mite zanash janë shpesh simbolikë e individit dhe pasazhe që vijnë përpos jetikes nga lufta e primitivitetit, dhe si një lidhje e botës së kafshëve në kënd-ndodhjen e njeriut si pjesë të nivelit të lartë të botës së vetëdijes personale dhe që diktohet nga përmbushja e marëdhënieve njeri-hapësirë, në situata njohjeje. (Jung; 1986:63). Pyjet, monsterat, kështjellat, barinjtë, lidhet me të vlerësuaratdhe ndihmëtarët e të gjitha gjykimeve autoriale në fushat e ndryshme të krijimtarisë që janë hasur në rrugë të drejtë janë aspekte që sjedhin anën pozitive dhe negative për lexuesin e vetë krijuesin. Edhe pse J.R.R. Tolkien(autori i Mbretit të Unazave [Lord of the Rings]) dhe CS Lewis shkruajtën fantazitë e tyre letrare nga një ndikesë që frymëzohej nga bota e njohjes dhe të qenit të krishterë dhe jo nga një sfond psikoanalitik, seriozitetin me Tolkien vetë e kemi diçka që ka qenë dhe i detyrohet një diçkaje për të trajtuar mënyrën, atë mënyrë që Jung dhe të tjerë e kanë shpjeguar si krijimtari që vjen e plotë dhe fuqizohet në natyrën e frymëzimit të tyre nga bota nga ata vijnë që më pas të kthehet tek ideja e mitit si në thesar psikologjik për ata dhe vetë përcaktimin e tyre personal për të kuptuar plotësisht letërsinë e mirëfilltë për fëmijë. Ky parim është mbajtur cilësor në këtë seleksionim. Herët në krijimtarinë shqiptarë, Çajupi, Guranjaku, N. Frashëri, S. Frashëri, Asdreni, Çomora, Kristoforidhi, Konica, Poradeci, Kuteli, Mosi, Bulka, Asllani, Skendo, Koliqi, Marko, Ballanca, Mehmeti, Xhaferri, Podrimja, Bogdani, Budi, H. Z. Kamberi, Fishta, Noli, Hanxhari etj. dhe më vonë Deva, Huruglica, Prifti, Kristo, Grillo, Dedja, Xoxa, Kikaj, Gajtani, Ramabaja, R. Hoxha, Mustafë Spahiu, Bushaka, Demolli, Elshani, Isaku, Sulejmani, Stefa, Shapllo, Skendo, Kukaj, Demolli, Bushaka, Dedaj, Bojku, Spahiu, Ulqinaku, Agolli, Thaçi, Gjokutaj, Mamaqi, Kadare, Drini, Halili, Camaj, Batalli, Pashku, M. Kraja, N. Sopaj, Hamiti, Vinca, Kelmendi, Mehmeti, Islami, Qosja, Musliu, Rela, etj kanë qenë ndoshta disa nga krijuesit që janë seleksionuar përpos disa rregullave të ngurta.

***

Mjafton të shohësh katalogun e propozimeve të veprave figurative dhe burimeve të tjera plotësuese në “Kurrikulën e shkollës shqipe të mësimit plotësues në diasporë”, ku të paktën më shumë se kudo, ndoshta më shumë se në Atdhe, duhet letërsi e mirëfilltë dhe bashkëkohore për fëmijë, natyrshëm shihet se si është ky fakt. Edhe në seksionin e literaturës së propozuar shihet ndjeshëm fakti paralel me problemin në fjalë. E vetmja gjë është se këtu nuk bëhet fjalë për fill të kuq apo m-l, por për një mbetje në këndin e ngecur, duke perifrazuar për inerci të së shkuarës, tekste dhe tituj ‘etërish’ të krijimtarisë didaktike apo edhe të asaj për fëmijë. Shumë pak emra, dhe shumë pak tituj të më të rrinjve, merren në konsideratë, apo shumë më pak emra krijuesish ‘të pafat’ për të qenë në listat seleksionuese të mëparshme, nga autorë që kanë krijuar në vite dhe kanë një bagazh të vlerësuar librash. Shumë pak të tillë, që edhe pse sot duhet të jenë në këto përzgjedhje shihen ende si thjesht ‘të pafat’. Pse? Këtu pse-ja është shumë e gjatë. Është në një itinerar kohor, rutinor, …, por edhe klanor. Klanet e përzgjedhjes vijnë me ndërresë, por me një emër: Pushtet. Dhe dihet, po si ‘këndove’ klaneve dhe orekseve të kësaj simptome nën petkun ‘Pushtet ose pusht-shtet’, vendin e ke larg listave. Kështu më mirë të mbeten ‘etërit’, që natyrshëm janë dhe duhen respektuar, për të mënjanuar ‘bijtë e pafat, apo …, mjerranët që presin të bëhen etërrrrr…” . Etër! Për hirin tuaj etër,… ne ‘jetojmë me letërsinë tuaj për fëmijë’!


20 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page